Zymer Mehani
Poezitë e Ilir Çabratit trajtohen si fenomene artistike në raport me kohën dhe hapësirën. Ky poet duke pasur parasysh kërkesat e urdhrit teoriko-letrar, përpiqet që në vargjet e veta të aktualizojë motive dhe ide përmes temash që korrespondojnë me probleme dhe andralla të ndryshme të jetës njerëzore dhe kësisoj e realizon diskursin e brendshëm, duke na dhuruar edhe elemente eseistike.
Në secilën poezi të vëllimit “ Dhoma e fshehtësive” të poetit Ilir Çabrati, duke filluar nga e para “Qelbësi”, pastaj “Vegim mesnate” e deri tek e fundit, poeti shtron nga një problem të veçantë përmes idesh të sintetizuara. Ai, varësisht nga situatat, në të cilat jeton dhe krijon, shtron koncepcionet e veta përmes motivesh e tematikash ndaj çështjesh të ndyshme, të skalitura në artin e tij poetik. Këto poezi poeti Çabrati i ka ndërtuar përmes kombinimit të imazheve nga jeta, si në çaste gëzimi, intimiteti e hareje, por edhe në çaste trishtimi e varfërie, ku secila prej tematikave bart një mesazh të caktuar.
Poeti Ilir Çabrati kërkon procedim të ndërlikuar të mishërimit dimensional e kuptimor të fjalës dhe të shprehjes poetike, përherë të kamufluar me figuracion poetik. Ai përpiqet që përmes vrullit shpërthyes të mendimeve të krijojë varg përmbajtësor në përputhje me idenë dhe motivin që trajton. Autori është tepër i kujdesshëm në përdorimin e fjalëve dhe të shprehjeve dhe përgjithsisht të fjalorit, që përdor në poezinë e vet, prandaj edhe i organizon ato bukur në strukturën e vargjeve të veta, duke u dhënë kuptim pa i përsëritur dhe kësofare arrin ta rrumbullakësojë efektin e përgjithshëm të mendimit.
Poeti Çabrati e ndjen fuqishëm rolin dhe peshën e fjalës, prandaj përpiqet që t’i gjejë fjalët dhe shprehjet e veta origjinale, edhe pse është i vetëdijshëm se fjala shpesh e dërgon atë në mbretërinë e vet magjike duke marrë trajtë për ta mveshur mendimin dhe emocionin e vet me petkun dhe ngjyrimin e fjalëve. Fjala poetike e Çabratit është mjaft e thjeshtë dhe origjinale, me ide të qarta dhe me preokupime të ndryshme. Në poezitë e këtij krijuesi hetohen refleksionet mbi problemet e jetës së njeriut, duke mbetur në fortesën e fjalëve, që na dhurojnë emocione, dhembje, mallëngjim, por edhe trishtim.
Shihet se poeti Ilir Çabrati ka bërë përpjekje për t’i krijuar shprehjet e veta specifike dhe individuale. Këto përpjekje janë të guximshme, por edhe simpatike.
Podujevë, më 7 shkurt 2020