Rexhep QOSJA: URREJTJE ME PASOJA TË MËDHA

0
628

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në profilin e tij shkrimin e Akademikut, duke thënë se në një pikë bashkohet me të, por e kundërshton teksa thotë se kjo urrejtje nuk është thjesht një organizim mjetesh politike, por një ofensivë e egër pushtuese e hapësirës publike të komunikimit.

18 Shkurt 2020

TIRANE – Akademik Rexhep Qosja ka shkruar ditën e sotme se mediat kosovare, duke përmendur televizionin T7 dhe gazetën “Express” po propagandojnë urrejtje ndaj Shqipërisë më shumë se kanë bërë politikanë të ndryshëm serbë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në profilin e tij shkrimin e Akademikut, duke thënë se në një pikë bashkohet me të, por e kundërshton teksa thotë se kjo urrejtje nuk është thjesht një organizim mjetesh politike, por një ofensivë e egër pushtuese e hapësirës publike të komunikimit.


Reagimi i Ramës dhe statusi i Rexhep Qoses

Edi RamaHALLALL
Sapo më dërgoi zyra e shtypit statusin e mëposhtëm që Akademiku Rexhep Qosja ka postuar në faqen e tij sociale sot. E pata të pamundur të mos e ndaj me ju, sepse e pamundur është të mos preket plaga që një tufë xhagajdurësh, me atributet e rrejshme të patriotit a të mendimtarit, që rëndom politika a gazetaria në trojet tona u’a mveshin njerëzve pa din e as iman, po rreket të hapë, zgjerojë e thellojë, bash ashtu siç e demaskon me një qartësi të dhimbshme Rexhep Qosja, në shënimin e tij. POR…

Në një pikë nuk jam dakord me Rexhep Qosen!

Kjo urrejtje e organizuar shoviniste ndaj Shqipërisë, siç ai e quan, nuk është thjesht një organizim mjetesh politike, mediatike e financiare, sa të paskrupullta aq edhe të errëta, e cila sipas Rexhep Qoses, mund të sjellë pasoja në marrëdhëniet mes të dy shteteve shqiptare, por një ofensivë e egër pushtuese e hapësirës publike të komunikimit, që me vulgaritetin, shpifjet dhe dritëshkurtësinë e saj, ka nisur ta dëmtojë keq vetë Kosovën.


Ja statusi kuptimplotë nga Rexhep QOSJA: URREJTJE ME PASOJA TË MËDHA

As kryeministri i Serbisë mbretërore, Nikolla Pashiqi, as ministri i Sigurimit të Brendshëm Shtetëror – UDB-së së Serbisë dhe Jugosllavisë Komuniste, Aleksandër Rankoviqi e as kryetari i Serbisë pseudodemokratiko-fashiste, Sllobodan Millosheviqi, që aq shumë e kanë dëshiruar zhbërjen e shtetit shqiptar, nuk kanë propaganduar kaq haptas, kaq botërisht, aq urrejtje shoviniste kundër Shqipërisë sa e si po propagandon Masmedia e Prishtinës me disa radio, televizione e portale, e sidomos me televizionin T7 dhe me gazetën portal “Express”.

Kjo urrejtje ndaj Shqipërisë shtetërore nuk është urrejtje as e çastit e as e rastit. Jo. Kjo është urrejtje me motive jo vetëm politike më gjatë e menduar dhe më gjerësisht e organizuar dhe e strukturuar!

Kësaj urrejtjeje të organizuar shoviniste brendakombëtare kundër Shqipërisë, me të punësuar e bashkëpunëtorë, me ide, me mendime, me projekte, me propozime po i kontribuojnë edhe ndonjë institucion e edhe individë të tjerë të këtushëm.

Është naivitet të besohet se këtë urrejtje shoviniste brendakombëtare ndaj shtetit shqiptar, Shqipërisë, nuk e nxisin edhe mjete financiare të brendshme e të jashtme!

Dhe, është e palejueshme të presim gojëmbyllur e të shohim se çfarë pasojash, dhembjesh e plagësh po i sjell kjo urrejtje e propaganduar aq gjatë e aq vendosmërisht njësisë së Kombit shqiptar dhe marrëdhënieve të Dy shteteve shqiptare!

Në qoftë se nuk janë mirëkuptues të kësaj urrejtjeje të propaganduar haptas, botërisht e pa ndërprerje tani e sa kohë kundër Shqipërisë, institucionet e larta politike e shtetërore të Kosovës do të duhej të marrin qëndrim ndaj bartësve të saj, siç po marrin shtetet e mëdha të Bashkimit Evropian ndaj propaganduesve të organizuar të fashizmit dhe të nazizmit në jetën e tyre politike, shoqërore e shtetërore.

Heshtja e tyre ndaj saj s’mund të kuptohet ndryshe përpos si pajtim me të!

m.v./Shqiptarja.com