Nikë Gashaj, Podgoricë
Identiteti kombëtar shqiptar (pjesa e dytë)
Pas një lufte këmbëngulëse gati dyvjeçare, më 7 mars 1887 u çel shkolla e parë shqipe e Korçës, drejtor i së cilës ishte Pandeli Sotiri. Si lokal për shkollën shërbeu shtëpia e dhuruar nga atdhetari i mërguar korçar Mandi Tërpo.
Çelja e shkollës në shqipe të Korçës ishte një ngjarje e shënuar dhe një fitore për gjithë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjeve të përbashkëta të organizatave atdhetare të të mërguarëve shqiptarë dhe të atdhetarëve brenda vendit. Mësonjëtorja shqipe e Korçës nuk varej e nuk financohej prej asnjë shteti a shoqërie të huaj. Ajo u hap, u financua e u mbrojt nga populli dhe nga shoqëritë shqiptare të mërgimit. Dita e përurimit të saj u kthye në një ditë feste. Qysh ditën e parë në këtë shkollë u regjistruan 35 nxënës. Numri i tyre erdhi duke u rritur dhe në vitin e dytë arriti 200. Ajo ishte një shkollë fillore laike me fizionomi të plotë kombëtare, ku gjithë mësimet jepeshin shqip.
Turqishtja mësohej si gjuhë e huaj, më vonë u fut edhe frëngjishtja. Si tekste mësimore përdoreshin ato që ishin përgatitur nga Naim Frashëri, Sami Frashëri etj., dhe që qenë shtypur e ishin dërguar pa shpërblim nga kolonia shqiptare e Bukureshtit. Mësonjëtorja e Korçës u bë qendër e përhapjes së shkrimit e të këndimit të gjuhës shqipe edhe për të rriturit. Ajo ishte gjithashtu qendër e përhapjes së ideve kombëtare shqiptare. Duke qenë shkollë e përbashkët për fëmijët e besimeve të ndryshme, ajo ndihmonte bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga feja dhe ngrinte tek ata ndërgjegjen kombëtare.
Çelja e shkollës kombëtare të Korçës ngjalli entuziazëm te patriotët brenda e jashtë ardheut. Poeti i shquar i Rilindjes, Naim Frashëri, duke përshëndetur Mësonjëtoren e çelur në Korçë, shkruante plot frymëzim:
‘‘Hapu, hapu errësirë,
Pa jakë tëhu o dritë!
Se arriti koh’ e mirë,
U gdhi nata u bë ditë…
Lumja ti, moj Korç’o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball’u sule,
Ta paçim për jetë hua!”.
Hapja e Mësonjëtores së Korçës u bë nxitje edhe për çeljen e shkollave të tjera në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe në Pogradec, në Rekë e në Ohër dhe u bënë përgatitje për të tilla shkolla në Elbasan, në Leskovik, në Ersekë etj.
Në vitin 1889 në Prizren ishte çelur një shkollë shqipe nën kujdesin e Austro-Hungarisë. Po kështu, Austro-Hungaria gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shk. XIX futi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi edhe në 24 shkolla fillore, të administruara prej saj, në qytete e në fshatrat e Shqipërisë së Sipërme dhe të asaj Qendrore.
Përveç shkollave të përmendura, në shumë vise të Shqipërisë, si në Elbasan, në Dibër, në Krujë, në Korçë, në Berat, në Gjirokastër, në Kolonjë, në Pogradec, në Vlorë, në Përmet, në Skrapar, në Çamëri etj., u çelën dhe funksiononin pranë shtëpive private ose pranë dyqaneve kurse e shkolla të fshehta shqipe, në të cilat mësuesit atdhetarë u mësonin fëmijve dhe të rriturve abetaren e gjuhës shqipe.
Ndryshe nga autoritetet osmane që e përkufizonin kombin mbi bazën e fesë. Intelektualët e Rilindjes kombëtare shqiptare mendonin se kombi ishte në radhë të parë gjuha. Në themel të kombit shqiptar ishte gjuha. Ajo u kishte bërë ballë të gjitha përpjekjeve për asimilim, që nga koha e pushtimit romak. Ajo duhej të ishte njëzëri gjuhë letërsie të shkruar dhe gjuhë arsimi.
Duhet thënë se, deri në mesin e shekullit XIX, librat në shqip ishin shumë të rrallë dhe se nuk kishte normë shkrimi mbi bazën e një alfabeti të veçantë. Tekstet e botura ishin nxjerrë pikësëpari për qëllime fetare dhe alfabetet e përdorura ishin grek, por edhe arab. Mungesa e një drejt-shkrimi të njësuar dhe numri i paktë i botimeve në shqip shpjegohen me faktin se, qysh nga koha e pushtimit romak në shekullin e II para erës sonë, shqiptarët (ose paraardhësit e tyre ilirët, dardanë apo epirotë) nuk kanë qenë kurrë përnjëmend zot të vetes.
Po të veçohet mënjëanë episodi i Principatës shqiptare të Gjergj Kastriotit Skënderbegut në shekullin XV, ata kanë qenë gjithmon të sunduar: nga romakët, bizantinët, sllavët dhe osmanët. Natyrisht, as që kanë mujtur m’iu kundërvu fuqive të mëdha. Andaj dhe gjuha administrative ishte një gjuhë e huaj, por edhe shqipja e përjashtuar nga liturgjia. Tek Shqiptarët qe i ngadalshëm e i vonë ndërgjegjësimi se përbëjnë një komb. Ai zuri fill nga mesi i shekullit XIX me shenjat e para të një lëvizje kulturore që u quajt Rilindja Kombëtare. Lindja e vetëdijes kombëtare lidhej me idenë se gjuha shqipe ishte një pasuri, në trashigimi prej të parëve, që ishte e udhës të mbrohej.
Rrahja e mendimeve për një normë shkrimi të shqipes, beteja për arsimin në këtë gjuhë, shpinin në një kërkim identiteti. Ndjesia e shqiptarëve se i përkisnin një populli shumë të lashtë, u përforcua nëpërmjet përcjelljes së miteve dhe kultit të heronjeve.
Patriotët e Rilindjes kombëtare punuan me përkushtim për zhvillimin e arsimit kombëtar. Mirëpo, në atë drejtim krahas pengesave të regjiimit osman, i cili ishte përpjekur gjithë një t’i mbante shqiptarët në errësirë e në padituri, si dhe faktorvë të jashtëm, ata hasën dhe në pengesa dhe për shkak të përçarjes së shqiptarëve nga pikëpamja fetare.
Karakteri i përçarë i fesë në tri besime kryesore: islame, katolike e ortodokse, si dhe i tri shkollave fetare me ndikim financiar dhe programor nga të huajit vuri në rrezik veprimin e bashkuar të shqiptarëve në luftën e tyre për liri. Mu për këtë arsye patriotët e parë nisën të nxisnin shqiptarinë mbi të gjitha fetë. Gjatë luftës për pavarësi nga Turqia Pashko Vasa një patriot dhe poet kombëtar nga Shkodra, shkruante:
‘‘Çoniu, o shqiptarë, prej gjumi çoniu,
të gjithë si vllazën në një besë shtrëngoniu,
edhe mos shikoni kisha e xhamia,
fe e shqyptarit asht shqypria…”
Një nga udhëheqësit e shquar të Rilindjes kombëtare, Sami Frashëri, kishte shkruar më 1899: “Shqiptari është shqipëtar përpara se të jetë mysliman a i kreshtenë. Besa s’e ka ndruarë fare edhe kurrë, se kombësia ashtë përpara besës…”.
Një vazhdim të së njëjtës ide, një vjershator popullor thoshte:
“Besa juaj sot
s’është as kishë as xhami
por Nëna Shqipëri !
Kur të fitojmë lirinë
do të kujdesi për kishën e xhaminë.
Nëse kisha ka një këmbanë
njëqind të varni anembanë.
Nëse kini në fshat vetëm një xhami
ndëtoni edhe njëzet e tri.
Por feja jonë tani
është Nëna Shqipëri”.
Edhe pas fitores së pavarësisë së Shqipërisë, patriotët shqiptar kishin bindjen se e vetmja zgjidhje për dyzimin e përçarë midis islamizmit dhe krishterimit ishte zëvendësimi i tyre me shqiptarinë. Kështu, Andon Zako Çajupi në librin e tij Mëmdheu, përfshiu në të një poemë për Malin e Tomorit. Në majën e malit ndodhej një faltore, ku shqiptarët e lashtë shkonin të këshilloheshin me orakullin për të ardhmen e tyre.
Poeti shkruente:
“Baba Tomor, kishë e Shqipërisë,
mal kryelartë, fron i Perëdisë,
tek ti kanë ardhur njerëzia që në lashtësi,
për të mësuar atë që urdhëronte Zoti“.
Më tej shtonte:
“…kombi juaj s’vete mbarë,
se betë u kanë ndarë.
…të krishterë e myslimanë,
gjithë një perendi kanë;
jini një gjak mor të mjerë,
se një vend kini lerë,
jini gjithë shqiptarë“.
Në pajtim me këtë atmosferë mbizotëruese elita politike e shtetit shqiptarë të kohës vëndosi që shteti të ishte asnjanës, pa fe zyrtare, dhe që ushtrimin e lirë të besimit duhet ta gëzonin të gjitha fetë. Ata vun si fe shqiptarinë, duke i quejtur nëpunësit dhe mësuesit “apostuj” dhe “misionarë”. Në tëra aktivitete shoqërore publike, si dhe në fushën e arsimit dhe kulturës shprehej një shqiptari e zjarrtë që kishte për qellim të eklipsonte dasitë fetare dhe të bashkonte popullin shqiptar.
Vonesa e shqiptarëve në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare
Shqiptarët kanë pasur një vonesë në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare e cila ishte kryesisht pasojë e përçarjes fetare: nën sundimin osman, dy të tretat e popullsisë shqiptare ishin kthyer në fenë islame, ndërkohë që një e treta që mbetej ishte edhe ajo e ndarë në të krishterë katolik në Veri dhe ortodoksë të ritit grek, në Jug. Të mbëshetur në këtë përçarje autoritetet osmane e mohonin ekzistencën e një kombi shqiptar. Ata e pëkufizonin kombin në bazë të fesë – parimi i miletit (Studiuesi Serge Metais, Histori e Shqiptarëve- nga Ilirët deri te Pavarësia e Kosovës, f. 16, Tiranë, 2006.).
Bismarku në Kongresin e Berlinit për Shqipërinë
Si pasojë e zgjimit të vonë të vetëdijes kombëtare te shqiptarët dhe të mungesës së përkrahësëve të tyre jashtë Perandorisë Osmane, Bismarku tha në Kongresin e Berlinit më 1878 se Shqipëria nuk ishte veçëse një shprehje gjeografike dhe se nuk ekziston kurrëfarë kombi shqiptar. Dhe jo vetëm Bismaku si kryesues i Kongresit por asnjë prej fuqive të mëdha nuk i njishin shqiptarë si kombë, e kjo ka qenë fatale për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare. Sepse si parim i njohjes dhe i formimit të shteteve europiane dhe ballkanike ishte parimi kombëtar. Shqiptarët me vonesë të madhe bëjnë përpjeke që prej horizonteve politike osmane të dalin në horizonte evropiane.
Rexhep Qosja për shqiptarët në Kongresin e Berlinit
Në lidhje me këtë çështje profesor Rexhep Qosja, ndër të tjerat shprehet: “Në Kongresin e Berlinit përfaqësuesëve shqiptarë nuk u lëjohet në marrin pjesë në cilësi zyrtare në punimet e tij, sepse në Kongresin e Berlinit trojet shqiptare trajtohen ”zotërime turke”, kurse shqiptarët nënshtetas të Turqisë”! Vetëm pse rreth dy të tretat e tij e kishin pranuar fenë myslimane, shpallej kështu popullë i paqenë!
Më tutje Qosja shton: “Shqiptarët kanë pësuar dëmtim të rëndë, tragjik, prej politikës së Fuqive të Mëdha evropiane… për arësye se dy të tretat e tij i takonin fesë myslimane dhe pse ishin nën pushtimet e një perandorie që këtë fe e kishte përhapur me shpatë dhe zjarr. Në kohën kur për Evropën e krishterë feja dhe kombësia ishin njësh, shqiptarët e gjetur në gjirin e një perandorie, pothuaj, islamike, s’kishin se si të shikoheshin veçse si dikush që nuk i takon Evropës as me fenë, as me etninë, prandaj as me fatin, si dikush që prej Evropës trajtohej i përjashtuari i Evropës!” (Rexhep Qosja, Studimi: Çështja Shqiptare-Historia dhe politika, faq. 8 dhe 47, Instituti albanologjik, Prishtinë, 1994).
Ismail Qemali në Londër 1913
Menjëherë pasi u bë e njohur mbledhja e afërt e Konferencës së Ambasadorëve në Londër me 1913, Ismail Qemali me antarët e Delegacionit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës shkoi në Londër për takime dhe bisedime me politikantë e lartë të Anglisë me qëllim të përfitimit të përkrahjes së tyre për ruajtjen e kufijve etnik të Shqipërisë.
Mirëpo, I. Qemali largohet nga Londra me ndjenjën e misionit të pakryer. Dokumentet zyrtare tregojnë se ai hasi në një mos përfillje të përgjithshme si në qarqet zyrtare britanike ashtu edhe në Konferencën e Ambasadorëve. Ashtu që vendimet e Konfrencës së Londrës me 1913, e lanë gjysmën e tokave shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë
Për vizitën e tij në Londër, I. Qemali do të flasë disa muaj më vonë, në një takim me gazetarë të huaj në Vlorë në shtator 1913. Ai u shpreh krejt i zhgënjyer. Ndër të tjerat I. Qemali deklaroi: “Se shkoi në kryeqytetin anglez me shpresë se do të arrinte diçka në Angli”, por u ndesh me një moskuptim të plotë nga dy krahët e politikës angleze. “Liberalët”, – thotë I. Qemali, – “mendonin se shqiptarët ishin të gjithë turq dhe myslimanë, ndërsa konservatorët i quanin prishës të paqës, njësoj si irlandezët”. (Arben Puto, Studimi: “Shqipëria Politike 1912-1939”, faqe, 91, Tiranë, 2009).
Ngritja e memorialit turk në Tiranë, në dëm të identitetit kombëtar
Ngritja e memorialit të ashtuqujtur dëshmorëve turq në Tiranë, paraqet një skandal të madh historik të paparë të politikës shqiptare, e që është në dëm t’ identitetit kombëtar shqiptar. Kjo dëshmon se politika e shtetit shqiptar është kontradiktore. Në njërën anë, Shqipëria është antare e NATOsë dhe deklarohet se është përcaktua për integrime në Bashkësinë Europiane, kurse në anën tjetë me të madhe përqafon vlerat e një regjimit politik diktatorial të Erdoganit, për të cilin trulloset tërë bota demokratike. Andaj, njohjet nga shkencat politike tregojnë se fundamentalizmi fetar në politik është i dëmshëm për rendin shoqëror, e në veçanti është i rrezikshëm për shoqërinë shqiptare.
Shteti bashkëkohor duhet të jetë në pikëpamje të religjionit neutral. Ai u takon të gjithëve, ndërsa religjioni jo. Bindjet e besimit fetar të njerëzve nuk mund t’u imponohet të gjithëve. Shteti nuk duhet të kujdeset për shpëtimin e shpirtit (J. Lock).
Natyrisht, ndarja e bashkësive fetare dhe shtetit nuk nënkupton një kundërshtim të ndërsjellët, por ajo ka të bëj me dallimin e lëmisë politike dhe asaj religjioze. Andaj, normat religjioze nuk mund të shënderrohen në norma politike. Meqënse, besimi fetar dhe politika janë dy realitete të ndryshme. Prandaj, pushteti ndahet në atë shpirtëror dhe laik, dhe secili është, ose duhet të jetë me kompetencë në fushën e vet.
Në qoftë se ndonjëra prej Bashësive fetare u përkulet tendencave të ndryshme politike, respektivisht nuk është neutrale, por ka të bëj me instrumentalizimin e përbashkët të religjionit e politikës, atëherë ajo nuk prodhon kurrgjë të mirë në drejtim të lirisë dhe barazisë njerëzore. (fund)