PRANGAT !

0
765
Nëna mallkon ata që i morën djalin

(Nëna e djegur nga malli dhe dhimbja, duke nemur ata që ia grabitën djalin…!)

(Ose: zogu i dëborës dhe kreshtat e thinjura !)

Nafi ÇegraniShkruan Nafi Çegrani

(…Përse UDB-a jugosllave dhe Beogradi kërkonin kokën time përmes Procesit të inskenuar në Gjykatën e Zenicës, të vitit 1981, duke më dënuar me vdekje – pushkatim…)! Po cili ishte “faji” im ?!?

Një sagë e çuditshme dhe me shumë tmerre të padrejtësive. Një mall, një peng e një brengë për zogun e vetmuar të dëborës dhe një sagë e vogël! Një detyrë e frymëzim poeti. Një mesazh i blertë nëpër gritë e muzgjeve të moteve dhe blozaken e mureve të trasha të burgut-kazamatë. Një piskamë kujtese dhe rënkim nga torturat gjatë netëve të thikave të gjata dhe skëterës. Një thirrje gjaku nëpër agimet e përflakur ku krahët e zogut të vetmuat të dëborës enden qiejve të Shpresës së Madhe, e ti i krusur dhe i cunguar në pranga të ndryshkura çeliku, pret me ardhë agimet e bardha të lirisë dhe lirimit tënd nga qelia prej betoni, ku vetëm një rreze drite duket nga një vrrimë e vogël e dritares lartë e mbyllur me hekura, Zotin e ke dëshmitar… Kërkon zogu i dëborës dritën e qiellit, Prijësin e fluturimeve. Kërkon kurorat e dashurisë pa lajka, kokën me kurorë nga flokët kaçurrelka të vashës. Kërkon poeti kohën e rinisë dhe jetën plotë shend e verë buzë Vardarit lakadredhës, atje në sheshet e Fushës blerake të Pollogut të gjërë me ara të mbjellura me grurë e të bardha…, (paçka se stili i të shkruarit dhe motivet janë të ngjeshura dhe piktoreske).

Shqetësimi artistik, i shprehur bukur mes nuancave të jetës dhe asaj brenda mureve të burgut, nuk janë të rregullt në saje të asaj që është e lidhur me realen dhe meditimin mendor, merr karakter filozofik dhe patriotik, me përmasa të gjera në kohë dhe hapësirë, për kohën kur jetoi dhe shkruajti autori si një kalorës planetar në shtigjet ballkanike, (si të ishte Kurban i Ballkanit), i cili edhe i ka dhënë muzës krahët e shqiponjës dhe fluturon nëpër shekujt e historisë së kombit, të jetës moderne plotë rrëmuja e rrëmete. Plot stuhi e tufane me të gjitha baticat dhe zbaticat që ka jeta, të fatumit të njerëzve të pamposhtur, duke u ndeshur keqas me honet e thella të pikëpyetjeve, stalagmitet e kurtheve në kthesat e errëta të labirintheve të burgut, kllapave e thonjëzave dhe muret e ftohtë të pikave, brenda qeliave prej betoni, aty ku ngrica akulli e kaplojnë edhe zogurn e dëborës, aty ku nuk duket dielli as qielli, dhe kujton lotët e Nënës…!

Autori i mediton me penë mbi rreshtat e këtij shkrimi me përmasa kunderjane. Krahët e shqipes janë rrudhur në qiellin e përzier nga erërat gri të ngjeshura me acare akulli dhe dëbore, por në shpirtin e tij egziston malli, shpresa dhe ëndërron për gruan dhë fëmijët, për jetën në liri, me ëndërrime për Nënën e vuajtur, a thua do ta gjejë gjallë?!

Shpresa e Madhe Shqipes i ngjan fluturimit të zogut të dëborës lartë kaltrive qiellore mbi det të trazuar, që herë zhytet e herë ngrihet mbi kreshtat e thinjura malore, si ato të Sharrit me qulafka të bardha në maja, e larg duken dallgët e egërsuara, duke ikur tej si të trembura nga uraganet e kohës. I burgosuri me shpirt të thyer, i molisur fare, duket se qëndron në mendime të thella përtej mureve të larta dhe të rrethuara me tela me gjemba, në kërkim të fanarit pranë bregut kah valëvitet lundra e lirisë së tij. Timonierët e anijes – si fletët e kalendarit, të radhitura në faqe letre, varur në mur, ku ai numëron ditët sa një muaj, e muajt sa një vit, nuk kanë të sosur.

Ata që i njohin pikat e vuajtjeve dhe heroizmave në burgje, shikimet u mbeten zvarrë kah horizontet, i kanë kthyer gjoksin erërave gri, duke e bërë zogun e dëborës si një Shqipojnë me krah hapur mbi Flamur. Të tjerë, disa, duket i zuri deti i gjumit. Disa u thyen nga dallgët e një ëndrre të frikshme, dhe disa të tjerë, ata që psherëtinin në heshtjen e rrënkimit, si në grykë shpellash, e braktisën anijen, ose e bënë atë urë, si ajo e Siratit, ku nuk mund të kalonin lehtë. Nga ajo ëndërr trishtimi, u doli gjumi… U brengosën thellë, sepse edhe dekada vitesh kishin kaluar, e ata akoma gjendeshin brenda mureve të trasha të burgut plot acar e ngrica…

Ky shqetësim sa poetik, aq dhe atdhetar, përcillet në këtë vepër letrare me kulturë, duke ua dhënë mesazhit NJERËZVE si porosi me ngjyrën e amanetit dhe TESTAMENTIT të tij. Sepse, jeta ka ligjet e veta, e në burgje, ligjin e bëjnë njerëzit nofullgjërë, gjatë hetuesisë luajnë me fatin e njeriut si egërsirë ata që mbajnë kamxhikun në dorë…! A thua, vallë, këto i kishte parë Sholzinicini i madh, apo ishte vullneti i tij të shkruajë kalmendjet në vite burgjesh, si të kryqëzuara në një ditë, që do dukej se merrnin formën stories, kur u kryqëzua Prometheu në gozhda, ai qeshte me Zotërat gjersa sorrat ia hanin zorët dhe ia shkyenin mëlçinë… Ndoshta… Ndoshta…!

Po si e përcillte fatumi tragjik zogun e dëborës brenda burgut?

Si gjithnjë, malli për nënën përcillet me aq ndjenjë në romanin “Lotët e Nënës”. Emocionet janë njerëzore, por dhe artistikisht të arrira, me forcën e ndjenjës dhe shpirtit të tij të molisur… Lirikat e këtij vëllimi janë interesante: të brishta, transparente, të zjarrta si prrush i ndezur dhe aq rrënqethëse nga vuajtjet dhe egërsirat e burgut famkeq. Si ndjenjë, dashuria, është pronë e shpirtit njerëzor, por vetëm poeti i këndon bukur asaj, vetëm shkrimtari i denjë, i cili çdo gjë ka përjetuar në lëkurën e tij, di t’i shkruajë dhe thurë aq bukur, aq mbresëlënëse, e që dridhin shpirtin e njeriut normal.

Vetëm frymëzimi poetik bën universale detaje të thjeshta, marrë nga jeta dhe vëzhgimet e përditshme të saja, që e kanë kapluar me vite dhe stinë të grabitura, të djegura fare nga mosha e rinisë tij. Dhe, e gjithë kjo është një sagë tjetër që dhemb, dhe duket e thellë gjer në kocka e lagur me lotë valë të Nënës (e cila plasi dhe vdiq nga e keqja), me namët në maje të gjuhës ndaj atyre, të cilët ia grrabitën djalin, duke ia dëbuar përtej Nëntë maleve të shkreta të Ballkanit, në burgjet e Bosnjës, ku dimrat mbajnë të stërgjatura dhe plot akullnajë, e që frynë acari, kurse pranverat mbeten të vonuara dhe të djegura nën ndryshkun e prangave të rënda metali, kreshtat e flokëve duken të thinjura para motesh…!

(vazhdon)