Ministria: 15 të infektuar deri tani, por parashikojmë se do jenë me qindra

0
357
Corona - virus - masat

11 mars 2020

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi pasditen e së mërkurës se në vendin tonë janë 15 raste me koronavirus.

“Deri tani janë testuar 238 persona, 15 prej tyre kanë rezultuar pozitivë”, tha ministrja në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama.

Ndërkohë, Manastirliu theksoi se nga testimet që u janë bërë mjekëve dhe infermierëve në Durrës, të gjithë kanë dalë negative.

“Në kampionin e parë të testimeve që kemi realizuar në Durrës te mjekët dhe infermierët, të gjithë testimet janë negative. Mjekët dhe infermierët kanë punuar me të gjitha protokollet e mbrojtjes personale”, tha Manastirliu.

Manastirliu u shpreh se për fat të keq parashikojnë qindra të prekur në Shqipëri nga koronavirusi.

Për të parandaluar kolapsin e sistemit shëndetësor, ajo u kërkoi qytetarëve që të zbatojnë rregullat me seriozitet maksimal.

“Ne kemi disa skenarë, parashikojmë disa qindra të prekur në Shqipëri, që padyshim duhet t’u ofrojmë mundësi të marrin shërbimin.

Por nëse nuk i zbatojmë rregullat, nëse nuk merr masat e duhura, vendos në rrezik sistemin shëndetësor, pasi nuk e përballon fluksin në spitale për rastet që duhet të trajtohen.

Sistemi duhet të trajtojë të gjitha rastet për sëmundjet e tjera. Sa më shumë të zbatojmë masat do të kemi më pak kosto.

Duhet të reflektojmë mbi sjelljen individuale” tha ministrja.

l.h/ dita