Romani “Vajza e Agamemnonit” – shtizë në zemrën e tiranisë

0
935
Kadare - Vajza e Agamemnonit

Ndue Ukaj, Prishtinë

“Fushata e Trojës ka filluar. Asgjë nuk e pengon më tharjen e jetës”.

Ndue Ukaj
Ndue Ukaj

Me këto fjalë, Ismail Kadareja e përfundon romanin “Vajza e Agamemnonit”, këtë libër dridhmues, që flet për një fushatë të egër politike e për tharje të jetës në Shqipëri, për ngritje në pushtet të individëve duke flijuar jetët e të tjerëve, pra, duke bërë krime. Si e tillë, kjo vepër, përfaqëson një univers të madh tematik e estetik, nëpër faqet mahnitëse të së cilit, lexuesi endet nëpër episode narrative dridhmuese – përplaset në botën e poshtme dhe ngritët në atë të sipërme – nëpër trajektoret e së cilës, ballafaqohet me karaktere të shumtë, tek sfiliten në një botë pa liri, ku litari i së keqes, i lidh dhe i tërheq në podiumin e pushtetit, të fajshëm e të pafajshëm, aty ku ka qelbanikë dhe kriminelë.

Të lexosh këtë roman, të duket se mbërrin në kufijtë e skajshëm të artit dhe të bukurisë së fjalës, ku prekën thellësitë dhe lartësitë, e në hapësirat e të cilave, ka trandje, pikëllim, vdekje dhe trishtim. Në këtë roman, ka shumë tregime e zhbirime fantastike estetike, që ndizen një zjarri të madh, ku digjen fate të pafajshëm njerëzore, në një arenë marrëzish, në të cilën dalin në pah veset despotike të tiranëve, që presin t’i shohin njerëzit e nënshtruar ndaj pushtetit të tyre barbar. Ky është portretizimi që Kadareja i bën regjimit despotik të Enver Hoxhës, por edhe secilit regjim tjetër, meqë askush këtu nuk ka skrupuj për të maskuar vetveten nga kjo vepër.

Romani “Vajza e Agamemnonit” është shkruar duke përdorur një arkitekture të jashtëzakonshme narrative, në strukturën e të cilit, ka botë të shumta dhe tronditëse. Forca rrëmbyese e romanit, e çon lexuesin në botën homeriane, pastaj në atë të legjendave, por gjithnjë duke e mbajtur kamerën të fokusuar te koha reale e shkrimit, ku ravijëzohet diktatura e Enver Hoxhës, që mbahej dhe ushqej me krim. Kështu, ky libër, përfaqëson llojin e letërsisë më të përkryer kombëtare dhe botërore. Ose, thënë me gjuhën e artit, kjo vepër, është një vegël torturuese në ndërgjegjen e diktaturës dhe të gjithë atyre që u sillën vërdallë oborrit të tij.

Si dikur, në antikitet, kur shkëputeshin spirancat e anijeve dhe çanin tallazet e detit drejt betejave të panjohura e pafund, ashtu në fund të këtij rrëfimi mahnitës, shkëputen spirancat në mendjen e lexuesit dhe ai e përfundon nëpër valët e një deti të mahnitshëm narrativ. Për ç’fushatë flet shkrimtari dhe për ç’tharje të jetës bëhet fjalë? Me siguri, aluzionet janë krejt të hapura dhe të qarta: Kadareja flet për Shqipërinë e tij, përmes tri linjave narrative: e para, që tregon për ftesën e papritur që merr një gazetar me prirje liberale për të marrë pjesë në festën e Një Majit; gazetar ky që rastis të jetë i dashuri i Suzanës, vajzës së oborrit të tiranisë; e dyta linjë narrative, rikthen tregimin e mirënjohur të thesarit popullor, për Qerosin që ngritët në botën e sipërme, dhe e treta, na çon antikitetin grek, te Agamemnonin, që e vret të bijën e vet, Ifgjininë.

Pra, në këtë roman, Kadareja flet për disa kohë, ose më mirë të themi, flet për çdo kohë, por duke e fokusuar rrëfimin në Tiranën e tiranit, aty ku lexuesi, pasi që ndien në shpirt dramën e madhe të letërsisë, kthehet në fillim dhe zhytet në labirintet tekstit dhe mesazhe eksplicite kundër të keqes, tiranisë, shërbyesve, dhe ku, e keqja goditet pamëshirshme.

Ky roman i shkurtër është shkruar me një dendësi estetike të çuditshme dhe rrokë histori afro tremijëvjeçare, duke e përqendruar rrëfimin në tri kohë dhe hapësira narrative: në Trojë, në Tiranë dhe te botën e poshtme, prej ku Qerosi ngritët në botën e sipërme. Këtë trekëndësh narrativ, të përkryer, si formë dhe strukturë, autori e bartë në sferën e ideve letrare, duke folur për tragjeditë që bartin në vete tiranitë, duke i analizuar dhe vështruar ato në kohë e rrethana të ndryshme; kohë e rrethana që përsëritën në variante të ndryshme, sa herë që njeriu harron të kaluarën dhe ngritët në pushtet, duke flijuar të tjerët ose duke dhënë copa të mishit të vet, siç veproi Qerosi.

Vetëm një mendje gjeniale, me imagjinatë dhe erudicion letrar, ka mundësi që, në kaq pak faqe, të tregojë kaq shumë, duke e bërë lexuesin udhëtar të rrëfimeve tronditëse, të botës së përrallave, të Tiranës tiranike, të Trojës legjendare, të Stalinit, të raporteve të Shqipërisë me Kinën, Jugosllavinë, Rusinë. Pra, në këtë roman, nuk kemi një rrëfim, një botë, por kemi një univers rrëfimesh tronditëse e të këshillueshme për t’i njohur secili lexues.

Personazhi kryesor i këtij romani, gazetari me prirje liberale, derisa rrëfen për Suzanën, të dashurën e tij, që ishte vajza e udhëheqësi të rëndësishëm (pasardhësit) dhe që detyrohet të heqë dorë nga dashuria e jetës, për të mos penguar ngjitjen e të atit lart në pushtet, ai arrin t’ ia heqë maskën oborrit të tiranisë, duke e paraqitur pa maska para lexuesit. Narratori, ndonëse flet në vetën e parë, kur do të gjykojë krimet, identifikohet me ne, duke e shtrirë kështu peshën e përgjegjësisë, nga sfera personale te ajo e fajit kolektiv. Dhe kështu, tregon për marrëzitë dhe mynxyrat që përfaqësojnë turmat gjatë ngarendjes për pushtet.

Ngritja në pushtet Njerëzimi, gjatë gjithë historisë, është përpjekur të kuptojë dhe të shpjegojë mënyrën sesi njerëzit ngjiten në pushtet, ç’është pushteti, që arrin t’i marros individët aq shumë, sa të harrojnë vlerat sublime të jetës, dhe i shtyt të shkaktojnë tragjedi, duke i flijuar edhe fëmijët e tyre? Siç bënte Agamemnoni dhe siç bënin sunduesit komunistë. Po turmat që u shërbejnë atyre?

Këto pyetje dhe dilema, janë pjesë e kërshërive letrare dhe jo letrare, kurse autori u jep një shpjegim artistik gjenial.

Në letërsinë shqipe, nuk ka një libër më të bukur dhe më tronditës, që përshkruan mënyrën sesi ngritën njerëzit në pushtet dhe zullumin që bëjnë kur janë lart. Në këtë roman, Kadareja e ka fjalën për pushtet despotike, siç ishte Tirana e tiranëve të kohës së tij.

Për ta përshkruar mënyrën e ngjitjes së njeriut në pushtet, autori e shfrytëzon mrekullueshëm përrallen për Qerosin e rrëzuar, që bie në botën e poshtme, ndërkohë që, narratori i këtij romani, flet edhe për R. Z., dhe për ngjitjen e tij në pushtet, duke e portretizuar si personazh “qelbanik”, që mbante këmishë jo fort të pastra dhe që thoshte se, nënë i ishte bërë partia, prandaj edhe rrënjët e karrierës së tij, lidheshin me “zellin e shërbimeve”.

Kadareja, duke kaluar në botën poshtme, e rikthen Qerosin dhe rrëfimin për njeriun e dy botëve, të poshtmes dhe të sipërmes, për të plotësuar kuadrin tematik të fokusit të kësaj ngjarje. Duke e funksionalizuar këtë legjendë, përbrenda rrëfimit, autori arrin t’i çjerrë maskën mendësisë së qelbur tiranike.

Qerosi – kur ra në botën e poshtme – për t’u ngritë iu dashtë ndihma e dikujt. Dhe ishte një plak, që ia tregoi mënyrën për të dalë sërish në botën e sipërme. Atij i duhej të hipte në një zhgabonjë, por kishte një kusht, meqë: “gjatë gjithë rrugës, zhgabonja donte të hante mish!”

Me këtë rast, pyetja që shtron personazhi kryesor i këtij rrëfimi është:
Ç’kishte kërkuar vallë R.Z., që të ngjitej prapë në botën e sipërme? Mishin e kujt?” Qerosi – që të ngjitej në botën e sipërme – gjatë gjithë kohës u dashtë, sa herë që kërkonte, zhgabonjës t’i jepte mish. Gjatë ngjitjes, prehu krahun, kofshët dhe gjoksin e vet, dhe zhgabonja, siç thotë teksti, u ngjit në botën e sipërme, me një skelet.

Daljën në botën e sipërme, që simbolizon pushtetin, autori e përshkruan kështu: “Nuk dihej nëse e kishte ndërgjegjen, në kohën kur zhgabonja arriti ta nxirrte, më në fund, në botën e sipërme. Dihej vetëm se njerëzit e kësaj bote, ata që ndodheshin rastësisht përjashta, vështronin, pa u besuar syve, një shpend të madh të zi që kishte sipër krahëve një skelet njeriu. Ej, shikoni një gjë të çuditshme, i thërrisnin njëri-tjetrin. Një zhgabonjë që bart një skelet të vdekur…

Pra, duke e krahasuar R. Z. me përrallën e Qerosit, Kadareja tregon vërtet për mënyrat sesi ngjiteshin në pushtet njerëzit në kohë të ndryshme, sidomos në ferrin komunist, në të cilën kohë, zelli i shërbimeve dhe i flijimeve të tjerëve i bënte njerëzit funksionarë. Ashtu siç ishte rikthimi i beftë i R. Z., që lidhej me arrestimin e një kushëriri të tij dhe gatishmërinë që ai kishte treguar për t’i shërbyer partisë.

Por, ndryshe nga Qerosi, R.Z. nuk dha asgjë nga vetja, “asnjë grimë nga mishi i vet, veç mish të huaj mund të hidhte në gojën e zhgabonjës”.

Dhe në këtë rrëmujë të trishtë, narratori që lëviz, për të përshkruar dramën e tij dhe të lidhjeve me Suzanën, duke ecur përpara, thotë: “ne udhëtonim secili mbi zhgabonjën e vet”.

Është e pamundur që në këso tendosjesh, lexuesi të mos pyet, ashtu siç pyet personazhi kryesor: “… mos kisha shërbyer si një vegël e verbër, për të zhytur thellë e më thellë shokët e mi?

Ftesa dhe festa

Ftesa e papritur që merr i dashuri i Suzanës për Një Maj dhe ecja drejt podiumit, i ngjan ecjes nëpër rrathët e ferrit dantesk, ku rojet janë të ashpra, e dyshimet e pafundme, ndërkohë që, duke përshkruar këtë atmosferë të euforisë festive, autori e godet me shtiza të forta tiraninë, që ushqente popullin me parulla të marra: “Ne do të mbrojmë parimet marksizëm-leninizmit, dhe sikur të detyrohemi të hamë vetëm bar”. Në fakt, e gjithë kjo bëhej, madje edhe me kushtin që të shuhej Shqipëria, që të jetonin idetë e Udhëheqësit! Kaq e madhe ishte mania që shkaktoi tragjedinë e shekullit.

Ç’na qenkëshin këto parime, për hir të të cilave ne duhet të shndërroheshin në bagëti? E ç’do na duheshin ato paskëtaj? Për lavdinë e bariut?”- pyet narratori.

Gjatë rrugës për në festë, narratori tregon për personazhe të tjerë, të cilëve “gabimet ideologjike”, u kushtojnë shumë, po ashtu lexuesi mëson për “njerëz që kanë monopolin e dyshimit”, për “ndjesitë e fajit kolektiv”, dhe të tillët që persekutohen për hiçgjë.

Personazhi që rrëfen këtë dramë, i tronditur dhe me ndërgjegje të turbulluar, shkon drejt tribunës, ku mblidhej paria komuniste dhe ku dëgjoheshin buçitje e parulla: përpara, për nënën parti, ndërkaq, jetët njerëzore, bluheshin e vyshkeshin, në internim, vrasje dhe jetë pa dinjitet.

Pra, romani është histori dashurie, por që ka shumë tragjizëm dhe dhimbje pafund. Është një roman që flet për kthetrat egra të pushtetit, dhe si i tillë, mbetet një himn për dashurinë e pastër, por edhe një shtizë e fortë në zemrën e tiranëve të pashpirt. Është një këngë e përvajshme, plot pikëllim, që përgjatë historisë është dëgjuar nga mijëra njerëz, viktima të sistemeve të përçudnuara e të marra, që vrasin edhe bijtë e tyre për pushtet. Ashtu siç janë personazhet që kalojnë nëpër festën e Një Majit, figura me njolla në ndërgjegje, dhe që mblidhen në oborrin e krimit, ku partia dhe dishepujt e saj, bëjnë marrëzi të panumërta.

Përshkrimet erotike janë plot emocione dridhmuese, të detajuara, ku seksi i Suzanës, është drita e syve të narratorit, por edhe e botës, dhe për ta transformuar botën, siç kërkonte stalinizmi, duhej të transformohej seksi femëror, diçka që ishte e pamundur.

Kjo vepër e përshkon fryma e thellë thirrjes për të pastruar ndërgjegjen, për autokritikë, për t’mos i mbyllë sytë përballë të keqes, ndërkaq, “korrigjimi i figurës morale të vajzës në prag të fejesës” të kujton, po ashtu, romanin tjetër të rëndësishëm të Kadaresë, “Nata më hënë”.

Personazhi kryesor i romanit, gazetari me prirje liberale, merr një ftesë të çuditshme dhe të pazakontë, për të marrë pjesë në festën e Një Majit, ndërkohë që, nga e dashura e tij, Suzana e kupton se, për të, po bëhej gjithnjë e më vështirë të takoheshin dhe arsyet lidheshin me ngjitjen në karrierë të babait të saj. Pas kësaj drame, personazhi ndien boshllëk të thellë në zemër dhe i turbulluar endet në atë rrëmujë e eufori. Ai përshkruan me pasion, ndjenja të ëmbla dhe dhimbje, dashurinë që ushqente për Suzanën, vajza që duhej të flijonte dashurinë për apetitet e çmendura të atit të saj. Ai digjet nga dashuria për të, dhe, duke portretizuar flijimin e saj, jep tablo të shumanshme e të jetës në Shqipëri, në të cilën euforia për pushtetin, njerëzit i tjetërsonte dhe dikë e hidhte në humnerë.

Ai e kuptonte se, ngjitja në karrierë e babait të saj, kërkonte flijimin e dikujt. Dhe ky është filli tragjik i këtij tregimi, që Kadareja e zhbiron përmes dramës së saj dhe lidhjeve semantike me flijimin e Ifgjenisë së grekëve, nga i ati, Agamemnoni. Lidhjet e këtyre dy kohëve, analogjitë, dallimet, Kadareja i përshkruan me stil madhështor, aq sa, lexuesit i duket sikur jeton përnjëherë në antikë, ku u shkruan tragjeditë e mëdha të njerëzimit, dhe në kohën e autorit, në të cilën, gjithashtu shkaktoheshin tragjedi të mëdha. Simbioza letrare Romani “Vajza e Agamemnonit” është i ndërtuar në disa episode letrare, që duken si skena antike të teatrit tragjik, ku flijohet Suzana, si dikur Ifgjinia, për të kënaqur synimet e të atit, që do pushtet.

Personazhi kryesor, derisa kupton fatin e dashurisë së tij, që duhet të flijohet për hir të babait, lexon librin “Mitet greke” të Grejvsit, dhe aty kupton tragjedinë e hershme, të Ifgjinisë, të cilën e ndërlidh me Suzanën, sepse, mes tyre, ndonëse kishte shekuj, i ndante vetëm një hap. Dhe pyetja që vjen natyrshëm është: dikush bën një akt të tillë më fëmijët e vet, ç’mund të bëjë me popullin:

Përderisa, shefi i madh, Agamemnoni, kishte flijuar vajzën e vet, asnjë mëshirë s’do të kishte për askënd…” Po, komandanti zëmadh, Agamemnoni, e kishte flijuar vajzën e vet, Ifgjninë, për t’u arsyetuar para ushtarëve tjerë dhe njëkohësisht, për të thënë, ja, ky e vret të bijën, ç’bën me ne.

Suzana, flijohet dhe ajo është kyçi i karrierës së të atit, ashtu siç ndodhi me arketipin letrar, Ifgjeninë. Kjo analogji, kaq e largët dhe kaq e afërt, kaq e pabesueshme dhe kaq reale, veprës i jep dimension të thellë tragjik, dhe njëherësh një mësim universal, duke e bërë rrëfenim të tingëllojë njësoj në çdo kohë e në çdo shoqëri, si në Tiranë, po ashtu në Paris, Athinë, Romë, Berlin ose në një skaj tjetër të botës. Tiranë të tillë, që bënin e bëjnë marrëzi të tilla, kishte shumë. Ka edhe sot e do të ketë edhe nesër!

E, një ishte i kohës së vonshme, Stalini, të cilit i besonte Shqipëria komuniste, dhe liderët e saj despotikë. Ai e flijoi birin e vet Jakovin, për të pasur të drejtën të thoshte se biri i tij kishte fatin e çdo ushtari rus.

Europa-Azia

Si në shumicën e teksteve letrare të Kadaresë, edhe këtu, ka përplasje dhe kontraste, mes Europës dhe Azisë, nën hijen e të cilave, ndeshen liria dhe robëria. Për ta plotësuar këtë, Kadareja, si në shumë vepra letrare e rikthen heroin kombëtar, Gjergj Kastriotin, që luftoi për një çerek shekulli për ta shkëputë Shqipërinë nga Azia dhe për t’ia bashkuar Europës. Kurse, pas më shumë se pesë shekujve, dishepujt e socializmit utopik, donin përsëri ta çonin Shqipërinë prapë andej, në Azi.

Këtë aspekt letrar – që është kulturor dhe esencial – e hasim në fund të librit, kur narratori i lutet Zotit të ruajë vendin nga çjetëzimi: “Ruaje, Zot, këtë vend nga çjetëzimi, klithi përsëri. Mbroje nga shkrumbimi i mëtejshëm! Se atë që nuk ia bënë dot vapa dhe pluhuri aziatik, po i bën vetvetes”.

Kaq e dhimbshme ishte shkretëtira që kishte shkaktuar komunizmi, që kishte tharë jetën, dhe kjo bëhej me një qëllim të qartë, për ta sunduar jetën më lehtë. Autori këtë e përshkruan me ton të ashpër: “Të punojmë, të jetojmë, të mendojmë si revolucionarë!” “Të revolucionarizojmë gjithçka!” “Sa vjet shterpësie të tillë do të duheshin për ta kthyer jetën në djerrinë? Dhe e gjithë kjo, për të vetmen arsye, se kështu e fishkur, e tharë, jeta sundohej më lehtë.

Euforia e revolucionit rezulton të jetë fatale për masat, dhe Kadareja mendon se, gjërat e tilla, që duan ta shkëputnin njeriun nga natyra dhe ta bënin instrument të përdorshëm, por këto janë të pamundshme, prandaj shtrohet pyetja: “a mund të revolucionarizohej, o Perëndi, seksi i femrës?!

Historia e veprës

Botuesi Claude Durand këtë vepër e vlerëson si një nga asambletë letrare më të përkryera të Ismail Kadaresë. Në të vërtetë, në këtë vepër, që përfaqëson majat e letërsisë së përbotshme, e bukura dhe e shëmtuara shtrihen nëpërmes tingujve magjeps të gjuhës së artit, ku trajtohen me mprehtësi raportet e pushtetit me lirinë, me dashurinë dhe me jetën.

Romani “Vajza e Agamemnonit”, tregon për një histori rrëqethëse, por edhe fati i veprës është i tillë. Vepra, që më vonë do të përbënte pjesën e parë të një diptiku, u shkrua në vitin 1985 me titullin fillestar “Vajza e mesme e Agamemnonit”, ndërkaq si libër, arriti të botohej për herë të parë, më 2003. Është një nga dorëshkrimet e nxjerra jashtë shtetit, siç shpjegon botuesi francez Claude Durand, për t’u botuar atje në rast se rrethanat do ta kërkonin.

Kjo e dhënë që e shoqëron botimin, është një dëshmi e frikshme dhe njëherësh e jashtëzakonshme, për t’i kuptuar raportet e artit të Kadaresë me tiraninë, për të cilën kohë dhe tirani është shkruar kjo vepër, kaq tronditëse, kaq prekëse, kaq tragjike dhe kaq e paarritshme.

Romani “Vajza e Agamemnonit” ka fuqi shprehëse marramendëse, sepse është një dramë e makthshme njerëzore, që jeton në kohë e rrëfime të ndryshme dhe që e thërret ndërgjegjen e njerëzimit të pastrohet nga njollat dhe barbaritë.

Duke e lexuar këtë roman dhe duke e parë si etërit flijojnë fëmijët e tyre për t’u ngritë në pushtet, lexuesit i rri përpara shprehja proverbiale e dramaturgut gjerman, George Bushner: “Revolucioni i ha bijtë e vet”.

Kadareja, me këtë vepër, mjeshtërisht i ka bërë autopsinë më të mirë fenomenit të ngjitjes së njeriut në pushtet, ndërkaq lexuesi, gjatë gjithë rrëfimit e ndien thirrjen që shkrimtari ia drejton atij, për të tërhequr litarin kundrejt turmës, ka individi, sepse, turma i lidh fatet e njerëzve dhe i përmbys në humnerë, siç ngjet me fatet e personazheve të kësaj drame tragjike, që në euforinë e parullave, nuk çajnë kokën për njeriun që pëson dhe vuan.

Kjo vepër rrëfen për gjëra vërtet të tmerrshme. Aty flitet për krime dhe terror, por shkrimi i Kadaresë, ndonëse lëviz nëpër rrugë gjembore, ku jeta i ngjet ferrit, është madhështore, fisnik, dhe aty ndihen pulset e forta të artit të rafinuar, ku shpërthen gjenialiteti i autorit, që shkruan një vepër të papërsëritshëm për pushtetin qelbanik, në të cilin, njerëzit duhet të flijojnë të tjerët, madje edhe familjarë, për të mbetur në të. Duke paraqitur tërë përmasën e kësaj tragjedia, Kadareja e tërheq lexuesin matanë portave të ferrit.

Në hartën e prozës shqipe, sidomos të asaj që trajton raportet e lirisë me tiraninë, për mua, nuk ka ndonjë roman më tronditës dhe njëherësh më madhështor, sesa “Vajza e Agamemnonit”. Në këtë dramë të thellë njerëzore, Kadareja i bën autopsi reale tiranisë, duke ia hequr perden, me elegancë dhe stil, atë perde që regjimi e mban përditë, dhe që shfaqet hapur në një ditë pranvere, me muzikë, në podiumin ku njerëzit, ndonjëherë nga dëshira e ndonjëherë nga detyra, ngarendin për të shërbyer. Duke e përshkruar gjithë këtë tragjedi, teksti e thërret lexuesin që të del nga ai ferr, ku rojet janë të egra e euforia që krijon afërsia me pushtetin e turpshme.

(Pjesë nga libri, Ismail Kadare: kryqëzime letrare dhe kulturore)