DEPUTETI BALIDEMAJ LIGJËRON NË FORUMIN RINOR SHQIPTAR

0
405
Deli Balidemaj

Deputeti i Bavarisë së Epërrme, Ing. Dipl. Balidemaj

“Forumi Rinor Shqiptar” në Bajern, Gjermani, i kryesuar nga Dr. Asllan Tahiraj, organizoi një Simpozium me karakter kombëtar, në kuadrin e përvjetorit të 12-të të Pavarësisë të Kosovës. I ftuar për referim ishte deputeti i Bavarisë së Epërme Ing.Dipl. Deli Balidemaj, i cili ligjeroi mbi temat:

– Hedhja e themeleve të Pavarësisë së Kosovës, hapat e parë shtetformues të Kosovës pas çlirimit, deri te shpallja e Pavarësisë;
– Roli i Mërgatës Shqiptare në këtë proces;
– Roli i Faktorit Ndërrkombëtar dhe sfidat në themelimin e Institucioneve.

Fillimisht, kryetari Tahiraj prezantoi deputetin e vetëm shqiptar në Bavarinë gjermane. Ndër të tjera, ai foli për personalitetin dhe veprimtarinë shumëdimensionale të deputetit Balidemaj, angazhimin e tij, në vijimësi, për problemet dhe kërkesat e Mërgatës shqiptare, në Republikën e Bavarisë dhe më gjerë. Mësimi plotësues, shkolla shqipe ka qenë dhe mbetet preokupimi i deputetit bavarez. Ai është i pranishëm, gjithëherë dhe i kudondodhur, në mesin e mërgimtarëve tanë. Intelektual i kompletuar, komunikues i shkëlqyer, i dashur dhe me edukatë supreme, i gatshëm për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Në mes të duartrokitje të anëtarëve të Forumit Rinor dhe të tjerëve, që kishin ardhur për ta dëgjuar ligjëratën dhe bashkëbisedimin, mori fjalën deputeti Ing. Dipl. Deli Balidemaj:

Hedhja e themeleve të Pavarësisë të Kosovës dhe hapat e parë

shteformues të Kosovës pas çlirimit, deri në shpalljen e Pavarësisë

Suprimimi, marrja e dhunshme e Autonomisë të Kosovës, nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, shënon pikën kulmore që nxiti intelektualët e Kosovës, për t`i dhënë fund bashkëjetës me Jugosllavinë, përkatësisht, me Serbinë.

Zhvillimet rapide, të shpejta politike në Evropën Lindore Komuniste, për rrjedhojë, edhe në Ballkanin tonë, favorizojnë dhe trimërojnë edhe popullin e Kosovës, për radikalizimin e rezistencës, fillimisht, paqësore, për të ardhur deri tek veprimet guerile e luftë të armatosur.
Pluralizmi politik, largimi grupor i shqiptarëve nga Partia Komuniste Jugosllave dhe krijimi, fillimisht, i LDK-së, për t`u pasuar me partitë tjera, më vonë, sjellin bashkimin e popullit të Kosovës, në pikën më të lartë të ndërgjegjësimit kombëtar, se kundërshtia kolektive është domosdo e kohës.

Shpallja e Dreklaratës së Pavarësisë të Kosovës, më 2 korrik 1990, nga deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, ishte akt i mençurisë dhe i guximit qytetar, duke shpërfillur dhunën, bunkerizimin e Kosovës dhe tanket serbo-jugosllave, anekënd Kosovës. Deklaratën e Pavarësisë, të shpallur në Bulevardin Qendror të Prishtinës, e pason Kushtetuta e 7 shtatorit 1990, e aprovuar në Kaçanik, nga po ata deputet të Kosovës. Tashmë, Pavarësia e Kosovës konfirmohej edhe juridikisht, pavarësisht shpalljes së njëanshme dhe të mos njohjes nga Jugosllavia dhe bota.

Krijimi i Institucioneve Paralele të Kosovës: Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës, Ministria e Brendshme dhe Sherbimi Informativ i Kosovës, deri tek zgjedhjet Presidenciale më 1992, ishin hapat e parë të shtetndërtimit të Kosovës, madje 10 vjet para çlirimit të Kosovës, më 12 qershor 1999.

Me gjithë përpjekjet për shkëputjen në rrugë paqësore nga Serbia, madje as me luftën e armatosur, Kosova, për shkak të raporit të pabarabartë të forcave ushtarake me Serbinë, nuk arriti të çlirohet me forcat vetanake. Ndërhyrja e forcave të organizuara të NATO-s, me bombardimet në caqet vitale ushtarake në Kosovë, Serbi, Mal të Zi, detyroi, forcërisht, dorëzimin dhe largimin e ushtrisë dhe të pushtetit të dhunës të Serbisë.

Topat dhe krismat e armëve pushuan. Pushteti mikst, vendor dhe ndërkombëtar, po i hidhte hapat e parë, për themelimin e shtetit më të ri në hapësirat ballkanike. Ishte një lindje e vështirë, një lindje e përgjakshme, me krime, masakra dhe rrënim e shkatërrim të pasurive të brezave shqiptarë.

Një Qeveri e Përkohëshme filloi qeverisjen në qershor 1999. Por, ajo nuk u njohë nga ndërkombëtarët, sepse ishte formuar pa zgjedhje normale.

Edhe angazhimi i UNMIK-ut, me multietnicitetin e proklamuar fort, nuk tregoi forcën, që ligji ia garantonte. Në këtë amulli filloi dominimi i Rezolutzës 1244, i kushtëtuar me Dialogun me Serbinë, duke prolonguar, stërzgjatur Pavarësinë e Kosovës. Rol negativ po loznin edhe kontradiktat, etjet dhe ethet për pushtet të forcave politike vendore. Ndërkohë, Serbia e mundur në luftë, mbështetej nga Rusia. Gjeopolitika po kushtëzonte themelimin e një shteti të mirëfilltë, me moton: “Plotësimi i standardeve para statusit!” Serbia aktivizoi agjentët e vetë shqipfolës. Vrasjet e numerike politike, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, ishin projekt i Serbisë, për ta bindur botën, Qendrat e Vendosjes Ndërkombëtare, se “shqiptarët nuk janë të aftë për të bërë shtet dhe aq më pak për ta mbajtur atë, pa ndihmën e Serbisë!”

Në favor të kësaj teze, Serbia organizoi protestat e dhunshme dhe të përgjakshme të shqiptarëve në Kosovë, në mars-prill 2004, duke sulmuar e kallur shtëpitë dhe kishat serbe. Këto dhe veprimet tjera, të projektuara në Serbi dhe të lëndëzuara, të zbatuara në Kosovë, i larguan pritjet e afërta, për shpalljen e Pavarësisë të Kosovës. Megjithatë, SHBA-ja me aleatë, përcillnin vëmendshëm zhvillimet në Kosovë dhe nuk lejuan përdhosjen, dështimin e investimeve të mëdha politike e financiare të tyre, për ta finalizuar suksesshëm formimin e shtetit të Kosovës.

Më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran dhe deri më tani e kanë njohur mbi 100 vende në mbarë botën. Republika e Kosovës u bë shteti më i ri në botë dhe synon anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, si: NATO, OKB, BE dhe tjera. Por realiteti i ri vazhdon edhe me tej të kundërshtohet nga Serbia, e cila pretendon sovranitet mbi atë.

Megjithatë, politikat antishqiptare, lufta për pushtet, statusi politik, keqadministrimi ndërkombëtar dhe ai i politikës vendase, në vitet e fundit, kanë bërë që Kosova të radhitet si vendi më i varfër, jo vetëm në Evropë, por edhe ndër vendet më të varfëra në botë. Të vetmet të ardhura janë nga diaspora, ndihmat ekonomike e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, si shtyllat e vetme të ekonomisë së Kosovës.

Lule për deputetin Balidemaj dhe Violetë Tafilaj

Roli i Diasporës në procesin e Pavarësisë

Në Mërgatë jeton tej gjysma e popullsisë të Kosovës, po ashtu edhe e Shqipërisë. Mërgimtarët e hershëm të Kosovës, si emigracion i pakët politik, por i shumtë ekonomik, me kontributet e tyre materiale – financiare, dogjën etapat breshkore zhvillimore në Kosovë dhe ngritën standartin e jetesës.

Në aspektin politik, Shoqatat, klubet, partitë politike, pavarësisht nga përkatësia e tyre ideologjike, u angazhuan skajshëm në informimin e popujve dhe të qeverive të tyre, në shtetet ku punonin dhe jetonin ata. Protestat, demonstratat në kryeqytetet e shteteve të Evropës dhe të botës, të cilat, her-herë, arrinin shifrën deri në 100 mijë pjesëmarrës, trokitën në ndërgjegjën e botës demokratike, se mbi popullin shqiptar të Kosovës po ushtrohet dhunë, terror, genocid.

Drejtuesit e subjekteve politike në Diasporë, bënin një informim profesional, shkrimorë dhe gojorë, me personalitetet e vendeve të fuqishme botërore. Lobi Shqiptaro-Amerikan, garda e vjetër e ikanakëve politikë shqiptarëe e kosovarë dhe garda e të sakatosurëve politikë, të diktaturës komuniste, bënin një punë të shkëlqyer informative. Arbreshi Jozef DioGardi me bashkëshortën dhe miqtë e tij amerikanë, kongresmenë e senatorë, agjitonin, fuqishëm, në kancelaritë vendimmarrëse, për ta shpëtuar nga shfarosja popullin e Kososvës. Lobi Shqiptar – Amerikan, qoftë i hershëm apo i vonshëm, arritën të kontaktonin edhe hierarkinë më të lartë drejtuese të SHBA.

Roli i Diasporës, në procesin e luftës për çlirim dhe të Pavarësisë së Kosovës, ka qenë i madh, në mos, vendimtar. Përgjatë bllokadës 10-vjeçare serbo- sllave, 1990-1999, largimit të shqiptarëve nga puna dhe shkolla, Diaspora, mërgimtarët kosovarë dhe të trevave tjera jashtë kufijëve të Kosovës, me kontributet financiare të tyre, mundësuan mbijetesën e popullit të Kosovës. Me Fondet e tyre të liçensuara në Mergatë, sidomos me Fondin e Republikës të Kosovës, të shprehur në 3 %-in obligativ, nga të ardhurat mujore, përballoi emergjencën për ushtrinë e Kosovës, ushqimin, veshmbathjen, mjekësinë dhe një pjesë të armatimit.

Rrjedhimisht, Diaspora shqiptare ishte investitorja potenciale e luftës për çlirim dhe deri ke Pavarësia e Kosovës. Por, me keqardhje duhet pranuar se për të gjithë këtë bagazh shërbimi e ndihme të dhënë, ka munguar mirënjohja, shpërblimi, qoftë ai edhe moral. Përkundrazi, përçmimi ka qenë sa i dukshëm, aq edhe i turpshshëm. Korrupsioni pushtetar ka penguar investimet e Diasporës shqiptare në Atdhe. Urojmë që kjo praktikë të ndryshojë, me qeverisjen aktuale të koalicionit qeverisës aktual.

Anëtarë të Forumit Rinor Shqiptar, pjesësmarrës në Simpozium

Roli i Faktorit Ndërkombëtar dhe
sfidat në themelimin e Institucioneve

Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte hap politik, i koordinuar me faktorët e rëndësishëm të diplomacisë ndërkombëtare, të SHBA dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Pas 17 shkurtit të vitit 2008, sfidë kryesore mbeti njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës. Sfidë në vete përbën mosnjohja nga pesë vendet anëtare të BE-së. Ky fakt ndikon direkt në stabilitetin e vendit dhe në perspektiven e qytetarëve të Kosovës.
Kosova duhet të thellojë edhe më shumë bashkëpunimin me SHBA-në, Gjermaninë, BE-në dhe faktorë të tjerë relevant, në interes të rritjes së efikasitetit dhe shtimin e numrit të njohjeve ndërkombëtare për Kosovën.

Në fokus të këtij ligjerimi është trajtimi i karakterit demokratik të shtetit të Kosovës dhe sfidat e tij, për realizimin e standardeve moderne të qeverisjes, për t’iu bashkuar familjes politike evropiane. Gjithashtu, merret në analizë progresi i padiskutueshëm në zhvillimin dhe promovimin e demokracisë si dhe në ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Nuk mund të mos evidentohen përpjekjet serioze të klasës politike të Kosovës për stabilitet politik, qeverisje të qёndrueshme dhe konsolidim institucional. Megjithatë, dekadën e parë të shtetit të tyre të pavarur, kosovarët e festuan në një mjedis politiko-social të karakterizuar edhe nga disa shfaqje të mungesës së hapësirave të lirisë së dëshiruar. Politikberja konsiderohet si një proces evolutiv organizimi dhe administrimi, që zhvillohet dhe përparon, duke mbledhur përvojat e veta. Si e tillë shndërrohet në një organizëm vital, ku shtetasit me aftësinë e tyre kritike, korrektojnë çdo shfaqje spontane privuese, kundrejt progresit të pandalshëm, kah standardeve moderne të lirisë e demokracisë autentike.

Ky jubile i pavarësisë ka si moto, për të gjithë shoqërinë politike të Kosovës, se liria duhet të rritet e të forcohet dhe se qytetarët e vendit nuk janë spektatorë, por aktorë aktivë në formësimin e një shoqërie të mirëorganizuar, në themel të së cilës qëndron koncepti universal i lirisë, drejtësisë dhe demokracisë.

Me shpresë që Qeveria e re do t`i përmbushë pritjet e qytetarëve të Kosovës, ju falenderoj për durimin dhe shpresoj që unë kam mundur t`i përmbushi, deri diku, pritjet e juaja”, – përmbylli ligjëratën e tij, deputeti i Bavarisë gjermane, Ing.Dipl. Deli Balidemaj.
Në fund, kryetari i Forumit Rinor Shqiptar, Dr. Asllan Tahiraj, falenderoi z.Balidemaj dhe u bëri thirrje të gjithë Shqiptarëve në Mynih, më të drejtë vote, më 15 mars 2020, të dalin, masivisht, në zgjedhjet për Keëshillin Bashkiak të Mynihut dhe ta përkrahin zërin e shqiptarëve, Deputetin Balidemaj, i Partisë të Gjelbëve gjermanë.