GRIPI AZIATIK I VITIT 1957 SHKAKTOI 2 MILIONE VDEKJE

0
372
Abdurahim Ashiku

Abdurahim Ashiku

7 epidemitë nga gripi që kanë vrarë masivisht botën njerëzore
• Gripi spanjoll H1N1 i vitit 1918, preku gjithë botën dhe mori nga 50 – 100 milionë jetë.
• Një version i të njëjtit virus i quajtur virusi i derrit i vitit 2009 shkaktoi 575 400 vdekje.
• Gripi aziatik i vitit 1957 shkaktoi 2 milionë vdekje.
• Gripi i Hong Kongut ne vitin 1968 shkaktoi 1 milionë vdekje.
• Gripi i korona viruseve Sars i vitit 2002 infektoi 8.000 njerëz nga të cilët vdiqën 700.
• Gripi i korona virusit Mers i vitit 2012 infektoi 2.500 vetë, nga të cilët vdiqën 850 vetë.
• Gripi korona virusit COVID 19 deri me 14 mars ka infektuar më shumë se 145 000 njerëz, nga të cilët kane humbur jetën 5400 vetë.
• Vdekshmëria llogaritet sipas rastit nga 0.7 – 3.4%.
Nga shtypi

Kujtime të një nxënësi nga gripi i prag pranverës 1957 shoqëruar me tre pyetje:
Si e përjetoi Shqipëria gripin e vitit 1957 ?
Sa vetë u prekën dhe cila ishte gjeografia e përhapjes së sëmundjes?
Sa vetë vdiqën si pasojë e atij gripi që në radhë është më vrastari pas atij të vitit 1918 ?
Dhe një thirrje SOT…

Informacioni, këshillat njëzet e katër orë në njëzet e katër orë, në shqip dhe në gjuhët e botës, masat shëndetësore, masat organizative qoftë edhe drastike, janë ilaçi më efikas kundër këtij virusi të panjohur, vdekjeprurës…
Koha tu qëndrojmë këshillave dhe masave parandaluese e mbrojtëse…

* * *

Shkollën e mesme e mbarova në Fier…
Udhëtimi nga Dibra ishte i gjatë, i lodhshëm…
Ndër të tjera më vjen e më ulet në kujtesë udhëtimi me tren dhe vrapi nga stacioni i trenit në agjencinë e udhëtimeve të Rrogozhinës…
I përgatiteshim atij vrapi me valixhe në duar e çanta mbi kurriz sapo treni dilte nga tuneli e ndalonte pesë minuta para stacionit për të mbushë kazanët me ujë prej nga, nën zjarrin e qymyrit, prodhohej avulli që vinte në lëvizje lokomotivën…

Me fat ishim kur kapnim biletën e bënim vend në të vetmin autobus që shkonte për Fier. Për autobusin e Vlorës nuk bëhej fjalë. Ishin edhe ata në të njëjtin hall si udhëtarët e Fierit.
Kur nuk arrinim të merrnim biletë na mbetej rruga, dora lart e “bagazh” i hedhur mbi ndonjë kamion me dyfishin e çmimit…
Ishin vite të vështirë…

Ende nuk ishte kapërcyer kriza e bukës, ende vazhdonte sistemi i triskëtimit të ushqimit dhe veshmbathjes në qytet dhe i reciprokut në fshat.
Shkolla e mesme bujqësore e Fierit, një ndërtesë kartoni ndërtuar nga Italia, ishte në dalje të qytetit, drejt Vlorës.
Konvikti, i pari, ishte i vendosur në një ndërtesë sekuestro e kohës disa dhjetëra metra larg shkollës, i dyti ndonjë kilometër larg, afër fushës së sportit.

Ushqimi niste me çaj me bukë misri e marmelatë molle në mëngjes, me supë apo fasule në drekë e çaj me bukë misri e marmelatë në darkë. Një ditë në mes javë kishim mish e një ditë, të dielat, ëmbëlsirë, kabuni…

Flinim në shtretër tip “marinar” druri, në dyshekë e jastëkë mbushur me kashtë nga lëmi i shkollës.
Myzeqeja asokohe ende ishte në “në kënetë” e malaria kishte zbehur pamjen dhe jetën e njerëzve.
Nuk do të më kursente as mua. Më kapi një ditë fillim tetori 1956. Qëndroja në diell, që megjithëse digjte, nuk ngrohesha. Dridhesha si dridhen degët e shelgut nga uji i lumit. Temperatura nuk më binte… Tek dyzetat qëndronte…
Më shtruan në spital…

Spitali ishte asokohe në qendër të Fierit, vendosur në një ndërtesë sekuestro siç thuhej e familjes feudale të Vrionëve. Më vonë u bë bibliotekë…

Ishte i vështirë shtrimi dhe qëndrimi në spital. Larg Dibrës, pa zë për familjen, në vetminë e një shtrati hekuri, një dyshek e sipër një velenxë pambuku..

Një shok shkolle, Semini më vjen në kujtesë mbiemri i tij, ndante me mua ato ushqime që i vinin nga familja e tij në Seman. Më vjen në kujtesë ashtu i zverdhur, i pa zhvilluar në trup, pamje tipike e të sëmurëve nga malaria.
E kalova, e mora veten dhe u përshtata me mjedisin e ri, krejt tjetër nga ai ku isha rritur…

Në shkurt të ‘57-s plasi gripi. Një grip shumë i rëndë.
U mbyll shkolla. Nxënësit e jashtëm u mbyllën në shtëpitë e tyre. Të tjerët, konviktorët nga fshatrat e Myzeqesë, shkuan pranë familjeve.
Mbetëm vetëm ne, konviktorët e largët, tre dibranë, një elbasanas, dy…

Na grumbulluan në një dhomë, majtas në katin përdhes të godinës. Një dhomë me pesë metër gjatësi e gjerësi, me katër krevate marinarë prej druri, me hapësirë sa në ije hynim e në ije dilnim.

Radio nuk kishte. As gazeta. Asnjë lajm nuk hynte e nuk bënte vend për të na qetësuar për sëmundjen e për të na dhënë kurajë. Na jepnin mëngjes, drekë e darkë disa hapa; ca të bardha, ca të verdha e ca kafe. Racioni i ushqimit ishte rritur por oreksi kishte zbritur.
Temperatura, kur ndonjëherë vinte e na e maste infermieri, askujt nuk i binte poshtë 39 gradë celsius.

Mua më shkoi dyzet pa dy vija. Kisha dhimbje të tmerrshme koke sa në jerm bërtisja sa lëkundej krevati e ushtima kalonte dhomën.
Njëherë kisha bërtitur aq fort, duke hequr e hedhur poshtë rrobat e sipërme të trupit sa fjalinë bërtitëse do të ma kujtonin me romuze duke qeshur shokët e dhomës: “Partizan, koka në Tiranë”. Ndonjëri këtë do të ma kujtonte shumë vite më vonë. Isha (dhe jam) tifoz i “Partizanit” dhe në jermi me të ishin përzierë halucinacionet…

Nuk e di sa vazhdoj gripi i rëndë i asaj prag pranvere 1957…
Nuk e di sa shkruan gazetat e sa u fol në radio…
Nuk e di sa vetë mori…
Di që një nxënës nuk u kthye më në shkollë…
Një vit më vonë shkolla do të shkonte në NB “Çlirimi”.

Të tjera kushte fjetjeje e mësimi, ushqimi e dëfrimi. Ishte hequr sistemi i triskëtimit dhe ishin zgjeruar hapësirat e jetës…
Që prej asaj kohe gripin e kam kaluar në këmbë, me pak ethe e ndonjë plagë të vogël në buzë…
Flitet për një grip të rëndë në vitin 1918…
I vështirë do të ketë qenë…

Aso kohe kriza e bukës ka qenë më e rënda në historinë shqiptare të shekullit të njëzetë. Në Dibër, për ato vite ka një fjalë që flet më shumë se çdo kronikë e kohës. “Koha e nemces” quhet edhe sot e kësaj dite…
Sot, në një titull gazete, flitej për dymijë viktima të gripit të vitit 1967…

Sa do të jenë të prekurit dhe viktimat e gripit 2020, koronovirusit kinez?
Sado që të jenë ato nuk do ti kalojnë të prekurit dhe viktimat e dyndjeve të tjera gripale.
Informacioni, këshillat njëzet e katër orë në njëzet e katër orë, në shqip dhe në gjuhët e botës, masat shëndetësore, masat organizative qoftë edhe drastike, janë ilaçi më efikas kundër këtij virusi të panjohur, vdekjeprurës…
Koha tu qëndrojmë këshillave dhe masave parandaluese e mbrojtëse…

Abdurahim Ashiku
Athinë, mars 2020

Shënim: Nuk e di se si e përjetoi Shqipëria gripin e vitit 1957.
Sa vetë u prekën dhe cila ishte gjeografia e përhapjes së sëmundjes?
Sa vetë vdiqën si pasojë e atij gripi që në radhë është më vrastari pas atij të vitit 1918?