VEPRIMTARIA E AQIF BLYTËS NË SANXHAK

0
805
Ismet Azizi - Aqif Blyta

Ismet Azizi, “AQIF BLYTA: KOLOSI I PAZARIT TË RI”, studim historik, botoi LOGOS-A,
Shkup 2019, me 360 faqe. ISBN 978-9989-58-782-5

Historia jonë është e mbushur përplot me figura të shquara, të cilat për shkak të sistemit komunist janë lënë në harresë, ose janë detyruar për tu harruar. Pa dyshim njëri nga ta është edhe Aqif Blyta, protagonisti i veprës së Ismet Azizit me titull “AQIF BLYTA: KOLOSI I PAZARIT TË RI”.

Aqif Blyta, është i njohur edhe me mbiemrin Haxhiahmetoviq si dhe Aqif Efendia. Një politikan shqiptar, veprimtaria e të cilit shtrihej kryesisht në krahinën e Sanxhakut, Sjenicës, Tutinit, Peshterit etj., dhe ka vepruar në mes dy luftërave botërore, gjerë në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht në vitin 1945.

U lind në Novi Pazar në një familje me prejardhje nga Gjakova, me emrin Haxhiahmeti, që përshkak të ndikimit të sllavishtes e ndeshim si “Haxhiahmetoviq”. Shkollimin fillor e kreu në Izmir të Turqisë, ndërsa Akademinë Ushtarake në Manastir, (tash Maqedonia e Veriut).

Lufta e Parë Botërore e gjeti në Turqi. Atje luftoi në ushtrinë Osmane. Në vitin 1919, u kthye në vendlindje. Po at vit mori pjesë në Kongresin themelues të organizatës ”XHEMJET – Bashkimi”. Në vitin 1920 u zgjodh kryetar i bashkisë së Pazarit të Ri, kurse në vitin 1924, Organizatës Xhemjeti – Bashkimi iu ndalua veprimtaria. Po ashtu Aqif Blyta, ishte veprimtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet në Kuvendin Kombëtar në Tiranë (1943-1944). Me një fjalë, e tërë veprimtaria e Aqif Blytës është e lidhur me mbrojtjen e Pazarit të Ri (Novi Pazar), Sanxhakut, Sjenicës, Tutinit, Peshterit etj. Në vitin 1923, u zgjodh deputet i zonës, njëkohësisht ishte bashkëpunëtor i afërt i Ferhat Dragës (1873 – 1944), edhe ky i njohur për veprimtari politike kundër shpërnguljes së Popullit Shqiptarë nga Pazari i Ri dhe përgjithësisht nga Sanxhaku.

Padyshim, Aqif Blyta, ishte personaliteti më me ndikim i shqiptarëve dhe boshnjakëve të Sanxhakut e të Sjenicës, në Tutin e në Peshter, sidomos në periudhën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, (1918−1929) dhe në Mbretërinë e Jugosllavisë (1929−1941). Për arsye të veprimtarisë së tij, që lidhej me kauzën për të penguar shpërnguljen masive të popullatës së kësaj treve për në Turqi, bie në sy të nacionalizmit serb e më vonë edhe të komunistëve, të cilët posa erdhën në pushtet, në Krahinën e Sanxhakut dhe të Sjenicës, filluan përndjekjen e figurave me ndikim në këtë krahinë, e pa dyshim njëri nga ata ishte veprimtari i çështjes kombëtare të shqiptarëve në Pazar i Ri, në Sanxhak, Sjenicë, Tutin e Peshter, Aqif Blyta.

Politika shfarosëse serbe, qoftë ajo para Luftës së Dytë Botërore, e qoftë e komunistëve të ardhur në pushtet, kishte për qëllim pushtimin e Pazarit të Ri, e pastaj edhe tërë Sanxhakun, Sjenicës, Tutinit e të Peshterit. Qëllimi ishte i njëjtë, shfarosja e popullatës shqiptare dhe asaj myslimane në tërë krahinën e Sanxhakut dhe rrethinës që theksuam më parë.

Gjatë asaj kohe, njësitet e udhëhequra nga Aqif Blyta, bashkë me ato të ardhura nga Peshteri dhe nga Kosova, këto të fundit udhëhiqeshin nga Shaban Polluzha, do të arrijnë për një kohë, për t’i mbrojtur këto treva nga çetnikët, kurse pas fitores së forcave partizane jugosllave, Aqif Blyta, vullnetarisht iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët e depërtuan në Pazarin e Ri, ndërsa më vonë si antikomunist, së bashku me bashkëpunëtorin e tij Ahmet Dacën dhe me dy djemtë e tij, si dhe me burra të tjerë, OZN-a jugosllave i pushkatoi më 21 janar 1945, në një lagje të sotme në Pazarin e Ri.

Libri:
Libri i Ismet Azizi, pikërisht i trajton dhe i ndriçon këto zhvillime shoqërore, politike dhe ushtarake të asaj kohe. Autori, figurën e Aqif Blytes, e trajton në shumë dimensione, atë e klasifikon si Kolos, sepse ishte i tillë, jo vetëm në Pazar të Ri, por edhe më tej në tërë Sanxhakun, dhe në krahinën e Sjenicës, Tutinit e të Peshterit.

Ismet Azizi, ka arritur të ndriçojë veprimtarinë e Aqif Blytes, i cili ishte njëri nga personalitetet e njohura në këtë trevë, sidomos gjatë shekullit XX, por në historiografinë gjysmë shekullore të pushtetit komunist ne nuk kemi mësuar për bëmat dhe pak kemi ditur për këtë figurë të rëndësishme kombëtare e cila ka mbetur e pa ndriçuar sa duhet, qoftë në fushën e historiografisë ose në fushën e diplomacisë dhe të veprimtarisë kombëtare. Aq më pak të kemi pasur më herët një studim të kompletuar siç është rasti i këtij libri nga studiuesi Ismet Azizi.

Libri “Aqif Blyta: Kolos i Pazarit të Ri”, është një kontribut i mirë, një studim mjaftë i kompletuar, qoftë për fushën e historiografisë e të diplomacisë në njërën anë, kurse në anën tjetër është bërë ndriçimi i veprimtarisë politike e atdhetare të Aqif Blytës, duke i kundruar ato zhvillime e veprimtari në kontekstin e zhvillimeve shoqërore e politike të cilat kryesisht lidhen me Sanxhakun, Sjenicën dhe krahinat përreth, por për shkak të ndikimeve politike figura e Aqif Blytës, në të gjitha planet ka mbetur në harresë, e pa trajtuar dhe nga askush e hulumtuar. Mendoj se libri i Ismet Azizit, do t’i shërbejë fushës së historiografisë, për të ndriçuar edhe më tej çështjen shqiptare në Sanxhak e rrethinë, që tashmë është asimiluar në boshnjak, por siç shihet edhe nga libri, gjurmët kudo dhe kurdo kanë rrënjë shqiptare.

Për të studiuar një personalitet të harruar dhe për të studiuar një trevë gati krejtësisht të asimiluar, përveçse vullnetit, ka qenë edhe një sfidë, por falë përkushtimit të autorit është realizuar ky libër që po e trajtojmë në aspektin kritik. Duket se autori ka qenë largpamës, sepse me një studim të këtij niveli, për një personalitet pothuajse të harruar dhe për një popullatë gati krejtësisht të asimiluar, dhe për tërë trevën e diskriminuar nga shumë pamje, Ismet Azizi, ka rritur t’ia zbardh fytyrën historiografisë kosovare, dhe jo vetëm asaj kosovare, por në nivel nacional, por siç shihet studimi i tij, ka zgjuar interesimet edhe të historiografisë boshnjake, qoftë asaj në Pazarin e Ri e në Sanxhak, e qoftë asaj në Bosnje apo në Srajevë, për çka si autor Ismet Azizi, meriton komplimente dhe përkrahje gjithsesi.

Pa dyshim, ky libër me literaturë e dokumentet përkatëse të prezantuara edhe brenda librit, do të shërbejë në fushën e hulumtimeve të ndryshme, kurse vepra e tij hap siparin e një fushe për studime dhe hulumtimeve akademike e profesionale, nga institute përkatëse.
Autori, me mjaftë pasion e ka trajtuar personalitetin e Aqif Blytës, siç thamë një figurë e harruar, por tash e tutje kemi këtë libër që i kushtohet atij dhe luftërave në Sanxhak, na krijon mundësinë për t’u njohur më mirë e më afër me ato zhvillime shoqërore e politike të asaj kohe, të asaj treve të harruar, por më shumë se sa tjetër do të mësohet për dhunën dhe diskriminimin që kanë bërë serbet, qoftë përmes shfarosjes masive fizike, ose nëpërmes formave të shpërnguljes dhe asimilimit në mënyrë masive, të cilat fatkeqësisht kanë ndodhur në kohën e vetëqeverisjes Jugosllave, dhe çdo gjë është bërë nënë sloganin famëkeq “Vëllazërim-Bashkim” dhe për respektimin e kombeve dhe kombësive në Jugosllavinë Socialiste dhe komuniste.

Kjo dhunë e ky terror nuk është zbatuar për dy a tre vite, por spastrim dhe asimilim etnik, ka ndodhur për një shekull të tërë, nëse jo edhe më shumë. Mendoj se popullata shqiptare në Sanxhak e Sjenicë, në Tutin dhe Peshter, që kurdoherë kishin kryeqendër Pazarin e Ri, është argumenti më i mirë për tu prezantuar si gjenocidi më famëkeq serb i kohës së Jugosllavisë së AVNOJ-it, kundër popullatës etnike në këtë regjion, që tashmë në planin gjuhësor e nacional pothuajse tërësisht janë tjetërsuar.

Ky synim dhe ky studim, e bënë autorin hulumtues të faktit historik, për rolin diplomatik të Aqif Blytës, jo vetëm të tij, por veprimtaritë e shumta në Pazar të Ri, në Sanxhak e në Sjenicë, në Tutin e në Peshter, veprimtari këto të cilat gjithmonë kanë qenë të lidhura ngushtë me zhvillimet shoqërore, kulturore, politike, ekonomike e etnografike me Kosovën, sepse popullsia ishte kryesisht shqiptare dhe myslimane, por pozita e tyre gjeografike, në kohën e Vetëqeverisjes Jugosllave, ua përcaktoi një fat të cilin nuk duhet t’ia dëshirojmë asnjë kombi kudo në botë.

Sipas librit të Ismet Azizit, falë prijësit Aqif Blyta, dhe bashkëveprimtarëve të tjerë, rezistenca kundër pushtimit dhe asimilimit serb, përballoi dhe iu qëndroi dekadave të tëra. E siç argumentohet edhe nga ky studim, pushtimi komunist ishte më i ashpër dhe më i pamëshirshëm, prandaj në vend të gjuhës dhe kulturës shqiptare këtë zonë e mbuloi një gjuhë dhe kulturë tjetër, duke ia vënë plojën e harresës shumë bamave dhe lëvizjeve të mëdha të asaj kohe. Prandaj, edhe nga ky prizëm, libri i Ismet Azizit ka vlerë, është si një regëtimë shiu në një shkretëtirë të madhe, është një rikujtesë në harresën shekullore, është një shkëndijë në ndryshimet e mëdha shoqërore e politike të kësaj kohe, të cilat qofshin të bardha!…

Duke mos dashur të tejkalojmë kufirin për një kritike të natyrës publicistike, pasi për pjesën diplomatike dhe historiografike nuk jemi kompetent, por vlerësojmë se libri në fjalë, secilin plan thotë e dëshmon shumë. Ta zëmë sjell njohur të aspektit gjeografik, etnografik, kulturor e politik jo vetëm në Pazarin e Ri, por edhe në tërë krahinat e Sanxhakut dhe të Sjenicës, të Tutinit e të Peshterit. Përmes këtij studimi për një figurë të kompletuar siç ishte Aqif Blyta, autori ka shpjeguar, siç thamë edhe zhvillime të tjera arsimore, ekonomike dhe diplomatike, prandaj e shohim të udhës në këtë shkrim vetëm t’i prezantojmë disa nga temat me të cilat është marrë autori.

Materiali i prezantuar në këtë libër është ndarë në kapituj dhe janë radhitur sipas një koncepti kronologjik dhe në planin tematik: ”Sanxhaku i Pazarit të Ri në fokusin e historisë”, në të cilin janë trajtuar me mjaftë kompetencë të gjitha aspektet historike, gjeografike, politike, diplomatike, si dhe çështje ushtarake dhe luftërat ballkanike në Sanxhak deri në Luftën e Parë Botërore. Pastaj është trajtesa ”Aqif Blyta dhe origjina e tij familjare”, ku flitet për gjenezën familjare, shkollimin, veprimtarinë ushtarake dhe patriotike, deri në vitin 1945, kur bëhet ekzekutimi i tij nga forcat partizane të ardhura në pushtet. Temë e trajtuar me kujdes është: ”Sanxhaku në mes dy luftërave botërore”, kohë kur janë zhvilluar kryesisht ngjarje me rëndësi të madhe historike, për ta trajtuar e hulumtuar si temë me vete: ”Lufta e Dytë Botërore dhe roli i Aqif Blytës në mbrojtjen e Pazarit të Ri”, dhe shumë tema të tjera.

Në fund, libri është i pajisur me dokumente, faksimile, fotografi, harta të kohës, duke dhënë edhe shënime për burimet, literaturën e përdorur dhe treguesin e emrave, të cila janë parë e hulumtuar nga këndvështrime të shumta, prandaj këtë studim me rëndësi të veçantë e ka bërë vepër me qasje specifike të atyre zhvillimeve.

Pa dyshim, ky studim i Ismet Azizit, është një nismë, është një fillim i mirë që përçon mesazhe të mira sipas maksimës “Më mirë vonë, se sa kurrë”. Andaj autori me këtë libër, shkencës së historiografisë dhe lexuesit iu ka dhuruar një libër i cili bënë fjalë jo vetëm për “Aqif Blytën: Kolosin e Pazarit të Ri”, por edhe për përpjekjet dhe luftërat, e shumta të cilat e kanë mbrojtur Sanxhakun, Sjenicën, Tutinin e Peshterin, nga shfarosjet e shumta me përmasa të gjenocidit etnik.

Kreuzlingen, 12 mars 2020.
Shefqet DIBRANI