Gazeta Express, 20 Shkurt 2020
Gazeta Express, përmes burimeve të saj amerikane, ka mësuar se zyrtarë të Ambasadës së SHBA’së në Prishtinë, i kanë thënë Kryeministrit Kurti se vendi i tij po shqyrton edhe mundësinë e heqjes së trupave të saj nga Kosova.
Muaj më parë ishte spekuluar shumë se amerikanët po shqyrtojnë heqjen e kampit Bondsteel nga Kosova – nëse lidershipi politik i saj vazhdon të mos-bindet ndaj sugjerimeve ndërkombëtare për heqjen e taksës. Por, ky informacion nuk ishte konfirmuar asnjëherë.
Sido që të jetë, ky opsion duket se po shqyrtohet seriozisht. Ambasadori Philip Kosnett, në takimin që kishte pasur sot me kryeministrin Kurti, e ka njoftuar atë me planin e Pentagonit për ta rishqyrtuar prezencën ushtarake në Kosovë.
“Ambasada amerikane në Prishtinë i ka thënë Kurtit se prezenca e forcave amerikane në Kosovë është duke u shqyrtuar tashmë”, ka treguar burimi i Gazetës Express.
Ky njëherësh është paralajmërimi më serioz që SHBA i ka bërë Kosovës, prej kur forcat amerikane janë vendosur në Kosovë.
Kjo situatë është tensionuar tejmase, prej kur z. Ramush Haradinaj e kishte vendosur taksën.
Gazeta Express ka raportuar që kryeministri Kurti, për shkak të këtij problemi, është ekskomunikuar nga zyrtarët e lartë amerikanë, të cilat janë decidivë që, nëse nuk hiqet taksa, ata nuk do ta takojnë atë.
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, si kandidatë për Kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit, kishte premtuar heqjen e taksës dhe zëvendësimin e saj me masa të gjëra reciprociteti me Serbinë. Por, tash kur ata udhëheqin koalicionin qeverisës, ende nuk kanë lëvizur në këtë drejtim.
I dërguari i Presidentit Trump në dialogun Kosovë-Serbi, Ambasadori Richard Grenell, është kategorik që taksa të hiqet menjëherë në mënyrë që të rifillojë dialogu. Gjasat janë që një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë të ndodh shumë shpejt. Por, pikërisht kjo duket se po i tremb udhëheqësit e rinj të Kosovës.
Në një intervistë për Radion Europa e Lirë, Kryeministri Kurti kishte deklaruar se “nuk kemi nevojë të nxitojmë në këtë proces, meqenëse në prill edhe në Serbi do të ketë zgjedhje”. Nuk dihet nëse pikërisht për këtë arsye Kurti po e vonon heqjen e taksës.