Atllarët le t’i ruajnë shqelmat për njëri-tjetrin për një kohë tjetër!

0
380
Albin Kurti - Hashim Thaçi

Zymer Mehani

Në këto ditë, kur koronavirusi COVID-19 po e kërcënon edhe Republikën e Kosovës, sikurse edhe vendet tjera të botës, populli ynë është mjaft i shqetësuar nga kjo pandemi. Mendoj se nuk është momenti për t’u hudhur në garë se cila figurë politike të bëhet më e faktorizuar, ngase për veprim në të mirë të shoqërisë ka vend edhe për Presidentin, edhe për Kryeministrin, edhe për Kryekuvendaren, edhe për deputetët, pa marrë parasysh ngjyrimin partiak, edhe për secilin qytetar të shtetit tonë, për faktin se jemi në situatë të jashtëzakonshme.

Klasa politike kosovare duhet të tregojë pjekuri maksimale dhe t’i lërë për të ardhmen interesat politike, personale e klanore, ngase momenti e kërkon që të jemi në radhë të parë humanë kundrejt familjes, shoqërisë etj., duke bërë përpjekje secili në mënyrën e vet për ta përballuar më lehtë situatën.

Mendoj se nuk duhet të nxitojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës për mocion kundër Kryeministrit aktual, ngase rreziku pandemik po troket në dyer të familjeve dhe të popullit tonë, që meritojnë respekt, angazhim dhe përkrahje maksimale për tejkalim të kësaj gjendjeje epidemike.
Ju klasa politike kosovare, garat vazhdojini lirisht në të ardhmen, por jo tani në kohën e pandemisë vrastare. Vetëm deputetët dhe politikanët e pandërgjegjshëm mund të bëjnë gabimin fatal për prishje të institucioneve në këtë kohë tepër të jashtëzakonshme.

T’i kujtojmë fëmijët e vegjël, personat me sëmundje të ndryshme, familjet pa kushte për jetesë… t’i thërrasim mendjes dhe të veprojmë me arsye!…

Atllarët le t’i ruajnë shqelmat për njëri-tjetrin për një kohë tjetër!