TURP TË NA VIJË TË GJITHËVE!

0
691
Mirela Papuçiu

Mirela Papuçiu, 23 shkurt 2020

Mësuese, më tha para pak ditësh Benarti, nxënës i klasës VI tek ” Flatrat”, Aurelu, nxënësi juaj i “Jakov Xoxës” më tha t’ ju tregoja këtë. Dhe më zgjati një etyd punuar në argjilë. A u gëzova? Më shumë se kaq. Zemra plot për të mirët, të edukuarit, të apasionuarit, të ndjeshmit, njerëzorët, qytetarët që vënë gurë themeli. Sytë tanë shohin atë që kemi brenda vetes.

Dhe unë “Jakovin” e ndaj veç. Veç një apo dy njerëzve të pamoralshëm, pa etikë profesionale e qytetare. Veç të këqijave të eksportuara nga politikat e shtrembëra të klikave e interesave të ngushta. Ata nuk janë shkolla. Shkolla janë të gjithë kontributorët që prej vitit 1966, vit i krijimit të saj, mësues, nxënës e komunitet prinderish në vite. Janë ata që në vetminë e procesit krijues gdhendin përjetësinë përmes artit, ata që rimodelojnë jetën me artin e frymën e tyre shpalosur në skena e ekspozita, ata që zbusin me forcën e daltës, penelit, tingullit ashpërsinë e nje kohe të mbrapshtë që e njohim e jetojmë në lëkurë.

Nga komunikimi i këtyre ditëve me mësuesit e shkollës ndjehet shqetësim, shumë shqetësim, pezmatim e zemërthyerje për skandalet e abuzimit seksual që janë bërë të ditura për publikun e gjerë këto ditë shkurti. Shumë prej tyre thonë: ” Turp na vjen, shumë turp. Ne kemi femijët tanë, aty. Nuk na bëhet të shkelim në shkollë.” Po ashtu, edhe prindër femijësh pohojnë që e kanë të vështirë të shkëpusin pjesën tjetër nga kjo baltovinë e mediatizuar tashmë. Dhe pyetja e pjesës tjetër, asaj që është jashte shtrohet: ” Po pse nuk distancohen, si ka mundesi dy javë asnjë fjalë për këtë, as në statuset e tyre?”.

Unë, si ish drejtuese ndihem më shumë se keq. Si nuk e kisha vënë re? A ka ndodhur edhe vjet? A mjaftonin ato vizitat e mia të përditshme një, dy apo tre herë në godinat e arteve nga kati i parë në të tretin ku asnjë xham dere nuk lejoja të ishte i mbuluar, a mjaftonin oraret e mirëpërcaktuara e të shpallura në çdo mjedis për ta frenuar këtë? Nuk e di. Nuk kam si ta di. Dridhem nga mendimi i shëmtisë, qoftë edhe të lokalizuar, që është jetësuar në mjedisin më të pastër për imagjinatën e vlerat tona kolektive, siç është shkolla.

A ka pasur që e kanë ditur? As këtë nuk mund ta di. Por deduksionin mund ta bëjë gjithkush sipas analizës së vet, duke lexuar këto refleksione që ka ditë që i bluaj, sepse të vërteta të tilla nuk zbulohen dot katërcipërisht. Ato njohin vetëm errësirën e thellë të skutave të mjerimit të njeriut.
Veç një distancim publik i stafit duhej, duhet, është refreni që ushton me dhe nën zë. Stafi të ndjekë valën e brendshme të mospajtimit me degradimin dhe jo kohët e diktuara. Distancimi është kusht për dinjitetin e njerëzve që kanë dhënë e japin pjesën e tyre më të mirë. “Nuk na lejojnë, thonë, na shpërndajne.” Po pse? Pse kur deklarat nuk janë veç pohime parimesh të moralit publik të pranuara masivisht si ai i mosabuzimit me fëmijet dhe ai i mosabuzimit me detyrën?!

Njerëzit përmendin koren e bukës, ndonje ka të tjera halle e në fund, ajo që duket kaq e thjeshtë, një rregull që mësohet në qytetarinë e klasës së parë, a nuk është, në fakt dukshëm, pothuaj e pamundur për këtë shoqerinë tonë të mohimit të së vërtetës në përfitim të rehatisë e përgjumjes qytetare? Ndryshe, si do mund të etiketoheshin aksh e aksh studentë që ushtrojnë të drejtën e fjalës së lirë si “rrugeçër” nga eksponentë të lartë e asnjë reagim mbështetës nga të singjashëm? Se arroganca e “eksponencës” është normë e pashkruar, por e miratuar dhe vulosur me heshtje.

E megjithatë unë them se nuk duhet shumë. Me fëmijët e tyre të mrekullueshëm në krahë, nxënës të shkollës, mësuesit të dalin e të qetësojnë prindërit me një deklaratë publike ku të thonë thjesht: ” Turp, turp që ndodhi, turp që nuk e vumë re, turp kush e vuri re dhe e heshti, turp kush donte të heshtte turpin!”

Duhet kjo, më shumë se ndrydhja e meraku për emrin e shkollës. Emri i shkollës janë këta fëmijë që e kanë zgjedhur atë. Dhe emri i shkollës nuk duhet as të na çojë në cinizmin e komenteve se hë, se ajo vajzë ishte pak si e lëvizur, që nuk ka munguar në opinion. Nga frika e turpi nuk duhet ta mpakim ndërgjegjen e të bëhemi palë me agresorin. Çfarë shqetësimi është ai i cuarjes së situatës në media a jo përpara abuzimit që pikë pikë gërryen psikenë e deformon botëkuptimin e të rinjve për botën, duke i ofruar një vizion të saj të ngjashëm me atë të xhunglës?! Ndaj, kujdes në retorikat e moralit shterp. Kujdes, o opinion qytetar!

Por, ndoshta tronditje te tilla i vijne njeriut, mjedisit per te reflektuar thelle, per t’ i vene gishtin kokes e per te gjetur rrugen e drejte, ate te punes, te vigjilences, te mospranimit te te qenit i perdorur sepse “te mirat” e te qenit mashe e sistemit jane shume me afatshkurtra se efektet anesore qe ka nga kjo shoqeria dhe vet individi.

Se fundmi, nuk eshte e rastesishme qe njerezit qe shfaqin devijime si ato qe jane evidentuar se fundmi, kane etike te ulet profesionale e jane me te paaftet. Ndaj, kujdes me dhenien e diplomave, kujdes me punesimet, kujdes me vleresimet e performancave te mesuesve.

Ndaj, insistoj kur them se turpi nuk i takon vetem “Jakov Xoxes”, siç perpiqen ta perbaltin tani edhe ata qe e shnderruan ate si ndermarrjen e Ujesjellesit Fier, ku punesoheshin te gjithe ata qe partia do e qe nuk i puneson dot kund tjeter. Turpi eshte i atyre dhe i ne te tjereve qe e pranuam. Ndaj turp te na vije! Sa turp!