EPI I GILGAMESHIT

0
962
Epi i Gilgameshit

Xhelal ZejneliXhelal Zejneli 

            Letërsia e Mesopotamisë, aq sa është rikonstruktuar deri më sot, në bazë të pllakave argjile të gjetura në Ninivë, në Nipur, në Mari, si dhe në qytete të tjera, është tejet e pasur. Në radhë të parë, këtu bëjnë pjesë epet, mitet, legjendat, skenat religjioze, himnet kushtuar perëndive, këngët e vajtimit, psalmet, betimet, përrallat, fabulat, fjalët e urta dhe tregimet.

Brenda traditës letrare të Mesopotamisë, pos “Epit të Gilgameshit”, janë të njohura edhe: “Epi mbi krijimin e botës”, i përbërë prej 7 pllakave (këngëve), “Udhëtimi i Ishtarës në botën nëntokësore”, “Epi mbi hyjneshën Agushaj”, “Epi mbi Adapin”, “Mbi trimin Etan”, ai kushtuar Nergalit dhe Ereshkrigalës, “Epi mbi Lugalbandin” etj.

Më i famshmi midis tyre është “Epi i Gilgameshit”. Është vepra letrare më e vjetër e shkruar dhe e zbuluar deri sot. Një krijim i arrirë që bën pjesë në poezinë epike babilonase të zhvilluar. Koha e krijimit nuk i dihet saktë. Mendohet se i përket traditës letrare sumero-babilonase të viteve 2000 para K. Duhet të jetë krijuar rreth 1700 vjet para K., kur poezia anonime, e ngritur mbi bazën e miteve, tanimë kishte krijuar një traditë.

Mendohet të jetë mbi 900 vjet më i vjetër se “Iliada”, ndërsa 200 vjet më i vjetër se poezitë e vedave indiane. Ka edhe të dhëna sipas të cilave “Epi i Gilgameshit” është i vjetër rreth 4000 vjet. Autori nuk i dihet. Supozohet se autor i epit mund të ketë qenë Sin-leqe-unnini, që do të thotë: “Zot, pranoje lutjen time!” Ka mendime që thonë se epin e ka shkruar, nga tradita letrare gojore, një prift i cili e ka dhënë formën në të cilën u zbulua.

Disa pjesë të tij janë krijuar shumë më herët. Ka studiues që thonë se i tërë epi është më i vjetër se viti i lartpërmendur. Mendohet se në vitin e sipërthënë i është dhënë forma e plotë. Epi përbëhet prej 12 pllakave (këngëve) dhe është shkruar me kunja (shkrim kuneiformKeilschrift). Epi qëndroi rreth 2500 vjet i mbuluar nën dhé.

Është vepra më e vëllimshme dhe më e rëndësishme midis miteve dhe epëve të shumta babilonase. Është i pranishëm edhe në letërsinë botërore. Krijuesi i panjohur i epit ka trajtuar tema me të cilat njerëzimi është preokupuar gjatë gjithë ekzistencës së tij. Pra, kemi të bëjmë me çështje universale.

Motivet kryesore të “Epit të Gilgameshit” janë të kohës së sumerëve. Në të u këndohet bëmave heroike të Gilgameshit, mbretit të qytetit Uruk, i cili bashkë me mikun e tij, njeriun e egër Enkidu, i mund përbindëshat.

Njëra ndër idetë kryesore të epit është lufta kundër të keqes. Gilgameshi, njeri i haresë dhe i gëzimeve, kurrë s’kishte menduar për kuptimin e jetës dhe për vdekshmërinë e njeriut. Dy të tretat, ai i ka të hyjnive, ndaj dhe për aq është i pavdekshëm. Për të sikur nuk ka gjë të pakapërcyeshme dhe të paarritshme, pos gjetjes së jetës së amshuar. Vetëm vdekja e Enkiduit i jep të kuptojë se një ditë edhe ai do të vdesë. Kjo ndikon që ai ta ndryshojë qëndrimin ndaj jetës dhe të vihet në kërkim të jetës së amshuar, sikundër jetojnë perënditë.

Perënditë e epit kanë shumë veti të njerëzve. Edhe ata janë të fiksuar dhe të varur.

Epi i kushtohet tmerrit të vdekjes dhe fatit tragjik të njeriut. Në të ballafaqohen tri botë: hyjnore, njerëzore dhe shtazore. Veprimi në vepër është unik dhe ka funksion të shumëfishtë. Ai realizohet në hapësirë dhe në kohë të caktuar. Veprimet zhvillohen në tre rrafshe hapësinore: në qiell (perënditë), në tokë (perënditë, njerëzit, kafshët) dhe në botën nëntokësore (perënditë dhe të vdekurit).

Në pikëpamje të stilit, kemi të bëjmë me një vepër të përkryer. Krijuesi i tij ka përdorur metafora, krahasime, përsëritje, kontraste, përshkrime të hollësishme, retardime (vonesa) epike etj.

Ai mund të ndahet në dy pjesë: njeriu ndaj botës së jashtme (botës që e rrethon) dhe njeriu ndaj botës së vet të brendshme. Pjesa e parë e epit është përfshirë në pllakat prej 1 deri në 7. Në to flitet për miqësinë ndërmjet heroit famëmadh, mbretit Gilgamesh dhe njeriut leshatak gjysmë të egër, të fushave dhe të shkretëtirave, Enkiduit.

Përfaqësues të së keqes janë demi i qiellit dhe Humbaba, rojtar i tmerrshëm i malit hyjnor, Cedrit. Dy shokët, Gilgameshi dhe Enkidui i mposhtin që të dy. Nga pikëpamja etike, kjo simbolizon fitoren e së mirës ndaj të keqes. Përpos këtyre dy përleshjeve, në ep nuk ka luftime të tjera të përgjakshme, karakteristikë kjo e shumë epëve të tjerë.

Enkidui mallkoi gruan e hyjnueshme e cila e harlisi, e ndau nga kafshët dhe e ktheu te njerëzit. E krijoi hyjnesha e formimit të përkryer. Hyjnitë e krijojnë Enkiduin që t’i kundërvihet Gilgameshit, por historikisht ai është më i lashtë se mbreti i Urukut. Pasi e krijuan, atë e shohim të rrijë me kafshët dhe me to të kullot bar. Më vonë u kthehet njerëzve…

Në një gradacion të përkryer, epi arrin kulmin e vet të parë me përshkrimin e vdekjes së Enkiduit në pllakën e 8-të. Kthesa që ndodh me këtë rast në shpirtin e Gilgameshit, pikëllimi për mikun e vdekur dhe frika e papritur para vdekjes, janë paraqitur në mënyrë të thjeshtë, por me aq forcë dhe në mënyrë aq tronditëse, saqë këto faqe konsiderohen ndër më të bukurat e letërsisë së lashtë. Ato dëshmojnë qartë se njeriun, që nga kohët më të lashta e deri në ditët tona, e kanë preokupuar të njëjtat probleme. Çështja e jetës, frika nga vdekja që e preokupon qëkur lind dhe synimi për pavdekësi janë përshkruar asisoj saqë mund ta shqetësojnë edhe lexuesin e sotëm. Me këtë pllakë, epi e ndërron karakterin. Bëhet human, i afrohet njeriut që ka shqetësime të brendshme dhe merr një tipar pothuajse elegjiak apo lirik.

Epi arrin kulmin e vërtetë në përshkrimin e përmbytjes së madhe që pasqyrohet në pllakën e 11-të. Ky përshkrim është dhënë në mënyrë tejet realiste. Përkundër krejt kësaj, duket sikur ky episod e lëkund disi tërësinë e epit dhe se është ndërfutur forcërisht. Por, me vlerën e vet, i jep epit një tipar artistik. Krahas kësaj, me dramatizmin e vet i jep një gjallëri edhe rrjedhës së veprimit.

Epi përfundon në mënyrë pesimiste: njeriu është i pafuqishëm për të mësuar diçka për gjërat që vazhdimisht e mundojnë, siç janë çështjet për jetën dhe vdekjen (pllaka e 12-të).

Gjuha e epit karakterizohet me tonin biblik. Në letërsinë jude kjo ka ardhur më vonë. Tonin biblik e kemi edhe në rrëfimin për përmbytjen, që me shfaqjen në këtë ep i habiti qarqet shkencore të botës. Përsëritjet epike në të janë tejet të rëndësishme. Përsëritjet që në shikim të parë duken të thjeshta, e pasqyrojnë në mënyrë më të qartë kohën brenda së cilës ndodhin ngjarjet që zhvillohen në të njëjtën kohë: udhëtimi i Gilgameshit nëpër grykën e errët, ngulja e 120 hunjve nëpër kënetat e vdekjes etj.

Me humanizmin dhe me madhështinë etike, ky ep ngrihet mbi shumë epe të tjera të famshme në të cilat, përmbi shkathtësitë e njeriut, mbizotërojnë dobësitë si: rrëmbimet, hakmarrjet, luftërat, dredhitë, mashtrimet.

Me zbulimin e “Epit të Gilgameshit” asgjë më e bukur nuk ka mundur të vihet në krye të kulturës njerëzore. Është një krijim letrar, sa i afërt aq edhe i njerëzishëm, që si një fije e hollë drite shkëlqen mbi njerëzimin nga kohët e largëta. Që nga e kaluara e largët, njerëzimi ka kaluar nëpër të gjitha tmerret dhe mizoritë. Nëpër të njëjtën lebeti kalon dhe sot.

FRIKA NGA VDEKJA DHE DËSHIRA PËR TË GJETUR PAVDEKËSINË DHE FORCËN RINORE TË PËRHERSHME

P ll a k a  e  p a r ë: Mbreti Gilgamesh sundon në qytetin e Urukut si tiran. Për këtë arsye njerëzit ishin të pakënaqur. Rënkimet e tyre, e sidomos rënkimet e të rinjve të dashuruar, arrijnë deri në qiell, te hyjnitë. Ata kërkojnë nga perënditë që të krijojnë një qenie që do t’i kundërvihet atij e që do të ngadhënjejë mbi të, që pastaj qyteti të jetojë i lirë. Hyji Anuji e pranon kërkesën e tyre dhe urdhëron hyjneshën Aruru që ta krijojë një qenie të tillë. Për këtë qëllim, ajo e krijoi nga balta trimin Enkidu. Gjahtari të cilit Enkidui ia shkatërronte kasollat për arsye se jetonte në miqësi me kafshët, iu ankua Gilgameshit. Ky e dërgoi gruan e shenjtë, e cila me dashurinë e vet e tërhoqi Enkiduin prej kafshëve të kullotave. Bashkë me të, ajo erdhi në Uruk ku Enkidui duhej të luftonte me Gilgameshin.

P ll a k a  e  d y t ë: Duke qenë tepër i fuqishëm, Gilgameshi ngadhënjeu mbi qenien që e kishin krijuar hyjnitë. Por, e ëma, Rishat-ja, e këshilloi që ta konsideronte atë si mik dhe si vëlla. Gilgameshi i bindet këshillës së nënës, kështu që midis tij dhe Enkiduit lindi një miqësi e vërtetë. Ai e fton Enkiduin që të nisen drejt malit të Cedrit për ta vrarë rojën e pyllit Humbabën. Ky e kishte fyer hyjin e diellit, Shamashin, ndërsa banorëve të brigjeve që i afroheshin Cedrit hyjnor, ua kallte tmerrin.

Tani e tutje, të dy trimat kundër të keqes do të ndërmarrin veprime të përbashkëta. Gilgameshi,  mbret i Urukut, tani trim e luftëtar, për t’i mposhtur armiqtë e njerëzve dhe të hyjnive, bashkë me Enkiduin ndërmerr veprime kundër ligësisë. Duke bërë punë të mira, edhe emrat e tyre do të bëheshin të famshëm dhe të përjetshëm.

Në një fjalim që kishte mbajtur në sallën e pallatit para fisnikëve të qytetit, Gilgameshi thotë: “Ndër ju dhe ndër të gjithë popujt le të mbizotërojë paqja”. Sikundër shihet, dikur mbret tiran i Urukut, tani ishte bërë njeri i paqes dhe i arsyes.

Forcën dhe triumfin mbreti i Urukut e sheh në bashkimin e  forcës, në ndërmarrje të përbashkëta kundër armiqve të fortë si Humbaba apo sikur demi i dërguar nga qielli. Kjo arrihet në veprimin e mëtejshëm.

P ll a k a  e  t r e t ë: Enkidui s’jeton dot pa fushën. Ai pendohet se i ka lënë kafshët, ndaj u kthehet kullotave. I brengosur, Gilgameshi niset për ta kërkuar dhe pasi e gjen, bashkë me të kthehet në Uruk. Enkidui ia rrëfeu ëndrrën që kishte parë: udhëtim nëpër botën e nëndheshme. Nëpërmjet ëndrrës atij i përfytyrohet “shtëpia e territ”, vendbanim i sundimtarit të botës së nëndheshme, Irkallës, burrit të Ershkigalës. Duke qenë se ëndrra paralajmëron fatkeqësi, Gilgameshi e këshillon që për gjyqtarin ogurzi të të vdekurve Utuk të  japë theror.

P ll a k a  e  k a t ë r t: Gilgameshi dhe Enkidui nisen drejt Cedrit hyjnor të për ta vrarë Humbabën. E ëma e Gilgameshit, Rishat-ja, e lut Enkiduin që në luftë ta mbrojë fëmijën e saj. Ata e marrin rrugën e malit për ta vrarë së pari rojën e Humbabës.

Tabela V e Epit të Gligamesh. E zbuluar së fundmi. Muzeumi Sulaymaniyah, Irak.

P ll a k a  e  p e s t ë: Një kohë të gjatë udhëtuan nëpër pyll. Aty iu desh të bujnë dy net. Enkidui kishte parë ëndrra dy net me radhë. Gilgameshi i kishte interpretuar ato si të mira për ta. Pas kësaj, ata i ngjiten majës së hyjnive ku edhe e vrasin Humbabën. Perëndesha Irnini u sugjeron që të kthehen nga kishin ardhur, për arsye se të vdekshmit sikundër janë njerëzit, nuk guxojnë t’ua shohin fytyrat hyjnive. Me kokën e prerë të Humbabës, të dy shokët kthehen në Uruk.

P ll a k a  e  gj a sh t ë: Gilgameshi i vesh rrobat solemne. Perëndesha e dashurisë, Ishtarja, sapo e sheh, i shpall dashurinë. Ai e refuzon duke ia numëruar njëherazi të gjitha veprimet e liga të saj. Ishtarja i ankohet babait të vet, hyjit Anu, sundimtar i qiellit dhe baba i zotëve. Për ta vrarë Gilgameshin, ky e dërgon demin e çuditshëm të qiellit. Enkidui ia këput demit organin gjinor dhe ia hedh Ishtares në fytyrë. Të dy shokët e mposhtin demin duke e lënë të vrarë. Ishtarja e mallkoi Gilgameshin dhe i thirri vashat dhe priftëreshat e Urukut për të vajtuar mbi copën e këputur të demit.

P ll a k a  e  sh t a t ë: Enkidui përsëri kishte parë ëndërr: Tani e kishte rrëmbyer një shqiponjë e cila e kishte marrë me vete dhe e kishte shpënë lart në qiell. Nga lart e kishte lëshuar teposhtë që të përplaset e të bëhet copë e gri. Edhe ai edhe Gilgameshi parandiejnë një fatkeqësi të tmerrshme. Enkidui u sëmurë. Parandjeu edhe vdekjen e vet.

P ll a k a  e  t e t ë: Enkidui vdes. Për ta zgjuar, Gilgameshi e vajtoi gjashtë ditë e gjashtë net, por më kot. E kuptoi se zgjim nuk ka. E varrosi në ditën e shtatë. Bredh nëpër pyll. Takon gjahtarin dhe i tregon për mikun e humbur. I thotë po ashtu se  tani e tutje, edhe vetë ai ka frikë nga vdekja.

P ll a k a  e  n ë n t ë: Forcën dhe guximin e Gilgameshit trim e luftëtar, sidomos ato  të ndërmarra bashkë me Enkiduin, tani e zëvendësoi frika nga vdekja, përkatësisht dëshira për të gjetur pavdekësinë dhe forcën e përhershme rinore. Ai niset në një udhëtim të gjatë për te stërgjyshi i vet Utnapishtimi, i cili jetonte larg në një ishull të detit të gjerë. Ishte njeriu që i kishte shpëtuar përmbytjes së madhe dhe kishte fituar amshimin e jetës dhe të rinisë. Ishte i vetmi njeri i cili kishte marrë pjesë në kuvendin e hyjnive.

Dëshiron të mësojë prej tij sesi edhe ai do të mund të arrinte jetën e amshueshme dhe forcën e përhershme rinore. Mbërrin në bregun Mashu ku ndodhej porta e diellit që e ruajin njerëzit-akrepa. Kalon përbri tyre dhe duke ecur nëpër grykën e errët, mbërrin në Kopshtin e hyjnive.

P ll a k a  e  dh j e t ë: Rojtarja e kopshtit, hyjnesha Siduri Sabituja e sugjeron të heqë dorë nga ideja e vet, ngase jeta e amshueshme është e përcaktuar vetëm për perënditë.

I frikësuar nga vdekja dhe me shpresë se do ta gjente jetën e amshuar, Gilgameshit nuk i bëjnë përshtypje fjalët e Sabitusë. Ai ka mendim tjetër ndaj jetës së njeriut. Ndonëse ishte mbret i Urukut, ai nuk ishte i kënaqur me jetën. Jeta i kishte ofruar shumë pak, ndaj e kërkon amshimin. Lakmon jetën e perëndive të cilët e përcaktojnë fatin e njeriut, bëjnë jetë pa brenga, nuk mendojnë për vdekjen dhe gjithmonë kanë fuqi rinie.

Pas klithjeve dhe vajtimeve të tij, Sabituja e lejon të hyjë në kopshtin e hyjnive. Që aty, e merr dhe e shpie te lundërtari Ur-Shanabi. Gilgameshi i lutet atij që t’i mundësojë të kalojë detin e gjerë si dhe ujërat e vdekjes, pra për ta shpënë me barkë deri në ishull.

Për të arritur deri te Utnapishtimi i largët që të fitonte edhe ai jetën e amshuar, Gilgameshi bëri sakrifica të mëdha. Me t’u takuar me Utnapishtimin, Gilgameshi i foli për dhimbjen që ndjente për mikun e vdekur. Ia shprehu edhe frikën që kishte nga vdekja si dhe ia shfaqi dëshirën për pavdekësi dhe forcë të përhershme rinore.

Duke i folur për përkohësinë e jetës, Utnapishtimi ia përsëriti fjalët e hyjneshës Siduri Sabituja se njerëzit, duke qenë të vdekshëm, nuk mund të jenë të amshueshëm apo të pavdekshëm. Një gjë e tillë është e përcaktuar vetëm për hyjnitë.

P ll a k a  e  nj ë m b ë dh j e t ë: Utnapishtimi ia përshkruan Gilgameshit përmbytjen e madhe që me kërkesën e Ishtares e kishte dërguar kryehyji i plotfuqishëm në tokë, Bel-i.

Hyji i thellësive, Ea e kishte këshilluar që të ndërtonte një barkë dhe të vendoste në të farefisin e vet si dhe farën e çdo gjëje të gjallë. Pas përmbytjes, perëndia Ea, atë dhe gruan e tij i kishte bërë të pavdekshëm.

Utnapishtimi e këshillon Gilgameshin që të kthehet nga kishte ardhur. Gruaja e vet e sugjeron që t’ia tregojë Gilgameshit fshehtësinë e barit (bimës) çudibërës që ia jep njeriut pavdekësinë, po qe se ai ha nga ky bar. Gilgameshi e gjeti barin, por ia hëngri gjarpri. I dëshpëruar, me Ur-Shanabin u kthye në Uruk.

(Duhet shtuar se Utnapishtimi është konsideruar si Noi i Babilonisë).

P ll a k a  e  d y m b ë dh j e t ë: Duke mos gjetur qetësi, Gilgameshi kërkon nga mrekullibërësit që ta thërrasin shpirtin e Enkiduit. Ata e shpijnë në botën e nëndheshme, në “shtëpinë e tmerrit”, por Gilgameshi nuk arrin ta shohë. Hyji i thellësive, Ea e lut hyjin e botës nëntokësore, Nergalin që të çelë një zgavër në tokë për të dalë lart hija e Enkiduit.  Gilgameshi e sheh hijen e mikut të vjetër dhe kuvendon me të.

Megjithëkëtë, nuk arrin të mësojë prej tij për ligjin e jetës dhe të vdekjes. I shqetësuar,  kthehet në Uruk dhe vdes në pallatin e tij.

*   *   *

            Disa mbishkrime kuneiforme u bënë të njohura qysh në shekullin XV pas K. Një mbishkrim të këtillë, në vitin 1674 botoi studiuesi francez Sharden (Jean Chardin, 1643-1713). Në vitin 1788 studiuesi danezo-gjerman Nibur (Karsten Niebuhr, 1733-1815) botoi disa tekste të cilat shërbyen si bazë për deshifrimin e këtij lloj shkrimi. Hap të rëndësishëm për leximin e shkrimit kuneiform bëri epi-grafologu dhe filologu gjerman Prof. George Friedrich Grotefend (1775-1853). Shkrimin kuneiform e deshifroi edhe majori anglez Henri Kreisvik Relinson (Henry Creswicke Rawlinson, 1810-1895).

Arkeologu francez Pol Emil Bota (Paul Emil Botta, 1802-1870) i zbuloi gërmadhat e pallatit të Saragonit II të ndërtuar rreth 700 vjet para K. Arkeologu anglez Osten Henri Leerd (Austen Henry Layard, 1817-1894), në vitin 1845 e zbuloi afër Nimrudës pallatin e Asurnasirpalit, ndërsa katër vjet më vonë atë të Senaheribit.

Më 1850 ky dijetar e zbuloi bibliotekën e famshme të perandorit asirian Asurbanipal (668-630). Sipas tij, aty ndodheshin rreth 200.000 “libra”. Mbi 20.000 pllaka të zbuluara në këtë bibliotekë gjenden në Muzeun Britanik.

Pas gjurmimeve të kryera në vitet 1877-1882, arkeologu turk Hormuzd Rassam (1826-1910) zbuloi në këtë bibliotekë edhe pjesë të “Epit të Gilgameshit”.

Merita kryesore për gjetjen e këtij epi i takon asirologut anglez Xhorxh Smit (George Smith, 1840-1876, Alepo, Siri), i cili në Ninivë afër Kujunxhikut zbuloi shumë pllaka të “Epit të Gilgameshit”. Aty ndodhej edhe rrëfimi i plotë i Utnapishtimit për përmbytjen e madhe, e shkruar në pllakën (këngën) e 11-të të epit.

Në vitet 1888-1900, një numër i madh librash u zbuluan në Nipur. Pllakat ishin shkruar me shkrimin kuneiform. Mendohet se këto pllaka janë 1500 vjet më të vjetra se ato të zbuluara në bibliotekën e Asurbanipalit. Në mesin e tyre u gjet edhe pllaka (kënga) e 12-të e “Epit të Gilgameshit”. Disa studiues thonë se pllaka e 12-të është pjesë burimore e epit, por ka edhe të tillë që shprehin dyshime për një gjë të tillë.

Në tekstin e plotësuar nga Bukardi (Burckhardt) kjo pllakë është përputhur me tërësinë kuptimore të epit.

Disa prej pllakave të epit janë mjaft të dëmtuara, ndaj shumë fjalë dhe vargje janë të palexueshme, d.m.th. janë fshirë plotësisht. Sidomos janë dëmtuar pllakat II, IV, V, VII, VIII, X.

Për dallim nga “Iliada” apo nga “Kënga e Rolandit”, për “Epin e Gilgameshit” ka pak variante. Mendohet se prej shekullit XXI deri në shekullin VI para K. poezia gilgameshiane ekzistoi dhe u trashëgua në katër gjuhë. Është versioni akad, sumer etj. Ndryshimet herë janë të vogla, herë më të mëdha. Sipas disa studiuesve gjermanë, gjuha sumere pushoi të flitet në mijëvjeçarin e tretë.

Studiuesi i shquar Prof. Anton Nikë Berisha (1946), “Epin e Gilgameshit” e solli në shqip, duke bërë një përkthim të përkryer nga gjuha gjermane.