NJË MANUSHAQE
Kanë shkuar sa vite mikja ime,
Nuk di në të kujtohet, ishte janar,
Ndjenj’ e vjetër më çoi në shtegtime,
Kur të solla manushaqen e parë.
Te një kaçub një trumcak ishte fshehur,
Rru gica e vjetër në akull ngrirë,
E ndalova hapin dhe ashtu, zbehur,
Pash një manushaqe që sa kish mbirë.
Me bar e pështolla trumcakun e gjorë,
E futa brenda gardhit të shtëpisë,
Pa manushaqen e mbajta në dorë.
Ta solla ty si fllad të shoqërisë.
Mbaj mënd si t’u skuqën buzë e faqe
” Ku e gjete?” Veç këto fjalë më the,
Të tjerët ndjenë erë manushaqe,
Me sy drenushe ngrohtë ti më pe.
Paçka, dhe pse ish veç një manushaqe,
Pranverën ty të solla atë ditë,
Ndihej në sy, në buzë e në faqe,
Qielli zbriti këngët, meloditë.
Pastaj u bëre e heshtur, e truar,
Asnjëherë nuk e kuptova përse,
Ishe ti një drenushë e bekuar,
Një zgjim i ëmbël, një aromë e re.
Është mbrëmje tani që u takuam?
Thua manushaqe të mos ketë për ty?
Pranverën s’e arritëm, u vonuam,
Veç vjeshta ka trëndelinë për të dy.
Kanë shkuar shumë vite, mikja ime,
Nuk di në të kujtohet, ishte janar,
Në gjimnaz ishim ne, në ëndërime,
Kur të solla manushaqen e parë.
Trokita, në zemër hap një dritare,
Ag’ i mëngjesit të ri për të hyrë,
Vitet që shkuan mos i mendo fare,
Shpreso një jetë të përtërirë.
Pajtim Xhelo, 27 shkurt 2019
PISHA FLAMUR
Që prej sa vitesh dimri i tërbuar
Ka derdhur zemërim mbi këtë pishë?
E heshtur, mbi shkëmb, krenare, shpenguar,
Keraunet e mbajtën përjetësisht.
Që kur ësht’ këtu? Koha ka harruar.
Që kur shkëmbi flamurin mban mbi shpinë?
Pishën simbol Zoti e ka bekuar,
Flamurin i dha Vlorës heroinë.
Mos Zoti dhe fati ia dhuruan
Flamurin e gjelbër Keraunisë,
Që ta kalisnin dimrat e tërbuar,
Në ballin e lartë të Kaonisë?
Mos Qezarit i la për ta kujtuar,
Nga u nis Pirrua drejt Italisë?
Ky flamur i lavdisë së kaluar,
Aty ish, dëshmitar i tradhëtisë…
Kjo pishëflamur pa turq gjunjëzuar,
Në luftë me kaonët krenarë,
Grekë, serbë, në sa luftra trazuar,
Ja, aty është pisha, e patharë.
Sa vite njerëz, dimra të tërbuar,
Kjo pishësimbol shpërfillur ka parë,
Erdhën dhe shkuan ata të harruar,
Pishashqiponj’ uron udhë të nbarë.
Mëse një shekull, e lirë shqiponja,
Përmbi Vlorë gëzuar ulet fluturim,
Ka dy fole: në shkëmb, te pishëzonja
Dhe mbi monumentin për Pavarësim.
Pajtim Xhelo, 22 shkurt 2019