Dashuria, malli dhe veset – trinomi ideo-motivor i poezive të autores Mirsada Krasniqi

0
428
Mirsada Krasniqi

Zymer Mehani

(Vështrim për vëllimin poetik “Ajo” të poetes Mirsada Krasniqi, Prishtinë, 2019)

Në qiellin poetik të Kosovës tanimë është duke shndritur edhe një emër i dashur për lexuesin shqiptar. Është kjo poetja Mirsade Krasniqi, ky zë kumbues në horizontet e artit të fjalës, poezitë e të cilës po lënë mbresa të thella te lexuesit e shumtë. Vargjet e kësaj poeteje janë të ndërtuara sipas vullnetit të saj, duke u bazuar në kërkesat e urdhrit teoriko-letrar.

Edhe poezia e poetes Mirsade Krasniqi po lexohet me kërshëri, ngase motivet dhe tematikat e trajtuara i përkasin aktualitetit, në të cilin po jetojmë, por shpesh na kthejnë edhe në retrospektivë, në të kaluarën. Me vargun e saj të skalitur bukur, poetja Krasniqi përpiqet që të ndërtojë stilin e saj unik, që shquhet me origjinalitetin, të cilit i jep shije thjeshtësia e të shprehurit poetik, por edhe përdorimi i gjuhës me kujdes të shtuar në formulim të mendimeve dhe në ndërtim të vargut. Ksisoj kjo autore e talentuar vargjet e veta pra ua nënshtron ligjeve estetike dhe teoriko-letrare, duke u dhënë poezive të veta përmbajtje dhe formë.

Edhe pse mendimi i poetes në ndonjë varg a strofë, por edhe në ndonjë poezi komplete mund të na duket i paqartë dhe i pakuptueshëm, kjo ndodhë jo për farë dobësie, por për shkak sepse poetja këtë gjë e bën me qëllim dhe për arsye të shprehjes së kamufluar, që arrin ta ndërtojë me sukses.

Poetes Mirsade Krasniqi, shihet qartë se nuk i lë përshtypje metri i vargut dhe elementet tjera, si rima dhe ritmi, ngase ajo don që të strukturojë vargje jashtë shabllonit metrik, pra e kultivon vargun e lirë, madje me sukses.

Në vëllimin poetik “Ajo” të poetes Krasniqi poezitë janë shprehje të drejtëpërdrejta dhe ato janë ndërmjetësuese të çasteve individuale, të ngjarjeve shoqërore, e krahas kësaj, edhe vetë autorja këtu na del organizatore e vetëdijes shoqërore dhe arkitekte e shpirtit të njeriut në përgjithësi dhe e lexuesit të saj në veçanti.

Dashuria, malli dhe veset (dehja, gënjeshtra etj.) janë trinomi ideo-motivor i poezive të vëllimit “Ajo” të poetes Mirsade Krasniqi. Në çdo varg dhe në çdo poezi vërehet qartë ndikimi vendimtar i faktorit shoqëror, që i jep formësim poezisë dhe artit poetik të saj.

Mendojmë se bashkë me elementin e pakontestueshëm kohë, poezia e poetes Krasniqi ngërthen edhe diçka që e tejkalon edhe kohën, e pikërisht kjo është përjetësia, që e kalon aktualitetin duke mbetur prore aktuale.

Autorja Krasniqi, në vëllimin poetik “Ajo” ka përdorë gjuhë të pasur, të kulluar, pa ngarkesa krahinore a dialektore dhe kryesisht, për ndërtimin e vargjeve të saj, poetja e ka përdorë gjuhën standarde.

Poezia e kësaj autoreje është e pasur me figuracion poetik, ku dominojnë krahasimi, metafora, hiperbola, por ka edhe figura tjera poetike. Vargjet janë të lira dhe nuk i nënshtrohen shabllonit metriko-rimo-ritmik.