Nën darët e dhunës pa alibi

0
330
Agjentët - ilustrim

Nga Diadema Stil

Në vend të mendimit të lirë dhe lirisë së zgjedhjes së alternativës, me anë të dialogut dhe ballafaqimit të alternativave, kasta e vazhdimësisë neokomuniste ka zgjedhur presionin dhe shantazhimin, si mjete të përgjunjës së kundërshtarit dhe tkurrjes së dimensionit opozitar të shoqërisë.
Ervis Belsija, mësues, përkrahës aktiv i opozitës, është njëri nga dhjetëra të ndëshkuarit për shkak të bindjeve të tij politike, të cilit i është treguar “gjuhëve e dhëmbëve”, e vetmja gjuhë që di mazhoranca dhe pushteti aktual ndaj kundërshtarëve politikë.

Presionet dhe dhuna psikike e fizike ndaj tij janë shtuar dhe kanë kulmuar pas pjesëmarrjes së tij në protestat e studentëve në Shkodër dhe shoqërimin që iu ka bërë dy liderëve opozitarë, Bashës dhe Kryemadhit.

Gjithçka nisi si një sherr i improvizuar në çast me një koleg të tij, duke e hequr më tej nga puna dhe duke iu nënshtruar nga një kalvari gjyqesh të pakupimtë, nën presion, shantazh dhe kërcënim të vazhdueshëm.

Ervis Belsija, nga Shkodra, ditën e premte, më 09.11.2018, është provokuar dhe goditur nga një koleg i tij, duke i sajuar një precedent penal, pa qënë ai fajtor, por provokatori dhe të tjerët ndaj tij ia kanë inskenuar gjithçka, vetëm për faktin se ai është përkrahës i opozitës e konkretisht i LSI-së, qëndrim që për ambientin mbytës të krijuar nga “Rilindja” në Shkodër, përbën një herezi të rëndë dhe duhet ndëshkuar egër, siç dhe ndodhi. E heqin nga puna pa asnjë motiv real, dhe me gjithë protestat e nxënësve dhe të banorëve, jo vetëm që nuk e rikthejnë në punë, por ngrejnë ndaj tij një mori akuzash, në gjyqe të sajuar me ngut dhe nuk mund të fshihet dot qëllimi për të gjunjëzuar një opozitar.

Gjatë periudhës së pritjes për t’u rikthyer në punë, i vijnë rresht disa telefonata, ku persona anonimë, në numra me thurje, e kërcënojnë me jetë atë dhe familjen e tij.

Me date 24.2.2020, ora nëntë e tridhjetë minuta, në vendin e quajtur Dobraç, kur po kthehej nga një kafene, në shtëpi, Ervisit i kanë dalë përpara dy persona të zbritur nga një motor pa taraga dhe pasi e kanë kërcënuar me jetë, duke e goditur me sende të forta, janë larguar me nxitim. Pasi ka qëndruar disa kohë në gjendje kome, në rrugë, ashtu i përgjakur dhe nën terror psikik e fizik, ka mundur me vështirësi të shkojë tek shtëpia e një banori të lagjes dhe t’i telefonojë ambulancës së spitalit Shkodër. Pas një ore, në spital ka arritur e alarmuar bashkëshortja e tij, Sibora Belsija. Gjithashtu, Sibora Belsija ka marrë një telefonatë kërcënuese, nga një numër anonim, duke e kërcënuar me jetën e saj, të bashkëshortit dhe të fëmijëve. Gjithashtu, ajo ka pasur kërcënime dhe në vendin e punës, duke ua bërë dy bashkëshortëve dhe fëmijëve të tyre, të pamundur jetën në një qytet dhe në një vend, ku tashmë dihet për lidhjet e forta që ka një pjesë e politikës me botën e krimit.

Jeta në familjen e Ervis Belsija është bërë stresante dhe ankthioze, jo vetëm për shkak të humbjes së vendit të punës të kryefamiljarit, sagës së gjyqeve të sajuara, por mbi të gjitha, për shkak të këtyre presioneve e shantazheve të vazhdueshme, ku shfaqet gjuha e një dhune të egër, e nxitur dhe frymëzuar nga korridoret më të errëta të një politike pisqollë, që kundërshtarin e konsideron armik dhe e lufton njësoj siç bënte Diktatura me disedentët dhe kundërshtarët, në vitin ’46.

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar