“Qytetarja e botës” dhe “Shqiptar, kur shkruan gjuhën shqipe”

0
372
Pajtim Xhelo

Tregim

Në orarin e takimit ishte e përpiktë; me vendin jo. E patëm lenë para selisë së Partisë Socialiste, po çastin e fundit, ajo telefonoi dhe më tha :
-Po të pres këtu te “Taiwani”.
– Po e lamë te selia e Partisë Socialiste dhe unë aty po pres.
Ajo nuk foli një hop. Pastaj shtoi :
– Epo mirë, më prit aty.
– Jo,jo – ia ktheva – më prit ti aty.
Dhe u nisa për te Taiwani, por kur po prisja ta shihja, ajo më mori sërish në telefon. E kuptova që sërish qe ngatërruar.
– Më prit aty, jam vetëm njëqind metra larg – i thashë e më në fund e takova.
Ishte pështjellë me një shall kafe deri sipër vetullave dhe kish veshur një mantel gri që e mbulonte deri poshtë gjurit, aty ku mbaronin edhe streçet e trasha. Këpucët me llush, e tregonin si Pipi Çorapegjatën. E brenda asaj veshje të çuditëshme, të veçantë, ashtu si qe dhe ajo grua në llojin e saj, gjallonin vetëm dy sy paksa të stërhapur, me rrathë të theksuar mavi poshtë tyre, si të një njeriu që kishte gdhirë disa netë pa gjumë, apo sa qe ngritur nga shtrati pas një lëngate të gjatë.
U ulëm në një bar të zakonshëm, në nisje të rrugës së Kavajës. Ia lash asaj në dorë zgjedhjen Kishte shumë të rinj dhe bëhej zhurmë. Në krye të herës m’u duk e kënaqur nga takimi, po kur po prisnim kafet, nisi të shfaqte shenja padurimi, dikur u ngrit dhe ndryshoi porosinë te kamarieri, i cili u duk disi i habitur, po nuk foli. Kaq më mjaftoi që të mos e zgjasja më pritjen.
– Po hy në arsyen që të kërkova takimin – i thash- Më propozuat të redaktonit librat që po çoj për botim dhe unë pranova, duke ju vendosur një parakusht, Po pres përgjigjen e parakushtit.
Kisha zbatuar këshillën e popullit ” Bjeri shkurt, se ke lehtësira! ”
Nuk po ia hiqja shikimin; në ata sy ndjeva lodhje, përtesë mendimi, mungesë dëshire për arsyetim. Vihej re një ftohtësi shpërfillëse, që afronte në cakun e nënvlerësimit. Dhe më hipi gjaku në fytyrë. Cila mendonte se ishte kjo grua?
Gjatë gjithë jetës sime, që kur mendova se po njihja veten, intelektualët e Kryeqytetit nuk para më kishin pëlqyer. Vija re tek ata një siguri të tepëruar në ato që thoshin e që bënin, një vetbesim dhe egoizëm të papërligjur për atë që ishin në të vërtetë. Me pak fjalë, më dukeshin sikur fluturonin pa krahë, si në ëndra. Ne, provincialët nuk vuanim nga këto…Ishim me këmbë në tokë. Veç fati ishte me ata kokoroshë delikatë që të kujtonin intelektualët dhe fisnikët e pasmesjetës, me atë sjelljen e tyre femërore dhe me të folurën me përqasje romantike dhe të nginjur me shprehje të kota të mirësjelljes. Po, po, fati ishte në anën e tyre, për faktin e vetëm e të thjeshtë që jetonin në Kryeqendrën e vendit dhe kishin mundësi më të mëdha për njohjet e duhura në rrethet shtetërore e publike, madje me të gjithë ato ambiente llafazanësh, që në prani i thurnin lavde dhe lajkosnin njeritjetrin, kurse pas krahëve thurnin pabesi të papërfytyruara dhe nxirrnin nga goja shprehje nga më përjashtueset dhe më kërcënueset, që rrallë mund t’i dëgjoje në rrethet intelektuale të qyteteve të tjera, ku jetonim ne,” të shpërfillurit e dorës së dytë”
Në të vërtetë, për ato grua pata një tjetër mendim, edhe pse të njohur të mi , jo të paktë, më thoshin që është ” në botën e vet” . Epo mirë, më pëlqenin njerëzit që nuk ngatërronin të tjerët në fije merimangash të kësaj kohe të çuditëshme. Me këtë mendim vendosa ta takoj e të ballafaqoja qëndrimin tim për Letërsinë.Edhe pse sjellja e gruas po më habiste, dyshimet i mbajta për vete; nuk kisha të drejtë morale t’ia thosha dhe aq më tepër ta gjykoja.
-Ty mbase të duket egoizëm nga ana ime, që nuk pranoj asnjë ndryshim, si në Poezi, ashtu edhe në prozë. Nuk pretendoj për këtë arsye. Këndvështrimet e njerëzve janë të ndryshme. Kësisoj unë nuk jam i detyruar ta shoh botën me sytë e dikujt tjetër. Derisa të mbyll të mitë, gjithçka do ta shoh me ta.
Në të vërtetë po prisja që ajo të lehtësonte atë mbulim të pazakontë të paktën me shallin, po kjo nuk po ndodhte. Gjithçka te gruaja fliste vetëm me ata sy që shprehnin e ngatërronin aq shumë në një kohë,saqë duhet të ishe shumë i vëmendshëm për ta kuptuar deri në fund ndonjë prej tyre.
– Këtu nuk hyn këndvështrimi . E bukura është e bukur për të gjithë.E shëmtuara po ashtu.
Më në fund ajo kish folur.. Më duhej ta kundërshtoj:
– E kemi fjalën gjithnjë për letërsinë. Le të jemi më të drejtpërdrejtë. Muajin e kaluar ti kishe folur me notat më të larta për një poezi të një kolegut tënd. Po të risjell disa vargje :
Më erdhi pranë dhe m’u afrua,
Unë sapo u ngrita për të ikur,
Më pa në sy dhe krisi e iku.
U ula në stol dhe harrova të largohesha.
– Më thuaj, ku qëndron e bukura te këto vargje?
– E bukura qëndron te modernia – tha.
Më acaroi nervat me atë ftohtësinë e saj dhe këmbënguljen e pamenduar në atë që thosh. Doja të ngrihesha e ta lija atje, pa e përshëndetur, po nuk mund ta bëja këtë; nuk ishte në botën time mungesa e mirësjelljes dhe e durimit, megjithëse, do pranuar që edhe durimi e ka një cak dhe kur njeriu pranon tejkalimin e atij caku, duket sikur i nënështrohet atij tjetrit pa arsye.
Nuk e kuptoj dhe për më tepër nuk mund ta pranoj këtë lloj ” modernizmi ! “- ia ktheva, pa u munduar ta fsheh tërësisht inatin, mbase edhe përbuzjen.
– Ti harron që nuk je njeriu i duhur për të përcaktuar shijet dhe sjelljet e kohës – foli qetë ajo, po këtë herë pa më shikuar.
Dhe pas një çasti nisi të më rrokaniste kokën me një pafundësi skizofenirash e psikopatirash, që i pata dëgjuar edhe herë të tjera nga kolegë të saj, si në bisedat në studio, ashtu edhe në gazetat. Nuk di të them as vet se ku e gjeta fërcën për të mposhtur dëshirën që të sillesha i dhunshëm me një ” të shkarë” që ftohtë dhe më nge vijonte pa e vrarë mendjen se ç’do të mendoja unë, të paraqiste siparin e çmendurisë së vet.
– Moj zonjë e nderuar – i thash dikur për ta ndërprerë në atë pafundësi frymëzimi jashtëtokësor – Sipas teje mbroçkullat dhe budallallëqet që u vijnë ty dhe kolegëve të tu nga poshtë e u ngjiten në tru, duhet të jenë ” e bukura” moderne?. Paskam gabuar në përcaktimin e formimit tuaj intelektual e profesional. Më fal, po unë nuk do pranoja kurrë që emri i redaktorit të librave të mi të jetë në këtë lartësi ” moderne”.
Tjetra nuk u duk aspak e fyer.
– Kjo është përzgjedhja jote – tha – po mos harro që fjala jonë do të duhet që ti të ngrihesh atje ku pretendon.
M’u kujtua filmi ” Nëndetësja 105″, me shprehjen e Admiralit : ” Do ta kërkoni Vlorën Gjeneral! ”
Edhe pse i acaruar së tepërmi, ky kujtim më bëri të vija buzën në gaz, Ajo grua mendonte që unë doja ta përdorja emrin e saj për të ngjitur shkallët e famës. Nuk arrinte t’i kuptonte njerëzit e sojit tim, që nuk kishin vuajtur kurrë nga përpëlitjet e karrikes apo të emrit të shquar…Ndryshe nuk do prisnin kaq gjatë që të jepnin nga vetja me anë të talentit të tyre atë që do të qe e nevojshme për të tjerët.
Duhet t’i jepja një mësim, edhe pse isha i bindur që mund të mos merrte asgjë nga ai.
-Gabohesh, kur i mat njerëzit me metrin tënd. Po të doja e lakmoja emrin dhe karriken, do t’i kisha arritur, sepse, që ta përligj pa egoizëm talentin tim, ai qëndron shumë më lartë se ai juaji ” modernist” Poezia ime del nga shpirti dhe është ilaç për shpirtin e të tjerëve. Unë jap shumë nga vetja me qëllimin e vetëm që të lehtësoj sadopak dhëmbjet njerëzore që në të gjitha kohët janë të pranishme në jetë. Te poezia ime janë të gjitha . arti, shpirti, kultura, e dobishmja, kënga dhe Shpresa, po,po, shpresa për të ardhmen. Po në poezitë tuaja njerëzit ç’farë do të gjenë? Do doja që dikush tjetër, i paanshëm të ta jepte këtë përgjigje, jo unë, po u ndjeva i detyruar ta bëj.
Për herë të parë gjatë gjithë kohës që ishim të ulur aty, vura re që u trondit; zbuloi pak ballin nga shalli, zbërtheu kapsen e fundit që iu duk se po e mbyste dhe si bëri ca lëvizje të pakuptimta dhe të pakontrolluara, më tha :
– Unë nuk kam si e mohoj talentin tuaj. Do të isha pa mendim po ta bëja këtë, po ti duhet të kuptosh një gjë; unë jam qytetare e botës, nuk e pranoj nacionalizmin e sëmurë që ka penguar botën të eci përpara. Kësisoj edhe shijet i kam të pa kornizuara. Më pëlqejnë të gjitha ato gjëra që pëlqehen sot në Botën pa Kufi të mendimit e të veprimit. Këtu ndryshojmë ne të dy. Ti ke mbetur provincial. Nuk është faji yt për këtë. Provinca të lë pas në psikologji e në kulturë.
Kish të drejtë pjesërisht. Vërtetë provinca është më fanatike se Kryeqyteti, po ama të mban njeri me frena për veset dhe shkarjet në mendime e veprime skajore, sepse je nën tundimin e zakoneve fisnore që duhen ruajtur. Një rrëshqitje të tillë në një pjerrinë pa fund, asnjë intelektual provincial nuk do ta ëndëronte.
Sërish më duhej t’i kundërvihesha :
-Po si mund të jesh ” qytetar i botës” pa qenë më parë qytetar i vendit e i qytetit tënd? Këtë nuk arri ta kuptoj.
Ajo qeshi për herë të parë.
– Të thash, nuk është faji yt, është faji i provincës që të kufizon.
Pas këtij çasti m’i nguli sytë dhe diçka po bluante në atë rradaken e saj të veçantë. Po prisja me durim se çdo më thosh.. Në të vërtetë, duhet të pranoj, se edhe pse ishte ca skizofrene, zgjuarsia nuk i mungonte, përkundrazi, nuk mund t’ia hidhje dot.
– Përse nuk vin të jetosh këtu në Tiranë? Kjo do të ishte zgjidhja e vetme për të patur emrin që meriton.
Pastaj, si priti ca , hetuese në kundërveprimin tim, vijoi pa mëdyshje :
– Gjej ndonjë grua me shtëpinë e saj dhe bashkëjeto me të.
Ia ktheve me gjysmëhumori :
– Po ku ta gjesh të duhurën, po sikur të të bjerë ndonjë që të të nxi jetën e të thuash çdo mëngjes : ” Ç’i kam bërë Perëndisë? “Ajo qeshi. Ishte çliruar tërësisht nga ajo gjendja e mjegulluar dhe e pakuptueshme e fillimit.
– Le të jetë edhe dreqi vet – tha – mjafton që kur të vish në shtëpi t’i gjesh të gjitha gati dhe të shlodhesh. Mos mendo asgjë, çoje mëndjen për të kullotur ku të të dojë qejfi. Duhet të bëhesh ” qytetar i botës” , kësisoj do të jesh kudo e në të njëjtën kohë askund.Ja, kështu si unë.
Sërish ” qytetari i saj i botës” më tërboi. Mbroçkullat e tjera nuk ia mora si duhej, bëra sikur nuk i kisha dëgjuar, po këtë…
– Të hënga shumë kohë – ndërhyra pa takt – Takohemi nesër, nëse ke akoma dëshirë ta bëjmë bisedën në studio.
– Ok, po e lemë në orën dhjetë atëhere. Është mirë për ty?
– Po.
I urova natë të mirë, pa i kërkuar nëse donte ta përcillja apo jo. Deri te “Selvija” e bëra rrugën në këmbë. Kish nisur të vesonte, po mendimet e hallakatura nuk më lejonin ta ndieja këtë. Pikat e shiut më ftohën ballin dhe vendosa të prisja urbanin.
Në të vërtetë më erdhi keq për atë grua ; kuptohej që ishte viktimë e ambientit, e kohës, e shoqërive dhe miqësive të gabuara që kish përzgjedhur. Ishte e zgjuar, kish punuar shumë për të marrë dijet e duhura e për t’u formuar si intelektuale, veç ato dije i pat ngarkuar në mënyrë të gabuar, që anonin shumë në njerin krah dhe rrezikoheshin ta rrëzonin diku, gjatë rrugëtimit të saj të pandalshëm. Herën e fundit që e pata takuar gruaja i ngjante një kali që vraponte pa u ndalur gjëkund, pa e ndjerë lodhjen dhe pa dyshuar për atë që e priste përpara. M’u duk një vrap i çmendur, po nuk e gjykova; madje e pata edhe zili. Sot dhëmbja më cëmboi në zemër që pat nisur rrokullisjen e pandalur në pjerrinë. Ashtu, trubull mendova : ” Po studentëve të saj, këto mendime u ngarkonte në edukimin për ndjenjat, për botën, për jetën, për…..? Kjo a nuk i dëmtonte ata? Kjo grua i largonte nga kombëtarja, nga rrënjët e tyre, nga gjuha e tyre. Ishte ajo idea e gabuar që nxiste disa popuj të mbetur pas në zhvillimin e tyre, që duhet të jetonin nën të fuqishmit , të prisnin mëshirën e tyre, duke mbetur kësisoj të quajtur ” vende në zhvillim” dhe ” bota e tretë”.Disa përkrahës të saj arrinin deri aty që pranonin e përligjnin luftërat rajonale, epidemitë e sëmundjeve të pakurueshme, me qëllim pakësimin e popullsisë. Sipas tyre bota duhet të drejtohej vetëm nga një dorë e fortë, duhet të fliste e gjitha një gjuhë. Ky do të ishte ” qytetari botëror”, me një fjalë skllavi robot botëror. Këtë u edukonte kjo grua studentëve të saj?
Kur mendova këtë, m’u largua edhe keqardhja për të. E quajta dëm shoqëror dhe me pasoja.
Dhe vendosa të mos shkoja të nesërmen për bisedën. Le të mendonte ç’të donte, nuk do t’i hapja as telefonin. Kështu bëra. Të nesërmen isha sërish në qytetin tim dhe u përpoqa t’ia lija harresës atë takim. U ndjeva i qetë në zakontet e mia që i kisha për zemër…Le të më quanin provincial. Unë e dija që vleja shumë më tepër se një kryeqytetas, apo akoma më shumë se një ” qytetar i botës”.
Pas një jave shpërtheu korona virusi, ose siç u quajt më pas covid 19. Ligjet e luftës. Mbyllja në shtëpi. Shtetrrethim.
Një sajesë mikroskopike që gjunjëzoi botën mbarë. Popujt i kapi tmerri i padijes dhe i pazotësisë për të luftuar me një armik që nuk shikohej, nuk dëgjohej. Një armik që të kapte në befasi. Shtetet, qeveritë nisën masa skajore. Sidoqoftë, arma më e sigurt ishte vetmbyllja në shtëpi. Pakngapak jeta hyri në një boshllëk tërësor. Të gjitha veprimtaritë u ndaluan, Njerëzit në të gjithë botën duhet të ndërgjegjësoheshin që spitalet , burimet njerëzore dhe materiale në mjeksi nuk mund ta përballonin sulmin vdekjeprurës. Vdekja ishte ulur këmbëkryq, aqsa në disa vende nuk përballonin dot as varrosjen e viktimave. Rreziku ishte njëlloj edhe për njerëzit që shërbenin në spitalet, mjekët, infermierët farmacistët, pastruesit, teknikët…Të gjithë. E nëse vdekja do të lakmonte edhe jetët e tyre, kush do të shërbente në spitalet?
Ditët u kthyen në një makth, pastaj makthi u bë zakon. Njerëzit ishin ngujuar para televizorit. Syri u mësua me pamjet makabre dhe veshi u mësua të dëgjonte vdekje që rriteshi nga dita në ditë.
Në këto kushte, ” qytetaren e botës” as që e kisha kujtuar ndonjë çast. Jeta e të gjithë qytetarëve të botës më dhëmbte, po jeta e fëmijëve dhe të dashurve të mi dhëmbte padyshim më tepër se gjithçka.
Tri javë pas mbylljes në shtëpi, mora një sms nga ajo grua. Më thosh : Kam ardhur në fshatin e prindërve të mi. Nëse mundesh, eja të më takosh. Po çmendem nga mërzia dhe nga vetmia.
Cili ishte fshati i prindërve të saj? Nuk isha bërë kurreshtar ta pyesja gjatë kohës që ishim njohur.I telefonova atij që më pat njohur me të për ta pyetur dhe e mësova. Ishte ndonjë orë larg me makinë. Mora leje në polici me pretekstin që dikush ishte në orët e fundit të jetës dhe u nisa me nipin tim. Nuk e lajmërova në çastin e nisjes, thash t’i dhuroja një të papritur, duke menduar se kjo do t’i ndryshonte humorin. Kështu ndodh rëndom; të papriturat janë të dobishme.
E ëma u mundua të na kënaqte, Përgatiti një drekë, që më kujtoi fshatin e dikurshëm, kur shkoja te halla ime për pushimet e verës. Qe fati i nipit tim, se sa për mua, unë nuk e kam patur ndonjëherë problem të ngrënët, nuk e marr ndonjëherë mundimin të ëndëroj tryeza të shtruara enkas.
Pas drekës, u hoqëm veç në verandën e shtëpisë.
– Pse nuk ndenje në Tiranë? – e pyeta.
Ajo më shikoi qetë. Nuk munda të lexoj dot asnjë mendim.
– Si mund të rrija vetëm?
– Vetëm jo, po mund të shkoje në shtëpinë e asaj shoqes tënde, Teuta e quajnë, në mos gabohem.
– Tefta – më koregjoi dhe qeshi si me pahir- I erdhi djali nga Anglia. Sikur nuk shkonte ai muhabet.
– Sikur ke edhe një vajzë dajo në Tiranë – vijova të këmbëngulja.
– Është fejuar, e mori e vjehra në shtëpinë e saj. Mbase do të duket habi, po u ndjeva si peshku në zall dhe nisa të mendoja vetëm për vendlindjen time, për nënën time që kisha kohë pa e takuar.
E pyeta më tepër për të shtytur bisedën :
– Sa kohë kishe pa e parë nënën?
Ajo uli sytë dhe nuk u përgjigj. Nga pamja e fytyrës e kuptova që duhet të qe kohë e gjatë.
– Një vit? – e pyeta.
Gruaja ngriti sytë fajtorë, më pa për disa çaste, pastaj i uli përsëri.
– Dy – pëshpëriti aq ulët sa mezi u dëgjua.
Mendoi se do habitesha, po nuk ia plotësova këtë pritshmëri të zakontë. U ngrit nga karrikja e saj dhe u ul pranë meje në divanin e vjetruar.
– Për mua është e pafalshme – tha – E di që do më gjykosh dhe me të drejtë. Mendoja vetëm për veten time, për karrierën si e babëzitur, duke harruar që ishte një grua që më kish lindur e rritur, që ishte një baba që më ndoqi në çdo hap të jetës derisa iku në botën tjetër pa marrë nga unë asnjë ditë shërbim. Ti e kupton që ndjehem fajtore për atë që jam tani? Egoiste, njeri i vogël, pa shpirt, ja se ç’jam. Duhet të ndodhte kjo tragjedi me përmasa botërore që të ndalja kalërimin e lajthitjes sime.
” Ku paska mbetur qytetarja e botës kështu? ” mendova, po nuk guxova ta lëndoja në këtë pendim të saj prekës. Vetëm i thash :
-Është Tirana fajtore. Të rrëmben në rrjedhat e saj shumëfijëshe, sa nuk të le kohë as të mendosh për ato që ke lënë pas teje.
Tjetra tundi kryet.
– Jo, miku im, kohën dhe ambientin e bëjnë njerëzit. Fajtore nuk është Tirana, jam unë. Koronavirus na detyroi të mendonim atë që kishim hedhur pas krahëve padrejtësisht. Njeriu qenka qenie shumë e ngatërruar dhe egoiste. I pata mbushur mendjen vetes që isha dikush dhe isha ngjitur në majën e malit kësisoj. Ndihesha mirë e pështjellë me një gëzof që përballonte edhe dimrin e egër siberian, po ja që gënjeja veten, ngopesha me lugën e zbrazur.
U mata dytri herë ta ndërprisja, ta qetësoja, ta bindja se kështu ndodh me të gjithë, por më kot. Dikur dëgjova edhe ato fjalë që nuk i prisja :
– Këto ditë kuptova një gjë të rëndësishme. Unë e quaja veten “qytetare të botës”, duke e shpërfillur vendlindjen time, atdheun tim, njerëzit e mi të afërt. Harrova që edhe kafshët, sidomos shpendët, shkojnë larg, po kthehen përsëri. Le të kujtojmë lejlekët. Ata kthehen në foletë e tyre të vjetra.. Kjo që ndodhi me këtë virus na ktheu në shtëpi, në familje, në qytet e në atdhe. Është një mësim i madh. Ne kishim harruar fëmijët, prindërit, vëllezërit, motrat, kushërinjtë. Bota qe nisur në një udhë pa udhë, sikur e shtynte i paudhi. Çdo e keqe e paska edhe një të mirë. Nesër, pasnesër armikun do ta mundim, luftën do ta fitojmë, po do kemi arritur edhe një fitore tjetër…Kemi fituar veten, kemi mësuar që para se të jemi qytetarë të botës, duhet të jemi bij të prindërve dhe prindër të fëmijëve. Duke qenë qytetarë të denjë të kombit tonë, jemi edhe të botës njkohësisht. Këtë unë dhe shumë të tjerë e kishim kuptuar keq.. Të kërkoj të falur, se u përpoqa të të bëja edhe ty pjestar në këtë gabim!
E përqafova dhe i fshiva lotët që i vezullonin në sytë e përhumbur..
– Ti u riktheve në jetën tënde dhe për këtë ndihem i lumtur- i thashë për ta qetësuar.
Në këndvështrimin e ri të ” qytetarit të botës” edhe unë po ndihesha i tillë.

Fund

Pajtim Xhelo, 20 mars 2020


Shqiptar duhet të ndihesh tërësisht kur ta flasësh e ta shkruash gjuhën shqipe si duhet.
Pata fatin e mirë që të nisja rrugëtimin me letërsinë dhe Gjuhën Shqipe që pa mbushur akoma 11 vjeç, në klasën e pestë, kur mësuesja e Gjuhës Ruse, z. Mjaftime Gorishti më ngarkoi mbarëvajtjen e bibliotekës së shkollës ” Naim Frashëri” ( Shkolla Nr. 2 ) në Vlorë. Duke kaluar 2, 3 orë atje çdo pasdrekë, nisa të lexoj kohë e pa kohë, tregime, romane, poezi, që nga Leon Tolstoi, Stendali, Hygoi , Stendali, Gorki, Balzak. Dikens, Ostrovski, Shollohovi, Rilindësit tanë, Petro Marko, Migjenin, Sterjo Spasse, Mjedën, Shirokën, etj, etj. Për tre vite lexova me një etje të marrë. Pastaj, kur hyra në gjimnaz, mësuesi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, Daut Shtino ( u prehtë në Parajsë) që për mendimin tim nuk krahasohet me asnjë mësues tjetër të këtyre lëndëve, më thosh kur lexonte hartimet e mia dhe të dy nxënësve të tjerë ” Ju jeni më të mirë se mësuesit e gjuhës shqipe në drejtshkrim!)
Që atëhere, edhe pse nuk pata fatin ( për arsye që njihen) të studioja atje ku i kisha prirjet, për asnjë çast të jetës nuk u largova nga Gjuha Shqipe. Pas kaq vitesh( një jetë e tërë) mund të them : Flas mirë shqip dhe sigurisht ndihem shqiptar.
Këtë përfundim nuk ia meritoj vetes; së pari familjes, fisit, së dyti shkollës( mësuesve), së treti shoqërisë.
Duhet të theksoj, që ne ishim brez i atillë, që nuk do t’i vi kurrë vendit tonë. Ne ishim sfungjer për dijen, kurse sot dija është sfungjer për njerëzit. Më është dhënë rasti të takoj intelektualë( flas për ata të vërtetët) tëbrezit tim dhe intelektualë të brezave të rinj.
Ata të brezit tim janë të thjeshtë, fjalëpak, të detyrojnë vëmendje dhe respekt. Të këtyre brezave…Sa të vështirë për t’i kuptuar, për t’i afruar, për të këmbyer ndonjë mendim ndryshe!
Ata i dinë të gjitha, ne i përkasim kohës tjetër, monizmit, etj, etj.
Ndërkohë mendimi dhe fjala e tyre është një çorbë që brenda i ka të gjitha shijet, po për fat të keq të gjitha shije të huaja. Ca donkishotizma të spërkatura me ” Amaro Montenegro” dhe në 20 fjalë që thonë, 15 janë në gjuhë të huaja, 5 në një shqipe ” moderne”
As mua niuk më vjen mirë ta them, po nuk është vetëm mendimi im : për të ecur në karrierë si intelektual, për të marrë tituj dhe grada shkencore, për të qenë akademink…Në fund të fundit, për të patur një emër të njohur, duhet të jesh i tillë.
Dhe mund të bëhesh fare lehtë duke qenë kaq ” i lehtë”
Paçka, të mos i largohem gjuhësisë.
Po i pyes këta pseudo : Ndiheni ndopak shqiptarë ju?
Kam frikë se do të ndihen të neveritur po t’i quaj shqiptarë, në ndryshim me ne ” brezin e humbur” sipas tyre, që jemi krenarë që flasim mirë shqipen tonë
Dhjetra e qindra herë kam dëgjuar nga intelektualët dhe të diplomuarit me arësimin e lartë të mbrojnë ” të folurën e tyre moderne” me pamundësinë e shqipes në të shprehur të lirshëm. Do jap vetëm disa shembuj për t’u prerë kokat këtyre antikap0ëve. Nuk po futem fare në analiza shkencore, edhe pse kam mundësi t’i bëj ato si duhet.
1. Po shtjelloj në sferën e ndërtimit :
Për një shumëkatëshe ne mund të themi Pallat, Godinë, Ndërtesë, grataçelë, Qiellgërvishtës…Po kemi harruar atë që është shqip tërësisht…” Ngrehinë”
Këtë fjalë, nuk para e përdorim, sepse na duket më pak tingëlluese pëe veshin modern. Kur i pyet njerëzit ( edhe ndërtuesit) pse i thonë ” pallat”. e kanë në majë të gjuhës përgjigjen :
– Se në shqip nuk dimë si tI themi, se shqipja ka kufizim në të shprehur.
Kur u kujton fjalën ” Ngrehinë”, bëjnë sikur kujtohen, po përsëri e gjejnë një shkak për t’u mbrojtur. Thonë :
– Epo ” Ngrehinë ” sikur është e përgjithëshme, nuk është e përcaktuar mirë.
Nuk na qenka e përcaktuar, sepse ka kuptimin e nj ndërtese që ngrihet e naltohet mbi tokë. Po anuk është kështu ndërtesa shumëkatëshe? Pastaj, sipas shërbesës që ajo ngrehinë do të sjellë, përcakto dhe emrin tjetër si : shkollë, Bankë, Hotel, etj
Por, ama, mos harro ta quash ngrehinë.
2. Në sferën e emrave abstraktë.
Shumica përdorin fjalën ” koshiencë” në vend të ” Ndërgjegje”, ” Vetëdije” ose ” subkoshiencë” në vend të ” Nënvetëdije”, ose ” Retrospektivë në imagjinatë” në vend të ” kthim pas në përfytyrim”. ose ” perspektivë ” në vend të ” E ardhmja “, ose për reaksionet ( ndërveprimet – shqip) ” reversibël”, shqip ” të kthyshëm” dhe ” ireversibbël” shqip ” të pakthyshëm”,
3 . Nga sfera të tjera
Themi ” doktor ” në vend të ” mjek”, themi ” infermier ” në vend të ” ndihmësmjek”, themi ” kardiologji” në vend të ” sëmundjet e zemrës”, themi ” pediatri ” në vend të ” reparti8 i fëmijëve” etj
Themi ” iniciator” në vend të ” nismëtar”, ” promotor” në vend të ” shtytës”, ose ” alternativë” në vend të ” zgjidhje tjetër, mënyrë tjetër”
Gjuha shqipe, si dhe të gjita gjuhët e tjera ka shumëmundësi përzgjedhëse, jo vetëm mes saj dhe gjuhëve të tjera, por edhe mes fjalëve shqipe, që mund t’i quajmë sinonime.
Sot kam patur kundërshti nga dy, tri njerëz për përdorimin e fjalëve :
Thyerina
Hedhurina
Mbeturina
Në pamje të parë duket se kanë kuptim të njejtë, por jo.
Thyerina – është fjalë që e përdor unë për a. sende të thyera, jo të hedhura , b. për mendime të thyera, c. për zemrën e thyer, d. për shpirtin e thyer, f. për jetën e thyer etj, etj
Hedhurina është fjalë shqipe, tregon sende të hedhura ( mund të jenë therina, plehra, mbeturina)
Mbeturina- janë mbetje të ndryshme organike, joorganike që dalin të papërdorëshme dhe të pavlefshme.
Pra, nuk janë e njëjta gjë dhe duhen përdorur me kujdes
Thyerinat dhe mbeturinat përfundojnë te Hedhurinat.
Ja një shembull fare i thjeshtë për të treguar pasurinë e gjuhës shqipe
Ku është thelbi i gjithë kësa që thash.
Pa ditur e folur mirë gjuhën tënde muk mund të bëhesh as punonjës i mirë ( në çdo sferë), as diplomat i mirë, as akademik i mirë, as politikan e pushtetar apo shtetar i mirë, as gazetar, analist, kronist, aktor, regjizor, për më tepër, as shkrimtar e poet i mirë.
U mundova të përmend shumicën, po nuk ka rëndësi edhe në kam harruar ndonjë.
Përfundimisht, pa ditur mirë gjuhën e popullit tënd, nuk mund të jesh shqiptar i mirë!.
Nuk dua të fyej askënd, nuk dua t’i mbetet hatri askujt. Nëse duam të arrijmë të tjerët, duhet ta bëjmë këtë.

Me respekt
Pajtim Xhelo