Kurti i dërgon letër Trump: Dialogun do e udhëheq unë, tarifat hiqen

0
1110
Albin Kurti

Rajoni02/03/20

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar një letër Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ku e ka informuar mbi programin e tij qeverisës dhe çështjes së marrëdhënieve me Serbinë.

Kurti shkruan se qeverisja e tij është e përqendruar në dy shtylla kryesore.

E para konsiston në zotimin tonë për të luftuar në mënyrë të pakompromis korrupsionin dhe krimin e organizuar. Shtylla e dytë, si prioritiet kryesor, ka rritjen ekonomike, zgjerimin e investimeve dhe krijimin e vendeve të punës. Këto dy procese janë reciprokisht të ndërlidhura, ndaj dhe ne e mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në përpjekjet tonë për zbatuar qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, dhe rritjen e mundësive ekonomike për popullin e Kosovës”, shkruan ai.

Më pas ai i kthehet çështjes së Serbisë, të cilën kryeministri kosovar e sheh se mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet “dialogut”, por thekson se ky i fundit do të udhëhiqet ekskluzivisht nga ai dhe qeveria e tij, pasi ata janë mandatuar për këtë.

Ne jemi të vetëdijshëm se gjatë dy viteve të fundit ka pasur mungesë të theksuar të koordinimit ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës për rolin, interesin dhe qëllimet në dialogun me Serbinë, si dhe për mungesën e qartësisë se kush flet në emër të Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe në tavolinën negociuese. Kjo do të përfundojë me qeverinë që drejtoj unë. Qeveria dhe unë si kryeministër kemi mandatin kushtetues, vullnetin politik dhe detyrën ligjore, si dhe përgjegjësinë e plotë dhe ekskluzive për të marrë përsipër, udhëheqjen e këtij procesi dhe përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë diplomatik. Presim me padurim të fillojmë punën me ju, diplomatët dhe emisarët tuaj, si dhe partnerët tanë në Bashkimin Europian, për ta çuar përpara këtë proces”.

Sa i përket vendimit të heqjes së tarifës, kryeministri Kurti i shkruan presidentit Trump se heqja e pjesëshme e saj do të nisë nga 15 Marsi “si shprehje e gjestit të mirë diplomatik dhe si shenjë për përkushtimin tonë për të punuar afër me Shtetet e Bashkuara në dialogun me Serbinë”.

Ne shpresojmë se veprimet tona do të kthehen me reciprocitet nga Beogradi, nga i cili presim t’i largojë të gjitha barrierat jo-tarifore për tregtinë me Kosovën, si dhe të ndalojë fushtatën për çnjohjet e Kosovës. Ne poashtu ftojmë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian për krijimin e mekanizmave monitorues dhe sanksionues, për të siguruar që dy palët t’i përmbahen zotimeve të bëra gjatë marrëveshjeve të tanishme si dhe atyre në të ardhmen”, shkruan kryeministri i Kosovës.

Shtetet e Bashkuara janë shprehur kundër heqjes së pjesëshme të tarfiës ndaj Serbisë, duke kërkuar heqjen e plotë të tyre. Ndërkohë në parlamentin e Kosovës sot po zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme, e kërkuar nga opozita, e cila kundërshton vendimin për heqjen e tarifës.

Gjatë seancës Kurti tha se në fushatën zgjedhore dhe pas saj si dhe sipas programit qeverisës angazhimi është zëvendësimi i tarifës 100 përqind me reciprocitet të plotë ekonomik, politik dhe tregtar ndaj Serbisë.

Është obligim sepse në 2011 është miratuar një rezolutë me të cilën kemi shprehur qëndrimin tonë dinjitoz. Ne konsiderojmë që rezolutat nuk janë tekst në letër, por vendime për tu zbatuar. Aplikimi i tarifës 100 përqind u shfrytëzua nga pretekstet për të refuzuar dialogun dhe Kosova u bë subjekt i trysnisë ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.

Efekti ka qenë minimal, sepse nuk është zbatuar si duhet. Në bisedimet që janë zhvilluar janë prezantuar disa marrëveshje që gjoja mundësojnë lëvizjen e lirë, në praktik kjo vazhdon të jetë e cunguar. Eksportuesit nga Kosova pengohen nga Serbia. Deri më tani dialogu është bërë mbi e rrotull e për statusin e Kosovës. Me reciprocitetin dialogu mund të shërbejë për zgjidhjen e pengesave një nga një”.

Kurti ka thënë se me reciprocitet do të vijë njohja e Kosovës nga Serbia.

Në vend që të dialogojmë për territorin do të diskutojmë si shtet sovran. Kur të njihet patentë shoferi është njohur shteti, certifikata e AVUK, dhe kur nuk do të ketë më asgjë për reciprocitet do të ketë njohje. Nuk është qasje e mençur ‘ose krejt ose hiç’, ‘ose tash ose hiç’”.

Qëndrimi im është i duhur për të ecur përpara. Qasja jonë është ajo, e cila na ka vendosur në ofensivë. Masat që të vendosin në defensivë ku shndërrohesh në kështjellë, ku mbrohesh është gabim nga pikëpamja e shtetit”. /Opinion.al