Ish-diplomati amerikan: Kosova ta shtyjë rinisjen e dialogut deri në nëntor, mbase fiton Joe Biden

0
264
Grenell - marrëveshjet Serbi-Kosovë

Ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, i cili kishte shërbyer në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 si shef i misionit amerikan në Kosovë, ia ka kthyer përgjigjen kreut të shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi, meqë ky i fundit i kishte cilësuar si lajme të rreme pretendimet e Byrnes së presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë kanë bërë gati një draft-marrëveshje që përfshin korrigjim të kufijve.

Byrnes në një shkrim të publikuar në ‘Peacefare’, i ka thënë Thaçit se nuk është e vërtetë që SHBA-ja ka vëmendje të plotë për çështjen e dialogut Kosovë – Serbi. Siç shkruan Byrnes, mungesa e vëmendjes amerikane për procesin, u ka dhënë mundësi lobistëve që ka punësuar Beogradi, që të ndikojnë në administratën aktuale për t’u kujdesur pak për Ballkanin dhe fare për Kosovën, që sipas Byrnes, administrata aktuale e konsideron si ‘produkt të administratës përbuzëse të Klintonit’, raporton Gazeta Express.

Më tej ish-diplomati ka thënë se më keq se mungesa e vëmendjes amerikane dhe qëndrimeve pro-serbe, është fakti që askush nuk di asgjë, se për çfarë është diskutuar në takimet e Thaçit me Vuçiqin.

Byrnes thotë se mungesa e transparencës rreth atyre se çfarë është diskutuar në tavolinë me Vuçiqin, lë të hapur shtegun për thashetheme. Megjithatë, ish-diplomati amerikan thotë se vetëm transparenca e premtuar e Thaçit mund të rregullojë çdo gjë.

Përveç kësaj, ish-diplomati e ka cilësuar si plotësisht të dështuar, emisarin e Trump për dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij, Richard Grenell përveç që ka dështuar si ambasador në Gjermani, ka dështuar edhe si ushtrues detyre i shefit të Inteligjencës Kombëtare në Amerikë.

Byrnes thotë se Kurti deri tani nuk është thyer nga presioni amerikan dhe kërcënimet për heqje të trupave, ndërkohë shton se qëllimi përfundimtar i Richard Grenellit është shkëmbimi i territoreve.

Ish-diplomati amerikan, gjithashtu, ka përmendur edhe rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit që, sipas tij, kanë dëshpëruar presidentin Hashim Thaçi, meqë Byrnes thotë se partia që drejtonte dikur presidenti është renditur e treta.

Byrnes ndërkohë për herë të dytë ka përsëritur atë që Thaçi po punon me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për ta rrëzuar Kurtin nga pushteti, duke potencuar se nuk është mirë të provohet diçka e tillë, pasi sipas Byrnes ka rrezik për shpërthimin e ndonjë ‘stuhie’, që mund të bllokojë heqjen e taksës dhe gjithashtu perspektivën e dialogut.

Ai ka dhënë ndërkohë këshilla për palën kosovare. Byrnes shkruan se nuk duhet nxituar në dialog, dhe nuk duhet rifilluar negociatat para zgjedhjeve të 26 prillit në Serbi, meqë, sipas tij, Vuçiq do të jetë më i lirë për të bërë kompromise me Kosovën pas zgjedhjeve.

Derisa shton se do të ishte mirë që Kosova të presë edhe deri në zgjedhjet e 3 nëntorit në SHBA, meqë, sipas tij, në rast të fitores së Joe Bidenit gjërat do të ndryshonin.

Nëse do të jetë president Biden, miku i vjetër i Kosovës, mund të prisni që ai të emërojë një të dërguar serioz për të bashkëpunuar me Evropën, diçka që Grenell s’e ka bërë kurrë”, ka thënë Byrnes, transmeton Express.

Byrnes thotë se një i dërguar serioz i Biden do të bënte presion edhe mbi Beogradin, gjë që, sipas tij, s’po e bën fare Grenelli. /GazetaExpress/