Alternativa e ndryshimit politik, e vetmja shpresë për vendin!

0
364
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 24.03.2020

Në këtë kohë të vështirë që po e kalojmë nga rreziku global i “Coronavirusit”, në mungesë të ndihmës nga institucionet e shtetit, mbështetjen duhet ta gjejmë tek Zoti, forcën tek familjarët dhe miqtë e vërtetë. Me besim në Zot, me durim dhe kujdesin maksimal do ta kalojmë edhe këtë sfidë.

Pas kësaj periudhe, secili prej nesh, duhet t’i ulim në gjysëm shtizë të gjithë flamujt partiak dhe të angazhohemi për një qëllim të vetëm, largimin sa më parë të këtyre politikanëve mashtrues nga skena politike.

Lindja e një shprese të re

Secilit prej nesh na ka rënë shpesh të degjojmë dhe themi refrenin “shpresa vdes e fundit”, por asnjëri prej nuk e kemi parashtruar pyetjen; “çfarë vjen pas vdekjes së shpresës!?”

Përgjigja në këtë pyetje do të jetë kjo, vjen LINDJA E NJË SHPRESE TË RE.
Fundi i keq i koalicionit të shpresës, siç e kemi quajtur koalicionin LVV-LDK, e bën të domosdoshme lindjen e një shprese të re.
Kjo ishte shpresa e fundit për ndryshim nga konstalacioni aktual i skenës politike kosovare, që i bie se, më asnjëra nga partitë politike nuk paraqet shpresë për ndryshime në këtë vend.

Vetëm lindja e një alternative të re, do të ringjallë shpresat e qytetarëve për jetë në këto troje.
Vazhdimi i “status quos” me të njejtat parti dhe lider që thyen shpresat për jetë në këtë vend, do t’i bëjë qytetarët akoma më të pa interesuar për të qendruar në atdheun e tyre.

Nuk është koha për akuza dhe kundër akuza, as për sharje e fyerje, as per heshtje dhe stagnim, por për meditim dhe reflektim, vetëdijësim dhe ndërgjegjësim, është koha per besim në zot dhe atdhe, për dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, për unifikimin e forcave progresive për çlirimin e shpirtërave të robëruar nga mashtruesit e intrigantët, demagoget dhe diktatorët e veshur nën petkun e demokracisë.

Alternativa e re, shpresa reale e ndryshimit

Alternativa e re për të cilën angazhohem, do të jetë një forcë e re politike e cila në asnjë rrethanë nuk do të bëhet pjesë e sistemit të antivlerave.

Do të punojë pa ndalur me qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët në Diasporën tonë deri në ç’rrënjosjen e plotë të sistemit të antivlerave dhe pabarazisë qytetare.

Alternativa e re e ndryshimit politik në vend, nuk do të bashkëpunojë me asnjëren nga partitë aktuale të skenës politike, por do të angazhohet për bashkëpunim me të gjitha forcat progresive dhe elektoratin e të gjitha partive politike.

Elektorati i shpërndarë në subjektet eksistuese janë qytetarë të ndershën të këtij vendi, janë vëllëzërit e motrat tona gjithandej Kosovës dhe në Diasporë.

Do të bëjë çdo gjë që është e mundur në rrugë demokratike që ky elektorat i shpërndarë të mos përdoret edhe më tutje për llogari të partive të dështuara politike dhe për interesa meskine të liderëve partiak dhe grupeve tjeta të interesit.

Të mos bëhemi mbështetës dhe as simpatizant të partive të dështuara politike. Do të jetë e pafalshme për ne, nëse i mbështesim në garën për pushtet këto parti dhe këta liderë matrapaz që kontrabanduan vullnetin tonë për 2 dekada rresht, nga njëra parti tek tjetra.

Thirrje shpirtërore për unifikim

Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës, gjaku im i shprishur dardan, ju bëjë thirrje shpirtërore që të unifikohemi edhe një herë sikurse në fillim të viteve të ’90-ta për ndryshimin epokal.

Në kohë reale dhe me shpejtësi ndodhin vetëm fatkeqësite natyrore dhe veprimet e shëmtuara njerëzore.
Ndryshimi që ne synojmë fillon nga momenti i nisjes së rrugëtimit tonë të përbashkët dhe nuk do të ndalet deri në arritjen e qëllimit final.

Rruga deri të arritja e ndryshimit, në dukje të parë është e gjatë dhe e mundimshme, por mund të bëhet aq e shkurtër dhe lehtë me mbeshtetjen e të gjithë qytetarëve që janë elektorat i shprishur, pra e të gjithë atyre që e duan me shpirtë vendin tonë-Republikën e Kosovës.

Kosovën nga “Coronavirusi” do ta shpëtoj Zoti, nga klasa politike duhet ta shpëtojmë vet. (Pse, Zoti i mban me hatër kosovarët thua? Nëse punët lihen në dorë të Zotit, llogarit mijëra vdekje… /AÇ)

Për nxjerrjen e vendit nga kthetrat e uzurpatorëve dhe bandave partiake nuk do t’na ndihmojë Evropa as Amerika, por në këtë betejë duhet ta ndihmojmë dhe mbeshtesim njëri-tjetrin me Besa-Besë derisa ta bëjmë Kosovën tonë të dashur vend demokratik, të zhvilluar ekonomikisht dhe të depolitizuar, të civilizuar dhe me një kulturë të lartë qeverisëse siq e kanë shoqëritë më të perparuara të botës.
Kur mëkatarët kërkojnë falje, fundi i tyre është afër!