Kadrush Radogoshi: LETËR PUBLIKE ISA MUSTAFËS

1
1186
Kadrush Radogoshi

MekuliPress.com

Letër publike Isa Mustafës: “Unë jam Kadrush Radogoshi autor i 20 veprave letrare. Fitues i shumë çmimeve letrare në Kosovë, por edhe në Kanada. Kam qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Kam gradën Magjistër i shkencave filologjike dhe më është pamundësuar doktoratura për shkak se jam burgosur politik në vitin 1981 në bazë të nenit 133 al.1 të kodit penal të ish Jugosllavisë.”

Isa Mustafa - Ramush Haradinaj

Isa,
ABC-ja e kulturës së shkrimit na mëson, që kur i drejtohemi me shkrim dikujt, duhet t’i adresohemi me saktësi mundësisht sa më të madhe. Në këto raste zakonisht emri, kuptohet i përveçëm, i marrësit të letrës paraprihet nga një emër tjetër i përgjithshëm. Në kohën e ngritjes sate në pozita politike përdorej emri “Shok-u” dhe ti je mësuar fillimisht t’ua thuash të tjerëve e pastaj edhe ta dëgjosh nga të tjerët. Unë nuk e paravendosi dot këtë emër të përgjithshëm para emrit tënd personal sepse as nuk të kam shok dhe as nuk jemi në kohën, kur ti ishe zyrtar i lartë i Sllobodan Millosheviqit dhe bashkëpunëtor i Rrahman Morinës e mbi të gjitha sepse këtë fjalë tipat si ti jo vetëm e kanë zbrazur nga kuptimi i saj fillestar, por e kanë shndërruar në fjalë paçavër, prandaj kultura ime e shkrimit nuk më lejon të fyej edhe pse ti e meriton një gjë të tillë. Sot edhe në botën shqiptare zakonisht paravendoset emri i përgjithshëm “Zotëri” dhe shpreh respektin e autorit të shkrimit për marrësin. Të them të drejtën kam shumë arsye të mos e përdor para emrit tënd emrin “Zotëri”, por dy janë kryesoret: së pari as të parin e as të mbramin në aspektin e pozicionit social nuk e ke pasur zotëri dhe së dyti emri “zotëri” nënkupton vlera emancipuese në shumë aspekte, të cilat ti nuk i ke e me gjasë nuk do t’i kesh kurrë.

Isa,
Gjithashtu në kulturën e shkrimit është e domosdoshme të tregohet se kush është ai, që të shkruan letër, prandaj në këtë kontekst po të tregoj se kush jam unë, që po të drejtohem me këtë letër. Unë jam Kadrush Radogoshi autor i 20 veprave letrare të zhanreve të ndryshme ( 11 libra me poezi, 4 libra me ese, kritikë dhe studime letrare, 3 romane, një dramë dhe një libër dokumentar për krimet serbe në Gjakovë). Jam fitues i shumë çmimeve letrare në Kosovë, por edhe në Kanada. Kam qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Kam marrë gradën Magjistër i shkencave filologjike dhe më është pamundësuar doktoratura për shkak se jam burgosur në vitin 1981 në bazë të nenit 133 al.1 të kodit penal të ish Jugosllavisë. Pra është koha kur ti po ngjisje shkallët e karrierës politike, duke diferencuar në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2010, i zhgënjyer me politikën nepotiste dhe të kriminalizuar në Kosovë jam vendosur në Kanada së bashku me tërë familjen time. Në Kanada kam kryer 8 semestra të studimeve interkulturore dhe anglishtes si gjuhë e dytë. Gjerë tani jam i prezantuar në mbi 10 antologji kanadeze dhe kanë shkruar për mua emra të njohur të letërsisë kanadeze, kuptohet në disa prej gazetave më të njohura kanadeze. Jam anëtar i tri asociacioneve të shkrimtarëve kanadezë. Thënë troç nuk jam anëtar i asnjë partie politike kosovare apo kanadeze. Kjo nuk do të thotë se nuk më intereson se çka ndodhë në atdheun tim.

Isa,
E di që je profesor universitar për lëndët ekonomike, anëtar i Akademisë së Shkencave. Nëse nuk kam të drejtë të dyshoj në aftësinë tënde profesionale si profesor, kam të drejtë të dyshoj në kontributin tënd shkencor sepse tanimë është fakt publik se ti dhe shumë të tjerë si ti jeni bërë akademikë pa punime shkencore të njohura në nivel ndërkombëtar. Po të pyes në këtë kontekst se a e di ndonjë gjuhë botërore, pos serbishtes sate të karrierës politike?

Isa,
Pas kësaj hyrjeje të gjatë por të domosdoshme sipas mendimit tim, po të tregoj qëllimin se pse po të shkruaj këtë letër publike. Qëllimi është deklarimi yt publik se papagajtë e Vetvendosjes mocionin tim për shkarkimin e kryeministrit Albin Kurti po e quajnë grushtet. Unë mendoj se pos shumë anëtarëve të VV e besa edhe të LDK-së, që veprimin tënd po e quajnë pjesëmarrje në grushtshtetin e dirigjuar nga Aleksandër Vuçiq përmes Hashim Thaçit dhe lobit proserb në Amerikë, ka edhe shumë individë me background intelektual të nivelit kombëtar e ndërkombëtar, që veprimin tënd gjithashtu po e konsiderojnë dhe po e quajnë grushtshtet. Në mesin e tyre jam edhe unë. Do të thotë se qëllimi i shkrimit të kësaj letre është sepse ti më ke fyer, duke më quajtur PAPAGALL i Albin Kurtit dhe VV. Se çfarë jam unë flet backgroundi im moral, patriotik e intelektual i njohur në qarqe botërore. Ajo që është e pafalshme është fakti se ti, Isa Mustafa, profesor universitar, anëtar i Akademisë së Shkencave, ministër i paraluftës, gjatë luftës, kryeministër i pasluftës dhe kryetar i LDK me anëtaren e vet kryetare në parlament dhe me anëtarë të vet në gjysmën e qeverisë, fyen me qindra e qindra intelektualë në mënyrën më të papërgjegjshme për një politikan me pozicione kyçe në skenën politike të Kosovës. Për një fyerje të tillë prokuroria shtetërore do të duhej të ngriste akuzë ndaj teje sepse ti me këtë epitet jo vetëm je deklaruar kundër fjalës së lirë, por edhe ke fyer shtresën më të vetëdijshme të shoqërisë kosovare.

Isa,
Kanë kaluar kohërat, kur politikanët e Kosovës kanë shitur dushk për gogla. Nuk është marsi i vitit 1989, kur ti dhe bashkëpunëtorët tu deklaronit se Kosova nuk humb asgjë nga ndërrimet kushtetuese, të cilat e abroguan autonominë e Kosovës. Rrënimi i autonomisë solli tmerrin e viteve të 90-ta dhe luftën me pasoja katastrofike. Kuptohet në atë kohë konkretisht më 28 Mars 1989, autori i kësaj letre, që ti e quajte PAPAGALL u dërgua vet i 237-ti në izolim nëpër burgjet e Serbisë me akuzën se ishim shtabi u kundërrevolucionit dhe se e rrezikonim rendin dhe qetësinë publike, ndërsa ti shijoje karrigen tënde të turpit dhe krimit politik.

Isa,
Ti me prapaskenat arrite ta uzurposh pozitën e kryetarit të LDK. Por, edhe pse kryetar i partisë nuk e more guximin ta verifikosh legjitimitetin tënd as brenda partisë e as para popullit. I vetëdijshëm se sa vlen lëkura jote në sytë e popullit u fshehe pas figurës së Vjosa Osmanit dhe i shfrytëzove votat e saj për të manipuluar poshtërsisht skenën politike të Kosovës. Ti e tej zgjate pa asnjë arsye konstruktive formimin e qeverisë dhe kur s’pate nga të mbaje për shkak të këmbënguljes së politikanëve të rinj e me legjitimitet të plotë qytetar në krye me Zonjën Vjosa Osmani, u detyrove të pranoje formimin e qeverisë. Hilet tua nuk pushuan as me rastin e propozimit të kandidatëve për ministra. Nuk është i rastit insistimi yt për ta marrë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe për ta caktuar ministër njeriun, që kishte kundërshtuar formimin e kualicionit dhe profesionalisht ishte nul. Arsyeja është e thjeshtë të pengohet zbulimi i aferave korruptive dhe shumëçkaje tjetër. Dërgimi i përfaqësuesve tu partiakë për t’u takuar me Grenellin në Berlin dhe në Vashington menjëherë pas takimeve të Hashim Thaçit me të, është akt kundër kryeministrit legjitim Albin Kurtit me qëllim të defaktorizimit dhe mënjanimit të tij nga udhëheqja e bisedimeve me Serbinë në bazë të autorizimeve kushtetuese. Në kohën e gjendjes së emergjencës nga pandemia covid-19, kur shtete me potenciale qindra herë më të madha ekonomike e infrastrukturore se Kosova, po ballafaqohen me vështirësi të paparashikueshme në menaxhimin e situatës, ti Isa Mustafa, në bashkëpunim me shefin tënd të vërtetë Hashim Thaçi, paraqite mocionin për shkarkimin e kryeministrit Albin Kurti. Qëllimi final është marrja antikushtetuese e pushtetit për të krijuar mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjes kapitulluese në mes të Thaçit dhe Vuçiçit, e cila siç kanë shkruar ekspertë të shumtë evropianë e amerikanë parasheh faljen e Veriut të Kosovës deri në lumin Ibër, ekstrateritorialitetin e manastireve orthodokse që dikur ishin shqiptare, faljen e gjenocidit serb, të reparacioneve të luftës, të fondit të grabitur pensional e shumëçka tjetër. Thënë troç: marrëveshje që e shpërblen Serbinë për gjenocidin mbi shqiptarët dhe vë në dyshim mundësinë e ekzistimit të shtetit të Kosovës.

Isa,
Populli i krejt Kosovës, që po i rreh tenxheret e zbrazëta në shenjë proteste nuk përbëhet nga PAPAGAJTË, por udhëhiqet nga vetëdija qytetare dhe mllefi për veprimet tua antikushtetuese dhe gjithsesi antikombëtare.
Në fund uroj, që të ndalesh në rrugën tënde të turpit dhe të cenimit të interesave fundamentale shtetërore e kombëtare. Qysh nuk po frikësohesh se një ditë prej ditëve shtaga jote nuk do të ketë vend për t’u mbështetur.

Pa respekt, por me indinjatë
Kadrush Radogoshi

1 KOMENT

  1. Ti mundesh me qene shkrimtar i 500 veprave edhe i çka don tjeter… por ti nuk jeton ne Kosove… sepse ke ike nga KOSOVA…

    KOSOVA IU TAKON ATYRE QE JETOJNE NE KOSOVË.

    DITEN E MIRË

Komentet janë mbyllur.