E çfarë meditimi sot në mëngjes!?!

0
551
Nikolin Lëmezhi

Një takim me Zotin në natyrë, në mesin e luleve të kopshtit që rrethon shtëpinë ku banojmë. Fillova duke nxjerrë disa vazo me lule aty ku binte dielli më shumë me idenë që të zhvillohen më mirë. Po sodisja gjethet që kanë filluar të bulëzojnë në disa pemë të vogla edhe disa lule të çelura si ato të zymbylit e të lulemëllagës. Në mesin e kopshtit kemi edhe një ulli të vogël, të cilin e ka mbjellë vëllai dhe na e ka lënë kujtim kur erdhi për vizitë vjet me rastin e nënës së sëmurë. Ai është gjithmonë i gjelbërt. Këtu në lulishten tonë më duket sikur punët nuk kanë mbarim kurrë. Kur ia filloj më duhet të vihem në paqe e të pranoj faktin se nuk ia dal t’i mbaroj të gjitha e kryesisht ashtu siç dua unë. Sa qesh me veten, tek kujtoj ditët se si zemërohesha se nuk ia dilja të prashisja lulishten, ta rrafshoja bukur, t’i heqja barishtet e këqija! O Zot!!! Më dukej sikur çdo gjë grumbullohej dhe më bëhej rrëmujë e nuk dija si të dilja prej saj.

Prandaj jam i qetë tani. Herë vendos të pastroj anash vazot nga pluhuri dhe dheu që kanë marrë kur ka rënë shi, të heq gjethet e vyshkura, dhe po ia dola të ujis ato lule që më shumë kanë nevojë. Kam bërë si një program të vogël, sepse kështu kam kuptuar se kam më sukses, jap më shumë fryt. Nuk kam vetëm lulishten, si shumë prej jush që mund ta dini mirë. Prandaj më është dashur të bëj një program. Një ditë sistemoj pjesën e lulishtes përpara shtëpisë, një ditë tjetër pjesët që janë rreth shtëpisë. Kur e di se dikush mund të më ndihmojë kërkoj edhe pak ndihmë nga të tjerët, por është një punë delikate me lulet ashtu sikurse edhe ato vetë janë delikate. Nuk po zgjatem shumë me programin tim të lulishtes e të aktiviteteve të tjera të ditës, sepse ajo që kam përjetuar sot është diçka e mrekullueshme, pak si ato gjërat e bukura që po nuk u përjetuan vetë është zor të shprehen.

Siç po ju thoshja, isha duke spostuar vazot e luleve sa nga një vend në një tjetër dhe m’u kujtua se nuk është krejt mirë për bimët të çfarëdolloj qofshin që të spostohen, aq më tepër të shkulen vazhdimisht e të mbillen sa në një vend në tjetrin.

Nuk kaloi shumë, e mendja më shkoi tek njeriu: në fakt unë njoh njeriun e sotëm, që ka rrezikuar të bëhet si një rrobot i modës, i pasurisë, i kujdesit të tepruar për trupin dhe pamjen e jashtme, i opinionit, i shoqërisë, i varësive të ndryshme, i vetvetes. Njeriu që ka harruar të “ulet në pragun e derës” si dikur e të shullahet (siç thuhet në dialektin tim për ata që ulen për t’u ngrohur në diell pa asnjë angazhim tjetër përveç ndonjë bisede të thjeshtë me personat afër).

Shihja ato lule në diell dhe mendoja se ky njerëzim është në krizë të thellë për arsyen se me spostimet e shumta e të pakriter, porsi një bimë që shkulet e mbillet sa në një terren në tjetrin, porsi një kallam që e sposton era sa andej këndej, nuk ka lëshuar rrënjë. E pa rrënjë nuk ka jetë.

M’u kujtuan përmallshëm fjalët e Ezekielit profet: “Mori një pinjoll nga toka dhe e qiti në tokë të punuar përbri ujërave të shumta e mbëltoi si shelgun që të bulëzojë e të rritet në hardhi që merr haptas, jo shumë të lartë që drejt shqiponjës gemat t’i shtrijë e rrënjët t’i rriten në të”. (Ezekieli 17, 6).

“…rrënjët t’i rriten në të”. Disa ndoshta janë pa rrënjë fare, ja pse thahen, vyshken si ato degët e thata që vazhdimisht unë i këpus prej luleve, dhe nuk japin aspak fryt. Duhet t’i krijojnë kushtet që të qesin rrënjë më së pari dhe ato rrënjë të rriten. Pjesa tjetër e njerëzimit ka rrënjë, por me shqetësimet e ndryshme të jetës nuk i lë të rriten. Ka të tjerë që nuk kanë vetëdije për rrënjët e veta dhe është gati si të mos i kishin. Ku mund të shkojmë pa rrënjë?

Besoj se, me këtë “izolim” që Koronavirusi ia ka “imponuar” njerëzve të çdo shtrese shoqërore, rrënjët do të zhvillohen dhe natyra do të shpërthejë me hovin që askush nuk mund t’ia ndalojë.

Gjethet, siç i kam parë sot në mëngjes në lulishten tonë, kanë filluar të bulëzojnë, disa lule kanë filluar të çelin dhe shumë shpejt do të çelin të tjera. Është në prag një stinë e re, jo si e çdo viti, një Pranverë e mrekullueshme, e cila do të ketë forcën të na surprizojë. Si çdo surprizë, e cila zakonisht vjen papritmas dhe e këndshme për ne. Surpizat janë të bukura dhe të papërsëritshme. Prandaj edhe gëzojnë zemrat.

Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, më 17.03.2020