Unë mbaj pastër dhe me rregull dhomën e gjumit…

0
613
Nikolini - dhoma e gjumit

Paqja e Krishtit dhe gëzimi i Tij qofshin me të gjithë ju!

Në këtë kohë në të cilën na është kërkuar të rrimë në shtëpi, ne kemi vendosur të bindemi për të mirën tonë dhe për të mirën e të tjerëve. Dikur mendonim se pot ë rrinim brenda shtëpisë gjatë ditës ishte si një humbje kohe, por ja që, falë Zotit tashmë kemi kuptuar se edhe brenda shtëpisë ka një mijë e një gjëra për të përjetuar.

Edhe gjatë kësaj dite, këtu në shtëpinë tonë ku jetojmë 4 vetë, që nga mëngjesi e deri tani jemi stërvitur në shumë aktivitete të bukura, gjithnjë këtu brenda.

Lutje, gatim, punë të vogla, pak lojë me top sepse kemi një hapësirë përreth shtëpisë që na e mundëson, por në mes të gjithave sot kemi dashur të theksojmë rregullin dhe pastërtinë në dhomën e gjumit.

Ne e mbajmë në rregull dhe pastër edhe dhomën e gjumit megjithëse ajo është zona e “klauzurës” e natyrisht nuk është e ekspozuar për të tjerët e sidomos në këtë periudhë që ndoshta ndokujt mund t’i duket si pa kuptim kjo gjë.

Mirëpo ne kemi vendosur që edhe në këtë periudhë të mbajmë në rregull dhomën ku flejmë sepse Bibla na ka mësuar se ne jemi Tempull i Shpirtit Shenjt. Jetojmë kështu thjeshtësinë dhe këshillën ungjillore të varfërisë. Zoti banon në ne dhe nëpërmjet nesh Zoti fle në këtë dhomë. Oh sa mrekulli! Ja çfarë thotë Shkrimi Shenjt: “Apo nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit Shenjt që banon në ju, që e keni prej Hyjit dhe se ju nuk i përkitni më vetvetes? Sepse jeni blerë me çmim të lartë. Prandaj, jepini lavdi Hyjit në trupin tuaj!”. (1 Kor. 6, 19˗20).
Gjithçka na flet për Shpirtin Shenjt në këtë shtëpi! Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt në shekuj të shekujve! Amen!

Nëse dikush mërzitet në këto ditë dhe nuk di se çfarë të bëjë, ne ju kujtojmë se një mundësi është ajo për të mbajtur në rregull dhomën e gjumit: na bën mirë ne kjo gjë, por më kryesorja është për faktin se është vullneti i Hyjit të mbajmë në rregull ambientin ku jetojmë. Shpirti Shenjt është rregull dhe sjell rregull e bukuri në jetën e secilit prej nesh.

Këtë dëshmi duam ta ilustrojmë me disa foto.

Ju përshëndesim, me dashuri në Krishtin Jezus,
Nikolini, Kreshniku, Amerigo dhe Alfredi

Shkodër, më 18.03.2020


Međugorje, mesazhi i 18 marsit 2020,
dhënë nga Zoja e Bekuar, nëpërmjet Mirjana Soldo˗s


«Të dashur bij! Biri im, si Hyj, ka shikuar gjithmonë përtej kohës. Si nënë e Tij, shoh në kohë. Shoh gjëra të bukura dhe të trishtuara, por shoh se ka akoma dashuri dhe që dashuria duhet të takohet. Bijtë e mi! Nuk mund të jeni të lumtur nëse nuk e doni njëri˗tjetrin, nëse nuk keni dashuri në çdo situatë dhe në çdo moment të jetës suaj. Dhe unë, si Nënë, vij tek ju nga dashuria. Më lini t’ju ndihmoj që ta pranoni dashurinë e vërtetë në mënyrë që të njihni Birin tim!

Ja pse ju nxis të kërkoni gjithmonë dashurinë, fenë dhe shpresën. I vetmi burim, prej të cilit mund të pini, është besimi në Hyjin, Birin tim. Bijtë e mi! Në momentet e pështjellimit dhe të dorëheqjes, duhet vetëm të kërkoni fytyrën e Birit tim! Jetoni fjalët e Tij dhe mos kini frikë! Lutuni dhe kini dashuri me ndjenja të ndershme, me vepra të mira dhe ndihmoni botën të ndërrojë dhe zemrën time të fitojë!

Unë dhe Biri im ju themi të doni njëri˗tjetrin, sepse pa dashuri nuk ka shpëtim! Faleminderit, bijtë e mi!».

Zoja ka përfunduar duke i thënë Mirjanës se nuk do të ketë më Shfaqjet më datën 2 të çdo muaji, por vetëm më 18 mars.

Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi