Paniku është sëmundje

0
522
Jusuf Buxhovi - Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit

Nga Revista Drini12 Mars 2020

Jusuf Buxhovi, Prishtinë

“Në të hyrë të Çarshisë së Madhe, tellallët çirreshin me sa zë kishin për shpalljen e fermanit të shtetrrethimit.
– Ka rënë murtaja!… Murtaja!…
Lami po mbahej në krahun tim. Më bëhej se do të shembeshin para atyre, që po ashtu lajmi për murtajën i kishte zënë gafil…
– Çudi, vëlla, shpallet sëmundja pa pas të sëmurë! Çudi!

Desha t’i thosha se ajo, me anën e mikrobeve të padukshme të prodhuara diku në podrumet e errëta të shërbimeve perandorake tashmë na ishte futur dhe pritej të shpërthente siç ishte paraparë. Desha madje t’ia përmendja edhe punën e atyre karrocave me mushama, që silleshin natën të përcjella me roja mes për mes shehrit për të cilat padër Coli fliste gjithë shqetësim kur i shihte të kalonin Urën e Terëzive për në Shkukëz si dhe lëvizjet e shumta të asqerit në drejtim të Qafës së Prushit dhe Tropojës, në mënyrë që t’ia bëja me dije se edhe shpallja e fermanit ishte pjesë e asaj që po na kurdisej, por heshta.

Megjithatë, për ta ngushëlluar disi, i thashë se sëmundje do të ketë përherë, sepse ato janë pjesë e jetës, dhe se ato, përballohen me vullnetin për jetën, që e kemi nga Perëndia për jetën… Por, Lami, assesi ta merrte veten. Kjo është murtajë, po thoshte. Shuan jetën… Jeta nuk shuhet, ia ktheva. Sëmundjet shkojnë e vinë, po jeta vazhdon…

Kur u ndamë te Mahalla e Isufit, unë në drejtim të Kishës e ai kah Rrypa, ndonëse kisha lënë thekamën e tellallëve për murtajën dhe shtetrrethimin, se si më shkoi mendja te libri i Kaviusit për mikrobin si mjet lufte, që ishte përdorur përherë, me të cilin ishin arritur ato që nuk kishin bërë edhe armët më të rrezikshme. Po kthehet koha e mikrobeve… Po kthehet koha shfarosjeve kolektive… O zot, çfarë nuk prodhon mendja e njeriut kundër njeriut, thashë dhe mendja më shkoi te ato që m’i kishte thënë Mic Shpendi, se si kishte përballuar murtajën e fundit me anën e grithjeve të disa plakave…

Megjithatë, thashë, duhet me e gjetë Mic Shpendin, malësorin që i kishte mundur murtajën dhe me luftue për jetën!… Frika është murtajë… Këtë nuk duhet pranuar…”

(Fragment nga “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982)