4 poezi nga Pajtim Xhelo

0
754
Pajtim Xhelo

Duhet rend i ri

Nga dhëmbjet të shpëtojë njerëzimi,
I duhet të lindë një rend të ri,
Që bota të shpëtojë nga mjerimi,
Nuk duhet mëshirë, po mirësi.
Pa shihni miq, u plak kapitalizmi,
Edhe vdekja te pragu po e pret,
Pa tmerr e zi, siç iku komunizmi,
Ta përcjellim në terr, se po na vret.
Që hallet të largojë njerëzimi,
Nuk duhen litarë e gijotinë,
As shkencëtarë virusesh, mashtrimi,
Bashkimi, guximi, sjellin lirinë.
Që pabarazinë ta zbojë bota,
Vallë i duhen lotë dhe mallkime?
Lutjet e feve do ishin të kota…
“Zotat” e Tokës japin veç zhërrime.
Krijuesi tha: “Zot për ju jam unë,
Të tjerë zota në Tokë nuk ka,
Kush mendon të përvetojë më shumë,
Lakminë lak për fëmijët e la.”
Dhe të erren sytë nga kapitali,
Pa mendimi verbohet te ky terr,
Harron që nuk je as kodra, as mali,
Një ditë troket vdekja dhe të merr.
“Zota” të parasë, pse s’e mendoni,
Rrënjë në nëntokë askush nuk hedh,
Me jaht, makin’ o avjon, mos harroni,
Paraja njëlloj si cigane bredh.
O njerëz, lindim të gjithë njëlloj,
Na venë emër dhe ecim në jetë,
Ti hap të ngadaltë, unë vrapoj,
Rrëmbej në fund të rrugës sa të ketë.
Me kapital ti, kur unë po vuaj,
Njeri jam unë, edhe ti njeri,
Më shan, më përbuz, më vret; pa më thuaj,
E pasur bota, pse pabarazi?
Pa ku jep mirësi, kush shpirt nuk ka,
Njëlloj si t’i kërkosh jetën xhelatit,
Ky rend asgjë njerëzore nuk la,
Po na mbyt n’oqeanet e mëkatit.
Pa ejani miq, botën ta shpëtojmë,
Mos ta lemë kapitalin ta mbytë,
Një rend hibrid, njerëzor të krijojmë,
Nga NordEuropa t’i kthejmë sytë

Pajtim Xhelo, 15 mars 2020


Ferri po ju pret

Nëse ferr ka, me zjarret përvëlues,
E nëse shpirti pas vdekjes jeton,
Ju hidra, klonim të djallit tundues,
Tmerri i flakëve nuk ju mundon?
Zvarranikë e lakuriqë nate,
Me to shtrigat, hënës, bënin magji,
Po ti, Kerberi i Whuanit ç’pate,
Që mbylle njerëzimin në shtëpi?
Po, si milingonat bota u shtua,
Dhe ju po kërkoni një sfinks të ri,
Veç ti, Polifem, mos bëj fajtor mua,
Që hallet më nxisin në dashuri.
Dikur një prift britanik luftën shpiku,
Për shtimin në progres gjeometrik,
Djalli Maltus na la helmin dhe iku,
Po djajve të rinj kush u thotë: ik?
Deri dje magjinë nuk e besuan,
Po sot Whuani më tha të mendoj,
Shtrigat e Salemit flakës i çuan,
Shtrigat e Kinës, unë t’i ndëshkoj?
Kundër gjithë botës dhe kundër Zotit,
Bij të Luçiferit, nga erdhët ju?
Mos vallë ju veli er’ e barotit,
Gjarpër e lakuriq sollët këtu?
Seç m’u kujtua, ca vite më parë,
I shtiet frikën gjithë njerëzimit,
Fundi i botës na ish paraparë,
Ngritët kudo kështjellat e mashtrimit.
Sa herë që ndieni fundin tuaj,
Mbi popuj përplasni fatkeqësitë,
Si t’ishin alienë, o të huaj,
Veç Noe nuk do ketë më një ditë.
O “Profetë”, nuk jemi milingona,
Të gjithë jemi bij të atij Zoti,
Mos provoni magji me jetët tona,
E lini botën siç ishte qëmoti.

Pajtim Xhelo, 15 mars 2020


Me këtë poezi përshëndes gjithë njerëzit e thjeshtë, që jetojnë me djersën e nderit dhe nuk lakmojnë pasuri e jetë në orgjira, po një familje, ku t’u japin fëmijëve dije e dashuri.

Kur ndodh kështu…

Ulën kryet egoistët, me veten bëjnë çudi,
Për ata gjer dje Himalajet u duknin liliputë,
Gjithësia një ëndër, që e zbon mëngjesi i ri,
Po sot një mikrovirus kishin sjellë ca harbutë.
Dhe mbaheshin më të madh në kolltukë, në rehati,
Nga xhamat e errët shihnin turmat që rridhnin si lumë,
Me milingonat u ngjanin, pa ndienin neveri,
Dhe lëndonin gjoksin e rrahur, thoshin: ” Jam vetëm unë! ”
Shpërfillën edhe Zotin : ” Ku është ai, nuk e njohim!
Dikur shkuam në Hënë, tani po na presin në Diell,
Si të ndrrojmë rrotullimin e gjithësisë po shohim,
Toka është për të tjerët, ne kemi krahë për qiell! ”
Pa mbet’e shenjta jona tokë, kjo nënë heroinë,
Si një shtëpi e braktisur, pa mure e pa çati,
I lindi, i rriti, i mësoi, u dha pasurinë,
U dha krahë. Po ata? E braktisën në varfëri.
Sa të pasur! Dhe ëndra e natës do kishte zili.
E çmendët botën tuaj nëpër tsuname me orgjira,
Edhe vet Luçiferit i dhatë nur e bukuri.
Mos vlente Toka sa paratë tuaja të pështira?
Pa Tokën tonë hyjnore, e vutë në baraspeshë,
Me malet tuaj të thesarit, ku pikon gjak njeriu,
E përdorët, na i latë me zhele këtë princeshë,
Gunën e ariut e kthyet andej nga fryn veriu.
Sa shpejt e përhumbët kujtesën në mjegull or të mjerë,
Në këtë jetë na solli veç një spermatozoid,
Njëlloj si mua, si dhe shtatëmiliardë të tjerë…
Një ishte Krishti, që Zoti e solli në virgjëri.
Kujtuat se do na bënit skllevër në kohë të reja,
Do na ndërsenit ashtu, si çifutin në shkretëtirë,
Nuk po ua ndalte aventurën as frika, as feja…
Po ja, koronavirusi ju rrëzoi në rrëpirë..
Unë jam njeri dhe nuk gëzoj, kësisoj nuk bërtas,
Ju që skllevër na donit, po bridhni vet në shkretëtirë,
Koronavirus po ju ndjek, po kërkoni një oaz.
Jo për ne njerëzorët, për racën tuaj të pështirë.
Ja që nuk vleka të qenit “Mbinjeri”, as pasuria,
Koronavirusi solli për ju një mësim të ri,
Vërtetë ne vdekëtarët u mbyllëm nëpër shtëpia,
Po ju po vdisni çdo orë, si skllevër me pasuri.
Në atë oqean egoizmi mbase po mendonit,
Që t’ia kalonit edhe Luçiferit në fuqi,
Kur të largohet reja, do bënit mirë të kujtonit,
Kush varr hap për të tjerët, bie në varr aty, përbri.

Pajtim Xhelo, 17 mars 2020


Prita pranverën

Pas mesit të natës prita pranverën,
Dola në ballkon, ta ndjeja më mirë,
Zbritën yjet, po nuk e sollën erën,
Që çel lulet dhe gjethet n’errësirë.
Dhe m’u dukën një çast si xixëllonja,
Çelnin e mbyllnin sytë gjen n’agim,
Lotë atje, kur prisja të shikonja,
Dritëza shprese për planetin tim.
Pa Zoti kish dërguar ata yje,
Të ngarkuar me lotë për vajtim,
Gjetën dhëmbje të lidhura si nyje,
Nuk mundën të bënin as ngushëllim.
I pash kur u ngjitën sërish përtuar,
Si të frikur nga mëngjesi vrastar,
Tërë natën pranvera qe munduar,
Të na trokiste me lulen e parë.
Tërë natën, me shpresën e harruar,
Pranvera u përlesh me heshtjenvarr,
Solli zogj, që ikën pa cicëruar,
Dhe mbeti vetëm, si vatër pa zjarr.
Deri në ag gënjeva edhe shpresën,
Që të më pranonte veç një premtim,
Lash shpirtin atje, i dhash edhe besën,
Njerëzimit t’i përqaste shpëtim.
Prita mëkot, si pret detari erën,
I përhumbur në kohë dhe kufi,
Koronavirus kish kapur pranverën,
Duke shpërfillur Zot edhe njeri.
Kur ikën yjet, doli yll’ i ditës,
Në qiellin blu s’kish zogj, nuk pash re,
As vesë, as dridhje kënge të dritës,
Veç vdekja kish zënë pusi atje.
Zoti bujar zbriti yllin e ditës,
Po ne s’na ngrohte, qe diell pa zjarr,
E shuan kafshët gjakftohtë, zvarritës,
Për ta patur Tokën akull polar.
Njëzetenjë marsi sot, ja, erdhi,
Pa cicërima, lule, gjethe, erë,
Pranver’ e truar, kur të vi do derdhi,
Vesë për jetë, si vitet e tjerë.
Prita lule, gjethe e cicërima,
Se pa to jeta jonë s’ka kuptim,
Dhe flladi që nxit këng’ e drithërima,
Këtë mëngjes shpërfilli shpirtin tim.
U ndjeva vetmi, braktisur, helmuar,
Ku do ta gjeja mjaltin pa pranverë?
Veç ashtu, vagët, truar, po shpenguar,
Tej pash ndëshkimin për ata të mjerë.
Njerëz, , Jeta mbi Vdekjen do fitojë,
Kush mbolli kovid, varret ka aty,
Zoti ynë nga ta do na shpëtojë,,
Ta ndezim shpresën në shpirt e në sy!

Pajtim Xhelo, 21 mars 2020