FASLLI HALITI
Replikë me një të burgosur politik, që më ka quajtur jo vetëm poet Oborri, por dhe Apostull të Marksizëm-Leninizmit, pa iu dridhur qerpiku, edhe pse unë u dënova me punë të detyruar, 4 vjet në Kooperativë e 6 vjet në Komunale, për riedukim përmes punës së krahut.
S’KAM QENË SHKRIMTAR OBORRI
Siç më quan një i burgosuri politik dhe nuk jam dënuar «PËR MOTIVE BRUTALE DHE UVLGARE» siç shpif i burgosuri, por jam dënuar neto për letërsi për gabime ideologjike dhe politike në poemën «Dielli dhe rrëkerat». Këtë e di Kadareja dhe Dritëro Agolli, dhe gjithë qyteti im e gjithë vendi, përse jam dënuar unë dhe jo siç shpif i burgosuri në mënyrë ordineer me zë e me shkrim ditën për me diell.
E djelë, 01.05.2014, 08:15am (GMT+1)
* * *
Për më shumë se dhjetë muaj kam duruar një kritikë për mua më shumë se sa për poemën time “Dielli dhe rrëkerat”, me titullin: “Shkrimtarët e oborrit, në garë servilizmi ndaj diktatorit Hoxha”, ku mua më fut si poet të oborrit. Ju pyes. Po të kisha qenë poet Oborri, a do të më çonte vallë Oborri në orizore për të bërë kavalle orizi që të plehëroja me mut e me shurrë grunjërat e kooperativës së Fier-Sheganit. Përkundrazi, pse s’isha i tillë, qesh nga të rrallët në mos i vemi që në gjithë atë rrëmet më piu e zeza: 4 vjet në Kooperativë Bujqësore: 1973-1977, si dhe gjashtë vjet në Komunale: 1977-1983.
Nuk më vjen keq për “autorin” e kritikës shpifëse. Kuptohet sheshit që ai që është i ndërsyer nga persona të një celule kolere dhe ka pranuar të bëhet ushtar i kësaj celule apo “i skuadrës” të pushkatimit tim poetik. Po të mos ishte i tillë s’kishte pse të merrej me mua si njeri, por të merrej me krijimtarinë time. Ai, as zërin s’ma ka dëgjuar si e kam: bas apo tenor. Dhe s’ka si ta di gjersa s’ka folur, qoftë edhe një sekondë ose të ketë pirë një kafe me mua, për të zbuluar të ‘zezat’ e mia e të shpifte pastaj urbi et orbi për to me një nervozizëm apo qetësisht.
Por edhe nervozizmin ‘kritiu’ s’e ka të vetin, por të celulës nepotiste që e prekur nga poezia ime që e goditi në vitet ’70 nepotizmin partiak e pushtetar lushnjar. e është pikërisht kjo celulë që e ndërsen këtë biçim kritiku kundër meje. Më vjen keq për gazetën që lejon absurditete të tilla, që lejon futjen në një thes të grurit dhe egjrës. Epo jemi në Demokraci de, do të thoni ju. OK. Por demokracia nuk është yrrja-byrrja. Demokracia presupozon rregullin, disiplinën. Nuk është haje qen, e merre dosë. Si mund të shpifet për krijuesin që mëton të kënaq, të emancipojë shoqërinë me artin e vet, pa ia bërë syri terr shpifarakut, killerit.
Pse fare pa mbrojtje qenkan njerëzit, pa siguri? Aq më tepër krijuesit. Amerika ndërhyn kur sheh që nëpërkëmben të drejtat themelore të shtetasve të X e Y vendi nga diktaturat apo diktatorët dhe mbron demokracinë. Po gazeta a nuk e ka këtë obligim. Gazeta ilumininon, nuk nxin jetën e njerëzve, nuk trazon psikikën e tyre. Përkundrazi i qetëson. Ndryshe nuk do të quhej pushteti i katërt. Për nga forca dhe impakti shtypi mund të renditet fare lehtë në ballë të pushteteve. Ata që i kanë gazetat, t’i përdorin për prozhektor përndritës e jo si kobure për të shqetësuar e trembur njerëzit apo si zizifët për të nxirë këdo që ka inat.
Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare
Unë nuk do të merrem me gjithë analizën e kritikës për poemën time ‘Dielli dhe rrëkerrat’; sepse, e para, ajo nuk është kritikë, por e tëra shpifje dhe e dyta, poema është kritikuar njëherë nga diktatura si një vokacion apo aspirim për demokraci. Pikërisht për një aspiratë apo vokacion të tillë m’u rrop lëkura dje në diktaturë, si mund të më rripet prapë lëkura mua të rrjepurit? Pse dy lëkura paskam unë? Unë do merrem vetëm me dy shpifje duke i ballafaquar ato me të vërtetën.
SHPIFJA E PARË: Haliti nuk u dënua për letërsi
“…Haliti nuk është dënuar për letërsi, me punue në kooperativë, por për motive të tjera, brutale dhe vulgare”. Së pari. Pa m’i thuaj pak cilat janë këto motive brutale e vulgare për të cilat flet fluturimthi, në erë t’i zoti “kritik”. Unë vetë nuk i di. Dhe veç teje zoti “kritik”, askush s’flet për motive të tilla. Dënimi im për gabime ideopolitike në krijimtari e sidomos në poemën, u bë në mes të mexhlisit, në ditë për diell e me zë të lartë nga shtypi e media elektronike e kohës. Së dyti. Kjo shpifje idiote, absurde nuk ka nevojë për përgjigje, pasi dihet botërisht shkaku i dënimit tim me punë të detyruar në Kooperativë e Komunale. E di Dritëro Agolli, e di Kadareja, e di gjithë qyteti im, Lushnja, e di Plenumi IV i KQPPSH.
Unë këtu do bëj vetëm një ballafaqim me fotot që afishohen poshtë të cilat flasin më mire, më saktë, më qartë, pse u dënua poeti Haliti. Si i sheh “kritiku” këto foto? Mos vallë si foto në një ekskursion, si foto në plazh, dhe në ç’plazh se: 4 vite në Kooperativë dhe 6 vite në Komunale. Gjithsej 10 vjet konvaleshencë nën Diellin e poemës sime zjarr përvëlues, jo për të tharë rrëkerat, por për të më djegur autorin. Mua. Ky po që është “plazh!”… Nuk e shikon se ç’brozaturë kam marrë unë? Të faleminderit o Diell i Poemës sime që më re në kokë e më nxive si kotorr mua e nuk thave e nuk po i thanë ende rrëkerat që vërshojnë të tërbuara gjithandej.
Ja pra, konvaleshenca ime në kooperativë; ku hapa kanale, vija kulluese; ku bëra kavalle në orizore; ku vadita, prashita, plehërova me mut e me shurrë grunajat; ku korra misër, grurë, ku korra oriz; vola domate, qepë dhe, pambuk; ku ngarkova qerret me dega si asnjë poet tjetër i dënuar pastër vetëm për krijimtarinë e tij, vetëm për poezitë e tij thellësisht realiste, inkonformiste, vetëm për motive të pastra krijuese dhe për asnjë lloj motivi tjetër extraletrar, sIç shkruan në paskvilin e tij të famshëm, “Poema e mallkuar, “shkrimtari dhe regjisori Tahsim Xh Demiraj,
SHPIFJA E DYTË: Haliti trillonte kundër krijuesve
“Në vitet 1970, 1980, Lushnja kishte mjaft djem dhe vajza letrare të mrekullueshme, por Haliti trillonte kundër tyre».Këtë shpifje të tipit të rrëfimit e denoncimit në polici, unë e hedh poshtë me përbuzje duke e ballafaquar në mënyrë elegante dhe elokuente me këtë poezi timen, shkruar dhe botuar në vitet ’70 për dy krijuesit më të talentuar lushnjarë, me të cilët s’më ndante as nata as dita, sepse s’mbaronin diskutimet dhe vlerësimet tona për njeri-tjetrin, për artin, poezinë, muzikën, pikturën:
MIDIS NXËNËSVE TË MI
Fatbardhi unë Visari
Unë qëndroj midis jush
Si për nga ana estetike
Si më i shkurtër nga ju
Dhe aspak si mësues.
Kjo poezi, si dhe disa poezi të tjera të miat, konsideroheshin në vitet ’70 formaliste e gjysmë formaliste, sidomos të tilla u konsideruan edhe në kritikën apokrife të 10-të gjimnazistëve, botuar në gazetën lokale “Shkëndija”, më 25 janar 1973 A nuk kam të drejtë unë të mburrem me dy poetët e rinj që sot janë bërë të njohur: me Visari poet e shkrimtarë i shquar. kurse Fatbardhi shkrimtar, dramaturg e eseist i shquar.
* * *
Për marrëdhëniet e mia me krijuesit lushnjarë, flet dhe kjo poezi imja botuar në fortesic të librit poeik të poetit Sh.Bali
JU MEDIOKËR
Mediokër,
Hiqeni zhurmuesin
Nga maja
E malit,
Mos ia prishni ekranin poetik Sherif Balit!
FAXIMILE E LIBRIT TË POETT BALI
Kjo poezi imja, është vendosur në kopertinën e librit të parë të poetit të ri, Sherif Bali, por për marrëdhëniet e mia me krijuesit lushnjarë flasin edhe këto tre shkrime të krijuesve lushnjarë dhe këto dy faksimile të shkrimeve të dy krijuesve po aq të talentuar sa dy të parët: Sherif Bali, kulak dhe i ndjeri Vladimir Çuni, komunist liberal, të botuara te dyja në gazetën «Ora e fjalës» të qytetit të Lushnjës.
“Faslli Haliti, mik i kulakut Nr. 1. Sherif Bali“
NGA FASLLI HALITI MËSUAM TË REBELOHEMI
2 faximile të shkrimeve të kulakut Sh. Balit e komunistit V. Çunit
1. VATH KORRESHI
MOSMIRËNJOHJE?
Këto ditë poeti Faslli Haliti mbushi 70 vjeç. Një përvjetor, të cilin, siç e besoj, e ka pritur me mendimin se diçka do të bëhej e diçka do të thuhej për të. Të paktën dikush do t’i thoshte: Edhe njëqind, Faslli! Ke jetuar e ke punuar 70 vjet dhe ke jetuar e ke punuar me nder dhe me faqe të bardhë. Por asgjë dhe nga askush! As nga Lidhja e Shkrimtarëve, ajo që ka mbetur dhe ashtu siç ka mbetur, anëtari i së cilës, siç shënon vetë autori në librin e tij më të fundit «Kaq», është qysh prej vitit 1969. kurse Faslli Haliti, gjë që e dëshmojnë edhe kritika dhe lexuesi, është ndër autorët e rëndësishëm të letrave shqipe. Veç puna është te referencat. Ku t’i gjesh këto referenca në këto kohë në shkorretin e madh të jetës sonë letrare?
Në Shqipërinë e ekonomisë së tregut, edhe letërsia, fatkeqësisht, nuk i ka shpëtuar dot filozofisë së kësaj ekonomie. Parimi se malli im është më i miri, pra ecni dhe blijeni, vepron dukshëm edhe në këtë fushë, duke e kthyer marrëdhënien e artit dhe të kulturës me publikun në një bakallhane. Në këtë merkato tezgash të librit ka një dendësi dhe kaos të tillë të paparë, saqë është vështirësi e jashtëzakonshme të orientohesh për të gjetur vlerat. Tashti gjithçka që shkruhet vlerësohet me superlativa.
Kaosin e shtojnë edhe mënyrat që gjenden për ta shitur mallin më shtrenjtë. Tendenca është mbizotërimi i letërsisë së miqve, domethënë trumbetimi i veprës nga miq të autorit. Këta trumbetarë i gjen ndër miq të autorit këtu në Shqipëri dhe ndër miq të autorit në të katër anët e botës. Njerëz që paguajnë për propagandë e publicitet nëpër gazeta e nëpër televizione këtu në Shqipëri dhe në katër anët e botës. Autorë që të bëhen ferrë për t’i botuar, për t’i përkthyer e për t’i lançuar si talente të mëdha këtu në Shqipëri dhe në të katër anët e botës. Që mezi presin të kenë një rast për t’i shpallur «Nderi i Kombit», «Mjeshtri i madh»*, etj. dhe që pastaj të tundin dheun nëpër ekrane e nëpër gazeta me lavdinë e tyre. kurse kredoja e poetit Faslli Haliti është:
Me autobusin e poezisë sime
Drejtpërsëdrejti
Po ngjisja majën e drejtësisë.
Dikush më pa,
Qeshi
Dhe tha:
Ngjitet drejtpërsëdrejti majën e drejtësisë?
Bjeri
Zigzag
Me kthesa,
Anës, anës,
Siç i bie autobusi
Qafës së Thanës.
E dëgjova dhe unë
Dhe qesha:
Do ta ngjis, i thashë,
Pa kthesa.
Por ka kohë që kredo të tilla janë shkërmoqur nga shumëkush. Është shkërmoqur interesi për jetën dhe për punën e artistit, që e shikon misionin e tij si një pikë të lartë, drejt së cilës duhet synuar me ndershmëri. Është një përçarje e jashtëzakonshme kjo që na ka ndodhur, një tejskajshmëri e paparë e indiferencës ndaj njëri-tjetrit, e institucioneve të kulturës e artit, e shtetit dhe e shoqërisë ndaj artistëve dhe njerëzve të kulturës. Kjo shkërmoqje ndaj vlerave të vërteta dhe ky nënçmim ndaj artistit ka sjellë dhe sjell çdo ditë e më shumë një inondatë, së cilës i janë hapur të gjitha portat nga vërshojnë ujërat e pseudoartit dhe të pseudokulturës, e shumimit të sofistikimeve dhe mënyrave për të kapur majat me rrugë jashtëletrare, në vend që të shtojnë përpjekjet që këto maja të arrihen duke përsosur kërkimet për nivele të larta në art. Është shkërmoqur solidariteti, kohezioni shpirtëror midis njerëzve që krijojnë artin, ato janë zëvendësuar me armiqësi, me akuza denigruese karshi njëri-tjetrit,shpesh nga ata që kërkojnë t’i arrijnë qëllimet e tyre të merkatos, duke iu ngjitur të përpjetave:
Bjeri
Zigzag
Me kthesa,
Anës, anës,
Siç i bie autobusi
Qafës së Thanës.
Në këtë mënyrë punët e vlerave ngatërrohen aq shumë, saqë për një poet si Faslli Haliti të mos kujtohet kush se i duhet thënë faleminderit në raste të tilla të shënuara, siç është një përvjetor i lindjes. (Gazeta Temp, 11 dhjetor 2005)
*Dhe shqetësimi i shkrimtarit Vath Korreshi për ndeimin e vlerësimin e poetit F. Haliti, u realizua. Me rastin e 75-vjetorit poetit Faslli Haliti iu dha Urdhri «Mjeshtër i Madh» nga Presidenti i Republikës.
2. SHERIF BALI poet e kulak shkruan për poetin Haliti:
FASLLI HALITI, MIK I KULAKUT NR. 1, SHERIF BALI
PROLOG
Dikur, në një libër përrallash të popujve të ndryshëm, kam lexuar për një mbret plak që donte të bëhej përsëri 20-vjeçar e të martohej me të Bukurën e Dheut. Por ajo dashuronte një djalë. Mirë, i thotë e Bukura e Dheut mbretit, unë të marr, nëse bëhesh i ri, por për këtë duhet të futesh në një kazan me qumësht të valuar. Ai ka vetinë që nga plak të të bëjë përsëri 20-vjeçar. Yrysh atëherë plaku drejt e në kazanin me qumësht të valuar që të bëhej i ri, por futet edhe s’del më prej tij, dhe e bukura e dheut mori atë që donte.
Miku i kulakut
Kohët e fundit po flitet shumë për Faslli Halitin, si nëpër rrugët e Lushnjës, ashtu dhe në media, por më duket askush më shumë se unë nuk ka të drejtë të flasë për të, qoftë edhe për këto ngjarje që do të tregoj më poshtë.
Ishte afërsisht mesi i vitit 1969. atë vit mbarova gjimnazin. Shikohesha si një nga kulakët më të rrezikshëm. Shkalla e rrezikshmërisë politike për ne bijtë e të deklasuarve matej dhe me anën e bursës, nëse të dilte bursa për shkollë të lartë ishe bërë i dobishëm për diktaturën dhe ta donte shërbimin, nëse s’të dilte-ishe endi i rrezikshëm për të. Mua s’më doli. Pra isha një nga më të rrezikshmit. Një nga kulakët nr. 1. si ç’thashë më lart, në një nga këto ditë të vitit ’68, më vjen një ftesë nga poeti Faslli Haliti.
Diskutohej në shtëpinë e kulturës në Lushnjë vëllimi i tij poetik «Sot». Shkova. Në sallë – auditori. Në tribunë presidiumi me në krye e Preshin, Sekretarin e Partisë! Aty nga fundi i diskutimeve, pas shumë kritikave që iu bën librit-dhe pse për të kish shkruar një shkrim pozitiv gjeniu Kadare, u ngrita unë dhe thashë fjalën time. Një gjethe lakre. Zgjati qafën dhe diç i foli Preshit në tribunë.
Kush? Biri i kulakut të na jap mend ne? Uluriu ai dhe u ngrit në këmbë. Jashtë!
Faslliu atëherë ishte 33 vjeç, sa Krishti-mjaft i ri.
Po dhe mbas kësaj ai s’u largua nga unë. Dilte sheshit shëtitje me mua. Më ’72-shin u botuan vjershat e famshme të Faslliut, «Djali i sekretarit», «Njeriu me kobure», më 1973 ai i drejtoi topat kundër Bastijës ( Burokracisë Komuniste», «Dielli dhe rrëkerat».
Të prishi armiku i klasës!, tha Preshi. S’të thamë ne që të ndaheshe nga kulaku? Dhe e qëlluan brinjë më brinjë me një copë Myzeqe. Por përsëri ai s’u nda nga unë. Atëherë Faslliu ishte 37 vjeç, sa Pushkini. Ende mjaft i ri.
EPILOG
Tani, pas 20-30 vjetësh dalin mjaft mbretër të plakur dhe hidhen në kazanin me qumësht të valuar për t’u bërë të rinj që të marrin nuse të Bukurën e Dheut.
Hidhen në kazan, por a do të dalin prej andej të rin?
Faslliu ? Faslliu s’ka nevojë të hidhet në kaza në këtë moshë. Ai u hodh kur ishte i ri, në moshën e Zeusit e të Pushkinit. E bekoftë Shqipëria!
( Gazeta “ORA E FJALËS”, 25 maj, 1996 )
3. VLADIMIR ÇUNI poet e Komunist
Nga Faslli Haliti mësuam të rebelohemi
Një «ekspert» i politikës së kafeneve bëri një ditë zbulimin e habitshëm:
Ç’vepra ka Faslli Haliti?
Nuk po përmend vëllimet poetike, as poemën që e degdisi kanaleve, as çmimet kombëtare, as ciklet e shumtë të këtyre 3 viteve të fundit, që padyshim përbëjnë korpusin e vëllimeve e tre vëllimeve poetike, por të përmend veprat krejt të veçanta që më kanë mbetur në mendje:veprën e parë do të përmendja atë me
Me skulptorin M. Bushi
Faslliu e nisi skulptorin Maksin në rrugën e magjishme të artit. «Poeti i çuditshëm myzeqar», siç e ka quajtur Dritëro Agolli, Sherif Balin, është vepra e dytë e Faslli. Sherifi u rrit si poet përkrah tij, jo pak, por 30 e ca vjet. Në zemrën e profesorit Sherifi kishte poltronin e tij, nuk e braktisi kurrë edhe në ditët më të vështira, që kaluan bashkë.
Fatbardh Rustemi e Visar Zhiti, dy nxënës dhe miq të vjetër. Dy poetë, dy shkrimtarë, dy fate në jetë, dy vende në zemrën e Faslliut, që askush nuk mund t’i zërë. Besim Golemi dhe Bujar Xhaferri, njëri piktor, tjetri poet e gazetar i fuqishëm. Luan Boriçi, piktor i vlerësuar, këtu, në Itali, Rumani e gjetkë. Gëzim Hajdari, Vasil Bozo, Shpend Sallaku, poetë me dinjitet e zërin e tyre, janë miq të Faslliut. Poetesha simpatike Eva Dori, Miranda Meta e Aida Qorri, dhjetëra piktorë fluturuan nga «foleja» me emrin Faslli Haliti.
Faslliu shpesh ka trokitur tek të «mëdhenjtë» për t’i futur në rrugën e përkrahjes lushnjarët e talentuar. Në kujtesën time ruhet një kasetë, le të kthejmë shiritin:
Ismail Kadare: Hë Faslli ç’vjersha ke sjellë sot?
Faslliu: S’kam ardhur për vete, Ismail. Kam sjellë një djalë të talentuar, e ka emrin Sherif Bali, ka poezi brilante. Botojani vjershat.
Skënder Kamberi: Përse më solle në Lushnjë, Faslli?
Faslliu: kam një surprizë, eja shiko pikturat e një e një nxënësit tim. Besim Golemi e quajnë. Ka art të magjishëm, ta ndihmojmë Skënder!
Dritëro Agolli: Pse ke ardhur, Faslli?
Faslliu: për Visarin, Fatbardhin, Sherif Balin, Bujarin, për…
Me krijuesit Sh.Sallaku, S. Sallabanda, B. Xhaferri, F. Rustemi, Sh. Bali
Thoma Deliana: ( ish ministër i arsimit): Tre herë më ke ardhur Faslli, ç’e ke ti atë Visarin? Pse interesohesh aq shumë për bursë
për të?
Faslliu: Visari është i talentuar, shoku ministër, ndihmojeni! Dhe Faslliu asnjëherë nuk kërkoi për vete, nuk u bë as inspektor kulture, as drejtor shkolle, as…, kur një duzinë nga ata ishin me shkollë nate.
Nuk më hiqej nga mendja përcaktimi i poetit Bujar Xhaferri: Nga ti Faslli, ne mësuam si të rebelohemi, kundër së keqes për përsosjen e së mirës!
“Ora e Fjalës”, 20 maj, 1996
4. BESIM GOLEMI
(Letër, fragment )
Me krijuesit Besim Golemin e F. P.
«Nëna më ka ushqyer me qumështin e saj, kurse ju, profesor Faslliu, me qumështin e artit tuaj.»
Albana Kasapi ( fragment nga letra dërguar prof. Faslliut )
Gazeta “Ora e fjalës”, 1994