A PO NA NDODH TËRBIMI KOLEKTIV – I QUAJTUR “MARRËVESHJE”?

0
514
Ibrahim Kelmendi - Shenasi Rama

Dr. Shenasi Rama vs. Ibrahim Kelmendi

(debat)

Para dy ditëve (më 23 shkurt 2019), Politologu shkodran Shenasi Rama, – bashkë-organizuesi i protestave të studentëve në Tiranë në dhjetor 1990 dhe tani ligjerues në Universitetin Publik të New York’ut, – publikoi shkrimin që po e sjell në vazhdim.

Me shkroi në privat parmbrëmë, t’ia lexoja shkrimin dhe të bëja vlerësimin.

Rëndom, gabimet e shumta, sidomos ato tipografike (meqë drejtshkrimin nuk e zotëroj), më pengojnë gjatë leximit. Prandaj kopjova tekstin që të mund ta korrigjoja gjatë leximit dhe t’ia preferoja Mikut Shenasi ta riafishonte, me më pak korrigjime.

Dhe meqë ma kërkoi disa herë mendimin për shkrimin, me mendim se është humor shkodran, i shkrova:
Më lehtë do ta haja një krah me therra, se sa ta lexoja deri në fund.”

Filluan grindjet. Fatmirësisht në privat. Kur u lodh, me bllokoi.
Mbrëmë më debllokoj prapë, për të më pyet, nëse ia kisha dërguar dhe e kishte publikuar shkrimin ndonjë portal. Pyeti prapë, përse nuk kisha shkruar ende vlerësim. Për të mos thënë troç, se kisha preferuar të hesht, meqë shkrimi nuk më kishte pëlqye, e ai do të hidhërohej më shumë, taktizova: “Meqë më pate bllokuar, nuk pata mundësi komunikimi më, me shkrimin as me Ty.” Ai me sqaroi se praktikonte mbylljen e përkohshme të profilit të tij në FCB, që ta linin të qetë. Dhe prapë më bllokoi, pa përfunduar sqarimet mes nesh.

Meqë një mikeshë me ka ofruar mundësinë, t’i shoh profilet e atyre që më bllokojnë, e përdora dhe pash se Miku Shenasi nuk e kishte mbyllë faqen e tij në FCB, siç më kishte mashtruar, por më kishte bllokuar mua.

Kaq për sqarim “teknik“, përse e afishova këtë shkrim të Mikut Shenasi, të cilin po e (dis)kualifikoj si shumëzues të “tërbimit” kolektiv, të quajtur “marrëveshje”.

Lus që ta informon ndokush Shenasiun, se këtu ia publikova shkrimin, të shoqëruar me këtë pak informacion.

* * *

Shenasi Rama:

PËR RREGULLIMIN E MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-SERBE DHE TË ARDHMEN E KOSOVËS

(një temë për debat)

Në një shkëmbim që kisha dje me një nga figurat më të spikatura të rezistencës shqiptare në Kosovë qysh në vitet 1980, Ibrahim Kelmendi, iu hymë disa temave që janë tejet delikate dhe problematike. E natyrisht dolëm tek problemi i marrëdhënieve dhe marrëveshja me Serbinë dhe posaçërisht problemi i taksës, problemi i marrëdhënieve me SHBA, problemi i besueshmërisë së disa figurave politike, problemi i rolit të Shqipërisë dhe i udhëheqësve të saj si dhe rrugët e zgjidhjes. Unë ka kohë që jam shkëputur nga problemet e Kosovës. E kam nxjerrë se fundi një libër me këtë temë, por nuk ka fort interes dhe unë nuk merrem me politikë.

Megjithatë, ia premtova Ibrahimit se do të bëja një shkrim për këto gjëra, më duhet me e mbajtë fjalën. Po mendoj se duhet me thanë diçka, jo se po më pyet njeri mua, por sepse kam shumë vite, që jam marrë me këto probleme. Ndoshta nëpër të, edhe mund të ketë ndonjë mendim që vyen sepse si thotë miku, edhe “provokimi shpaguen.”

FATI I VENDEVE TË VOGLA VARET NGA FUQITË E MËDHA

Tani në fillim duhet thënë se megjithëqë dallimet e theksuara, si shtete të vogla, si Serbia ashtu edhe Kosova janë tërësisht të varura nga vullneti i Fuqive të Mëdha që i mbështesin. Një shtet ekziston sepse një Fuqi e madhe e mbron. Kjo ndodh me shtetet kufitare në zonat e influencës, dhe kufiri europian midis SHBA dhe Rusisë kalon në Merdare dhe në Mitrovicë. Nga një anë është Bondsteel, nga ana tjetër është Qendra “Humanitare” Ruse në Nish dhe baza serbe në Medvegje dhe rusët në Bujanovc. Pavarësisht se BE dhe Gjermania kanë kontroll mbi aspektet ligjore e ekonomike, përmes EULEX, kjo është e pjesëshme. Në planin politik, ushtarak e diplomatik, kjo marrëdhënie strategjike që e bën Kosovën shesh beteje me rëndësi strategjike të dorës së parë, kushtëzohet nga dy superfuqitë ushtarake që kanë interesa jetike, që herë përplasen pa u bërë luftë e herë pajtohen pa u pajtuar tërësisht.

Një nga këto marrëdhënie paradoksale është ajo midis Serbisë dhe Kosovës, që tashmë është problematizuar edhe më shumë. Rusët e humbën Maqedoninë por do të bëjnë gjithçka që të mos humbin Serbinë dhe po mundën të shkërmoqin Malin e Zi sa t’iu jepet mundësia. Në këtë përplasje, e përputhje të rastësishme interesash, Kosova e gjen veten në një situatë të vështirë.
Gjendja është, pak me thanë, kritike. A kanë faj politikanët? Po natyrisht që kanë e kanë shumë faj. Edhe e ashtuquajtura shoqëri civile ka faj. Edhe ata që shiten si mendimtarë dhe bëjnë punën e tjerakujt me gazeta e me media të tjera, kinse politikanë me klas, kanë shumë faj. Por si gjithmonë, faji është kopil, qyrk, me thanë, dhe nuk e vesh njeri. Tani duhet parë se ku jemi, dhe këta i kemi të gjithë në krye, dhe duhet diskutuar mirë se ku duhet shkuar sepse këta do të na çojnë atje. Një gjendje jo e mirë.

Kjo komplikohet edhe nga serbët. Njëherë një figurë e njohur serbe na pat thënë “kemi pas pritur 600 vjet me e marrë Kosovën, tash do të presim edhe 600 vjet të tjera.” Kjo mjafton me të krijue kontekstin e gjendjes ku jemi. Sa duhet me luftue kundër një fqinji të tillë gjeografik dhe armik për vdekje, që punon me mendësinë se i duhet me pritë edhe 600 vjet me të zhdukë? Si duhet me iu përgjigjë një kombi, që ka shtet dhe një parie që e përdor shtetin sipas parimit të Pashiqit “narodo moja, shtoko moja”? e vetmja zgjidhje është kombi dhe ideja kombëtare, por tashmë pykat kanë hyrë thellë dhe jemi të përçarë keq.

Me e thjeshtëzue problemin në çështje kohe, për t’u bërë shtet, Kosova ka nevojë ose për një zgjidhje të shpejtë e përfundimtare ose do të duhet që shqiptarët të shtërngojnë dhëmbët dhe të përgatiten që edhe për do dhjetravjeçarë të tjerë, si një komb kompakt, të luftojnë të kapërcejnë pengesat e shumta që do të dalin nga Fuqitë e Mëdha ose nga specifikat e sistemit ndërkombëtar. Zgjidhja që kërkon kohë nuk është e pranueshme për shqiptarët e Kosovës, sepse don të thotë që të jetohet në rrethim serb, edhe brenda Kosovës me enklava serbe, çka do të jenë një burim i përjetshëm sherri për shumë e shumë vite dhe që shumë lehtë mund t’ia vënë flakën Kosovës.

Nuk jemi Zvicra që ka banka e ushtri pa pasur armiqtë që ka Kosova. Jemi një vend ku hyn derri dhe ariu si don vetë dhe këtë ariun, që bën si don, duhet edhe me e përshendetë. Ama edhe zgjidhja që është e shpejtë nuk është e pranueshme, sepse kërkon që të bëhen sakrifica të një lloji tjetër. Shkurt, do të humbet shumëcka materialisht e territorialisht për të pasur kompaktësinë që duhet etnikisht.

Pra, problemi i shkëmbimit të territorit është i pandashëm nga kompaktësia etnike. Pikërisht kjo është edhe dilema për të cilën nuk po diskutohet si duhet. Me shkëmbye territore pa shkëmbye njerëz është gabimi më i madh që mund të bëhet. Nëse nuk mbërrihet kohezioni etnik në zona të caktuara, kurrë nuk do të ketë paqe në Kosovë.

Çka përcakton shumëçka është se momenti është i tillë që Fuqitë e Mëdha, për interesat e tyre, duan që të zgjidhet ky problem në një mënyrë të caktuar. Rusia kërkon të vendosë një precedent. Po e arriti këtë, Rusia zgjidh probleme të shumta me fqinjët që kërkon t’i shpërbëjë. SHBA kërkon të zgjidhë problemin e marrëdhënieve me një shtet si Serbia, që është një shtet shumë problematik dhe që krijon shqetësime të përherëshme në Ballkan. Natyrisht Gjermania refuzon të hapë temën e shkëmbimit të territoreve sepse një e treta e Polonisë është Prusia e vjetër dhe kjo do të hapë një kuti Pandore për të gjithë europianët në veçanti dhe BE në përgjithësi. Do të jetë edhe vdekja e Aktit të Helsinkit, por Fuqitë e Mëdha ndjekin interesat e tyre, ashtu si parimi i vetëvendosjes, ashtu edhe ai i pandryeshmërisë së kufinjve janë parime të kapërcyeshme. Pra, dihet se ku po shkon loja dhe veç tashmë e kemi kuptuar se jemi krejt të papërgatitur si duhet.

Por le të ndalemi në anën tonë. Këtu janë në qëndër aleati jetik e strategjik i shqiptarëve si komb, SHBA, që kërkon të zgjidhë këtë problem, me pak mirëkuptim e sakrifica nga shqiptarët, dhe nga një këndvështrim i përhapur, armiku jetik, Rusia që sheh një mundësi të artë për të zgjidhur problemet e veta, duke zgjeruar edhe Serbinë në Bosnjë, dhe duke i dhënë aleatit të vet mundësi zhvillimi ekonomik nga BE, por edhe me pak mirëkuptim nga serbët që të njohin pavarësimin e Kosovës.

Është e pashmangshme që me durim do të mund të kalohen situatat dhe të pritet ndonjë moment i volitshëm për përmirësim. Duke e njohur mirë gjendjen dhe paritë tona këndej e andej kufirit, them se nuk ka shans që të ruajmë unitetin dhe besimin tek paria jonë politike për të zgjidhur këtë problem si duhet në një afat kohor të gjatë. Shumica e parive janë të kapur, të lidhur e të mbaruar. Çdo zgjatje krijon më shumë probleme për ne, sepse nuk kemi asnjë parakusht që të mund të shpresojmë për ndonjë sukses përveçse në ndërhyrjen e Zotit.

PROBLEMI I SOVRANITETIT

Kur iu kam pase shkruar e thënë figurave politike të Kosovës, që nga para Rambuje-së e më pas, rregullisht dhe sa herë më është dhënë rasti se po marrin pushtet pa shtet, më kanë parë shtrembët dhe mi kanë mbyllë dyert e veshët. Por e vërteta është se pavarësisht “shpalljes së pavarësisë” e shkruarjes së deklaratave të shkruara me gjak e me shumë romantizëm, realiteti është se Kosova nuk ka sovranitet. E nuk është Kosova vetëm; në këtë botë ka shumë pak shtete që kanë sovranitet. Me përjashtim të katër-pesë shteteve si SHBA, Rusia, Kina apo Izraeli, asnjë shtet nuk ka sovranitet si mendojnë në Prishtinë. Por shtetet e tjera dijnë të bëjnë me shumë e më mirë me aq sovranitet sa kanë dhe me aq hapësirë sa kanë.

Indirekt, sovraniteti në Kosovë ushtrohet nga Fuqitë e Mëdha. Paria politike e shqiptarëve, pra, Kadri Veseli, Hashim Thaci, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Albin Kurti, Shpend Ahmetaj, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Nexhat Daci e me radhë kanë legjitimitet në popull por jo aq fuqi sa me iu dalë kundër interesave të fuqive të mëdha. Këtë keni dashtë, kaq keni marrë, sepse nuk keni dashtë me ba atë që duhet kur i keni pasë mundësitë.

Ta ngulim të gjithë mirë në mend se, për mua, me Ahtisaarin, Kosova është protektorat ndërkombëtar me përgjegjësi të ndara në mes të fuqive të mëdha. Marrëveshja Ahtisaari e bën këtë kaq të qartë sa nuk bëhet. Politikanët në Kosovë janë në kontroll të shtetit sa kohë që shteti bën atë që duhet dhe që është përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha. Kosova e ka sovranitetin e kufizuar shumë edhe pse nuk ka unitet në parinë e Prishtinës, ku ka përçarje të mëdha e rivalitet në zona feudale, në ndarjen fshat-qytet, në përçarjen midis fraksioneve që i kanë shërbyer si Krajlit, Titos ashtu edhe Sllobodanit, ashtu të tjerëve dhe atyre, të themi të brezit të 1981 apo para tyre të leçitunve.

Shkurt e shqip, ka ardhë koha me marrë një vendim, që e kërkon një Fuqi e Madhe, sepse pavarësinë e ke prej saj, sigurinë për të tashmen e të ardhmen e ke prej saj, dhe është jetike për të që të zgjidhet ky problem në këtë mënyrë. Kjo është logjika e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nuk ka njeri që mundet me e ndërrue në Kosovë. Askush nuk don me e thanë kaq qartë, por po e them unë, sepse nuk mendoj se ka shumë zgjidhje të tjera. Bondsteel nuk shkon kund prej aty ku është, KFOR nuk ikën nga Kosova, EULEX vazhdon punën, biles edhe UNMIK vazhdon punën. Nuk ka shans që me ikë SHBA nga Kosova. Nuk mundet kush me e lejue Kosovën me krijue probleme që mund të çojnë në luftë të tretë botërore. Zor që ndërrimi i ndonjë administrate mund të çojë në ndërrim të politikës. Prandaj duhen parë mirë zgjidhjet e mundshme.

NË LIDHJE ME BISEDIMET

E vërteta është që bisedimet me Serbinë kanë filluar edhe pa mbaruar lufta, dhe janë intensifkuar menjëherë mbas luftës, në disa nivele. Për aq sa di unë, dhe unë vetë një kohë kam kenë pjesë e bisedimeve, problemi i shkëmbimit të territoreve ka qënë gjithmonë prezent si temë. Në mënyrë informale, me sa di unë, rregullisht ish-diplomatë apo pjesë e rretheve sunduese në Beograd janë ofruar për të shkëmbyer Preshevën me Mitrovicën e veriut. Edhe pse Presheva është nyjë e rëndësishme hekurudhore, tashmë rajon më strategjik është Bujanovci dhe Medvegja, realisht me pakicë të ndjeshme shqiptare dhe në shpopullim e sipër nga shqiptarët. Nuk ka shanse që shqiptarët që janë në Serbi, përveçse në ndonjë fshat si Tërnoci i Epërm ta ruajnë si duhet kohezionin etnik.

Argumenti i serbëve është se Leposaviqi iu shtue Kosovës nga Tito e Rankoviqi për të përmirësuar balancat etnike në Kosovë në vitin 1953 e mandej në vitin 1956 u konsolidua. Pra, sipas tyre po shkohet në kufinjtë natyralë etnikë të vendosur mbas 1912 dhe në kufinjtë e Kosovës së natyrshme. Po u zgjidh puna e rezervuarit dhe e minierës si dhe deri diku çështja e fshatrave shqiptare si Boletini (edhe me shkëmbim popullsie) ky rikthim në natyralitetin e Kosovës si entitet gjeografik është unik, i papërsëristshëm kund tjetër, dhe për ne, nuk vendos asnjë precedent.

Gjithkush don me pa në të atë që nuk është, por në politikë kjo është një teknikë e njohur. Një bazë e marrëveshjes është kthimi në natyralitetin gjeografik të Kosovës. Në gjendjen ku jemi më vdekjeprurëse do të jetë prania e enklavave të organizuara si Zajednicë, se sa kthimi në natyralitetin gjeografik të Kosovës të përcaktuar në bazë të parimit etnik.

POLITIKA E TIRANËS DHE KOSOVA

Paria e Tiranës nuk ka shumë dashuri për Kosovën as si shtet, as si trevë themelore kombëtare shqiptare. Edi Rama po kërkon me e mjelë këtë proces politik dhe po e bën këtë me zgjuarësi. Sali Berisha gjithashtu. Të gjithë e shohin Kosovën nga Tirana. Dhe nga Tirana, Kosova, me dy milionë shqiptarë, kombëtaristë, deri në ekstrem, atdhetarë dhe patriotë është një kërcënim për vdekje. Sepse është vetëm çështje kohe para se kombëtarizmi i Kosovës të infektojë Gegninë dhe të shtrihet deri në Tiranë duke e ndërruar përfundimisht rrjedhën e politikës anti-shqiptare të Tiranës. Prandaj duke kërkuar të bëjnë shërbyesin më të bindur të të huajve si Edi Rama, ose kundërshtarin e marrëveshjes duke ia lënë në derë problemin Hashim Thaçit e UÇK si Sali Berisha, të dy palët kanë qëllim ruajtjen e kontrollit mbi shtetin, që duhej të ishte shtet shqiptar, e që nuk është aspak shtet shqiptar por i kontrolluar nga pakicat, serbët, grekët e dreqi dhe i biri.

Në fakt lufta e të gjithë këtyre është me krahun që ka qënë krahu kundërshtar i tyre dhe që është në fakt krahu i Luftës. Gjuhën me UJD-istat, Titistat, e kozmopolitanët e Prishtinës këta e gjejnë lehtë, por me Drenicën, Llapin e Dukagjinin nuk munden e nuk kanë me mundë. E shqiptaria në Kosovë nuk është kund më e fortë se në këto zona, që janë jashtë kontrollit të tyre e jashtë influencës së tyre.

PROBLEMI NDËRSHQIPTAR NË PRISHTINË

Shumëçka varet nga uniteti i parisë në Prishtinë. Ka një ndarje që mbetet e mprehtë në politikën e Prishtinës në mes të veglave të vjetra të Serbisë, të veglave të të huajve dhe nga ana tjetër, të pasardhësve të leçitunve, të brezit 1981 e të UÇK. Pra, edhe tehu i sulmit të të gjithë këtyre, dhe i veglave të vjetra që kanë dalë nga vrimat në Prishtinë dhe shihen gjithkund në media duke sulmuar gjithkënd, kinse si atdhetarë të papërlyer është me krahun e luftës dhe të UÇK. Po tentohet që pikërisht kjo çështje jetike dhe kardinale të përdoret për diskreditimin e UÇK, “me fitue poenta” kur dihet mirë që nuk po i pyet kush as Hashim Thaçin, as Ramush Haradinajn, as të tjerët. Në fakt, Ramushi e ka tregue veten burrë shteti dhe meriton respekt për aq sa ka ba, anipse në pika të ndryshme mund të ishte sjellë më me finesë. Hashim Thaçi, si thonte Baci Adem, “është më dinaku që kemi” dhe po sillet me shumë mençuri e inteligjencë. Por me kërkue me fitue pikë në këtë moment, duke u shitë si atdhetar kur ke kenë një maskara i nivelit më të ulët në momentin kur është dashur, është krim kombëtar.

Natyrisht nuk është mirë që politika shqiptare e Prishtinës është shumë e përçarë, sepse kjo nuk lejon të merren vendimet që duhen. Ama, kjo ka qënë një taktikë që ka funksionuar sepse nuk është lejuar kush që të dalë e të marrë vendime që mund të kishin qënë shumë të dëmshme për Kosovën. Dhe me gjasë, kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Por, në këtë rast, SHBA kërkon të hiqet taksa dhe kjo taktikë, në këtë rast, nuk ka funksionuar. E kështu mund të pezullohet taksa, ndërkohë që mund të gjenden zgjidhje të tjera, që tregojnë vullnet të mirë por që qëllimin e arrijnë njëlloj.

Le të mos mendojë njeri se të huajt nuk e dinë se sa e papranueshme është një marrëveshje me Serbinë për shqiptarët. Por e dinë edhe se zgjidhjet janë të kufizuara dhe se nuk është e lehtë. Edhe Hashimi, Ramushi, Kadria, dhe të tjetër e dinë se nuk munden me e dënue veten me vdekje, se në një anë kanë Gjykatën Speciale, e në anën tjetër kanë Marrëveshjen. Por duhet me ua shpjegue njerëzve se cili është çmimi dhe pse po duhet me u ba, anipse duhet punue me shpresë se munden me marrë ma shumë se po u jepet në këtë pikë.

NJË PROBLEM I ZGJIDHSHËM POLITIK: TARIFA 100% MBI IMPORTET NGA SERBIA

Taksa 100% për prodhimet serbe është një pengesë e madhe për bisedimet. Është bërë shumë zhurmë nga ana e serbëve për të rritur presionin, dhe kjo tarifë ishte qartazi një mjet politik nga qeveria e Kosovës për të frenuar dikë si Presidenti Thaçi. Në një anë kjo ka treguar shumë karakter nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj, që është për t’u përgëzuar që nuk ka hequr dorë.

Mirëpo, pavarësisht se në Kosovë e shohin veten si shtet, sovraniteti i Kosovës është shumë, shumë i kufizuar… në fakt, kur të vijë puna, vendimet do të merren pa miratimin e parisë në Prishtinë, sepse kështu janë prerogativat. Nuk zgjidhen punët duke mendue se Gjermania mundet me veprue e me mbështetë dikë kundër një vendimi që merr SHBA. Kur të vendosë SHBA, e çka të vendosë, në rastin tonë, ashtu do të bëhet.

Por ata që e kanë fuqinë nuk po duan me e tregue se e kanë fuqinë, sepse mandej për ta krijohet një gjendje e pakëndshme. Preferenca është që shqiptarët ta thonë vetë atë që duhet me u thanë në këto kushte. Kjo si do të thoshte Sun Zu, përbën një fitore, ruhet mirëkuptimi dhe besimi i shqiptarëve tek të huajt dhe nuk krijohen shqetësime në popull. Pra, shpresa është që duhet bërë ajo që duhet nga paria shqiptare. Të gjitha shenjat që po jepen janë se kjo marrëveshje është me peshë e me rëndësi dhe kërkon zgjidhjen, jo siç e duan shqiptarët, jo siç e duan serbët, por siç e duan fuqitë e mëdha. Putini shkoi deri në Beograd me ndikue në zgjidhjen. Presidenti Trump dërgoi letër. Jo një, por dy letra. Dhe pati një seri masash e sanksione, që janë tregues i qartë se sa e rëndësishme është kjo marrëveshje. Tani nuk duhet me të ra rrufeja në kokë, që me e kuptue se është moti i keq.

Zgjidhja që do të propozoja, krejt si një njeri, që nuk ka asnjë interes në këtë punë, është që të ndiqet rekomandimi dhe kërkesa e SHBA për të pezulluar përkohësisht, jodefinitivisht, pa e hequr taksën. Kështu tregohet respekti i duhur për mbështetësin stregjik dhe zgjidhet një problem i panevojshëm, që po përdoret me shumë efektivitet nga serbët. Hiqet edhe një pengesë për bisedimet e pashmangshme.

Prandaj, le të pezullohet përkohësisht e jo definitivisht (pa afat kohor, e pa u hequr krejt deri në një vendim të Asamblesë) taksa mbi prodhimet serbe që gjithë-gjithë e bën Serbinë të humbë vetëm 40 milionë euro në vit. Ama, duke parë se efekti i taksës në ekonominë e Kosovës ka qenë i jashtëzakonshëm (sepse ka pasur ndërmarrje që kanë rritur punësimin me 50%), duke parë prodhimi vendor është rritur, dhe se papunësia ka rënë me 20%, dhe që taksa ka mbështetje masive në popull, atëherë le të ndiqet një rrugë tjetër për të inkurajuar prodhimin vendor.

Ka tre rrugë për të ndryshuar këtë me dinjitetin e duhur. Së pari, Komunat të vendosin një taksë lokale për mallrat e importuara, në kufirin ligjor. Më pas të vënë gjoba të rënda për mallrat që importohen, kur ka mallra të ngjashme që prodhohen në vend. Në mënyrë indirekte mbrohen prodhimi vendor dhe mbushen arkat e komunave. Përmirësohet edhe marrëdhënia ndëretnike, se mandej shqiptarët kanë me shkue me ble në komunat serbe.

Së dyti, qeveria le të vendosë një taksë/gjobë të rëndë mbi të gjithë shitësit, që shesin prodhimet e importit kur kanë mundësi të shesin prodhime vendi dhe këtë e vendos qeveria me dhjetë inspektorë të veçantë në zyrën e taksave në bashkëpunim me ministrinë e ekonomisë. Kjo inisiativë le të shtrihet mbi të gjithë prodhimet e le të kalohet kjo taksë mbi shitësin lokal shqiptar e serb. Nuk ka rëndësi nëse vjen apo jo malli nga Serbia apo Shqipëria, zyrtarisht e verbalisht i bëhet e ditur shitësit se po nuk bëri atë që vendoset, do të gjobitet. Dhe nëse ka prodhim vendor të atij produkti, me standartet e përcaktuara, ligji të jetë që produkti i importuar duhet të shitet me 50% më shtrenjtë.

Së treti, serbët përshembull, nuk i blejnë vullnetarisht prodhimet e Kosovës. E kështu nuk ka shumë eksport nga Kosova në Serbi. Po ashtu, nëse njerëzit e kanë kaq shumë hall se po importohen mallrat serbe, le të mos i blejnë, ose po nuk mundën të rrinë pa to, le ti blejnë shtrenjtë, aq shtrenjtë sa të mos mund të konkurojnë me mallrat vendore. Le të dalin aktivistët dhe të vendosin letra në dyert e atyre që preferojnë mallrat të jashtme…. Turpi është një armë e fortë, sidomos për një shoqëri, që ka kaluar aq shumë të këqia nga Serbia.

Shkurt, ka shumë mënyra me mbërritë rezultatin që duhet. Por e mira është të pezullohet kjo taksë dhe të ndiqen rrugë të tjera.

ÇFARË MARRËVESHJE MUND TË BËHET

Marrëveshja duhet me krijue kushte optimale për të dy palët, shqiptarët dhe serbët, duke ruajtur shtetësinë e Kosovës, kontroll mbi burimet jetike dhe kohezionin etnik të shtetit. Prandaj është mirë që të shkohet tek shqiptarët dhe të parashtrohen e sqarohen pika të vështira e të paqarta të marrëveshjes. Asnjë kompromis nuk është i padhimbshëm. Por asnjë zgjidhje që vjen në tavolinë nuk vjen pa kompromis. Direkt ose indirekt duhet me dalë dhe me ia shpjegue popullit, se çfarë është në tavolinë dhe për çka është dakordësuar. Sepse në fund të fundit kanë ardhë letrat dhe presidentët presin nënshkrimin.

Ka me pasë problem për emër; Serbët kanë me dashtë me e quajtë Kosova i Metohija dhe me Metohi kanë nënkuptue Zajednicën dhe me evokue manastiret dhe qendrat e tyre. OKB mundet me e quajtë Kosovo e me radhë. E sa për me thanë, nëse Kosova merr, të themi 50% të të ardhurave të Trepçës, nuk është pa peshë. Dikur thuhej “Trepca radi, Beograd se gradi” pra, në Kosovë nuk hynte asgjë, dhe pesë miliardë dollarë në vit shkonin në Beograd… prapë mbërriti Kosova me mbijetue deri që nisën me ardhë fondet e federatës, që ishin … paratë e Trepçës.

Ka shumë gjëra të pakëndshme, që do të dalin me marrëveshjen, kjo është e pritshme, por për mua më të rëndësishme janë disa kushte, që nuk po i përmend njeri si për shembull, me ua kthye 1000 hektarët e tokës shqiptarëve në Pejë, që i morën francezët me dhunë dhe tokat e tjera të sekuestruara, që u përdorën me u dhanë hapësirë objekteve të kultit se sa kombinati në Mitrovicë.

Thelbi i çdo marrëveshjeje që duhet mbajtur mend është kohezioni etnik në Kosovë. Po u bë shkëmbim territoresh, atëherë të ketë edhe shkëmbim popullate. Le të vijnë shqiptarët nga disa nga fshatrat mbi-Ibrit, ku jemi pakicë e papërfillshme, e që nuk na i jep njeri, e po humbnim e të ndërrohen me serbët në Kosovë në fshatra si Davidovci apo nga krahu i Kamenicës e Gjilanit për shembull. Le ta ketë Graçanica statusin e ekstraterritorialitetit, por me nje numër të kufizuar banorësh dhe me kusht që kishtarët drejtues të jenë vendas në Kosovë e me radhë.

Do të ketë zona e qytete nën administrimin e huaj, të UNMIK, për shembull, por gjithmonë ka rrugë e mënyra për të punuar si duhet e për të avancuar interesat e palëve. UNMIK ishte dhe është në Kosovë, e megjithatë, pavarësia u shpall përkundër interesave të UNMIK. Dikur lexonim se Tito thoshte “Gllava damo, Trste ne Damo” e ku është sot Trieste? Pjesë integrale e shtetit italian. Pra, me shumë kujdes, e me shumë vëmendje, çdo derë që mbyllet hap edhe një derë tjetër.

PËRMBYLLJE

Në vend të një përmbylljeje, kisha thënë se ka një mirëkuptim në mes të fuqive të mëdha se si duhet me u zgjidhë kjo punë. Gjasat janë se presioni mbi parinë e Prishtinës do të jetë i madh. Mirë është, megjithatë, me e hapë lojën e letrat dhe me u tregue njerëzve, direkt apo indirekt se çka po ndodh. Në Kosovë, vendimin nuk guxon me e marrë Ramushi me Hashimin, Kadrinë, Jakupin apo Fatmirin apo Albin Kurti me Isa Mustafën. Këtu duhet një diskutim në kuvend (Asamble) dhe një diskutim popullor shumë i qartë dhe i kujdesshëm. Kosova ka me pague një çmim të rëndë por shumë është e logjikshme. Deri këtu kemi shkue me mendjen e me këmbët tona dhe kaq i kemi mundësitë dhe kaq mund të bëjmë në rrethanat ku jemi. Kështu shkon edhe fati i shteteve dhe i kombeve, që nuk kanë bashkimin e unitetin e duhur në radhët e veta. Kur nuk bën atë që duhet kur ke mundësi, duhet me ba atë që nuk don, kur je në kushte të vështira. Por çka duket se është humbë në një krah, me mend, mund të fitohet në krahun tjetër. Vetëm kur bjen në pus, mendon se si me dalë prej pusit dhe atëherë e gjen zgjidhjen që duhet e që të shërben me mirë.

[FCB, 23.02.2019]

* * *

Ibrahim Kelmendi:

Në komunikim privat i pata premtuar Mikut e Politologut Shenasi Rama, se do të shkruaj (ç)vlerësim për shkrimin e tij. E nisa, duke e titulluar:

RUAJTJA E EKUILIBRIT INTELEKTUAL NË FURTUNË TË RRËMUJSHME KOMPLOTISTE ËSHTË E ZORSHME

Rastisi të kishim debat me Mikun shkodran, Politologun Dr. Shenasi Rama (bashkorganizues i revoltës së studentëve në dhjetor 1990 dhe i Partisë Demokratike në Tiranë…, tani ligjërues në Universitetin Publikt të New York’ut). Pasoi një shtjellim i tij, të cilin e titulloi:

“PËR RREGULLIMIN E MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-SERBE DHE TË ARDHMEN E KOSOVËS – NJË TEMË PËR DEBAT”.

Fjalia e parë e këtij shtjellimi: “Në një shkëmbim që kisha dje me një nga figurat më të spikatura të rezistencës shqiptare në Kosovë qysh në vitet 1980, Ibrahim Kelmendi, iu hymë disa temave që janë tejet delikate dhe problematike.”

Gjithsesi e falënderoj Mikun Shenasi për këtë konsideratë, nëse ka qenë i sinqertë, edhe pse, pasi mbarova leximin e shkrimit të tij, e (keq)kuptova se ky madhërim ishte një si aperitiv për të ma nxit apetitin që ta gëlltis gjellën e tij të keqe, dhe ta lavdëroj se e kishte gatuar mirë.
Fjalia pasuese: “E natyrisht dolëm tek problemi i marrëdhënieve dhe marrëveshja me Serbinë dhe posacërisht problemi i taksës, problemi i marrëdhënieve me SHBA, problemi i besueshmërisë së disa figurave politike, problemi i rolit të Shqipërisë dhe I udheheqësve të saj si dhe rrugët e zgjidhjes.”

Komunikimin e bëmë në inbox (privat) të FCB-ut, prandaj nuk po shpërdoroj për ta sjell këtu, por nuk kemi komunikuar aq gjatë, siç të krijon përshtypjen kjo hyrje në këtë shkrim të gjatë të Shenasiut.
Pason sqarimi: “Unë ka kohë që jam shkëputur nga problemet e Kosovës. E kam nxjerrë se fundi nje libër me këtë temë, por nuk ka fort interes dhe unë nuk merrem me politikë. Megjithatë, ia premtova Ibrahimit se do të bëja një shkrim për këto gjëra, më duhet me e mbajtë fjalën.“

Kush ka përcjell publikimet e Politologut Shenasi, debatet në FCB e në televizone (të “kazani”, siç po i diskualifikon Edi Rama), do të bindet që informimi i Shenasiut “unë nuk merrem me politikë” nuk është i saktë. Ndoshta ky ligjërues në fakultetin e “shkencave politike” – ai që e ka thënë i pari këtë emërtim mashtrues, do të duhej t’i rrënohet edhe varri; me gjasë i pari duhet të ketë qenë Joseph von Sonnenfels, në shekullin e 18-të, i cili e ka sajuar si diciplinë studimore në Universitetin e Vjenës…, – mendon se angazhim politik është vetëm të jesh udhëheqës partish apo funksionarë shtetëror(?!)?

Konstatimi i politologut Shenasi, i vënë edhe si nëntitull, “fati i vendeve të vogla varet nga fuqitë e mëdha”, është tepër spekulativ dhe nuk i ka hije këtij, si politolog. Po të ishte poet, edhe mund t’i shkonte.
Rëndom, fati (latinisht: fatum), është emërtim që përmban rrjedhën e rrojtjes se njeriut, e paracaktuar nga “zotat”, i cili nuk varet nga vendimet dhe angazhimet e njeriut. Në rastin e përdorur nga Politologu Shenasi, është fjala për vendin i vogël (respektivisht shtetin e vogël). Se cilin “fat” (ardhmëri) do ta ketë njeriu, por edhe shteti i vogël, varet shumë nga përcaktimi dhe angazhimi i tyre.

Edhe konstatimi pasues i politologut Shenasi, “shtetet e vogla, si Serbia ashtu edhe Kosova janë tërësisht të varura nga vullneti i Fuqive të Mëdha që i mbështesin. Një shtet ekziston sepse një Fuqi e madhe e mbron”, i ngjason konstatimit për “fatin”.

Nuk do mend të thuhet se shumë shtete të “vogla” ekzistojnë, pavarësisht vullnetit dhe mbrojtjes se fuqive të mëdha. Fuqitë e mëdha, – këto aktualet: Amerika, Kina, Rusia dhe aleatëtë e tyre, – sado imperialiste që janë, nuk janë aq të marra e monstrume që të mos marrin fare parasysh përcaktimet e shteteve të “vogla”.

Në rastin konkret, fatkeqësisht të gjitha fuqitë e mëdha, deri në mars 1999, ishin kategorikisht kundër luftës çlirimtare të shqiptarëve dhe kundër çlirimit të Kosovës; të gjitha përkrahnin përcaktimin dhe angazhimin e Serbisë neofashiste për ta mbajt Kosovën të pushtuar. Por, përcaktimi i “kokëkrisurve” për LIRI APO VDEKJE, fatmirësisht imponoi ndryshimin e përcaktimit të deriatëhershme të “botës perëndimore” (e organizuar ushtarakisht në Aleancën NATO), duke u kurorëzua me çlirim të Kosovës në qershor 1999 dhe me shpallje të pavarësisë shtetërore në shkurt 2008. Nëse do të ishim skllevër të fatit dhe të vullnetit të fuqive të mëdha, nuk do përcaktoheshim fare për luftë çlirimtare dhe nuk do ta bënim ate. Që do të thotë, nuk do të impononim ndryshimin e fatit dhe të vullnetit të fuqive të mëdha, prandaj do të vazhdonim të ishim nën pushtimin fizik të Serbisë.
Politologu Shenasi Rama (në vazhdim vetë inicialet Sh.R.): “kufiri europian midis SHBA dhe Rusisë kalon në Merdare dhe në Mitrovicë.”

Nuk është e vërtet! Interesant do të kishte qenë, përse e bënë këtë konstatim kaq vulgar Politologu Shenasi. Mos ndoshta është ndikuar në spekulin e Hashim Thaçit, i cili ndonjëherë shkëmbimin e territorit me Serbinë e arsyeton edhe në pazotësinë e Shtetit të Kosovës për të ushtruar pushtet të plotë në gjithë hapësirën e tij kushtetuese? Politologut Rama duhet t’i kujtohet se cilën marrëveshje kanë firmos NATO dhe Serbia në qershor 1999, kur Serbia ka kapitulluar, respektivisht cilët kufij i përmban ajo marrëveshje. Apo ndoshta NATO nuk qenkësh në gjendje të mbron territorin e saj, sepse Rusia qenkësh më e fortë, që të imponon kufirin në Mitrovicë?

Druaj se mashtrimi, që gjoja kufiri mes SHBA-së dhe Rusisë na qenkësh në Mitrovicë, është një taktikë e luftës speciale për të na imponuar komplotin që Serbia po provon të na e imponon, përmes kuislingut Thaçi dhe ustallarëve që nxisin frymën tonë disfatiste, për të pranuar si fat (të paracaktuar nga zotat) dhe si vullnet i fuqive të mëdha! Dhe prandaj duhet ta pranojmë të mirëqenë, sepse nuk të “vegjël” për të kundërshtuar zotat dhe fuqitë e mëdha.

Interesant, edhe pse Politologu Rama ligjeron në Universitet publik të NY, nuk është në gjendje të ofron qoftë një provë konkrete për përcaktim të SHBA-ve që Mitrovica është “pikë kufitare” me Rusinë!

Sh.R.: “Në planin politik, ushtarak e diplomatik, kjo marrëdhënie strategjike që e bën Kosovën shesh beteje me rëndësi strategjike të dorës së parë, kushtëzohet nga dy superfuqitë ushtarake që kanë interesa jetike, që herë përplasen pa u bërë luftë e herë pajtohen pa u pajtuar tërësisht.”
Hamendeshim halucionist?! Janë disa sundimtarë vulgarë në Kosovë, të cilët për ta rrit peshën e tyre politike, Kosovën e prezantojnë si kërthizë politike të botës. Ata duhet kuptuar për interesin egoist që kanë me këtë lloj kërthizimi të Kosovës, por përse kanë interes Politologu Rama dhe simendimtarët e tij, ta propagandojnë këtë lajthitje. Ndoshta nga mos trajtimi “shkencor” i kësaj tematike?

Vetëkuptohet, fuqitë e mëdha synojnë për të shtri sa më gjerësisht ndikimin e tyre imperialist, politik, ekonomi, ushtarak, por në Kosovë nuk thyhen shtizat e garës mes tyre. Kosova është tepër e vogël për t’u mjaftuar si hapësirë (figurative), që këtu ta bëjnë garën e tyre imperialiste.
Sh.R.: “Një nga këto marrëdhënie paradoksale është ajo midis Serbisë dhe Kosovës që tashmë është problematizuar edhe më shumë.”

Edhe pse nuk po e kuptoj krejtësisht këtë formulim të Politologut Rama, po hamendësoj se synimi i tij është të na e mbush mendjen, vërtet “mardhania paradoksale” mes Kosovës dhe Serbisë na qenkësh problematizuar pikërisht tani, kur Hashim Thaçi ka dhënë alarmin për cunamin në legenin e tij.
Vazhdoj të mendoj se Serbia neofashiste ka inskenuar këtë lloj zhurmimi, vetëm që të mund ta anashkalon kushtëzimin nga BE-ja për anëtarësim, e që është “marrëveshja për mirëkuptim më Kosovën” (kapitulli 35). Paralelisht Serbia është duke u munduar që përmes kuislingëve e marionetave, të cilët i ka imponuar në krye të institucioneve të Kosovës, por edhe me përkrahje të serbofilëve rusë, amerikanë, europianë, të zhvat sa më shumë pasuri nga Kosova (sigurisht, nuk i interesojnë shumë hapësirat e djerra as serbët e Kosovës)…

Këto nguti urgjente ka Serbia, por Hashim Thaçi dhe hashimtët po e plasojnë në opinion sikur kjo ngutje urgjente, alarmante, për të bërë gjithsesi “marrëveshje” më Serbinë, na qenkësh në interes jetik e historik të Kosovës. Fatkeqësisht!

Sh.R.: “Si duhet me iu përgjigjë një kombi që ka shtet dhe një parie që e përdor shtetin sipas parimit të Pashiqit “narodo moja, stoko moja”? e vetmja zgjidhje është kombi dhe ideja kombëtare por tashmë pykat kanë hyrë thellë dhe jemi të përcarë keq.”

Për lexuesit që nuk e njohin serbishten, thënia e ish-kryeministrit serb Nikolla Pashiq, shqipërohet: “Populli im, kafshët e mija”.

Pyetja përmban një pa saktësi, meqë paria serbe është dëshmuar se nuk e shpërdor popullin serb si kafshët, por e ka udhëheq e motivuar për përparim të shpejt kulturor, ekonomik e shtetëror, meqë edhe serbët, njësoj si ne, ishin të pushtuar nga turqit. Kurse “përgjigjja e vetme është kombi dhe ideja kombëtare” e Politologut Rama, po me ngjan në slogan që nuk i ka hije një politologu që ligjëron në Universitetin publik të NY. As përçarja kombëtare, siç e ka pykuar Shenasiu, nuk me ngjanë të jetë e saktë. Mua nuk me ngjan që jemi të përçarë kombëtarisht. Dallimet ideopolitike nuk duhet ngatërruar me përçarje kombëtare.

Sh.R.: “Me e thjeshtëzue problemin në cështje kohe, për t’u bërë shtet Kosova ka nevojë ose për një zgjidhje të shpejtë e përfundimtare.”
Pak më tepër se skandaloze! Për Mikun Shenasi Kosova Kosova nuk qenkësh shtet! E vërteta është se Kosova është shtet, pavarësisht se është i brishtë, i pa zhvilluar ekonomikisht, me vështirësi të mëdha që janë pasoja të sundimit gati një shekullor serb dhe me pasoja të mëdha nga lufta.
Ky prononcim i Politologut Shenasi ngjan me deklaratat e presidentit Thaçi, siç ngjajnë dy pika uji mes tyre. Edhe ai nuk po lodhet duke zhurmuar se Kosova nuk na qenkësh shtet, prandaj duhet “marrëveshja finale” me Serbinë për t’u bërë shtet. Sigurisht që këto konstatime mund të keqkuptohen si pjesë e luftës komplotistë kundër Shtetit të Kosovës!

Se cila qenkësh “një zgjidhje e shpejtë e përfundimtare”, që e përmend Shenasiu, mbase do ta kuptojmë nga teksti i tij në vazhdim.
Për t’u bërë Kosova shtet, sipas Politogut tonë, “duhet që shqiptarët të shtërngojnë dhëmbët dhe të përgatiten që edhe për do dhjetravjecarë të tjerë, si një komb kompakt, të luftojnë të kapërcejnë pengesat e shumta që do të dalin nga Fuqitë e Mëdha.”

Irrituese! Vërtet irrituese! As edhe diletantët nuk mund të arsyetohen me këtë mendim kaq ogurzi. Por, meqë nuk është i saktë, duhet ta gëlltisim, edhe pse me ngjanë se edhe ky mendim është një nga therrat, nga krahu i therrave, për të cilat i pata shkruar Mikut Shenasi, kur me insistim e urgjencë kërkonte vlerësimin e këtij shkrimi që po shkoklis. Në pakt, ju pata përgjith, shkurt e shqip: “Më lehtë e kisha ngrënë një krah me therra, se sa ta lexoj deri në fund.” Parmbrëmë pata menduar se kjo përgjigje ngjan me humorin qortues shkodran. Pastaj, kur Miku Shenasi shfaqi pakënaqësi e hidhërim, deri në bllokim të miqësisë në FCB, u pendova pse nuk isha më me takt.

Përse duhet t’i dalin Shtetit të Kosovës “pengesat e shumta nga Fuqitë e Mëdha”?! Dhe jo për kohë të shkurt, por “edhe për do dhjetravjecarë”! Edhe ky është vetëm një hamendesim, jo vetëm i pa saktë, por tepër dëshpërues. E sidomos nuk i ka hije politologut, i cili nga mëngjesi deri në darkë, nuk lodhet duke propaganduar se SHBA-të janë aleati dhe miku kryesor i popullit shqiptar dhe i Kosovës. Nuk do mend të konstatohe e vërteta, se SHBA-të janë fuqia numër një në Planetin tonë, edhe për shumë vite (nëse nuk vetëshkatërrohet nga mbipesha). Nëse është e vërtet kjo propagandë, të paktën nga kjo Superfuqi numër një, nuk duhet të na dalin pengesa, siç ka hamendësuar Politologu ynë. Atëherë pse duhet të brengosemi kaq shumë, me alarm?! Mos ndoshta Politologu Shenasi di diçka tjetër, që nuk e thotë dot. Ta zëmë, se në SHBA, pas zgjedhjeve të fundit presidenciale, ka ndodhur “thyerje” e madhe, e kobshme: kalimi i miqësisë e përkrahjes që kishim në miqësi e përkrahje ndaj Serbisë?

Uroj të mos na ketë ndodhur kjo fatkeqësi!
E, nëse vazhdojmë ta gëzojmë përkrahjen amerikane, nuk duhet të na brengosin shumë për pengesat ruse, kineze, hinduse…

Politologu Shenasi vazhdon me konstatime, kryesisht paragjykuese, spekulative e të përçarta, si ky i radhës: “Zgjidhja që kërkon kohë nuk është e pranueshme për shqiptarët e Kosovës sepse don të thotë që të jetohet në rrethim serb, edhe brenda Kosovës me enklava serbe, cka do të jenë një burim I përjetshëm sherri për shumë e shumë vite dhe që shumë lehtë mund t’ia vënë flakën Kosovës.”

Për cilën zgjidhje është fjala? Përse popullata me mbi 95 % shqiptarë etnikë duhet të ndihet e rrethuar dhe e rrezikuar nga minoritarët serbë, që janë rreth 3 %?! Shpresoj t’u përgjigjet këtyre pyetjeve Politologu Shenasi, në kuadër të debatit e polemikave që do të duhej të bënim.
Në të njëjtin stil paqartësie është edhe konstatimi vijues: “Jemi një vend ku hyn derri dhe ariu si don vetë dhe këtë ariun, që bën si don, duhet edhe me e përshendetë.”

Ndoshta, po mos të ishte shkrim për FCB, do ta formulonte më me përkushtim, edhe pse afishimet në FCB po lexohen nga më shumë njerëz, se sa ato që po publikohen në gazeta e libra. E, meqë Politologu Shenasi është edhe ligjërues universitar në Amerikë, autor i disa librave dhe personalitet ideues e organizues i rreblimit dhe kthesës ideopolitike në fillim të dekadës së 90-të të shekullit të kaluar, sigurisht që ka më shumë lexues e tifozë. Prandaj, nga ky përherë pritet që ta ruan nivelin intelektual.
Sh.R.: “Problemi i shkëmbimit të territorit është I pandashëm nga kompaktësia etnike. Pikërisht kjo është edhe dilema për të cilën nuk po diskutohet si duhet. Me shkëmbye territore pa shkëmbye njerëz është gabimi më I madh që mund të bëhet. Në se nuk mbrrihet kohezioni etnik në zona të caktuara, kurrë nuk do të ketë paqe në Kosovë.”

Tashmë Politologu Shenasi doli të preokupimi kryesor: “shkëmbimi i territoreve”, i startuar publikisht dhe i imponuar si “çështje”, pothuajse vetëm nga presidenti Thaçi, meqë ai po e shpërdoron kapacitetin që ka posti i presidentit shtetëror. Zor se mund të definohet, nëse ky mendim i Shenasiut, i përçartë si ato pararendëse, është apo nuk është vetëm tifozëri propagandistike e Thaçit, meqë edhe në formulim kanë ngjashmëri.

Unë nuk e kam të qartë, nëse liria e shprehjes se mendimit mbron edhe mendimin, për t’i dhënë pushtuesit territor shtetëror, edhe nëse e kamuflon me trukun kamuflues “shkëmbim”? Meqë Politologu Shenasi nuk është shtetas i Kosovës, juridiksioni i Kosovës nuk mund t’ia ndalon mëndin për t’i dhënë territor shtetëror të Kosovës Serbisë, siç mund të na e ndalon në shtetasve, e sidomos presidentit.

Vërtet, është anakroni e shekujve pararendës, edhe për të shpreh mendimin për shkëmbim të popullsisë, meqë vendlindjet dhe vendbanimet nuk janë vetëm pronësi fizike, por edhe pronësi emocionale, tradicionale. Poetët dhe fetarët do të thoshin edhe shpirtërore. Mbase Shkodrani Shenasi nuk ka përjetime emicionale si të shqiptarëve të Kosovës: hapësirat gjeografike deri në Nish, Sanxhak, i përjeton si hapësira etnike, edhe për fakti se një pjesë e madhe e popullsisë së atyre anëve, kur janë dëbuar, janë strehuar në Kosovë dhe ende mbajnë emërtimin përcaktues “muhaxherë” (i huaj / imigrantë). Prandaj, secilën pëllëmbë të Kosovës, që Thaçi, Shenasiu dhe simendimtarë e tyre mendojnë t’ia japin Serbisë, ose ta shkëmbejnë me Serbinë, është hapësirë etnike shqiptare, pavarësisht fatkeqësisht se mund të jenë të mbipoipulluar me serbë, të cilët Serbia i ka vendos në Kosovë si kolonistë, në mes të dy luftëra botërore.

Tani pason mashtrimi tipik thaçist, në dukje, por që duhet të jetë mendim i eprorëve të tij, të cilin këtu Politologu Shenasi e ka konkretizuar si mendim të vetin: “Çka përcakton shumëçka është se momenti është i tillë që Fuqitë e Mëdha, për interesat e tyre, duan që të zgjidhet ky problem në një mënyrë të caktuar. Rusia kërkon të vendosë një precedent. Po e arriti këtë, Rusia zgjidh probleme të shumta me fqinjët që kërkon t’i shpërbëjë. SHBA kërkon të zgjidhë problemin e marrëdhënieve me një shtet si Serbia, që është një shtet shumë problematik dhe që krijon shqetësime të përherëshme në Ballkan.”

As Thaçi as Miku i tij, Shenasiu, nuk e kanë asnjë mundësi argumentuese e konkretizuese, se fuqitë e mëdha “duan që të zgjidhet ky problem në një mënyrë të caktuar”. Rusia e Kina Kosovën e dinë si pjesë të Serbisë. Amerika me aleatët e njeh Kosovën Shtet. Kjo është gjendja faktike. Asnjëra nga këto fuqi të mëdha nuk ka shprehë as idenë, kërkesë jo se jo, për shkëmbim të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, as për “korrigjim” të kufirit. Vetëm Thaçi e ka shprehë publikisht këtë ide, e cila duhet të jetë e sundimtarëve zyrtarë serbë, por që nuk e publikojnë për shkaqe taktike. Presidenti serb Vuçiq, – ndoshta i frymëzuar nga taktika komplotiste Millosheviq-Ibrahim Rugova, – ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare t’i le e të njohë marrëveshjet, që ai do ta bëjë me presidentin Thaçi, pa thënë gjë konkrete për shkëmbim të territoreve. Dhe për këtë kërkesë të Vuçiqit po angazhohet Thaçi, bile me agresivitet, duke kërkuar të binden pushtetarët në Vashington, Bruksel, Moskë e kryeqendra tjera, që të dakordohen me “marrëveshjen” me Serbinë; në fakt me tekstin që do të përpilonin serbët e do ta firmoste Thaçi si president, bastardi Thaçi po e quan marrëveshje!!!

Angazhimin e Thaçit po e diskualifikoj e vuaj, si detyrime i kuislingut ndaj eprorëve të tij. Por, nuk po di si ta (dis)kualifikoj këtë lloj angazhimi të Politologut shkodran, Mikut Shenasi Rama, meqë nuk ngjan me qenë vetëm përsiatje intelektuale.

Sh.R.: “Këtu janë në qendër aleati jetik e strategjik i shqiptarëve si komb, SHBA, që kërkon të zgjidhë këtë problem, me pak mirëkuptim e sakrifica nga shqiptarët dhe nga një këndvështrim i përhapur, armiku jetik, Rusia që sheh një mundësi të artë për të zgjidhur problemet e veta duke zgjeruar edhe Serbinë në Bosnjë, dhe duke i dhënë aleatit të vet mundësi zhvillimi ekonomik nga BE por edhe me pak mirëkuptim nga serbët, që të njohin pavarësimin e Kosovës.”

Tashmë lexojmë që Politologu Shenasi ka kontretizuar fantazitë e tij. Ca injorantë folkloristë mund të arsyetohen kur Amerikën e definojnë si aleat jetik e strategjik, por ligjëruesit universitar të politikës e të drejtës ndërkombëtare nuk i falet. Politologu do të duhej të dinte se alencat, qofshin ato edhe tepër të thjeshta, definohen në marrëveshje bilaterale apo shumëpalëshe. Kemi ndonjë marrëveshje të tillë me Amerikën? Shqipëria londineze e ka, qysh kur është pranuar në Alenacën NATO. Amerika nuk i trajton popujt si kombe, sepse amerikanët nuk kanë kombësi, por si shtete. Prandaj alenca që ka më Shtetin shqiptar nuk përfshinë edhe Shtetin “kosovar”.

Vërtet irritues dezinformomi e mashtrimi: “SHBA, që kërkon të zgjidhë këtë problem, me pak mirëkuptim e sakrifica nga shqiptarët.” Amerika e ka njohur Shtetin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe asnjë zyrtar i lartë amerikanë, nuk ka bërë kërkesë që Kosova t’i jap ndonjë metër katror territor Serbisë. Deri tani zyrtarët amerikanë vetëm kanë lutë e kërkuar që Kosova sovrane dhe Serbia të negociojnë për marrëveshje, e cila do të përmbante edhe njohjen reciproke shtetërore. Kaq! Përse po e shtrembërojnë këtë kërkesë amerikane Thaçi, dhe tani Politologu Shenasi, e simendimtarët e tyre?! Amerika deri në Konferencë të Rambujes ishte pro-serbe, në kuptimin, që ishte dakord me sakrifikimin e Kosovës si pjesë të Serbisë.

Këtë e pat dëshmuar me përcaktimet në Dejton, por edhe me favoret që ia ofroi Serbisë, përmes tekstit të marrëveshjes që duhej ta pranonin “palët” në përmbyllje të Konferncës së Rambujes. Millosheviqi nuk e firmosi. Ndodhi mrekullia kryesisht për shkak të arrogancës se Millosheviqit, të cilën Amerika e përjetoj si sfidë poshtëruese, prandaj bëri kthesën e madhe, fatlume për shqiptarët: bombardimin ajrore ushtarak të objekteve ushtarake e policore të Serbisë! Aty e tutje, pa asnjë marrëveshje për ndonjë aleancë, mbrojti Kosovën nga agresioni serb dhe e përkrahu që të shpallte pavarësinë shtetërore, të cilën menjëherë e njohu! Dhe ende nuk e ka ndryshuar qëndrimin, pavarësisht mjegullnajave që janë shfaq në horizont, si shkak i stilit sundues të presidentit Trump…

Rusia nuk është “armik jetik”. Politologu Shenasi ka dashtë të shkruajë në permanent, por nga ngutia euforike ka bërë gabim gjuhësor, nëse mund të quhet kështu. Rusia gjatë shekullit 18 e 19 dhe në fillim të shekullit 20, ishte në luftë kundër Perandorisë Otomane, e cila e definonte veten edhe Kalifat mysliman. Shqiptarët ishin në fillet e Rilindjes së tyre kombëtare. Shumica injorante angazhohej, herë vullnetarisht, herë për hir të Islamit, e më shumë si mercenarë, në luftimet kundër Rusisë. Prandaj ishte e mirëkuptueshme që Rusia dhe shtetet tjera europiane, atëherë kristiane, nuk përkrahnin shqiptarët, në shumicë me përkatësi islame. Por, Lenini dhe Stallini, si Vilsoni dhe Clintoni, u angazhuan në mbrotjen e shqiptarëve.

Lenini pat diskredituar e anuluar marrëveshjen e fshehtë të Londrës (26 prill 1915) të Rusisë cariste shteteve anëtare të Antantës, për ta zhbërë Shqipërinë. Stalini mbrojti Shqipërinë londineze nga invadimi ushtarak jugo-sllav në vitin 1948. Fatkeqësisht, në kuadër të garës për zona influence e dominim, Rusisë i ka mbet verem shteti i Serbisë si aleat në Europën Juglindore, dhe prandaj e përkrah me përkushtim e sakrifica. Por, mendoj, në interes të Rusisë do të ishte që Serbia ta njihte Shtetin e Kosovës, që ta njihte pastaj edhe Rusia, për ta shpërdorur si argument, për ta legalizuar pushtimin e Krimesë dhe të ndonjë territori të shteteve tjera.

Fatmirësisht, në radhë është një mendim i Politologut Shenasi që po me pëlqen: “Është e pashmangshme që me durim do të mund të kalohen situatat dhe të pritet ndonjë moment i volitshëm për përmirësim.” Por, me mendimin shoqërues, se si pa prish kënaqësinë që me dha mendimi në fjalinë e mësipërcituar. Dhe ja me cilin mendim më dëshpëroj: “Duke e njohur mirë gjendjen dhe paritë tona këndej e andej kufirit, them se nuk ka shans që të ruajmë unitetin dhe besimin tek paria jonë politike, për të zgjidhur këtë problem si duhet në një afat kohor të gjatë. Shumica e parive janë të kapur, të lidhur e të mbaruar. Çdo zgjatje krijon më shumë probleme për ne, sepse nuk kemi asnjë parakusht që të mund të shpresojmë për ndonjë sukses përveçse në ndërhyrjen e Zotit.”

Herë pas here, me takt, kam reaguar në afishime të Mikut Shenasi, sepse nuk toleronte kritika. Njëherë pata komentuar: “Fatmirësisht furra e picave nuk di t’i lexojë shkrimet Tua, se do të shndërrohej në frigorifer” (parafrazim). Në reagim Shenasiu e pat shprehur hidhërimin e përmasave që nuk do të lejonte më komente të ngjashme kritike.

Politologu Shenasi tashmë ka filluar kapitull të ri, që e ka titulluar: “PROBLEMI I SOVRANITETIT”. Po vetëkuptohet, i Shtetit të Kosovës. Ky titull nuk përmban ndonjë paralajmërim optimist e fatlum. Por, le të shohim, se si do ta “materializon”.
Fjalia e parë: “Kur iu kam pasë shkruar e thënë figurave politike të Kosovës, që nga para Rambuje-së e më pas, rregullisht dhe sa herë më është dhënë rasti, se po marrin pushtet pa shtet, më kanë parë shtrembët dhe m’i kanë mbyllë dyert e veshët.”

Menjëherë ka shprehur informimin dhe mendimin, se e paskësh kontestuar qysh moti Shtetin e Kosovës. Megjithatë Shteti i Kosovës ekziston, pavarësisht kontestimit nga Miku Shenasi, dhe komploteve të Hashimit dhe hashimëve!

Fjalia pasuese, edhe me pak patetizëm poetik, përmban gjithashtu kontestimin e sovranitetit shtetëror të Kosovës: “Por e vërteta është se pavarësisht “shpalljes së pavarësisë” e shkruarjes së deklaratave të shkruara me gjak e me shumë romantizëm, realiteti është se Kosova nuk ka sovranitet.

Fatkeqësisht, nuk kam intuitë aq të zhvilluar, sa të lexoj në mendjen e Mikut Shenasi, si e definon ai sovranitetin shtetëror më konkretisht se sa ka bërë sqarimin: “E nuk është Kosova vetëm; në këtë botë ka shumë pak shtete që kanë sovranitet.” Po atëherë, përse nuk i mjafton kaq sovranitet, meqë në “botë” paskësh fare pak shtete me sovranitet të plotë?! Nëse shtetet aq të emancipuara e aq të konsoliduara, si edhe Anglia, Franca e Gjermania, i kanë rrudhë sovranitetin e tyre nacional e shtetëror, në kuadër të Bashkësisë Europiane dhe të Aleancës NATO, përse të mos mjaftohemi ne me sovranitet të kufizuar shtetëror – për hir të monitorimit nga shtetet që kanë na kanë ndihmuar të çlirohemi e të Shpallim Pavarësinë Shtetërore (pa thonjëza)?! Vetëm bukëpërmbysët e plëngëprishësit, por edhe mosmirënjohësit, mund të ankohen kundër fitoreve kaq të mëdha! Nuk është racionale të mbisundohemi nga dëshirat. Duhet të jemi të vetëdijshëm për mundësitë dhe rrethanat.

Sovranitet absolut nuk kanë as shtetet që i ka përmend konkretisht Shenasiu: SHBA, Rusia, Kina apo Izraeli. Sidomos Izraeli.

Sh.R.: “Indirekt, sovraniteti në Kosovë ushtrohet nga Fuqitë e Mëdha. Paria politike e shqiptarëve, pra, Kadri Veseli, Hashim Thaci, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Albin Kurti, Shpend Ahmetaj, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Nexhat Daci e me radhë ka legjitimitet në popull por jo aq fuqi sa me iu dalë kundër interesave të fuqive të mëdha. Këtë keni dashtë, kaq keni marrë sepse nuk keni dashtë me ba atë që duhet kur i keni pasë mundësitë.”

Pjesërisht konstatim i saktë, edhe pse formulimi nuk përkon me gradën akademike: Doktor i Shkencave politike. Por, meqë këtu janë apostrofuar disa veta, le të shpresojmë se do të reagojnë, sepse nuk është praktikë e mërë të simulojnë indiferentët e fortë, që injorojnë edhe mendimet, si në rastin konkret, të Politologut Shenasi Rama, ish-këshilltarit të “delegacionit të UÇK-së” në Konferencë të Rambujesë.

Mbase nuk duhet të kapërcehet pa thënë së fuqitë e mëdha nuk janë duke ushtruar sovranitet. Ose nuk jam duke e vërejtë, cilin sovranitet janë duke ushtruar ato, sidomos Kina?

Si argument për sovranitet të cunguar Politologu Shenasi përmend “marrëveshjen Ahtisari”, duke harruar se monitorimin Ahtisari e kishte parapa të afat 5-vjeçar. Por nuk ka hezituar të sjell si argument edhe: “Kosova e ka sovranitetin e kufizuar shumë edhe pse nuk ka unitet në parinë e Prishtinës, ku ka përçarje të mëdha e rivalitet në zona feudale, në ndarjen fshat-qytet, në përçarjen midis fraksioneve që i kanë shërbyer si Krajlit, Titos ashtu edhe Sllobodanit, ashtu të tjerëve dhe atyre, të themi të brezit të 1981 apo para tyre të leçitunve.”

Tashmë Dr. Shenasi Rama ka ngatërruar lisat me fshesa, meqë sovranitetin shtetëror nuk e cenojnë garat, grindjet e përçarjet partiake e personale. Edhe në Amerikë dhe në shtete tjera të konsolituara, ku zbatohet pluralizmi partiak, janë të pranishme garat, grindjet e përçarjet mes partive.

Sh.R.: “Shkurt e shqip, ka ardhë koha me marrë një vendim që e kërkon një Fuqi e Madhe, sepse pavarësinë e ke prej saj, sigurinë për të tashmen e të ardhmen e ke prej saj, dhe është jetike për të që të zgjidhet ky problem në këtë mënyrë. Kjo është logjika e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nuk ka njeri që mundet me e ndërrue në Kosovë.

Keqardhje për këtë spekulim! As shkurt, as shqip! Amerika nuk ka kërkua “me marrë një vendim” Kosova. Amerika ka sugjeruar e lutur që Kosova dhe Serbia të bëjnë marrëveshje, e cila përmban edhe njohjen respektive shtetërore. Pra, të dy presidentëve (serb dhe kosovar) u ka shkruar pothuajse njësoj. Dhe atë përmes dy letrave të Presidentit Trump, që janë përditshmëri kortezie në shkëmbim të letrave pa ndonjë ingerencë juridike e politike shtetërore. Mendimi “është jetike për të që të zgjidhet ky problem në këtë mënyrë” është tepër hiç-thënës, meqë deri tani Shenasiu nuk ka prezantuar cila qenkësh “këtë mënyrë”. E ndërsa paraqitja e këtyre si logjikë në marrëdhënie ndërkombëtare, edhe unë, si laik në të drejtën ndërkombëtare që jam, po ta shkruaja, nuk do të duhej të më kishte hije!

Konstatimi përmbyllës i këtij kapitulli: “Nuk ka shans që me ikë SHBA nga Kosova. Nuk mundet kush me e lejue Kosovën me krijue probleme, që mund të çojnë në luftë të tretë botërore. Zor që ndërrimi i ndonjë administrate mund të çojë në ndërrim të politikë. Prandaj duhen parë mirë zgjidhjet e mundshme.”

Nuk ia vlen as të komentohet, mjafton keqardhja për këso formulimesh të përçarta e spekulative. Rëndom, zgjedhjet, edhe në Amerikë, bëhen për të ndryshuar edhe politika, përndryshe, pse do të duhej të bënin zgjedhje.

Kapitulli i radhës është titulluar: “NË LIDHJE ME BISEDIMET”, duke filluar me një, për mendim tim, dezinformim deziorientues: “Për aq sa di unë, dhe unë vetë një kohë kam kenë pjesë e bisedimeve, problemi i shkëmbimit të territoreve ka qënë gjithmonë prezent si temë.”

Miku Shenasi do të duhej të na informonte konkretisht, kur dhe në cilin delagacion ishte pjesëmarrës në bisedime me Serbinë. Në Rambuje deklarohej se ishte këshilltar i “delegacionit të UÇK-së”. E kam takuar atje, por kam qenë i rezervuar ndaj tij, sepse i dyshoja krerët e atij “delegacioni” si marioneta të shërbimeve armiqësore. Druaj se Miku Shenasi nuk ka asnjë provë konkrete që ishte këshilltar, ta zëmë, ndonjë vendim, kush, kur e ka caktuar këshilltar, kishte ndonjë kontratë përkatëse, kush ia ka mbulluar shpenzimet për ardhje nga Amerika në Rambuje, dhe për qëndrim aty. Në Rambuje kishim marrë me qera shumë dhoma hoteli, për t’i strehuar veprimtarët e UÇK-së, të ngarkuara me detyra gjatë konferencës, por strehonim edhe këshilltarë, përkthyes, gazetarë. Shenasiu nuk është paraqitur për të marrë një nga ato dhoma.

Edhe ky edhe Sokol Bare, ish-drejtor i policisë së Shqipërisë, edhe ndonjë tjetër, do të kishte qenë interesant të rrëfenin ndonjëherë konkretisht, çka e kanë këshilluar atë “delegacion”, me të cilin nuk kishin mundësi të kishin kontakte fizike, e ishin të ndaluara edhe komunikimet telefonimet, pos rasteve kur merreshin leje speciale.

Pas lufte nuk e kam takuar ndonjëherë në Prishtinë Mikun Shenasi, edhe pse banoja në Hotel Grand dhe e kaloja kohën më të madhe aty, meqë tjera lokale nuk ishin të përshtatshme.

Nuk me ka rastisur të informohet, që delegacionet serbe kanë paraqitur ndonjëherë kërkesë zyrtare për shkëmbim të territoreve. E sa për zhurmime mediatike, ato nuk mund të kualifikohen për kërkesa zyrtare. Edhe vetë Thaçi e ka thënë se për herë të parë tani ka paraqitë kërkesë për bashkim të Preshevës, Medvegjës, Bujanovcit. E nëse Thaçi, “eprori” i Mikut Shenasi, nuk paskësh bërë asnjëherë kërkesë zyrtare, si kryeministër apo si ministër i jashtëm, nuk po mund të besoj se ndonjë delegacion tjetër, që paskësh qenë Shnasiu pjesëtar, të ketë kërkuar shkëmbime territoriale?!

Të tjerat “dekorime”, në vazhdim, nuk po i komentoj, përderisa nuk kam prova se cili delegacion i Kosovës, kur, ka bërë kërkesa zyrtare për shkëmbim të territoreve.

Keqardhje, përse edhe Politologu Shenasi shpërdor gënjeshtrën ordinere: “Argumenti i serbëve është se Leposaviqi iu shtue Kosovës nga Tito e Rankoviqi, për të përmirësuar balancat etnike në Kosovë në vitin 1953 e mandej në vitin 1956 u konsolidua.

Ky nuk është argument i serbëve, sepse ata janë paksa më seriozë. Kjo është shpifje e Hashimit dhe hashimitëve. Më 26 korrik 2018 Hivzi Islami, ish-kryetari i Akademisë së Kosovës dhe demografi më i kualifikuar, i lindur në Letincë të Bujanovcit, bashkë më dr. Arsim Ejupin, patën reaguar kundër kësaj shpifjeje të presidentit Thaçi, se as Leposaviqi nuk i është bashkuar Kosovës, as Presheva nuk i është dhënë Serbisë. Uroj që Shenasiu ta lexojë atë reagim, që ta korrigjojë këtë lajthitje, që duhet t’i ketë ndodhur për shkak se ka besuar “eprorin” e tij, Hashimin.

Nuk ia vlen të citohen e komentohen kufijtë e “natyrshëm” që paskësh pas Kosova në vitin 1912, sipas spekulimeve që Miku Shenasi mund t’ei ketë dëgjuar nga pseudo-historiani Hashim.

Këtë kapitull Politologu ynë e mbyll me konstatimet: “Një bazë e marrëveshjes është kthimi në natyralitetin gjeografik të Kosovës. Në gjendjen ku jemi më vdekjeprurëse do të jetë prania e enklavave të organizuara si Zajednicë se sa kthimi në natyralitetin gjeografik të Kosovës të përcaktuar në bazë të parimit etnik.

Nuk po e kuptoj, si mund të bënë spekulim, duke dezinformuar sikur paskësh marrëveshje që e përmban “natyralitetin gjeografik i Kosovës”.

Fantazi destruktive!


Fusnota:
* https://zeri.info/…/ndarja-e-re-e-kosoves-e-nderlidhur…/

Tashmë arrita të kapitulli që Miku Shenasi e ka titulluar: “POLITIKA E TIRANËS DHE KOSOVA”. Këtu duhet të shpresojmë për mendime më konstruktive, meqë ka informacion më konkret për politikën e Tiranës.

Paria e Tiranës nuk ka shumë dashuri për Kosovën as si shtet, as si trevë themelore kombëtare shqiptare.”, shkruan Politologu Shenasi.

Ky ka huazuar emërtim pari nga Malësia dhe e përdor shpesh. Në Malësi pari kishte kuptim pozitiv, sepse përfshinë të parët e fiseve të një krahine. Ndërsa Shenasiu e përdor në kuptimin negativ, në vend të emërtimit bandë, që përfshin gjithë nomenklaturën politike.

Konstatimi se paria e Tiranës nuk ka shumë dashuri për Kosovën është një supozim, nuk ka ndonjë anketë apo të dhënë empirike. Por, ajo pari nuk ka nevojë ta dojë shumë Kosovën, mjafton ta dojë, sa, ta zëmë, Krahinën e Labërisë.
Edhe konstatimin vijues të Shenasiut “Edi Rama po kërkon me mjelë këtë process politik dhe po e bën këtë me zgjuarësi. Sali Berisha gjithashtu”, e mbështet.

Ndërsa e prish fare me këtë konstatim vijues: “nga Tirana, Kosova, me dy milionë shqiptarë, kombëtaristë, deri në ekstrem, atdhetarë dhe patriotë është një kërcënim për vdekje. Sepse është vetëm çështje kohe para se kombëtarizmi i Kosovës të infektojë Gegninë dhe të shtrihet deri në Tiranë, duke e ndrruar përfundimisht rrjedhën e politikës anti-shqiptare të Tiranës.”

Nuk me besohet se Kosova ka dy milionë kombëtaristë, deri në ekstrem, dhe nuk kam asnjë ide se këta dy milionë do të “infektojnë” (ndoshta ka dashtë me shkrua frymëzojnë, por rrojtja në Amerikë ia ka ngatërrua shqipen) Gegninë, që u shtrika deri në Tiranë (përse nuk e ditka se shtrihet deri te Lumi Shkumbin?!), për të imponuar politikë patriotike. Sa pak e njihka Kosovën dhe “kosovarët” Shkodrani Shenasi! Nuk po më besohet.

Uroj të mos zhgënjeheni nga broçkulla e radhës, siç po me ndodh mua, sepse pata shpresuar se Shenasi, të paktën, ka njohuri për politikën e Tiranës. Citoj: “…duhej të ishte shtet shqiptar e që nuk është aspak shtet shqiptar por i kontrolluar nga pakicat, serbët, grekët e dreqi dhe i biri.”

Se nuk e kontrollojnë minoritarët serbë e grekë, kjo nuk kërkon shumë njohuri, por më karrabythi me “dreqi dhe i biri”!

Kapitullin e radhës Politologu Shenasi Rama e ka titulluar: “PROBLEMI NDËRSHQIPTAR NË PRISHTINË”. Mirë që është përkufizuar në një problem, nuk ka paralajmëruar shumë probleme, siç i kemi.

Shumëçka varet nga uniteti i parisë në Prishtinë”, mendon Autori qysh në fjalinë e parë. Unë do të vazhdoj të jem kundër emërtimin pari, meqë sundimtarët partiak e shtetëror në Prishtinë nuk e meritojnë. Më i saktë është do të ishte diskualifikimi bandë, sepse, sado kundërshtarë duken, prapë merren vesh mes tyre, si të bashkësundojnë, duke u ricikluar mes tyre.

Sh.R.: “Ka një ndarje që mbetet e mprehtë në politikën e Prishtinës në mes të veglave të vjetra të Serbisë, të veglave të të huajve dhe nga ana tjetër, të pasardhësve të leçitunve, të brezit 1981 e të UÇK.”
Si politolog që është, Shenasiut nuk i ka hije t’i tjetërson njerëzit në “vegla”, sepse ky diskualifikim përmban përçmimin për ta. Ndërsa si Shqiptar, legjitime është edhe ky lloj diskredimi figurat.

Grupimet e njerëzve të angazhuara në politikën operative në Prishtinë janë ca titistë, tashmë pleq, dhe pinjollët e nomenklaturës se atëhershme titiste, marionetat e Millosheviqit me argatët e tifozët e tyre, ish-të burgosurit politik dhe familjarët e tyre, që Shenasiu i quan “të leçitur” (izoluar) dhe disa ish-pjesëtarë të UÇK-së. Por, përvijimi tashmë nuk është aq skematik. Ta zëmë, janë shumë marioneta të shërbimeve të Serbisë dhe shërbimeve të huaja, që janë bërë bashkë, për ta rritur ndikimin dhe sundimin e tyre. Si shembull mund të përmendet Baton Haxhiu.

Fjalia pasuese: “Pra, edhe tehu i sulmit të të gjithë këtyre, dhe i veglave të vjetra që kanë dalë nga vrimat në Prishtinë dhe shihen gjithkund në media duke sulmuar gjithkënd, kinse si atdhetarë të papërlyer është me krahun e luftës dhe të UÇK.”

Formulim i ngatërruar. Duke pas parasysh sistemimin në fjalinë pararendëse, tani po na del se të gjithë na qenkëshin kundër “krahut të luftës dhe të UÇK”. Meqë “krahu i luftës” e ka brenda edhe UÇK-në, do të mjaftonte ta përmendte vetëm ai, apo vetëm UÇK-ja. Nuk jam i mendimit se edhe ish-të burgosurit politikë dhe familjarët e tyre janë kundër “krahut të luftës”. Bile edhe shumë titistë e pinjollë të titistëve nuk kanë kundër, siç duhet të jenë marionetat e shërbimeve të Serbisë dhe tifozët e tyre.

Mund që Shenasiu kritikat, sulmet dhe diskreditimet që u bëhen disa individëve, të cilët prezantohen se ishin udhëheqës e komandantë të UÇK-së, i kategorizon si sulme ndaj UÇK-së. Ata individ më tipik janë Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi, -“këshilltar” i të cilëve duhet të ketë qenë ky Shnasi, që po ia “problematizoj” shkrimin, – të cilët kanë qenë sabotuesit e komplotistët më goditës ndaj UÇK-së.

Po shpresoj, do të kupton ndonjëherë edhe Shenasiu se kritikat e diskreditimet që u bëhen këtyre komplotistëve, nuk janë domosdo sulme ndaj UÇK-së. Përndryshe, do të duhej të më kategorizonte edhe mua për kundërshtar të UÇK-së.

Kapitullin e radhës Politologu Shenasi Rama e ka titulluar: “PROBLEMI NDËRSHQIPTAR NË PRISHTINË”. Mirë që është përkufizuar në një problem, nuk ka paralajmëruar shumë probleme, siç i kemi.

Shumëçka varet nga uniteti i parisë në Prishtinë”, mendon Autori qysh në fjalinë e parë. Unë do të vazhdoj të jem kundër emërtimin pari, meqë sundimtarët partiak e shtetëror në Prishtinë nuk e meritojnë. Më i saktë është do të ishte diskualifikimi bandë, sepse, sado kundërshtarë duken, prapë merren vesh mes tyre, si të bashkësundojnë, duke u ricikluar mes tyre.

Sh.R.: “Ka një ndarje që mbetet e mprehtë në politikën e Prishtinës në mes të veglave të vjetra të Serbisë, të veglave të të huajve dhe nga ana tjetër, të pasardhësve të leçitunve, të brezit 1981 e të UÇK.”
Si politolog që është, Shenasiut nuk i ka hije t’i tjetërsojë njerëzit në “vegla”, sepse ky diskualifikim përmban përçmimin për ta. Ndërsa si Shqiptar, legjitime është edhe ky lloj diskredimi figurat.

Po shpresoj, do të kupton ndonjëherë edhe Shenasiu se kritikat e diskreditimet që u bëhen këtyre komplotistëve, nuk janë domosdo sulme ndaj UÇK-së. Përndryshe, do të duhej të më kategorizonte edhe mua për kundërshtar të UÇK-së.

Interesante janë vlerësimet konkrete, që u bëhen ca sundimtarëve: “Ramushi e ka tregue veten burrë shteti dhe meriton respekt për aq sa ka ba, anipse në pika të ndryshme mund të ishte sjellë më me finesë. Hashim Thaçi, si thonte Baci Adem, “është më dinaku që kemi” dhe po sillet me shumë mençuri e inteligjencë.

Vetë kjo tifozëri e diskualifikon Shenasiun, të mos e ketë shkruar e vlerësuar si politolog e analist neutral, bile edhe “dr.” e ligjërues universitar në Amerikë.

Nuk po sjell fjalinë pasuese, që Shenasiun e diskualifikon si tifoz tepër i zellshëm, që mund të jetë pasojë e angazhimit të tij të dikurshëm si “këshilltar” e “pjesëtar delegacionesh”, siç e ka prezantuar veten.

Sh.R.: “Natyrisht nuk është mirë që politika shqiptare e Prishtinës është shumë e përçarë, sepse kjo nuk lejon të merren vendimet që duhen.”

Natyrisht, mirë e ka, por do ta kishte edhe më mirë nëse do të bënë ndonjë konkretizim, si dhe përse është e përçarë. Rëndom, në shtete që praktikojnë Demokracinë, ata që marrin vendime politike, votohen. Edhe në Kosovë kemi Kuvend, që ka votuar qeverinë. Bazë e koalicionit qeverisës, në dukje, është “krahu i luftës”, i përkrahur nga dhjetë parlamentarë të “listra srpska” dhe dhjetë parlamentarët e minoritetve tjera. Nëse qeveria nuk merr vendime të duhura, kush e ka përgjegjësinë? Opozita, që nuk po e përkrah?!

Interesant është edhe vlerësimi pozitiv, që i bënë Politologu Shenasi Rama “përçarjes” së “politikës shqiptare” në Prishtinë, një fjalinë pasuese. Po e citoj: “Ama, kjo ka qënë një taktikë që ka funksionuar, sepse nuk është lejuar kush që të dalë e të marrë vendime, që mund të kishin qënë shumë të dëmshme për Kosovën.”

Meqë po mendoj se e kuptoj Mikun Shenasi, edhe kur ka bërë formulime të përçarta, pa konkretizime, duket se e ka fjalën për “turbulencat” anarshiste që manifestoheshin në Kuvendin e Kosovës, në mandatin pararënës, kur kundërshtohej votimi për miratimin e marrëveshjes me Malin e Zi, për demarkimin e kufirit. Nëse ia qëllova, nuk e ndaj të njëjtin mendim me Shenasiun.

Sh.R.: “Dhe me gjasë, kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Por, në këtë rast, SHBA kërkon të hiqet taksa dhe kjo taktikë, në këtë rast, nuk ka funksionuar.

Duhet ta ketë menduar përçarjen, si taktikë të mirë, për të penguar vendimmarrjet e dëmshme. Por, vendimmarrja për taksën 100 % ndaj prodhimeve serbe, nuk i ka pëlqyer, ndoshta vetëm pse sundimtarët amerikanë po e kundërshtojnë. Si alternativë të taksës Shenasiu parapëlqen një veprim tjetërfare, që e ka prezantuar të mjegullueshëm: “E kështu mund të pezullohet taksa, ndërkohë që mund të gjenden zgjidhje të tjera, që tregojnë vullnet të mirë por që qëllimin e arrijnë njëlloj.”

Pra, preferon bojkotin e konsumatorëve, për shkak se sundimtarët e shtetit që i jep rrogën, janë kundër taksës që ka vendos qeveria, fatkeqësisht tepër vonë, meqë është dashtë të vendoset, që kur Kosova është shpall Shtet. Po të vendosej qysh atëherë, do të kishim një Serbi më të përmbajtur, që do të ishte më rracionale në bisedime dhe në zbatim të marrëveshjeve, për hir të interesit që e siguron në tregun e Kosovës.

Sh.R.: “Le të mos mendojë njeri se të huajt nuk e dinë se sa e papranueshme është një marrëveshje me Serbinë për shqiptarët.”
Janë “të huajt” kaq homogjen, sa i kategorizon Politologu Shenasi? Për shqiptarët në përgjegjësi, sidomos për shqiptarët e Kosovës, nuk është me interes “një marrëveshje” me Serbinë, por është me interes marrëveshja, e cila përmban kompromisin që do ta miratojnë Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi Serbisë. Pra, pa keqkuptim, shqiptarët nuk janë kundër marrëveshjes, as kundër marrëveshjeve, që bëhen në mes të përfaqësive ligjore, por janë kundër “një marrëveshje” që po duan të na e kontrabandojnë e imponojnë Serbia dhe kuislingët, marionetat e miqtë e saj!

Sh.R.: “Edhe Hashimi, Ramushi, Kadria, dhe të tjetër e dinë se nuk munden me e dënue veten me vdekje se në një anë kanë Gjykatën Speciale e në anën tjetër kanë Marrëveshjen. Por duhet me ua shpjegue njerëzve se cili është cmimi dhe pse po duhet me u ba, anipse duhet punue me shpresë se munden me marrë ma shumë se po u jepet në këtë pikë.”

Gjatë shprehjes se këtij qëndrimi Shenasiu duhet të ketë harruar krejtësisht profesionin e politologut, siç prezantohet, ka shfaq një qëndrim që ngjan me qëndrimet politike të liderucëve politikë në Prishtinë e në Tiranë.

E para, Dr. Shenasi Ramës nuk i ka hije “Dhomat e Specializuara” t’i tjetërson në “Gjykatë Speciale” (me germa të mëdha në fillim), ose të paktën të ofronte edhe emërtimin zyrtar. Pastaj, në Europë nuk ekzistojnë gjykata që shprehin dënim me vdekje. E kuptoj, Shenasiu e ka fjalën për vdekje politike të këtyre sundimtarëve që e ka përmend me emra. Ndërsa emërtimi i marrëveshjes që shpresojmë se do të arrihet, nuk është dashur Shenasiu ta prezanton si “Marrëveshje” (me germë të madhe, sepse ende nuk është miratuar, bile asnjë zyrtar kompetent, deri tani, nuk i ka “vizatuar” e prezantuar as konturet, që rëndom propozohen nga palët apo ndërmjetësuesit, në prag të fillimit të bisedimeve. Ndërsa “çmimin” që ka përmend Shenasiu, që u dashka ta paguajmë, duket se është plagjiaturë, meqë ngjan me qenë në frymë dhe stil të Hashim Thaçit!

Kapitullit pasues Politologu Shenasi Rama i ka vënë titull paksa të gjatë: “NJË PROBLEM I ZGJIDHSHËM POLITIK: TARIFA 100% MBI IMPORTET NGA SERBIA”, por që e ka të paralajmëruar zgjidhjen për “problemin” 100 % taksë për prodhimet serbe.
Fjalia e parë: “Taksa 100% për prodhimet serbe është një pengesë e madhe për bisedimet.”

Po, është pengesë, por për kë? Nuk është për të gjithë, siç e ka përgjithësuar Shenasiu. Është “pengesë e madhe” vetëm për Serbinë, kuislingët, marionetat dhe miqtë politik të Serbisë! Për mua, ta zëmë, është taksë e vonuar. E pata shkruar edhe më herët, se është dashtë të vendoset qysh kur e kemi bërë Kosovën Shtet.

Sh.R.: “Kjo tarifë ishte qartazi një mjet politik nga qeveria e Kosovës për të frenuar dikë si Presidenti Thaçi.”

Tashmë na rezulton, se Shënasiu nuk na qenkësh tifoz i “krahut të luftës”, por i Hashimit! Fatkeqësi kjo që një politolog, ligjërues universitar në Amerikë, shpërfaqet në hashimit! Por, taktika e tij, se na ka ofruar një shqyrtim intelektual, rezulton të jetë ofenduese, meqë na ka nënvlerësuar për injorantë që nuk do ta identifikojmë dot! Apo ndoshta nuk e kishte këtë qëllim, por këtu ka ditë e kështu ka bë, siç thoshin pleqtë e urtë për raste të ngjashme.

Si duhet kuptuar fjalinë pasuese: “Në një anë kjo ka treguar shumë karakter nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj që është për t’u përgëzuar që nuk ka hequr dorë”? Dyzim apo taktikë edhe… edhe?

Sh.R.: “Të gjitha shenjat, që po jepen janë se kjo marrëveshje është me peshë e me rëndësi dhe kërkon zgjidhjen, jo siç e duan shqiptarët, jo siç e duan serbët, por siç e duan fuqitë e mëdha. Putini shkoi deri në Beograd me ndikue në zgjidhjen. Presidenti Trump dërgoi letër. Jo një, por dy letra. Dhe pati një seri masash e sanksione që janë tregues i qartë se sa e rëndësishme është kjo marrëveshje. Tani nuk duhet me të rrufeja në kokë që me e kuptue se është moti i keq.”

Nuk duhet të kem gabuar, kur me humor, ndoshta shkodran, i kam shkruar në një komentim publik Mikut Shenasi: “Mirë që furra e picës nuk di t’i lexon shkrimet Tua, përndryshe do shëndërrohej në frigorifer”. Ky pështjellim që citova, e vërteton. Do të thosha, na ka sajuar bubullimë në qiell të kthjellët, apo cunami në gotë. Serbia as miqtë e saj nuk duan për momentin marrëveshje që përmban njohjen shtetërore të Kosovës nga ana e Serbisë. Serbia do vetëm zhurmë, për të arsyetuar anashkalimin që i ka vënë BE-ja në kapitullin 35 të kushteve për anëtarësim në BE. Dhe për këtë qëllim ka angazhuar kuislingët, marionetat dhe miqtë e saj. Kaq. Për këtë do të bindemi, sapo Këshillim i BE-së të ketë marrë qëndrim, se dakordohet për anashkalimin e kushtëzimit të kapitullit 35, për shkak se “Kosova ka shpreh pretendime territoriale ndaj Serbisë”, duke pamundësuar arritjen edhe vetëm të “marrëveshjes për mirëkuptim me Kosovës”, siç është konkretizuar në kushtëzim të kapitullit 35.

Të improvizojmë për një moment sundimtarët e Serbisë, për të kuptuar se ata e duan gjithë Shtetin e Kosovës, si neokoloni, siç e kishin nga shkurti 2008 deri tani, dhe jo vetëm ndonjë copë territori pa ndonjë vlerë, siç po trumbetojnë ca hashimitë dhe ca patriotë njëdimensionalë, që po zhurmojnë për “shkëmbim të territoreve etnike”, si edhe Miku Shenasi.

Sh.R.: “Zgjidhja që do të propozoja, krejt si një njeri që nuk ka asnjë interes në këtë punë, është që të ndiqet rekomandimi dhe kërkesa e SHBA për të pezulluar përkohësisht, jodefinitivisht, pa e hequr taksën. Kështu tregohet respekti i duhur për mbështetësin stregjik dhe zgjidhet një problem i panevojshëm që po përdoret me shumë efektivitet nga serbët. Hiqet edhe një pengesë për bisedimet e pashmangshme.”

Aspak i ndershëm mashtrimi: “krejt si një njeri që nuk ka asnjë interes në këtë punë”. Asnjë shqiptar nuk është i pa interes në këtë çështje kaq serioze e kombëtare! As Miku Shenasi! Por, ka bërë një gabim “teknik”, në kuadër të taktikës për t’u imponuar sa më shumë.

Përse edhe Shenasiu, si Hashimi e hashimitët dhe miqtë e Serbisë, e propagandojnë për kaq kategorike: “bisedimet e pashmangshme”. Përse qenkëshin bisedimet e pashmangshme për marrëveshje me Serbinë, sidomos tani? Sepse po i duhet urgjentisht Serbisë për interesin financiar që ka nga BE-ja?

Interesi i Kosovës është të shpreh gatishmëri për marrëveshje kapitale, por me kushtëzimin e njohjes reciproke shtetërore, që të barazohemi si palë në bisedime. Të tjera “fizkultura” nuk janë në dobi të Kosovës, por vetëm të Serbisë. Ja, kanë bërë “marrëveshje” për energjetikë, por Kosova dhe Shqipëria nuk po kanë guximit të lëshojnë as largpërçuesin elektrik Kukës-Prizren, të ngritur me ndihma gjermane. Pra, është një dëshmi se edhe ajo “marrëveshje” ishte një si “fizkulturë” që manifeston Serbia, duke shpërdoruar kuislingët, marionetat e miqtë e saj, ne Prishtinë e Bruksel, për të krijuar përshtypje të mashtrueshme, se është e gatshme për bisedime.

Meqë Shenasiu ka sjell ca arsyetime për dëmtime e fitime financiare të Serbisë e Kosovës, por të pa sakta, nuk po o citoj e komentoj. Nuk po merrem as me “tre rrugë për të ndryshuar këtë me dinjitetin e duhur”, sepse nuk meritojnë as të lexohen. Sa për ilustrim, po sjell fjalinë e parë të “rrugës” se parë: “Komunat të vendosin një taksë lokale për mallrat e importuara.” Pa dashur të imponohet dyshimi, nëse ka njohuri për funksionim të shtetit…

Tani po i afrohem fundit të shkrimit. Arrita të kapitulli i parafundit, të cilin Miku Shenasi e ka titulluar: “CFARË MARRËVESHJE MUND TË BËHET”, që do të thotë marrëveshja duhet, por në pyetje është vetëm çfarë do të jet. Se Kina “superfuqi” dhe Tajvani “milingonë” nuk kanë marrëveshje për njohje reciproke shtetërore, nuk e ka penguar Tajvanin të jetë shumë më i zhvilluar e më demokratik se Kina, dhe se secili kinez i informuar, do parapëlqente Taivanin për të rrojtur. Edhe unë, nëse do të kisha vetëm këto dy vende si kushtëzim për ta vazhduar rrojtjen.

Fatkeqësisht, Miku Shenasi po më zhgënjen, me spekulimin, sikur ekziston marrëveshja: “është mirë që të shkohet tek shqiptarët dhe të parashtrohen e sqarohen pika të vështira e të paqarta të marrëveshjes (…) Direct ose indirect duhet me dalë dhe me ia shpjegue popullit se cfarë është në tavolinë dhe për cka është dakordësuar.”. Të cilës marrëveshje? Asnjëra palë, as ndërmjetësuesit, nuk kanë bërë ndonjë njoftim për ndonjë tekst të marrëveshjes. Bile, as që është biseduar konkretisht. Të gjitha janë vetëm “fizkultura”, që po i duhen Serbisë për të simuluar gatishmërinë për marrëveshje.

Kjo marrëveshjemani është bërë tashmë si një lloj tërbimi kolektiv!
Sh.R.: “Sepse në fund të fundit kanë ardhë letrat dhe presidentët presin nënshkrimin.”
Kaq primitiv nuk po përshfaqet as kuislingu Hashim!

Cilët presidentë po presin nënshkrim?!
Merre me mend, të gjitha qenkëshin të kryera, por do paraqitkësh problem vetëm emërtimi i Kosovës. Po citoj Politologun tonë: “Ka me pasë problem për emër; Serbët kanë me dashtë me e quajtë Kosova i Metohija dhe me Metohi kanë nënkuptue Zajednicën dhe me evokue manastiret dhe qendrat e tyre. OKB mundet me e quajtë Kosovo e me radhë.

Fatkeqësisht Shenasiu nuk paska informacion as për emërimin e kahmotshëm serb për Dukagjinin: “Metohia”. E ka burimin nga gjuha liturgjike e Kishës serbe, që përafërsisht i bie: pronë kishtare.

Nën çdo dinjitet edhe ky spekulim i Politologut Shenasi. Fantazon edhe se si do të manovruaka OKB-ja, e cila e paskësh të gatshëm anëtarësimin e Kosovës, por do ketë pak “kusuritje” për emërtimin!

Sh.R.: “E sa për me thanë, nëse Kosova merr, të themi 50% të të ardhurave të Trepçës, nuk është pa peshë. Dikur thuhej “Trepça radi, Beograd se gradi” pra, në Kosovë nuk hynte asgjë, dhe pesë miliardë dollarë në vit shkonin në Beograd… prapë mbërriti Kosova me mbijetue deri që nisën me ardhë fondet e federatës, që ishin … paratë e Trepçës.

Ndoshta me mirë është të shpreh dufin me no coment!, se sa të them atë që po me zien në bark nga ky provokim!

Sh.R.: “Ka shumë gjëra të pakëndshme që do të dalin me marrëveshjen, kjo është e pritshme, por për mua më të rëndësishme janë disa kushte që nuk po i përmend njeri si për shembull, me ua kthye 1000 hektarët e tokës shqiptarëve në Pejë, që i morën francezët me dhunë dhe tokat e tjera të sekuestruara që u përdorën, me u dhanë hapësirë objekteve të kultit se sa kombinati në Mitrovicë.”

Gati sa nuk po me mjafton vetëm shryerja e dufit me: no coment!
Nga i ka Shenasiu këto dezinformata?!

Sh.R.: “Po u bë shkëmbim territoresh, atëherë të ketë edhe shkembim popullate. Le të vijnë shqiptarët nga disa nga fshatrat mbi-Ibrit ku jemi pakicë e papërfillshme, e që nuk na i jep njeri, e po humbnim e të ndërrohen me serbët në Kosovë në fshatra si Davidovci apo nga krahu i Kamenicës e Gjilanit për shembull. Le ta ketë Gracanica statusin e ekstraterritorialitetit, por me nje numër të kufizuar banorësh dhe me kusht që kishtarët drejtues të jenë vendas në Kosovë e me radhë.”

Pyetje publike për Mikun Shenasi Rama: a je me “ne”, apo me “ata”? Nuk kam dëgjuar asnjë nacionalistë serb të ketë thënë e shkruar broçkulla kaq të pa skrupullta!

Sh.R.: “Do të ketë zona e qytete nën administrimin e huaj, të UNMIK, për shembull, por gjithmonë ka rrugë e mënyra për të punuar si duhet e për të avancuar interesat e palëve.”
Shpifje ordinere, hashimite!

Tashmë Miku Shenasi nuk po “lexon” as filxhan, por ndonjë legen, pasi t’i ketë la këmbët Hashimi…
PËRMBYLLJE – e ka titulluar Miku Shenasi kapitullin e fundit, edhe unë po e përmbyll reagimin tim.

Sh.R.: “Në vend të një përmbyllje kisha thënë se ka një mirëkuptim në mes të fuqive të mëdha se si duhet me u zgjidhë kjo punë.”
Gënjeshtër! Por gënjeshtër hileqare, bile!

Sh.R.: “Kosova ka me pague një çmim të rëndë por shumë është e logjikshme.”

Edhe mund të na ndodh fatkeqësia që të paguajmë çmim të rëndë, sipas motos serbe: “sila ne moli ni boga” (forca nuk pyet as zotin), por nuk mundet me qenë “shumë e logjikshme”, siç paskësh shkretuar Miku Shenasi.

Tek tani po bëhem pishman, pse e kam nxit Mikun Shenasi të shkruajë e publikojë këtë shkrim? (për ta kompromentuar… :p /AÇ) Më e shëndetshme ka qenë që të vazhdoj të mos e njoh deri në këto përmasa degradimi, siç po e vuaj tani dëshpërimin që me ka shkaktuar ky shkrim.

Më herët pothuajse u pendova, pse në komunikim privat i shkrova kuturua: “Më lehtë do ta haja krah me therra, se sa ta lexoja deri në fund shkrimin.” Edhe pse mendim kuturu, i krijuar nga një lexim i rrembimshëm, fatkeqësisht paskësh qenë i saktë. Tani me ngjau se hëngra një lesë me therra, deri sa mbarova këtë reagim!

Uroj, Miku Shenasi të më drejtkupton, nëse nuk do të mundet menjëherë të më mirëkupton, sepse nuk dua ta prishim miqësinë e respektin reciprok që kishim!

E siguroj Mikun Shenasi, se vetëm ndaj shkrimeve të shokëve reagoj me kaq përkushtim e emocione.
Shëndet dhe mbarësi – Miku Shenasi!

[FCB, 25 shkurt 2019]

Statusi dhe gjithë debati me të gjithë pjesëmarrësit gjendet në:

A PO NA NDODH TËRBIMI KOLEKTIV – I QUAJTUR "MARRËVESHJE" ?Para dy ditëve Politologu shkodran Shenasi Rama, -…

Posted by Ibrahim Kelmendi on Monday, February 25, 2019