Edhe dashuritë në kohë kolerash janë të vështira e lëre më ndarjet

0
354
Nue Oroshi, 21.03.2020

Nue Oroshi

Thënia se duhet ti lashë kohë kohës apo nuk duhet të marrësh veprime në momentin kur e ke kokën e nxehur me një çështje që të ka shkaktuar ai tjetri pa numëruar se paku deri në dhjetë apo pa pleqnuar me akullin e mendjës, të mirrën vendime për kundërvënje janë të dëmshme për një familje e mos të flasim për një shoqëri apo shtet. Para disa ditësh e pata një analizë publicistike se rrahagjoksitë tona shqiptare na kanë dëmtuar historikisht e që fatkeqësisht ky veprim i dëmtimit të vetvetës për inat të tjetrit është duke vazhduar. Në këto momente të kohës së një kolere botërore edhe dashuritë e dasmat në të shumtën e rasteve janë anuluar edhe ato aty këtu kur nuk shtyhen bëhen me maska për ta mbrojtur shëndetin e dasmoreve, e që janë shumë të rralla. Me një fjalë edhe dashuritë në kohëra të kolerave janë të veshtira e lere më ndarjet.

Fatkeqësi është se liderët politik shqiptar nuk kanë mundësi t’iu kthjellohej e t´iu ftohin mendjet as epidemitë e kolerat por janë aq shumë të fokusuar në interesat e tyre personale, familjare, klanore, financiare, sa që le të ndodhë çka të ndodhë por vetëm interesat financiare të tyre mos të preken. Deri sa populli i kishte kthyer sytë në qeverinë e re ata si duket morën mësysh. Ende pa kaluar 100 ditëshin filluan që ti nxjerrin brirët për ta sulmuar njëri- tjetrin.Dhe derisa Kryeminsitri i Kosovës Albin Kurti në mungesë të përvojës së udhëheqjes shtetërore, e bëri një gabim shumë të madh shkarkimin e ministrit të Puneve të Brendshme Agim Veliu.

Ky i shkarkuari ende pa marrë frymë sa duhet dhe ende pa e vendosur maskën mbrojtëse për tu mbrojtur nga koronavirusi merr turr e thërrasin mbledhjën e kryesisë së LDK-së dhe marrin vendim me të shpejtë sikur të mirrej një vendim nga i zoti i shtëpisë për ta prerë një gjedh për dimër e jo për ta prishur një qeveri që vet e ndertuan me shumë mund dhe që populli ju dha të drejtën ta bëjnë këtë me votën e tyre. Me një fjalë nuk dua të marrë anën e askujt por po ju them shqip e troq se fajtorë jeni dy partitë që e keni sjellur gjendjen deri këtu. Edhe opozita në këtë moment e kishte prishur rendin që të qëndroj se paku 14 ditë në karantinë per ta përmirësuar shëndetin e tyre por të tre partitë u mobilizuan dhe ishin të gatshëm jo vetëm për të nënshkruar në listen e deputeteve për rrëzimin e Qeverisë por shprehën gadishmëri që edhe në mënyrë të rrufeshme ta rrëzojnë Qeverinë e Kosovës.

Po populli dhe votuesi ku mbeti në këto momente te mbijetesës për jetë a vdekje. Ata janë të ngujuar nëpër shtëpi dhe bëjnë luftën e sigurimit të nevojave elementare të jetës në rast të zgjatjes së kësaj epidemie. Ajo që me shqetëson më së shumti nuk është çështja, qe po rrëxohet një Qeveri apo një Kryeministër por është fakti se po rrëxohet në momentin kur është më se e nevojshme t´iu shërben qytetareve të Kosovës.
Njohësit e çështjeve politike e dinë shumë mirë se një Qeveri në dorëheqje në krahasim me një Qeveri normale shumë gjera i ka të kufizuara dhe nuk mundet që të merr masa për shpërndarjen e mjeteve materiale për shkak të kufizimit të shumë çështjeve.

Meqenëse tani 46 deputet të Parlamentit të Kosovës kanë dërguar nënshkrime për mbajtjen e seancës së jashtzakonshme për mocionin e Qeverisë, në aspektin ligjor janë edhe pesë ditë kohë që të gjejnë mundësinë që së paku këto ditë të ulen natë e ditë dhe ta gjejnë një zgjidhje alternative që së paku mos të rrexohet Qeveria në kohë kolere, sepse do të jetë një rast i vëtem në botë që një qeveri rrëxohet në kohë epidemie, pa e menduar fare veshtirësitë që do të sjellë kjo për qytetarin e Kosovës.Përgjegjësinë më të madhe në këtë rast e mbajnë dy liderët e dy partive në koalicion Albin Kurti i VV dhe Isa Mustafa i LDK-së.

Këta nuk duhet të komunikojnë në distanca përmes Facebokut dhe mjeteve të informimit por duhet të ulën së bashku,në një distancë prej dy metrash që ta kalojnë këtë krizë institucionale duke lënë me një anë interesat partiake. Edhe militantët e të dyja partive në këto momente të vështira të Kosovës duhet të jenë sa më të butë në komentët dhe shkrimet e tyre dhe jo të fusin gaca në barotë.E për fund i bëj thirrje elitës politike në Kosovë se duhet ti ruhemi helmit të gjarprit.

Duhet t’i ruhemi këtij helmi se si duket ishte gjarpëri dhe lakuriqi që na sollën këtë epidemi.Unë besoj se ka koka të mënçura në dy partitë që do të ulën gjatë këtyre ditëve ta gjëjnë zgjidhjen.Zgjidhja është tash e gatshme se njëri kusht i Isa Mustafes u plotësu sa i përket tarifës ose do të plotësohet deri më, 1 prill kurse për kushtin e dytë duhet të gjindet një zgjidhje qoftë edhe afatshkurtër. Partitë duhet ta dinë se nuk ecët përpara pa lëshuar pe në shumë çështje qoftë në aspektin e programit partiak, qoftë në atë njerëzor kur ke të bësh me qeversjen dhe udhëheqjen e një populli që e vazhdon jetën me një mijë e një veshtirësi.

Tek ne shqiptarët është i njohur fakti se ne kohë lufte dhe në kohë epidemie shpeshherë ne shqiptarët gjatë historisë kemi ditur t’i ulim armët me njëri-tjetrin, dhe t’i ngrijmë edhe gjakmarrjet për të kaluar situatat dhe krizat e ndryshme që kemi përjetuar gjatë historisë. Nëse është vullneti i dyanshëm atëherë mund të kalohet shumë lehtë dhe kjo duhet kaluar nga dy liderët që të ulën me njëri-tjetrin dhe me kthjelltësinë e mendjës së ftoftë pa ndëgjuar asnjë militantë partiakë të tyre ta kalojnë këtë gjendje, të vështirë dhe së bashku të punojnë që të kalohet epidemia qe e ka kapluar botën. Ka kohë të mjaftushme, për politikë dhe makiavellizëm politikë, në të ardhmen.