Shkruan: Florim Zeqa, 29.02.2020
Menjëherë pas publikimit nga ana e kryeministrit Kurti i marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel që e ndalon shkuarjen e FSK-së në Veri pa lejën e KFOR-it, në mediat elektronike vërshuan kërkesat për shkarkimin e presidentit Thaçi për fshehje të sekretit shtetëror!
Mbase një marrëveshje e tillë edhe mund të mirret shkas si për inicimin e mocionit për shkarkimin e presidentit Thaçi, kur dihet që janë më shumë se një marrëveshje të nënshkruara në Bruksel që e ngarkojnë me përgjegjësi politike Hashim Thaçin.
Por, fillimisht duhet sqaruar se marrëveshja e nënshkruar në Bruksel, që FSK të mos shkojë në Veri pa marrë leje nga KFOR-i nuk është sekret, por realitet i hidhur për Kosovën.
Prandaj, këtu nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj zbulimi të sekretit, por të dokumentit që ekziston prej kohësh në sirtarët e KFOR-it dhe të qeverisë së Kosovës.
Për t’i vërtetuar gjërat akoma më tepër dhe më qartë, Albin Kurti duhet të shikoj marrëveshjen më të re në mes NATO-së dhe FSK-së me rastin e fillimit të procesit (10 vjeçar) të transformimit të FSK-së në ushtri, në dhjetorin e vitit 2018, e cila përcakton qartë kompetencat e FSK-së, e tek pastaj të flet për zbulim “sekretesh”.
Kosova edhe pse e shpallur si shtet i pavarur dhe sovran, tani e 12 vjet nuk e ushtron sovranitetin e plotë në veri të vendit shkaku i Rezolutës 1244 dhe rolit të KFOR-it si garantues i vetëm i paqes dhe sovranitetit të Kosovës sipas rezolutës në fjalë.
Publikimi nga ana e kryeministrit Kurti e marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel që FSK të mos shkojë në Veri pa marrë leje nga KFOR-i, është vetëm fillimi i ballafaqimit të Kurtit me realitetin e krijuar në Kosovë pas 17 shkurtit 2008, përkatësisht pas fillimit të dilaogut Kosovë-Serbi në Bruksel, ku janë nënshkruar një mori marrëveshjesh akoma më të dëmshme për shtetin sesa marrëveshja për mos shtrirjen e FSK-së në Veri.
Rrëshqitjet e Kosovës nga dialogu i pabarabartë
Nga procesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë i filluar me 8 mars 2011 si i ashtuquajtur si dialog teknik, i kthyer në dialog politik me 19 tetor 2012, nga ajo kohë e deri më tani janë arritur 33 marrëveshje.
Dialogu i pa barabartë dhe pa kushte mes Kosovës dhe Serbisë, i ka shërbyer dhe i ka shkuar për shtati vetëm njërës palë. I ka shërbyer me të madhe Serbisë për rehabilitimin e krimeve të kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë si dhe përafrimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Për dallim nga Serbia, Kosova jo vetëm që nuk ka përfituar diçka me vlerë, është dëmtuar në shumë aspekte.
Nga kalimi i dialogut teknik në dilaog politik, Kosova ka pranuar rrëshqitjen drastike nga shtetësia e saj, duke e pranuar fusnotën * në vend të emrit Republikë, pra denominimin e vetëm si ‘Kosova*’ në të gjitha përfaqësimet e Kosovës në takimet rajonale dhe ato ndërkombëtare, përkatësisht në takimet e Kosovës me institucionet e BE-së të bëhen jo si shtet i pavarur, por si subjektivitet sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.
Momenti tjetër kulmor i rrëshqirtjes së Kosovës nga shtetësia e saj vjen me marrëveshjen e 19 prillit 2013, përkatësisht të 25 gushtit 2015, ku liderët shtetërorë të Kosovës (Hashim Thaçi e Isa Mustafa) e nënshkruan marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive, e cila e shkelë sovranitetin dhe cenon integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Edhe përkundër arritjes së 33 marrëveshjeve teknike dhe politike në Bruksel, Serbia nuk e ka zbatuar në plotni asnjërën prej marrëveshjeve të arritura, ndërsa Kosova i ka plotësuar të gjitha pa asnjë hezitim.
Kjo situatë paradoksale, e ka motivuar Serbinë që në vahzdimësi t’i vëjë kushte të reja Kosovës, si dhe ta pengojë në të gjitha nismat e anëtarësimit në UNESCO dhe INTERPO, e të mos flasim sa shumë e ka larguar Kosovën në rrugën e anëtarësimit në BE dhe OKB pas tërheqjes së 18 njohjeve nga shtete të ndryshme të botës!
Të mos bëhet taksa mollë sherri për përqarje të brendshme
Pavarësisht faktit se vënja e taksës ishte bërë kokë në vete nga ish kryeministri Haradinaj apo në koordinim me ish partnerët qeverisës, heqja eventuale e taksës nuk guxon të ndodhë kokë në vete. Përveq koordinimit mes partnerëve të koalicionit qeverisës, duhet koordinim edhe me opozitën dhe faktorët tjerë relevant vendor.
Anashkalimi dhe mos pjesëmarrja eventuale e opozitës në një temë kaq të ndjeshme, mund të shkaktojë dëme të pariparueshme në planin e brendshëm dhe e dobëson pozicionin e Kosovës në finalen e bisedimeve me Serbinë.
Vetëm uniteti politik dhe një ekip gjithëpërfshirës në bisedime mund të sjellë rezultatet e pritura dhe ruajtjen e raporteve të mira me faktorin ndërkombëtar.
Për arritjen e çfarëdo marrëveshje nuk mjafton vetëm vullneti i mirë i njërës palë. Do të ngelet krejtësisht i pamjaftueshëm vullneti i mirë dhe gatishmëria vetëm e Kosovës për normalizim të marrëdhënjeve dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.
Për këtë duhet të dëshmohet edhe vullneti i palës tjetër, në këtë rast e Serbisë, e cila paraprakisht çdo gjëje, duhet ta bëj kërkimfaljen publike për të gjitha të bëmat ndaj popullatës shqiptare para dhe gjatë luftës në Kosovë, për të vazhduar me pagimin e dëmeve të luftës, kthimin e fondit të grabitur pensional, artefakteve e shumçka tjetër.
Taksa duhet ta ketë një çmim
Meqë po kërkohet me ngulm nga BE dhe SHBA heqja e taksës para rifillimit të dialogut me Serbinë, pse të mos e shfrytëzojmë rastin, që edhe ne të marrim diçka në këmbim të taksës; bie fjala, nga BE-ja të kërkojmë liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë apo nga SHBA-ja të kërkojmë që të inicojë në KS të OKB-së nxjerrjen e një rezolute të re që hedhë poshtë Rezolutën 1244 e Këshillit të Sigurimit, e cila e njehë Kosovën si pjesë të Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë.
Sikurse BE-ja ashtu edhe OKB-ja janë përgjegjëse për izolimin 21 vjeçar të Kosovës dhe 12 vjet si shtet i pavarur. Nuk është koha të merremi me njëri-tjetrin, as ta luajmë lojën e “patriotit” e “tradhtarit”, por të ballafaqohemi me realitetin e krijuar në shtetin në inkubator.
Kosova me protektorat ndërkombëtar tani e 21 vjet më parë, si dhe 12 vjet të shtetit të njohur ndërkombëtarisht, po mbahet e vetme në izolim të hekurt nga bota e lirë dhe demokratike.
Të mos provohet tani pas gjithë këtyre viteve të zbulohet “uji i nxehtë”, por të provohet të ndryshohet realiteti i krijuar në shtetin me sovranitet të dyfisht.