HASHIMI – SI TRASIBULI I MILETIT, ME SIMBOLIKA…

2
786
Endrit e Hashim Thaçi

Gjergj Bajram Kabashi Bajram Kabashi

Endrit Thaçi, i biri i Hashim Thaçit, siç njohtohet në portale të ndryshme, menjëherë pas kalimit të mocionit të mosbesimit ku rrëzohet Qeveria Kurti, në llogarinë e tij në Instagram ka shpërndarë një foto, ku presidenti Thaçi shihet duke krasitur pemët, por që në tehun e gërshërëve të tij vihet edhe fotoja e Albin Kurtit!

Kujtojmë se kjo foto ishte postuar ditë më parë nga presidenti Thaçi dhe ishte parë si paralajmërim për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Kjo paraqitje kaq e paedukatë e të birit të Hashim Thaçit, tregon për kulturën dhe nivelin e ulët kulturor të tij dhe familjes së tij. Për fat të keq, në këtë mënyrë shprehet i biri i Presidentit të Kosovës.

Nuk ka dyshim se ndërdija e të birit të Presidentit flet shumë dhe tepër keq: Ashtu siç e “krasiti Albinin në degë peme”, aq më me “zotësi” baba ka për ta krasitur territorin e Kosovës, kuptohet nëse do të lihet i pakontrolluar dhe i pa rrethuar në të gjitha anët nga populli.

Në LDK tash mund të thojnë çka të duan, qofshin deputetetët e partisë apo anëtarësia e saj, por nga Nata e Sontme, teposhtëzen e LDK-së nuk mund ta shpëtoj asgjë, asnjë frazë e mjerë “demokratike” apo “fryma rugoviane” që s’ekziston askund aty. Për PDK-në, AAK-në e disa parti të tjera, nuk ka çka të flitet më shumë. Mendimet që i dëgjuam Sot gjithë ditën prej tyre, shprehin një gjuhë të padurueshme dhe barbare, që kulmoi me rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Kryetarja e deritashme e Kuvendit të Kosovës nga LDK, Vjosa Osmani, votoi kundër këtij mocioni, duke e mbajtur një fjalim të thuash historik, fjalim të painfektuar me “viruse” të ndryshëm në LDK. Pati edhe shumë deputet të tjerë të kësaj partie, që u treguan mjaft të arsyeshëm dhe logjikë, por në emër të disiplinës partiake, ata votuan për rrëzimin e kësaj qeverie. Keq për ta. Me t’u dhimtë Kosova se çfarë deputetë shtinjakë të popullit që paska pasë.

Mund të thuhet lirisht që Vjosa Osmani nuk ka humbur asgjë në sytë e ndërgjegjën e elektoratit të LDK-së, përkundrazi. Ajo ka fituar shumë. Megjithëse ishte më e votuara në parti dhe kandidate për Kryeministre në fillim të tetorit 2019, mund të besojmë e shpresojmë se ajo do të jetë edhe shumë më shumë e votuar në zgjedhjet e ardhshme. Vjosa ka ardhmëri të madhe në LDK, por duhet pranuar që ajo nuk ka mundur të bënte më shumë në një parti, “kokën” e së cilës e udhëheq një parti tjetër. Dhe me kuadro si Isa Mustafa, Agim Veliu e Skender Hyseni.

Nuk them se Albin Kurti i papërvojë në udhëheqje me gjithë punën e përkushtimin e madh që e tregoi në këto pesëdhjetë ditë sa ishte Kryeministër ishte fleksibil ashtu siç është kërkuar prej tij që të ishte, por e them me bindje të plotë se Vetëvendosje do të ketë një ardhmëri të madhe përpara, megjithëse krimi i bashkuar që përfaqësohej nga mbi 80 deputetë në Kuvend, Sot e vuri vendin në një pozitë tepër të rëndë e të pafalshme, mu në kohën kur vendi ndeshet me pandeminë e rrezikshme globale të Virusit Korona, virus që për çdo ditë po merr mijëra jetëra njerëzish. Në të njetën kohë një monstrum në jetën tonë, gjithë kohën shikon e përgjon si tinzar e me pabesi të madhe, si e në cilën mënyrë ta “krasisë” territorin e vendit të vet për interesa të huaja. Territorin e Kosovës…


I ngujuar brenda banesës për shkak të Virusit Korona, Sot prej fillimit e deri në fund, i kam përcjellë punimet e Kuvendit të Kosovës, duke shpresuar se shumica e atyre deputetëve do të jenë të ndërgjegjshëm e njerëzorë ndaj fateve të vendit të vet, se do të tregohen humanë e të bashkëndjejnë me të infektuarit me Virusin Korona dhe do të jenë solidarë me të gjithë ata mjekë e motra medicinale, që u rrijnë mbi krye të sëmurëve, dhe që nuk do t’ia shtojnë vuajtjet atij populli.

Por, jo !!
Përmasa e helmit të gjarpinjve helmues në jetën tonë është e madhe dhe e papërballueshme.
Sot më ka ardhur shumë keq për fatin e atij populli dhe interesat e tij të pambrojtura.
Ndjej neveri për banditët partiakë, për fanatikët partiakë!
Tepër keq.


* Titulli është i Redaksisë “Fjala e Lirë”, i cili i referohet rastit, kur Perianderi, tirani i Korintit në Greqi, i dërgon një lajmës Trasibulit të Miletit, për ta pyetur, se si të veprojë me pushtetin e tij? Ai nuk i thotë asgjë, por del në në fushë me grurë, dhe këput kallinjtë më të lartë… Në të njëjtën mënyrë, Hashim Thaçi përdori simbolikën e tij, me gërshërë, duke krasitur pemët, këputi me mjaft lehtësi, politikanin më të zgjuar dhe të pakorruptuar të Kosovës dhe rrëzoi me ndihmën e Isa Mustafës, Albin Kurtin nga posti i tij si kryeministër. Hashim Thaçi është aty falë mbështetjes nga Isa Mustafa, dhe po tregon pushtet absolut, e kështu po ia krasit edhe territorin Kosovës nga frika e serbit… Duket se do të mbretërojë gjatë me këto taktika, duke e futur Kosovën në grindje të përhershme dhe destabilitet, me qëllim që të arrijë ta shesë atë për pjesë dhe të veprojë në Kosovë si padishah i patrazuar!

2 KOMENTE

Komentet janë mbyllur.