“REBELIZMI” I KALOSH ÇELIKUT – POETI QË THYEN TABU E KORNIZA

0
715
Kalosh Çeliku - Koronavirusi

[ Shkarko vëllimin me poezi në PDF ]

Vazhdimi i Dy Librave të mi të “rrezikshëm” me lirika të çmendura: “ Zonjën Vdekje do ta marr për Grua” dhe “Rrugaçja”… Tri Grave besnike: Njëra, që më pri para për luftë me Penë nën Rrap, dhe Dy të tjerat që më mbajnë përkrahu dhiareve malore, Rrugës për të hipur në Malin e Shenjtë të Perë ndive, Baba – Tomorr. Tyrben e Babashehut, ku pihet Rakia e Rrushit me ibrikë. Vera me nga Dy shtamba, lindë Poezia. Dhe, bëhet Dashuri me Zanat e Maleve… /Kalosh Çeliku

Në vend të parathënies Impresione nga libri “GruaVerë”, me dhjetë plagë të Kalosh Çelikut

“REBELIZMI” I KALOSH ÇELIKUT – POETI QË THYEN TABU E KORNIZA

Vjen natyrshëm në krijimtarinë e poetit Kalosh Çeliku libri i radhës “GruaVerë “- libër me dhjetë plagë – me një nëntekst domethënës e kuptimplotë, që sjell një risi të veçantë, ato që kanë lindur në një segment kohor të konstatimit të vazhdueshëm që bënë në rrugë induktive poeti, duke shpalosur me nota jo tragjike një antikonformizëm të asaj çka jeton në të natyrshmen e vetëndodhur. Imagjinata artistike është shprehje e qëndrimit aktiv të poetit ndaj realitetit, udha për t’u thelluar në njohjen e jetës e për të bërë përgjithësime të gjalla e jetësore, moderne.

Konfuzioni shoqëror ka tek poeti një ndikim shumë gjurmëlënës. Ai e hulumton me qetësi atë, por dhimbjet vijnë duke i rënduar në shpirt, pa e kuptuar as vetë shpërthen në rebelizëm, duke dënuar gjithë elementët e manifestuar të indetifikuar në dhomën e veseve, si urrejtja, ligësia, cmira, cinizmi, hakmarrja, gënjeshtra, hipokrizia, që kanë krijuar këtë konfuzion shoqëror. Intesiteti emocional, dhënë nëpërmjet një stili bisedimor, të çon në hapsirat e qënies, për të mbetur pjesë e dhimbjes. Kalosh Çeliku nuk ka pajtim me ekzistenën edhe kur krijon panorama harmonike, përsëri ndihet brënda tyre zëmërimi i poetit. Ai s’mund të jetë konformist, ai është antikonformist, jo i emërtuar, por i lindur. Kjo shpaloset qartazi në poezitë e tij.

Poeti ka një qartësi të idesë dhe formës së ekzistencialitetit shoqëror, njerëzor në natyrën në gjithësi. Ai e përcakton qartë funksionalitetin shoqëror, duke shpalosur dinamizmin dhe funksionalitetin e natyrës së tyre. Ai jeton në hapsirat më të mëdha të idesë së lirisë, duke pasur koncepte aq të gjera për funksionalitetin e saj në tërësi, por shpresat e lirisë së ëndërruar për fat të keq jetojnë në muzg. Janë këto imazhe që të fusin në hullin e një leximi normal e prapë ndjen një dëshirë të çuditëshme për t’u kthyer tek ky zë hokatar.

Prandaj, nëqoftëse lexuesit do t’i duhej të zgjidhte midis Krishtit e Prometeut, natyrshëm do t’i nënështrohej Kalosh Çelikut, mbasi ai më shumë se kushdo e kupton misionin e fjalës, së poetit. Poezia e tij është e guximëshme, ai e pozicionon veten/ Vetëm do të gëzohesh shumë për tët bir/ që pasurinë e shkriu nëpër libra/, shkruan ai tek “Letër nënës”, duke shpresuar në të ardhmen. Ai ka një interferencë të kontrolluar edhe mbi natyrën pesimiste të vargut: “Gjithë natën vras veten/ se s’ka kush t’më çoj në varr…” Rebelizmi i poetit shfaqet edhe në raport me veten.

“Shtrati im është parku/ Një karrige. Ruga. Dhe, pse jo një livadh/ Ferrë me dy – tre duar bar nën kokë/ Dimrit kur fryn. Dëborën e kam zjarr” Ky lloj pohimi, që nuk të çon aspak në shtigje pasionesh kalimtare dhe aventureske, në fakt s’është gjë tjetër veçse kredua e tij hyjnore. Duke u bërë bashkëudhëtar dhe shfletues i kësaj kredoje autori arrinë të të bind se ai dhe poezia e tij shfletojnë njeri – tjetrin pa i fshehur gjë lexuesit. Me realizëm të plotë shpalos ide të qarta, nga ky pozicion qartësinë e vargut, brënda tij, depërtimin e lë narrativ, pra poezia është tipike moderne, duke ruajtur natyralitetin individual të përcjelljes së mesazheve.

Ja si shprehet: “E lehtë është lufta me armikun/ e vret ose të vret/ por e rëndë është me veten/ as të vret, as mund ta vrasësh“. Poeti është një ndjesi organike me natyrën, e vlerësuar nga ai mbi çdo gjë, por në krijimtari e paraqet në kontekst me natyrën njerëzore. Pyetjen e bënë narrative: “Mesditë./ Pse nuk është mesditë?” Ai është i qartë se vetë ligjet e natyrës nuk mund t’i ndryshoj asgjë, por thjesht indetifikon mbi të, ajo që do të thotë ngelet në kërkim nga lexuesi. Ja si shprehet tek poezia ”Thirrje në mesnatë”: “Diellit i kanë lidhur sytë/ Thërrisni rrufetë!” Megjithë kontestimin që jeton brënda poetit dhe në të shumtën e krijimtarisë e shpreh atë hapur, nuk mund të lë pa theksuar se në vargjet e tij është përjashtuar deliluzionizmi, ai ushqen forca brënda vetes në vazhdimësi:

“Unë s’kam kohë të plakem/ Nuk më lë vera/ Nuk më lë Mikja”. Poeti ka një qartësi për t’u pasur zili të funksionalitetit të natyrës me ligjet organike, por nuk nënvleftëson idealen në këtë funksionalitet. Karakteri modern i poezisë së tij lë të nënkuptohet kjo. Libri në të vërtetë i ngjan një udhëtimi përmes një pylli të fantazuar ku vjeshta që ikën ja lë vendin një pranvere virtuale e cila në fakt fillon nga brendia e dëshirave të poetit. Vështroni se sa ngutje ka ai për ta zvogëluar kohën e ardhjes së kësaj stine: “Mbrëmë fjeta me vjeshtën/ Dimri nuk ma hapi derën/ Me cilën do të fle nesër/ Si ta puth pranverën!?

Shpirti i poetit merr në këtë rast shëmbëlltyrën e një sheshi ku pritet të ndodh diçka. Mjafton të fryjë një fllad i lehtë apo një frymëz dashurore, brënda këtij sheshi zemra djaloshare e poetit të shpall sfidën e saj ndaj çdo moshe. Duke u “kredhur” brenda këtij qerthulli poetik dhe natyrës së tij njerëzore, duke prekur me dorë trëndafilat dhe petalet e luleverdhëzave, duke ndjerë në shpirt tingujt dhe kodet e brendëshme që këmbejnë mes tyre gjethet dhe harlisjet e prillit, këtë vëllim poetik mund t’a quajm pa frikë sprovë simfonike për stinët e vitit. Të shkruara në momente e gjendje të caktuara emocionale poezitë e tij tentojnë vazhdimisht jo vetëm të jenë koherente dhe evidentuese, por edhe largpamëse dhe grishëse.

Në shumë raste kjo poezi i thyen pasqyrat e së tashmes dhe krijon vazhdimisht disa pasqyrë të tjera me emra ikonash dhe yjesh. Poezitë e këtij e vellimi në brendi të tyre janë të emërtuara me emra njerëzish e botrash.

Poeti aty i merr plagët, dhimbja e tij është se s’ka kush ta çoj në varr: “Nëntë vjet e mbyta Veten me verë/ Gjithë natën duke shkruar poezi/ Mëngjes. I zgjuar me hënën/ Nëntë vjet ndeza një qiri/ Me hënën e plotë mbi Liqe/ Jerm mes shtamave me verë/ I çmëndur para agimit/ U zgjova nga varri im me libra…” Brënda kësaj trajektore dhe këtij tonaliteti poeti ka mundësi të përshfaq vetveten dhe konceptin e tij estetik për të sotmen dhe të ardhmen, duke u shndrruar kësisoj në vizionarë të asaj që pritet.

Duke ndjerë jehonën dhe kumbimin e zërave poetike të këtij libri kuptojmë më së miri se për poetin qielli dhe hapsira e tij lëvizore janë shumë të ngushta dhe nuk mund të mbajnë atë brënda tyre. Kjo reflekton dhe një lloj ndjenjë padurimi dhe pakënaqësie që e mundon autorin prej vitesh, në kërkim të dimensioneve reale të vetvetes. Autori nis të krijoj dhe të ravijëzoj diej lirikë dhe botra të reja, me kënde vështrimore dhe konture të rinj dashuror, duke i veshur ato njëkohesisht edhe me një lloj misteri të cilën edhe mund ta zbërthesh vetëm duke njohur koncepte të tij estetike.

Poezia e Kalosh Çelikut është poezi konceptesh shoqërore dhe dimensionesh lirike. Ajo nuk është vetëm evidentim por edhe qëndrim intelektual, karikatura e absurdit, por edhe pikturë deri në detaje të imta të asaj ai vështron. Shpesh kjo pikturë kaq besnike kalon deri ne hiperealizëm. Duke qënë dashnor patologjik i gjithë kësaj të bukure ai kalon çdo lloj sensi maturie duke rënë pafajësisht në dashuri me to.

Lexuesi brënda kuptimësisë së këtij qerthulli poetik, këtij realiteti të veshur me art, është i prirur vetiu të zgjedh mes Krishtit e Prometeut. Poezitë në libër kanë edhe natyrën sensuale, e cila jeton brënda poetit, i cili e shpalos atë me një ndërgjegje të qartë të eksistencës së tij në veprimin individual e shoqëror.

Mbase lë disi të përjashtuar funksionimin pa sensualitet të vetë natyrës, duke u shprehur: “Gjithmonë zbuloj diç të re te Mikja/ Kur ma grabisin xhindët/ dhe jam i sëmurë/ Gjithmon zbuloj diç të re tek Mikja/ Kur ma dhunojnë në mes të librave.

Pra, edhe sensualitetin e tij e tregon mes së tërës: -E tëra tek poeti, poeti tek e tëra. Kjo është vlera e tij. Përvoja jetësore e Çelikut, synon të krijojë një ngjizje me verën, gratë, ajo artistike e veshur me art, synon të krijojë përsosmëri, jo me vargje të stisur, me yndyrë, por me vargje të thjeshtë, mbresëlënës.

Duke lexuar pjesë nga krijimtaria e këtij poeti “rebel”, e kupton qart se ulja në start e poetëve, nuk do t’i çoj ata të gjithë të parët në finish. Tashmë finishin, duke kapërcyer mbi egoizmin, cmirën, dhimbjen, plagët e kaloi Kalosh Rebeli, hokatar e i dëshpëruar, me dhjetë plagë në trup…!

SAMI VELÇANI

Londër, 25/10/2015 09:10:00 GAZETA SHQIPTARE NË BRITANI TË MADHE: FJALA E LIRË

[ Shkarko vëllimin me poezi në PDF ]