Kosovë, kujdes !

0
602
Vuçiq i tregon hartat kancelares Merkel

Gjergj KabashiGjergj Kabashi, Revista Drini1 Mars 2020

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, qenka takuar edhe me këshilltarin e presidentit të SHBA-së për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, sikurse njofton shtypi i Kosovës.

Nëse Thaçi ndihet i penduar për veprimtarinë e tij antikushtetuese dhe thellësisht antikombëtare për ndarjen e veriut të vendit tonë në favor të Serbisë, është krejt në rregull dhe ai meriton përkrahje të gjerë nga i gjithë populli i Kosovës për afrinë dhe pranimin e tij nga udhëheqës të SHBA-ve etj. Mirëpo, nëse “tretja” enigmatike e tij në SHBA fsheh ndonjë pazar të tij në favor të idesë serbomadhe të Aleksandër Vuçiq, vaj halli nga sherri e kobi, që e ka zënë Kosovën me të!

Ai duhet ta kuptojë përfundimisht se askujt në Kosovë nuk ka pse t’i interesojë fati i tij, pasi Gjykata Speciale e Hagës është formuar pikërisht për shkak të njerëzve sikurse ai, nga akuzat, – sigurisht të pabazuara e të shpifura në të shumtën e rasteve, nga Dick Marty. Akuza këto të ofruara nga Serbia antishqiptare. Sido që të përfundojë kjo histori e turpshme e anti-Kosovë, me mosbërjen e shtetit të vërtetë të Kosovës për njëzet vite e më shumë, ai e ka dëmtuar keq shtetin dhe popullin e Kosovës, pasi injronaca e tillë bëri që në vend se të paditej e dënohej Serbia për tentim gjenocidin ndaj Kosovës, po dënohet viktima!

Burri i botës shihet që e ka një brengë të madhe, pasi me çdo kusht po do të jetë afër të mëdhenjve të kësaj bote, qoftë edhe duke e dëmtuar integritetin territorial të vendit të vet.

Megjithëse e ka vështirë të pajtohet dhe e ka përjetuar tepër rëndë fitoren e VV e të LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit, prapëseprapë dikush duhet t’ia bëjë vazhdimisht të ditur se Kryeministër i Kosovës tash është Albin Kurti, ndërsa Kryetare e Kuvendit të Kosovës, është Vjosa Osmani. Që të dytë, për dallim prej tij, janë shumë më të kulturuar, më shqiptarë të mirë dhe më europianist e properëndimor se që është ai.

Natyrisht që me Hashim Thaçin duhet të bashkëpunojnë Albin Kurti, Vjosa Osmani e të tjerët, por paraprakisht duhet të dihet saktësisht se nga po na zhduket dhe kush e autorizon të flasë, pa qenë i koordinuar me udhëheqjen tashme legjitime të vendit, ku duke qenë i pakontrolluar edhe mund të shpifë për “kokëfortësinë” dhe “antiamerikanizmin” e Albin Kurtit. Pasi na e ka djegë keq përvoja me të pas tentim bashkëngjitjes serbomadhe të një pjese të vendit tonë Serbisë, ne duhet të jemi skeptikë, se mos vallë në vend se me udhëheqjen tjetër të vendit të vet, është duke u koordinuar fshehtas e larg syve të opinionit publik me Serbinë e Aleksandër Vuçiqit.

Kujdes nga “këshillat” e tij djallëzore drejtuar Qeverisë Kurti, e sidomos Albin Kurtit personalisht, që të mos i prishim marrëdhëniet me SHBA-në. Marrëdhënjet me SHBA-në, Europën dhe të gjithë ata që na ndihmuan të çlirohemi në pranverën e vitit 1999, nuk mund t’i prishë e as që guxon t’i prishë asnjë Shqiptar e Shqiptare.

Ato mund t’i prishin vetëm të korruptuarit e të shantazhuarit nga shërbime të fshehta armiqësore, që ua kanë përcjellë veprimet duke qenë të strehuar brenda tyre, sherri i të cilëve formohen Gjykata Speciale Ndërkombëtare, në vend se gjykatë e tillë të formohej për Serbinë pushtuese e agresore…

Ato mund t’i prishin vetëm ata që luanin “qoke” me çlirimtarët tanë të vërtetë, e jo populli ynë viktimë e madhe e një agresioni serbo-rus dhe as përfaqësuesit legjitim të tij.

Kurrë!

Trembja enorme e tij ka bërë që ai të vrapojë i shashtrisur pas Aleksandër Vuçiqit, njësoj sikurse delja e përgjakur pas ujkut, që ia ka therur e prerë në fyt “delet e tjera n’torishtë”!

Një gjë duhet tashmë ta kemi të sigurtë: Hashim Thaçi është shumë më i përshtatshëm për Aleksandër Vuçiqin, se që janë Albin Kurti e Vjosa Osmani.

Prandaj: Kosovë, kujdes !

Të kemi kujdes maksimal derisa ta kuptojmë përfundimisht se çka është puna e “Gjarpërit”, se a është ai “Gjarpër i Shtëpisë”, apo “Kobër” helmuese në jetën tonë ?! …