Në foto: Fshati Potok në Kodër, nga ku ishin larguar gati para 100 vitesh, më 1924 Ali Rama me familjen e tij dhe Bija e Mavriqit, HANIFJA. Kjo është shtëpia e Abdullah Hamit Ramës.
Gani Mehmeti
Kur Kosova pushtohet prej Serbisë
Ia ndan tokat përgjysmë Shqipërisë
Përndjek popullin prej shtëpisë
Gjitha të zezat i vijnë Shqiptarisë!
Me kokën prapa, pse i kishte mbetur gjithçkaqë njihte e dinte, këmbët po e çonin përpara. Njerëzit, të mëdhenj e të vegjël, të shkurtë e të gjatë, të hollë e të trashë – janë të njëjtë. Por, ata dallojnë në mendje e në zemër, në ndjenja e në emocione, në të ditur e në të paditur.
Kështu ishte edhe Hanifja, por me një logjikë në kokë, me një dashuri, me zemër e me ndjenja më të mëdha, se që ishte me vite e me trup, më e ditur, më e dhimbshme, më e përmallueshme, më e dashur se të gjithë të tjerët për vendin e saj, ku kishte lindur tani e njëmbëdhjetë vite më herët.
– Eee, po! Ani! Se, sot po largohem, por e gjallë, të jap fjalën o Vendi im, se nuk të harroj dhe herët a vonë do të të kthehem. Të jap fjalën, se nuk do të vdes pa u kthyer, se unë këtu kam lindur dhe këtu do të vdes, se zemra ime rreh për këtë vend dhe mendja ime punon për këtë vend. Sërish do i shoh këto male, këto kullosa ku kullota bagëtinë, këto kodra! – po fliste me vete, duke e mallkuar shkaun, që po e detyronte të largohej nga vendi me gjithë familje, nga që, po ia kërkonte babain t’ia vriste, e pa babain nuk e merrte me mend se si do të jetonin ajo me vëllain dhe me nënën, prandaj do e lëshonin Mavriqin, Llapin dhe Kosovën, duke shkuar për në Shqipëri. Po largohej nga vendi më i mirë e më i dashur për të, ngaqë edhe nuk njihte vende të tjera deri atëherë, duke mos ditur se deri ku shtrihej toka, po mendonte se nuk e ka larg skajin. – Mos u ngifshi kurrë, gjithmonë mbetshi të uritur, ju mbet’të në fyt toka arbërore.
Mbetshit edhe pa atë që na e keni marrë, madje sa më parë, në fyt ju mbettë, që kurrë nuk na latë rehat të jetojmë si njerëz, o ju të panjerëz! Zoti u hakmarrtë në ju! Mos pafshi kurrë dritën e juaj, po farë e fëlliqur kishit qenë…! Sot po iku, pse po më duhet të shkoj me prindërit e mi për të shpëtuar lëkurën, por nuk e lë pa u kthyer prap këtu, në vendin tim. Do të përpiqem të bëjë çmos për vendin tim, se këtu në Mavriq, pak më lart, atje në Reçicë kam Ajeten e Demë Ahmetit dhe të gjithë të vrarët e tjerë nga dora juaj e zezë. – Kështu, me mendje tek vendi i saj, tek Mavriqi, tek Llapi e Dardania Antike e deri tek Ajetja e Demë Ahmetit, po ecte gjithnjë e më shumë dhe po largohej nga vendi i saj i lindjes. Dhe, sa më shumë që po largohej, aq më shumë, diçka, sikur po i lidhej në fyt e gjoks, aq më shumë po e dashuronte vendin që po e linte.
– Po e lë vendin e paraardhëses sime, po e lë varrin e Ajetes të Demës. Eh, po! Këto lufta u përsëritkan për çdo 50 a 100 vite tek shqiptarët me armiqt e tij. Ajetja u vra me shka ballë për ballë në luftën me ta! Nuk u dorëzua kurrë në dorën e shkaut. I lumtë asaj! Ka dhënë jetën për nderin, për familjen dhe për Atdheun! Ia vranë e ia masakruan familjen, por nuk mundën ta thyejnë, nuk mundën t’ia shfarosin familjen. Ajo, familja e Ajetes, familja e Demë Ahmetit u rrit, u shtua dhe po ata e kanë mbushur me banorë Mavriqin e Llapit me të gjitha fshatrat e vendet tjera, sa janë zgjëruar edhe jashtë Mavriqit në Llap e në Dardani.
Këta jetojnë e frymojnë dhe vazhdojnë luftën kundër armikut që disa herë i la pa atdhe, duke i ndjekur e përndjekur, por edhe këta sa më parë që mundnin, ktheheshin në vendin e tyre, duke mos e harruar dhe duke mos hequr dorë kurrë nga vendet e tyre të bukura. Jo, jo! Edhe unë jam njëra nga pasardhëset e Demë Ahmetit, jam stërnipja e vetë Islam Qorrit, që ju e patët qorruar në djep! Unë e di se nuk po veproj sikur Ajetja, ajo qëndroi kundër tyre dhe i luftoi ata, deri sa u vra edhe vetë në luftë. Unë po iku… gjest i lig ky, po e di, por unë po iku…! Po iku, që të kthehem vetë e ata t’i luftojnë armiqtë tanë. Nuk do e harroj këtë, gjithherë do ta kem ndërmend dhe do të hakmerrem, drejtpërdrejt ose ata të gjakut tim, vetë pasardhësit e mi!
Bagëti në Potok të Mavriqit të Llapit
Me të gjitha këto mendime, me këto tortura ndaj vetvetës, me gjithë qortimet dhe arsyetimet e qëllimet e veta, ajo shkoi me prindërit në Kavajë… Atje shkuan të ndjekur nga armiku serb.
Ishte kjo Hanifja, bija e Ali Ramës – Potokut, e cila si fëmijë u detyra të linte vendlindjen e saj dhe gjithçka e me vete të merrte kujtimet për vendin, bashkë me prindërit e saj dhe vëllain, Bajramin – të përndjekur nga xhandarët serbë.
Babai i Hanifes ishte një njeri i njohur për vendin e tij dhe kishte një autoritet. Ai ishte një njeri i ngritur, njihte katër gjuhë të huaja. Ndoshta pikërisht për këtë edhe po ndiqej nga armiku, se një populli, për ta qeverisur e për ta mbajtur nën pushtim, duhet hequr qafe elita, njerëzit që kanë autoritet, e pastaj me të tjerët bën si të duash.
Babai i Hanifes, sipas rrëfimeve, ishte i njohur edhe me mbretin shqiptar. Vetë mbreti kishte pasur ndërmend ta emëronte në krye të shtetit diku! Mirëpo, një fjalë e urtë popullore thotë: Nafakpremit i qesin hundët gjak kur të kthehet tërvesa! E, babai i Hanifes, Aliu, me premtime nga mbreti, ia merr jetën murtaja, atje, në Kavajë, diku vetëm nja një muaj mbasi ishin vendosur aty, bashkë me të birin e tij, Bajramin, vëllain e Hanifes!
Tani fillon një jetë tjetërfare për Hanifen. Një jetë edhe më e rëndë, por ashtu siç thamë, kjo ishte një malësore, ani pse ende e re në moshë, po që po dinte të mendonte dhe ta udhëheqte jetën e vetë, jo vetëm për vete, por gjithherë duke menduar edhe për Mavriqin e gjithsesi për Kosovën.
Mbesa e luftëtarit dhe njëriut të madh, për çështjen kombëtare, Demë Ahmeti, dhe bija e Ali Ramë Potokut, Hanifja, që ishin shpërngulur nga Mavriqi me babanë Aliun, nënën Hyren, vëllaun e vogël Bajramin, për në tokën mëmë Shqipëri, nuk kishin migruar nga dëshira, por nga dhuna dhe përndjekjet që bënte pushteti i atëhershëm serbo-sllav ndaj shqiptarëve në Kosovë. Edhe pse ishte në moshën fëmijënore, ëndërrat e saj për vendlindje nuk iu shuan, që një ditë të kthehej prapë.
MARTESA E HYRËS, NËNËS SË HANIFES, NË KAVAJË
Duke mbetur dy femra të vetme, jeta e tyre ishte e vështirë të kalohej, prandaj Hyra, nëna e Hanifes vendos të martohet për të siguarar sado pak edhe ekzistencën e tyre, pasi kishin mbetur pa mashkull dhe pa krah pune në shtëpi.
Jeta në Shqipëri ishte përplot vuajte, sidomos ajo ekonomike. Nënë Hyra mbetet e vetmuar, vetëm me vajzën Hanife. Pas ca viteve, nënë Hyra detyrohet të martohet dhe të vazhdojë jetën me një burrë me prejardhje nga Kosova, i quajtur Halil Buçinca. Për Hanifen ishte një dhembje shpirtërore, përshtatja në një familje tjetër.
Është për ta cekur, se burri i dytë i Hyrës, po e trajtonte siç ishte më së miri edhe Hanifen, vajzën e gruas, çka kishte bërë të vetën, që sado pak, Hanifja të ndjehej e kënaqur dhe falënderuese ndaj Halilit.
Vuajtjet e Hanifes që fëmijë prej serbit, tani e mbetur edhe pa më të dashurit e saj – vëllait e babait, e kishin kalitur atë edhe më shumë që të ishte gjithherë e sa më e fortë, duke menduar edhe për Potokun, Mavriqin dhe Kosovën, që nuk po e ngrohte mjaft dielli i mesit të Shqipërisë, që shumë nga shqiptarët do ta kishin lakmi.
HANIFJA PO RRITEJ, ISHTE BËRË PËR FEJESË
Koha i bartë të gjitha me vete. Ajo mbushet me të mirat e me vështirësitë që ndodhin, pa u ndalur në asnjë moment. Ajo i rritë fëmijët e bëhen të rinj, të rinjtë e kalojnë atë dhe hyjnë në moshën e pjekurisë, e, bashkë me këtë, edhe kërkesat e nevojat për jetë, deri me lidhjen e fatit të tyre, qofshin meshkuaj apo femra, vie koha e martesës së tyre.
Hanifja, që tani kishte lëshuar shtatin e i kishte bërë vitet, nuk donte të ishte më barrë e nënës Hyrë dhe e njerkut. Sikur me kohë kishte kuptuar vazhdimin e jetës me dikë, dhe kishte vënë syrin një djali, edhe ai i ndjekur nga Kosova e që po jetonin jo larg njëri-tjetrit.
KUSH ISHTE MILAZIM KOCI?…
Nuk ishte e vetme familja nga Llapi, që kishin lënë vendlindjen e tyre dhe kishin marrë rrugën për në Shqipëri, por të tilla kishte shumë nga të gjitha trevat e Kosovës. Një nga këto ishte familja nga Drenica, që shquhej për nga patriotizmi dhe lufta që bënin për mbrojtjen e tokave shqiptare dhe kundër kolonizimit serb që vinin e i pushtonin tokat në Kosovë, në periudhën e mbretërisë serbe, në krye me Pashiqin. Grupet kriminale të kolonëve që vinin nga anët e ndryshme të Serbisë, po i destabilizonin banorët autoktonë shqiptarë kudo që shkonin, ashtu edhe në Drenicë. Por kishte të atillë shqiptarë, trima dhe luftëtarë që u dilnin përballë këtyre kriminelëve që po ushtronin dhunë nadaj shqiptarëve. Ndër ta ishte Azem Bejtë Galica, me bashkëluftëtarët dhe patriotët që kishte. Familja patriotike, e cila çdoherë bashkëpunonte me të dhe ishte pjesë përbërëse e çetës se Azem Bejtës, Shaqir Koca me vëllezërit e tij – Abdylin, Bahtirin dhe Rushitin nga Polaci.
Kolonët serbë që ishin vendosur në fshatin Polac, ushtronin dhunë të vazhdueshme mbi banorët shqiptarë të fshatit Polac dhe fshatrave përreth, të përkrahur nga pushteti i atëherëshëm serbo-sllav të viteve 1920-ta.
Një ditë, duke punuar në pronën e vetë djali i madh i Shaqirit, Milazimi bashkë me axhën e tij, Rushitin, përballen me një sulm të armatosur nga një grupi kriminal e huliganësh i kolonëve serbë. Duke ditur kohën për rreziqet që mund të ju vinin në çdo çast, Milazimi me xhaxhain e tij edhe në punë kishin shkuar të armatosur, me çka, mbas sulmit të tyre nga kriminelët serbë, këta iu përgjigjen me armë, duke i lënë dy kriminelë të vrarë e disa të tjerë të plagosur, për çka, kriminelëve nuk u kishte shkuar as mendja se dikush nga shqiptarët nuk e durojnë dhunën e padrejtësinë, në mbrojtjen e nderit e të tokave të tyre.
Pas kësaj ngjarje, pushteti i atëhershëm filloi të ushtrojë dhunë të vazhdueshme ndaj familjes së Shaqirt, duke kallur shtëpitë e gjëra të tjera, duke bërë presion që të dorëzojë vëllaun Rushitin dhe djalin Milazimin, të cilët ishin përfshi në konflikt. Milazimi, i cili ende nuk i kishte mbushur të njëzetat, bashkë me axhen Rushitin, detyrohen të migrojnë në Shqipëri, i cili në atë kohë ndiqte mësimet në medrese, në qytetin e Prizrenit dhe detyrohet t’i ndërpresë ato.
Ishin vendosur në Durrës.
Këtu po jetonte edhe Hanifja, Bija e Mavriqit, dhe, këto dy familje, të përndjekura nga i njëjti armik, ani pse ishin pothuaj nga dy skaje të Kosovës, ishin të dyja familje atdhedashëse, që me këmbëngultësi e luftonin pushtuesin prej kohësh, nga i cili ishin përndjekur.
Këto familje kishin filluar një jetë të re në tokën e Shqipërisë mëmë, por mendjen e kishin çdoherë për vendlindjen e tyre në Kosovë, që po vuante nga një sundim i egër serb.
TAKIMI I DY TË RINJVE
Kampi i kosovareve në atë kohë që mbreti Zogu e ka caktuar, ka qenë në Kavajë. Aliu dhe djali i tij Bajrami janë të varrosur në Kavajë, që sot është bashkangjitur me Durrësin, prandaj, herë thuhet Kavajë e herë Durrës.
Hyra eshte martuar te Shkëmbi i Kavajës, tash i thonë Durres aty. Motra Hanife me Hyren ka jetua deri kur u martue me Milazimin.
Familja e Milazimit ka jetue gjithë në Durrës deri jane kthye ne Kosovë.
Ata vendosen në qytetin e Durrëst. Po ashtu në qytetin e Durrësit jetonte edhe vajza e Aliut, Hanifja. Ato familje kishin filluar një jetë të re, në tokën e Shqipërisë mëmë, por mendjen e kishin çdoherë për vendlindjen e tyre në Kosovë, që po vuante nga një sundim i egër serb. Koha po ecën, të rinjtë kërkonin fatin e tyre të dashurisë.
Në foto: Fshati Polac i Skënderajt. Nga këtu u largua edhe Milazimi me të tjerë, por malli e dashuria ndaj vendit dhe luftës për ta çliruar Atdheun, nuk mundi të qëndrojë në Durrës. U kthyen të martuar me Hanifen dhe vajzën Sherifen në vendin e tyre.
Dy të rinjtë, takohen rastësisht në qytet, Milazimi dhe Hanifja, ku në shikim të parë i lënë përshtypje njëri tjetrit. Nga aty lindë dashuria. Kur kuptojnë që të dytë janë nga Kosova, dhe familjet e tyre ishin të përndjekur nga xhandarmëria.
Kjo kishte bërë që një ditë, dy të rinjtë ishin takuar dhe i kishin rrëfyer njëri-tjetrit për dashurinë që kishin ndërmjet tyre. Këta, me qëndrime të njëjta ndaj vendlindjes, marrin vendimin edhe të martohen. Hanifja shkon tek ajo familje dhe i tregon hallin e saj.
– Ne jemi marrë vesh me Milazimin që të martohemi, por unë kam një kusht, më përpara! – i thotë Malësorja e Mavriqit, babait të Milazimit.
– Urdhëro, të dëgjojmë! – ia kthen babai i Milazimit.
– Unë do të martohem me Milazimin me kusht, që, posa të ndreqet puna, të kthehemi në Kosovë, atje nga ku kemi ardhë.
– Po, kjo është edhe një dëshirë e jona, dhe se, nuk shohim mundësinë të vazhdojmë jetën këtu përgjithmonë.
Hanifja martohet me Milazimin e Kocëve të Polacit të Drenicës, duke krijuar një familje të mrekullueshme. Jeta e tyre ekonomike ishte e mirë tani, gëzimin dhe lumturinë në familje e rriti lindja e vajzës së tyre, Sherifja. Tani po i mundonte vetëm malli dhe dashuria për vendlindjen në Kosovë, që sa vinte e po u shtohej dita-ditës.
Koha po ecën, kishin bërë trembëdhjetë vite, malli po shtohej deri në djegie.
Një ditë vendosin të kthehen në Kosovë, të çmallen me familjet e tyre dhe të kthehen prap në Shqipëri në rast rreziku! Por, sa kthehen në Kosovë, atë kohë Gjermania bën sulmin e parë mbi Jugosllavinë. Atëherë kufiri Jugosllavë me Shqipërinë mbyllet pëfundimisht. Milazimi dhe Hanifja mbesin në Kosovë, gjegjësisht në Drenicë, përgjithmonë. Vuajtjet për Milazimin dhe famljen e Shaqir Kocës, sa vijnë e shtohen. Milazimi, kërkohet vazhdimisht nga xhandarmëria serbe për të dhënë llogari për konfliktin e mëhershëm me krimnelët kolonë serbë.
Ishin vitet 1943-4-5, ku shqitarët po vriteshin dhe masakrohëshin nga çetnikët serbë, Milazim Koca nga Polaci, arratisej nëpër malet e Kosovës, që mos të bie kurrë në duart e xhandarmerisë serbo – çetnike, dhe qe mos ta lëshojë pushkën nga dora, deri në çlirimin e Kosovës nga çetnikët serbë. Edhe ashtu kishte ndodhur. Milazimi ishte bashkëluftëtari i ngushtë i Mehmet Gradicës, Shaban Polluzhës, si dhe figurave më eminente të asaj periudhe, pjesmarrës në të gjitha betejat kundër çetnikëve serbo-sllav. Fitorja e komunizmit në krye me Titon, bëri një amnisti ndaj të arratisurve shqiptarë, që ishin nëpër male dhe që ishin akoma me pushkë në dorë.
Milazimi, duke mos gjetur rrugëdalje tjetër, detyrohet t’i dorëzohej pushteti të ri komunist, ku gjykohet nga gjykata e atëhershme komuniste me tetë vite burg të detyrushëm, që do t’i mbajë në Mitrovicën e Sremit. Pas tre viteve të mbajtura në burg, Tito, bëri një amnisti, ku bëhet lirimi i Milazimit! Hanifja, duke i ndi vuajtjet shpirtërore, mungesën me vite të tëra dhe frikën se mos po i ndodh diçka e keqe Milazimit dhe malli për nënën Hyrije, që e kishte lënë në Shqipëri, prap ishte e kënaqur dhe me shpresë se një ditë do të ishin bashkë më Milazimin, dhe ashtu ndodhi. Krijuan familje, duke lindur fëmijë, Sherifën të lindur në Shqipëri pastaj Fatimen, Tafilin, Fadilin dhe Nezirin i lindi në Polac. Kjo familje është shtuar me nipa e mbesa të shumtë.
Në foto, pasardhësit e Milazim Kocit dhe Hanifes, nga e majta: Neziri, daja i tyre – Abdullah Rama nga Potoku i Mavriqit, nipi Tafili, djemtë e Tafilit: Nysreti dhe Fatoni dhe djali i Abdullah ramës, Iliri.
Por, Hanifja kurrë më nuk pat rastin ta shihte nënë Hyren, për shkak të sistemit të izoluar komunist shqiptaro-jugosllavë.
Ideali dhe dashuria e Nënë Hanifes, Bijës së Mavriqit, që assesi nuk po rehatohej larg Kosovës – në Shqipëri, i shkoi në vend nga djemtë e nipërit e saj, ashtu si të gjithë luftëtarët që kishin dalë në luftë për Liri. Djemtë e nipat e Hanifes morën pjesë aktive në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në ditën që u çlirua Kosova.
Në luftë kishin marrë pjesë Neziri dhe Tafili, ndërsa Fadili e kishte ndihmuar luftën financiarisht, meqë ishte punëtor në Gjermani.
Neziri kishte arritur edhe të shkollohej, duke kryer Fakultetin e Gjuhës e Letërsisë Shqipe dhe ka dhënë kontributin e tij në mësimin e gjuhës dhe edukimin atdhetar e njerëzor të brezit të ri.
Në foto: Fshati Potok i Mavriqit të Llapit
NGA RRËFIMET E HANIFES
Kur kish pas vdekë mixha Ali në Shqipëri, tha erdhi me na pa familjen një misionare nga Anglia. Ajo e kish pas njoftë Aliun dhe kish pasë për detyrë me kontaktue e me marrë shënime prej kosovarëve, që ishin ikë në Shqipëri.
Motra Hanife i tha nanës:
– A paska vdekë ai pehlivani a !? – Hyra, nëna ime, i tha :
– Po valla! – Misionarja nga Anglia i tha nanës :
– Vajzen ama mue se po e çoj në Angli e po e shkolloj!
Po nëna Hyrë nuk pranoi, i tha:
– Jo se veç qikjo çikë më ka mbetë pej tina (kupto: prej burrit të saj, Aliut). – E nuk pranoi, se ajo pat me më çue në Angli me më shkollue se babën e kish pas respektue shumë.
I tha nanës:
– Burrin e ke pasë pehlivan, e kam njoftë dhe kam pas ba intervistë me të. Ka qene shumë i aftë. – Dhe shkoi. Asaj i thojshin atëherë misionarja e Anglisë.
TAKIMI I HANIFES ME FAMILJARËT NË MAVRIQ ISHTE ANKTH
Kur u kthyem në Kosovë në Polac, une tanë kohën mendojsha qysh muna me kontaktue me familjen e mixhallarëve të mi në Llap !
Nganjiherë shihsha andërr se u takojsha me ta.
Nji ditë vjehrri ke në Brabaniq. Kur erdhi tha:
– Në Mitrovicë ata të Brabaniqit ishin takue me nja të familjes teme.
Bile, tha ai, – Hamit e kish pasë emnin, djali i Avdisë!
Atëhere une e dita se Avdia ka qenë mixha im, i thashë:
– Valla bash djali i mixhës tem tek o kanë! Kaluen hale do kohë, kur nji ditë, une kah pjek bukët, Sejdia erdhi e më tha:
– Vallahi o ardhë ai djali i Llapit si thojshin ata të Brabaniqit në odë, me Shakun asht!
I lash bukët, qe, po vjen Shaku vjehrri im. Tha:
– O ardhë ai i Llapit! Po thot: N’koftë qi e ka emnin Hanife e baba i saj Ali, e kam çikë të mixhës!
Edhe une i thash vete:
– Nëse e ka baba i tij emnin Avdi e paskna djalë të mixhës! Shkoi e veti. Ishin marrë vesh e erdh e më tha:
– Qitash banu gati, hajde e foli, se djalë të mixhës e paske!
Nga gëzimi, shkova në dhomë, po u munojsha me u vesh shpejt por nuk mujsha, veq u pshtillsha. Erdhi burri e më tha:
– Ça u ba, gutu se marre, je vonue!
U vesha diqysh, zemra më rrahke fort, sikur isha hup krejt pej gzimit, e hina në odë! U takuem! U përqafuem, më duelën edhe lotët! Gzim ma të madh nuk kisha pasë në jetën time as ma përpara, as ma mrapa deri sot! Hamitin, kur jam dal pej Potoku, e kam lanë fëmijë një vjeç në djep. Në vitin 1924 o kanë. Emni m’u kujtojke, ma shumë kurgja! Folëm, i tregova rrugën time krejt pej Potoku në Shqipëni… Kthimin në Kosovë.
E veta tonej për familjen tonë. Mue m’u kujtojshin të gjithë, ai u çuditke!
Tha:
– Motër, asnja s’i paske harrue? Po më vjen keq, që baba Avdi ma nuk asht gjallë. Shkiet e plaguen në kufinin Kosovë-Serbi në Luftën e Dytë Botnore. E kishin pas çue në spital në Mitrovicë, po qat natë, si e kanë marrë partizanët spitalin, e kanë mbytë. Ma, as eshtnat nuk ia dimë. Unë në atë kohë isha në shkollë në Akademi Ushtarake në Jaltë të Ukrainës.
Mixha Sylë u dergj shumë gjatë luftës e mas lufte, ka vdekë. U varros në Potok e Rizahi u kanë aty e ka varrosë.
Kameri i mixhës Sylë u kanë në frontin e Sremit atëherë. Ish kanë pa s’mu. Gjallë asht ardhë te shpia e mas 6 jave, ka vdekë. – tha Hamiti.
– Shumë u mërzita kur mora vesh si dy mixhallarët e mi – Syla e Avdia kanë vdekë!
Hamiti bujti dy net. Mbas dy nete tonej e përcollëm.
Milazimi na tregoi rrugen cilave katune me i ra per me ardhe ne Potok. Kah me i ra neper katune neper Shale e me dale ne Llap.
Milazimi i premtoi se at’ moment si del vera e ndreqet koha kemi me u nise e me ardhë.
Ashtu ndodhi, si duel vera pej Polaci e ne Mavriq jemi shkue.
Në foto: Abdullah Rama, pranë varrit të babait të tij Hamit Rama në Potok.