Romani “Nata e bardhë” i shkrimtarit Rrahim M. Sadiku – hymn për dashurinë

0
525
Rrahim Sadiku - Nata e bardhë

Zymer Mehani

Romani “Nata e bardhë“ është vepra letrare e shkrimtarit Rrahim M. Sadiku, i cili në çdo faqe e kapitull përcjell mesazhe dashurie. Autori ia ka dalur me sukses të trajtojë një temë- dashurinë, si ndjenja më fisnike dhe më intime, më ngacmueset për realitetin e shoqërisë sonë shqiptare. Ky roman me këtë tematikë natyrisht se është i suksesshëm. Nuk ka individë, grup shoqëror dhe as shoqëri të tëra, që të mos kenë dashuruar secili në mënyrën e vet, ndaj dhe letërsia jonë është e pasur me romane që e trajtojnë këtë temë, sa të dashur, po aq edhe fisnike.

Romani “Nata e bardhë “ është shkruar me ndjenja, me koncepte të qarta, me figuracion letrar krejt të harmonizuar, me realizëm e domethënie, si dhe me porosi të qarta. Në roman tablotë dhe situatat kalojnë varg, ku skenat e dashurisë përcillen nga faqja në faqe, nga kapitulli në kapitull. Autori Rrahim M. Sadiku në roman tregohet tejet elastik, nuk është i aspak i ngurtë, por përkundrazi është i hapur, pa tabu në të shprehur dhe në përshkrim të personazheve dhe të ngjarjeve. Në tërësinë e romanit ngjarjet, personazhet, dialogjet, meditimet etj., janë pasqyruar artistikisht, me një ndjeshmëri të lartë artistike dhe me një fantazi të paparë.

Subjektin dhe trajtimin e ngjarjeve autori Sadiku i ka krijuar në mënyrë elegante, duke pasur parasysh edhe anën estetike, por edhe etike të ndërtimit të veprës.

Ky roman shquhet për trajtim historish dashurie me emocione të hapta. Në çdo faqe të romanit do të lexojmë storje dashurie, që na rikujtojnë emocione të përjetuara, të fshehura e të hapta, por jo të harruara. Pra, si i tillë, ky është një roman i lehtë dhe tërheqës për lexim, sidomos nga brezi i ri, i cili e ka moshën dhe kohën për të ëndërruar dhe për t’u dehur nga drithërimet e dashurisë.

Porosia e romanit me pak fjalë është kjo:
Mos u shqetësoni fare, për atë që të tjerët mund të mendojnë për ju. Mjafton ta njihni vetveten, sepse mendimet e të tjerëve, shumica janë paragjykime… e ju dilni edhe jashtë parashikimeve dhe paragjykimeve të të tjerëve. Jetoni, punoni, dashuroni!

Romani “Nata e bardhë“ i shkrimtarit Rrahim M. Sadiku që nga titulli e deri në fund do të lexohet nën shpeshtimet e të rrahurave të zemrës, ngase tek lexuesi përcjell ekstazën e thellë të dashurisë, rizgjon ndjenjat dashurore dhe çastin, kur dy të dashuruar kuptojnë se vetëm si të dashuruar i jipet kuptim jetës, e cila fatkeqësisht nuk rrjedh njësoj për të gjithë.