Kali i Trojës, 70 vitet e agjenturës greke në Shqipëri (DOSSIER)

0
993
Agjentët - ilustrim

Pjesa e parë2011/06 – Marrë nga: https://zgjohushqiptar.com.al/2011/06/26/kali-i-trojes-70-vitet-e-agjentures/

DOSSIER

Në rrjedhën e shekujve, Shqipëria, toka aq shumë e dëshiruar nga fqinjët e fuqitë e mëdha, për vetë pozitën e saj gjeografike si një urë midis Lindjes dhe Perëndimit e me një dalje të lakmueshme në det, është gjendur shpesh në kufijtë e ekzistencës si një shtet i vërtetë. Planet aneksuese pasonin njëri-tjetrin dhe laku i zhdukjes së një prej kombeve më të vjetër në Ballkan sa vinte e shtrëngohej. Turqia, Austro Hungaria, Greqia, Jugosllavia, Franca, Italia, Gjermania e shumë vende të tjera shtrinin e tërhiqnin sipas dëshirës ushtritë e tyre në tokat shqiptare, që në çdo kohë i është dashur të luftojë për mbijetesë e për të mos u fshirë e harruar nga historia. Reagimi i parë erdhi nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që më 28 Nëntor 1443 ngriti mbi qytetin e Krujës flamurin me shqiponjën dykrenare. Më pas, sërish më 28 Nëntor por këtë herë të vitit 1912 një tjetër figurë e shtetit shqiptar, Ismail Qemali dha sinjalin përfundimtar se kombi shqiptar nuk mund të zhdukej. Vendimet e njëpasnjëshme në dëm të kombit shqiptar që i pafuqishëm ishte shndërruar në lodër në duart e interesave gjeopolitike të fuqive të mëdha, aneksimi i Kosovës, Ohrit, Strugës, Manastirit, Ulqinit, Tivarit, Shkupit, nuk arrinte të kënaqte sërish fqinjët e etur për të shtrirë kufijtë e tyre deri në zemrën e shtetit të njomë shqiptar.

Menjëherë pas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve më 1913 mbi kufijtë jugorë të Shqipërisë, grekët nisën të hartonin plane të reja për të realizuar synimet e tyre në këtë zonë. As protokolli i Firences i 17 dhjetorit 1913, që la jashtë kufijve zyrtarë Çamërinë, nuk i kënaqi dëshirat ekspansioniste të shtetit grek, që kishte nisur të organizonte strukturat ushtarake të batalionit të shenjtë, të përbërë nga kriminelë lufte, dezertorë dhe të burgosur të Kretës. Një batalion që në histori do të mbahej mend si Andartet, që do të kryenin disa qindra sulme në jug të Shqipërisë duke vrarë e masakruar mijëra njerëz të pafajshëm. Sulme që do të shtriheshin edhe në Gjirokastër, Korçë e Përmet. Duke përfituar nga situata, ish-ministri i Jashtëm grek, Jorgji Zografi, me mbështetjen e renegatit Spiro Milo, e mbi të gjitha të Kryeministrit Venizellos, më 2 mars 1914 shpall krijimin e qeverisë së Vorio Epirit në Gjirokastër. Me ndihmën e andartëve, Zografi izolon Përmetin, Korçën dhe Gjirokastrën.

Nën presionin e fuqive të mëdha e veçanërisht Italisë, shteti shqiptar i drejtuar në atë kohë nga Princ Vidi, i ardhur në Shqipëri më 7 mars 1914, detyrohet të nënshkruajë dy muaj më vonë, në 17 maj 1914, Protokollin e Korfuzit. Sipas këtij protokolli, komisioni ndërkombëtar vendos që prefekturat e Korçës e Gjirokastrës të formonin një qeveri autonome nën juridiksionin e qeverisë shqiptare, ku garnizonet e xhandarmërisë do të përbëheshin nga oficerë grekë. Kisha Ortodokse e vendit do të drejtohej prej klerit grek të emëruar nga patriarkana e Stambollit. Gjuha e mësimit nëpër shkolla të veçanta të ortodoksëve do të ishte greqishtja. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit pranoi edhe kërkesën e Spiro Milos për t’i njohur Himarës statusin e autonomisë. Këto vendime do t’i paraqiteshin për ratifikim fuqive të mëdha. Përfundimi i Luftës së Parë Botërore, risolli në tavolinën e bisedimeve të paqes sërish çështjen shqiptare. Qeveria greke u përpoq me të gjitha mënyrat për të përfituar nga situata jo shumë e sigurt e shtetit shqiptar, për të kënaqur pretendimet e saj ndaj Shqipërisë.

Reagimi i shqiptarëve në Kongresin e Lushnjës, por edhe lufta e Vlorës që çoi në dëbimin e trupave italiane, e detyruan këtë shtet të njihte më 2 gusht 1920 me firmosjen e Protokollit të Tiranës sovranitetin shqiptar mbi Vlorën dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Italia do të mbante vetëm Sazanin. E mbledhur në Paris, Konferenca e Ambasadorëve vendos që kufijtë shqiptaro-grekë të mbeteshin ato të protokollit të Firences në 1913. Por ndërsa Jugosllavia tërhoqi trupat, Greqia mbante të pushtuara 26 fshatra shqiptarë e duke mos u mjaftuar me sa kishte arritur ajo kërkonte të paktën vënien në jetë të protokollit të Korfuzit të vitit 1914, të cilin vetë e kishte shkelur poshtë me fillimin e Luftës së Parë Botërore.

E torturuar ndër shekuj, e bastisur, djegur, vrarë, e gjysmuar, tashmë në horizont për Shqipërinë duket edhe një tjetër luftë, më e fshehtë, më e sofistikuar. Përkrah luftës së hapur edhe planet konspirative.
Në shesh beteje hidhet Kali i Trojës në barkun e të cilit fqinjët jugorë do të fshihnin për të hedhur në lojë agjenturat e tyre.

Vitet 1920 në Shqipëri karakterizoheshin nga një situatë e paqëndrueshme, ku qeveritë pasonin dhe zëvendësonin njëra-tjetrën brenda një kohe mjaft të shkurtër. Nga viti 1920 deri në 1922 u ndërruan 8 qeveri, ku vetëm kryeministrat Iliaz Vrioni dhe Xhaferr Ypi mundën të kalojnë kufirin e një viti në këtë post. Të tjerë si Hasan Prishtina, Pandeli Vangjeli ose Sulejman Delvina, nuk mundën të drejtonin më shumë se pak javë. Ndërsa Qazim Koculi mori postin e Kryeministrit më 6 dhjetor 1921 dhe e la atë vetëm pak orë më pas. Duke përfituar nga kjo situatë, shteti grek vijonte propagandën dhe provokimet në jug të vendit. Ahmet Zogu menjëherë pasi forcoi pozitat e tij duke marrë postin e ministrit të Brendshëm, do të ngrinte shërbimin e fshehtë një strukturë e fuqishme, të cilën në kujtimet e tij Hoxha Kadri e quan epoka e spiunazhit. Sidomos në pjesën e sipërme të Shkumbinit, Shqipëria u kthye në një ushtri spiunësh. Çdo fjalë që qarkullonte nëpër tregje, kafene, restorante apo shtëpi shkonin menjëherë në strukturat e xhandarmërisë e më pas te Zogu. Pasi u dekretua në detyrën e ministrit më 24 dhjetor 1921, Zogu riorganizoi gjithë Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në krye të zyrës sekrete vendoset Haki Stërmilli.

Raportimet e para të dokumentuara në vitin 1922 nga strukturat e sapongritura të kohës e që ndodhën të ruajtura edhe sot në arkiv zbulojnë edhe infiltrimin në politikë të elementëve, që kërkonin autonominë e të ashtuquajturit Vorio Epir.

Ja se ç’thuhet në një nga dokumentet e para që daton 10 mars 1922, ku zyra e policisë i përcjell Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Gjirokastrës një dokument informativ mbi disa deputetë të cilët bënin propaganda për Vorio Epirin.

10/03/1922
ZYRA E POLICISË
DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË POLICISË
Gjirokastër

Ju bëjmë me dije se një prej deputetëve të provincës së Gjirokastrës i quajtur Koço Tasi, me rastin që mblodhi zgjedhësit për t’u zgjedhur për herë të dytë, jemi informuar nga njerëz të sigurt dhe agjentë të zyrës tonë, se ai ka bërë dhe po bën propagandë të keqe për shkatërrimin e shtetit.

Duke kërkuar autonomi të veçantë, që të mund të jetojmë ndryshe, se për në është e pamundur që të bashkëjetojmë me Muhamendanë dhe për më tepër gegë të cilët janë të egër. Prandaj duhet të mblidhemi tani dhe të kërkojmë autonomi se sot është edhe koha që mund të përfitojmë. Prandaj Jugu duhet të shkëputet nga Shqipëria dhe të kërkojë autonomi ose statusin e kantonit.

Kjo gjë u kërkohet zgjedhësve çdo ditë. Deputeti Koço Tasi ka qenë i shoqëruar nga deputeti tjetër, Agathokli Xhitomi. I vetmi që ka kundërshtuar hapur Koço Tasin ishte deputeti Leonidha Frashëri. Deputeti Koço Tasi bashkë me shoqërinë e tij kanë ngritur shoqërinë “Mbrojtja Ortodokse”. Sipas informacioneve po synohet edhe ngritja e çetave me nga 12 persona, që të prishin rendin publik dhe të bëjnë propaganda greke.

Nënkomisar
Xhelal Meta

Pak muaj më pas, Prefektura e Gjirokastrës lajmëron Ministrinë e Brendshme për lëvizjen që po ndërmerrte Patriarkana e Stambollit, duke krijuar edhe komisionin e Vorio Epirit nën kryesimin e mitropolit Jukovit.

24/05/1922
Shkresa numër 193
Prefektura Gjirokastër
Ministrisë së Brendshme

Lajmërohemi se në Patriarkën e Stambollit po përgatitet një lëvizje politike për çështjen e bashkimit të ta gjithë viseve me Greqinë. Do formohen komisione të posaçme nën kryesimin e Mitropoliteve. Komisionet do të jenë në dispozicion të Patriarkës. Komisioni i Vorio Epirit i formuar në Janinë nën kryesimin e Mitropolit Jukovit. Grekët besojnë se do të krijohen zona neutrale edhe në Gjirokastër. Thuhet se po organizojnë banda armate për të vepruar kur të vijë komisioni i kufijve.

Zëvendësprefekti
R. JELLA

Që prej 2 dhjetorit 1922, Ahmet Zogu merr postin e Kryeministrit, por ruajti edhe atë ministrit të Brendshëm. Me ardhjen e tij në drejtim të vendit ai ndërmori një sërë reformash ndër të cilat ajo në fushën ekonomike, të arsimit e shëndetësisë, por mbi të gjitha riorganizmin e plotë të strukturave ushtarake. Dora e hekurt e Ahmet Zogut nisi të ndihej edhe më shumë. Që nga ky moment, informacioni që përcillej në zyrën sekrete të Ministrisë së Brendshme ishte më i plotë e më i detajuar.

Në ato vite, zona e Korçës ishte nën ndikim të fortë të agjenturave greke e serbe ndaj shteti shqiptar, duhet të përballej me nevojën e zhvillimit të një lufte të ftohtë dhe njëkohësisht me domosdoshmërinë për të grumbulluar sa më shumë informacion mbi veprimtarinë e tyre në këtë qark. Për çdo element të dyshimtë raportohej më parë në njësitë vendore që ia kalonin qendrës, ndërsa misione të posaçme dërgoheshin jashtë vendit kryesisht në Greqi nga prefekturat kufitare ose selitë diplomatike.

Në shtator të vitit 1923, Prefektura Korçë përpilon me kujdes një nga listat e para të shqiptarëve të arratisur në Greqi dhe që bashkëpunonin me shoqatën e Vorio Epirit. Lista që përmban më shumë se 25 emra personash i dërgohet me urgjencë Ministrisë së Brendshme dhe prokurorisë për ndjekje ligjore dhe hetime të mëtejshme.

10 SHTATOR 1923
Prefektura Korçë
Ministrisë së Punëve të Brendshme

Si mbas urdhrit të kësaj ministrie nr 13745 / 2178 Sek.1 më 19/VII/1923, si mbas hetimeve që u bënë bashkangjitur po ju dërgojmë një listë me emrat e atyre shqiptarëve që janë arratisur dhe ndodhen në Greqi, të cilët bashkëpunojnë me të ashtuquajturën shoqëri të Vorio Epirit. Një listë e tillë ju çua edhe prokurorisë për ndjekje ligjore.

PREFEKTI
G. ANAGNOSTOPULLOS Përmet
DHIMITRI KALLFA Korçë
JOSIF PIPA
LLUKA PANARITI
STOJA PANARITI
LLAZO MINGO
NIK. DHESTOPULOS
KRISTO KRYSANTHI Manastir
SOTIR PANDAVINJI
MIHO NASTAS
KOSTA COBANI Hoçisht
JORGJI KITA Leskovik
DHIMITRI ZISO
PERIKLI NASHOLARI
VANGJEL KOKMADHI
VASIL STILARA
DHIMITRI KOROVESHI
THANAS TULLA
MITRO SHABO
LILO NIKOLLA
PORFYR FOTO
FILE BIXHOKU
JOTI MIHAL
JANI MIHAL
ALEKS LILO
SPIRO MIHAL
JOSIF KRISTO

Dy vite më pas fillojnë arrestimet e para për personat e lidhur me silogjet vorio-epirote dhe që kryenin propagandë për bashkimin e Jugut të Shqipërisë me Greqinë. Në shkresën e vitit 1925 të Ministrisë së Drejtësisë dalin në skenë persona që do të ishin mjaft aktivë në këtë drejtim edhe në vitet në vijim në zonën e Himarës, mes tyre Jorgji Bollano dhe Thanas Bollano.

1925

MINISTRIA E DREJTËSISË

Arrestohen Jani Milo, Jorgji Bollano, Mico Karaj, Petro Konomi, Pano Llazami, Thanas Zotua, Kristo Jano dhe një tjetër Bollano për bërje propagande greke dhe moslejim të ngritjes së Kishës Autoqefale në Himarë. Thanas Bollano ka mundur të arratiset. Të arrestuarit do të vuajnë dënimin në Burgun e Vlorës.

Në qershor të vitit 1923, shteti grek duke shfrytëzuar traktatin e Lozanës të 30 janarit të po atij viti sipas të cilit do të bëhej këmbimi i popullsive turke e greke në këto dy shtete, nisi spastrimin dhe dëbimin e popullsisë çame nga tokat e saj. Në pak ditë të gjithë banorët e 31 fshatrave shqiptare të Kosturit dhe Follorinës u dëbuan dhe pronat e pasuritë e tyre u konfiskuan. Pavarësisht protestave të shumta të qeverisë shqiptare që ngulmuan në faktin se çamët kishin vetëm fenë të përbashkët me turqit, qeveria fqinje nuk u tërhoq nga spastrimi, përkundrazi në pronat e çamëve nisi vendosja e popullsisë greke.

Himara mbetej një nga zonat më delikate në Shqipëri, ku përplasjet dhe tentativat e shtetit grek për të destabilizuar situatën ishin mjaft të mëdha. Më 4 qershor 1925, Prefektura Vlorë në një telegram drejtuar zyrës sekrete të Ministrisë së Brendshme shkruan se Jani Spiro Milo dhe Doktor Cane bëjnë propagandë te banorët e zonës, për të mos iu përgjigjur shërbimit ushtarak. Në telegram kërkohet një hetim i mëtejshëm për këtë ngjarje dhe dërgimi i një fuqie shtesë xhandarësh për këtë zonë.

Në vitin 1926, strukturat shtetërore të qytetit të Gjirokastrës do të japin informacione për atë që do të shndërrohej vetëm pak kohë më pas në drejtuesin kryesor të lëvizjes vorio-epirote në Shqipëri, Vasil Shahinin. Propozimi i tij nga shteti grek për t’u emëruar në pozicionin e konsullit në qytetin e Sarandës është një ndër treguesit e lidhjes së fortë mes organizatave ekstremiste vorio-epirote dhe strukturave shtetërore të vendit fqinj. Në atë kohë, konsullatat ishin bazat kryesore të veprimit të agjenturës greke në Shqipëri. Në përgjigje të shkresës zyrtare të Prefekturës Gjirokastër, Ministria e Punëve të Jashtme nuk pranon propozimin e shtetit fqinj dhe jep direktiva të qarta si duhet të veprojnë strukturat lokale, asnjë akt i konsullatës greke me firmën e Shahinit nuk merrej parasysh dhe për këtë nuk u pranua as ndërmjetësim diplomatik.

Më 14 janar 1927, Ahmet Zogu do të ngrinte edhe aparatin e Shërbimit të Jashtëm Informativ, që synonte mbledhjen e informacionit dhe veprimtarinë që kryenin grupet vorio-epirote por edhe ato serbe jashtë vendit. Rrjeti informativ ishte i organizuar mbi një skemë të qartë konsullatë-legatë-prefekturë-Ministria e Punëve të Brendshme. Lidhja kryhej në forma të ndryshme. Prefekturat kufitare mbanin lidhje me konsullatat më të afërta, ndërsa lidhja me legatat organizohej nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Punëve të Jashtme.

Komitetet vorio-epirote nisin të organizohen jo vetëm në Greqi, por edhe në SHBA dhe Egjipt, nën kujdesin dhe mbështetjen e Kishës Ortodokse Greke. Këto silogje formoheshin nga grekë, elementë shqiptare grekofonë, por edhe shqiptarë të besimit ortodoks të arratisur, të cilët ishin të detyruar në më të shumtën e rasteve të anëtarësoheshin.

Në shkurt të vitit 1928, zyra sekrete e Ministrisë së Punëve të Jashtme, pas një njoftimi të konsullatës shqiptare në Aleksandri, njoftonte se komitetet vorio-epirote po zgjeronin aktivitetin e tyre edhe në Greqi e Misir.

Duke u nisur nga këto zhvillime dhe organizimi që po merrnin silogjet vorio-epirote në territorin shqiptar dhe jashtë tij, në emër të Këshillit të Ministrave, Ahmet Zogu, në prill të 1928-s urdhëron Ministrinë e Punëve të Brendshme të urdhërojë prefekturat të bënin një ndjekje të rreptë të të gjithë elementëve të dyshimtë. Ata që do të faktoheshin që ishin pjesë e këtyre silogjeve do të ndiqeshin penalisht dhe do t’u konfiskohej e gjithë pasuria. Në të njëjtën periudhë angazhohen edhe informatorë në Greqi, të cilët kishin për detyrë të mblidhnin sa më shumë informacion mbi funksionimin e silogjeve në Athinë, Selanik, Janinë, Korfuz e Follorinë.

Prefektura e Vlorës, një ndër institucionet më aktive në përcjelljen e informacioneve sekrete për Ministrinë e Brendshme në vitin 1928, dërgon një listë të plotë me emrat e pjesëtarëve në klubet vorio-epirote që jetojnë në atë zonë. Shumica janë nga Himara, ku më aktivi rezulton Thanas Bollano. Tre vite më parë, Bollano ishte akuzuar për bërje propagande për Vorio Epirin dhe moslejim të ngritjes së kishës autoqefale në Himarë dhe mundi t’i shpëtonte arrestimit, duke u arratisur në Greqi.

20/01/1928
Prefektura e Vlorës

Nënprefektura e Himarës, në telegramin nr. 19/1, datë 12/V/1928 na njofton se në klubin e vorio-epirotëve janë pjesëtarë njerëzit e mëposhtëm.

Niko Spiro Himarë
Milo Kristo
Dhima Jorgji
Thanas Bollano
Nikolla Pope
Nikollaq Pepe
Naqe Laqe Qeparo
Naqe Spirogjeka
Milo Merkuri Pilur
Pilo Kapo
Dimitri Kapo
Pilo Tane Vunoj banues në Korfuz
Gaqe Lazri Vunoj banues në Athinë
Janaq Spiro

Pak muaj më pas dhe pikërisht më 6 qershor 1928, Ministria e Brendshme arreston Vasil Shahinin, nën akuzën e falsifikimit. Gjatë kontrollit në banesën dhe lokalin e tij, grupi hetimor gjen edhe materiale komprometuese për lidhjet e tij me agjenturën greke, nëpërmjet kontakteve të vazhdueshme që kishte me persona të dyshimtë, ndër të cilët zyrtarë të lartë grekë. Shahini, prej vitesh, mbahej nën mbikëqyrje të fortë nga policia sekrete shqiptare dhe njihej si një ndër drejtuesit kryesorë të grupeve vorio-epiriote dhe propagandës që ushtrohej nga ato në Shqipëri. Mes materialeve të zbuluara kishte edhe trakte me mbishkrime “Rroftë ushtria greke” dhe me stemën e mbretërisë greke. Gjatë hetimit mbi materialet e konfiskuara Vasil Shahinit, Ministria e Drejtësisë në dokumentet e saj zyrtare ngre një sërë pyetjesh, ndër të cilat edhe atë për çështjen e pensioneve që u jepeshin banorëve të Jugut të Shqipërisë. Një pikë kjo për të cilën organet e drejtësisë shqiptare nuk kishin pasur informacione më parë.

Në shkresë kërkohet informacion mbi pensionet, që u jepen të ashtuquajturve banorë të Epirit të Veriut, çka është përmendur sipas organeve të drejtësisë shqiptare edhe në shkresat e mitropolitit Spiridhon të Athinës. Hetimet e mëpasshme u mbajtën krejtësisht të fshehta, por dokumenti në fjalë shënon edhe provën e parë, se pensionet në Jug të Shqipërisë kanë nisur të jepen që diku në mes vitet 1920.

Ministria e Drejtësisë 6/VII/1928

Po ju referojmë letrat origjinale të konfiskuara të të pandehurit Vasil Shahini, bashkë me përkthimin e tyre në gjuhën shqipe.
1. Ç’është çështja e pensionit të atyre në Epirin e Veriut, që bën fjalë shkresa e mitropolit Spiridhon i Janinës, cilëve persona u jepet ky pension dhe për ç’qëllim?
2. Përse në letrën e 2, që dërgon Z.K.Nishkos, më 26/01/1927 në paragrafin e dytë, i thuhet të pandehurit “që të mos doni të ekspulsoheni, duhet të shfaqeni në autoritetet lokale me cilësinë tuaj të panjohur” edhe? Cila është kjo cilësi?
3. Ç’janë çekët që përmend letra numër 3 nga Athina për ç’qëllim i ka dërguar i pandehuri?
4. Përse i pandehuri e ka bërë betimin e ligjshëm më 13 Nëntor 1926 para nënkolonelit të Sarandës, z. Skarpos siç flitet në letrën 4, kurse i pandehuri nuk e ka pasur pëlqimin (agrementin) e qeverisë sonë.

Zyra sekrete e Ministrisë së Brendshme në janar të 1929-s do të hetonte edhe një kompani greke, me aktivitet transporti detar të quajtur Janullatos. Sipas strukturave përkatëse, kjo shoqëri kishte vënë tabela me dy gjuhë në dobi të greqishtes. Veprimtaria e agjenturës sekrete në Shqipëri u intensifikua në fillim të viteve 1930, ku me instalimin e fondacioneve të ndryshme, shoqërive, sekteve fetare, studiuesve e eksploruesve u infiltruan edhe agjentë të shumtë, sidomos grekë, të cilët kishin për detyrë organizimin dhe forcimin e strukturave të tyre në të gjithë territorin e vendit.

Për t’ju përshtatur situatës së tensionuar dhe forcimit të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri, në Athinë e Pire silogjet vorio-epirote nisën riorganizimin e strukturave të tyre, duke synuar infiltrim më të thellë dhe më efikas në Jugun e vendit të elementëve grekofonë. Më 3 dhe 4 gusht të vitit 1930 në një mbledhje jashtë radhe, lidhja panepirotike, bashkimi i rezervistëve vorio-epirotë dhe drejtues të tjerë të silogjeve kërcënojnë hapur se do të marrin përsipër, në çdo mënyrë, realizimin e kërkesave të tyre, ndër të cilat hapja e menjëhershme e shkollave greke, rivendosja e prestigjit të Kishës Ortodokse në Shqipëri, si dhe pushimi i të gjitha çështjeve penale ndaj grekëve.

Kërkesa që më pas duhet të pasoheshin me bashkimin e Vorio Epirit me Greqinë. Për t’ju përshtatur kërkesave, zgjidhet edhe një komitet i përbashkët, që do të organizonte punën dhe aksionet që do të ndërmerreshin në tokën shqiptare. Mbledhjet e strukturave drejtuese të silogjeve vorio-epirote do të intensifikoheshin. Krerët e tyre në Greqi vënë alarmin për atë që ata e quajnë tentativë të shtetit shqiptar për të fshirë përfundimisht nga harta Vorio Epirin, me këtë rast rekomandohet marrja e një sërë masash, deri tek ato më ekstremet që përfshinin edhe ndërhyrjet me armë.

Pavarësisht se ishte nën hetim, Vasil Shahini, siç del nga shkresat e pak viteve më pas, mbetet protagonist në drejtim të grupeve greke, ku së bashku edhe me disa deputetë, synonte përçarjen mes të krishterëve dhe myslimanëve në zonën e Gjirokastrës. Elementë të këtij grupi kryenin rregullisht udhëtime për të organizuar minoritarët edhe në Vlorë, në Sarandë, Himarë e Delvinë. Refuzimi i shtetit shqiptar për të pranuar emërimin e Shahinit në krye të konsullatës greke në Gjirokastër, nuk e pengonte atë që të kryente rregullisht takime në dyqanin e tij me zëvendëskonsullin grek, të cilit i jepte direktiva të qarta si duhej të vepronte në situata të ndryshme.

Duke shfrytëzuar mbështetjen e madhe të minoritarëve, Shahini kishte vënë lehtësisht nën kontroll edhe deputetët e zonës së Gjirokastrës, të cilët kishin nevojë për mbështetjen e tij për votat në fshatrat e banuara nga minoriteti grek. Në këtë grup bien në sy deputeti Llambro Papadhopullo, avokati Lame Dilo, tregtari Aleks Çeci, doktorët Telhma Laboviti, Vasil Shahini dhe Vasil Papa.

Në vitin 1933, Prefektura e Gjirokastrës dërgon një listë të gjatë me 98 emra të pjesëtarëve të grupeve vorio-epirote në Shqipëri. Në krye të listës qëndrojnë ata që njiheshin si njerëzit më të afërt të Vasil Shahinit; Jani Diamanti dhe Sokrat Bozhori.

03/04/1933

Kërkesë Prefekturës Gjirokastër për një listë emrash të pjesëtarëve të grupit Vorio Epirot

Ministria e Punëve të Brendshme
Lista 27/V/1933 (98 EMRA)
DR. SOKRAT BOZHORI (MJAFT I PASUR)
JANI DIAMANTI (30 strem tokë, një shtëpi, një dyqan)
SPIRO DIAMANTI (25 strem tokë dhe një dyqan)
HARALLAMB PAPA
DHIMO DELIJORGJI (50 strem tokë, 60 kokë dhen)
JANI XHANGO (30 strem tokë)
PRIFT PAPATHANASI (15 strem tokë)
KOCO VASO
JANI ZIKO (Ka një dyqan e një furrë)
GLIGOR LLUCI (Ka një furrë në Delvinë)
LEFTER NINI (30 strem tokë, dyqan)
FILIP STAMULI
KICO PAPA
THEODHORI PASKO
SPIRO MILO
KOCO VASO
GLIGOR CAMI
VANGJEL THANO
TOLO KALLUCI
PILE PAPA

Lista të tilla me kërkesë urgjente të Ministrisë së Brendshme dërguan edhe strukturat shtetërore në Përmet, Libohovë, Delvinë, Konispol dhe Sarandë. Në total nga listat e dërguara së bashku me atë të Gjirokastrës, ku nuk mungojnë bashkëpunëtorë të tjerë të Shahinit, rezultojnë 239 shtetas që, sipas prefekturave përkatëse, rezultonin pjesëtarë ose bashkëpunëtore të grupeve të ndryshme vorio-epirote që kryenin një veprimtari të gjerë në Jug dhe Juglindje të Shqipërisë.

LISTA PËRMET
FILIPEO PECI
MITI TOLE
AT ALEKS KALUCI
KOCO XINGO
NIKOLLA PAPADHOPULLO
SOFOKLI KASO
TELI VASIL DRACOVA
LISTA LIBOHOVË 20/04/1933 (67 EMRA)
ALEKS BOLLO
VANGJEL BELLA
ANDREA BAKA
KRISTO DILO
GLIGOR LICI
VASIL LICI
PAPA KRISTO
PAPA MIHAL
GLIGOR KICATI
JANI KOTO FOTO
LEONIDHA PAPA
STAVRO ZERVA
ILIA ZERI
PAPA KRISTO
PAPA JOTIDHI
JANI ZOI
HARILLA KONOMI
ODHISEA MINO NANO
VASIL JANI FOTO
LISTA E DELVINËS (25 EMRA)
MIHAL LEZO
THANAS SHUTA
JORGJI FILIPI
VASIL PAPASTAVRO
STEFAN LEZO
VESIL VETO
GLIGOR VETO
LISTA SARANDË 30/04/1933 (6 EMRA)
THEMISTOKLI KUMI
SPIRO PLAKU
THOMA VOGLI
APOSTOL VOGLI
STEFAN LEGO
LISTA KONISPOL 26/05/1933 (36 EMRA)
PAPA VASILI
PAPA ALEKSI
KRISTO MILO
PAPA MIHO
MICO TOLE

Ndërkohë, në 1934, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit të asaj kohe, Pandeli Evangjeli, dënon me 6 muaj internim Vasil Shahinin dhe një grup bashkëpunëtorësh të tij. Disa prej tyre do ta vuanin dënimin në Lesh, kurse të tjerët në Elbasan.

Institucionet e drejtësisë rreth dy javë më vonë, informojnë mbi armatosjen e një numri të madh personash nga struktura të caktuara të shtetit grek, të cilat synonin destabilizmin e situatës në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre janë nga qyteti i Përmetit dhe Leskovikut. Bashkëngjitur me të dërgohet edhe një tjetër listë e rinovuar, me emrat e personave që janë pjesë e silogjeve vorio-epirote dhe që rezultojnë të skeduar për propagandë dhe veprime të tjera të dyshimta kundër integritetit të shtetit shqiptar. Me anë të shkresës së firmosur nga tre drejtues të lartë të ushtrisë shqiptare në atë kohë i kërkohet organeve kompetente një hetim i mëtejshëm.

30/X/1934

Lista që përmban emrat e personave të arratisur nga Shqipëria të cilëve, qeveria greke iu ka dhënë armë dhe nga 121 copë municione.

Vangjel Radovishti – Përmet
Mihal Vangjeli
Naum Radomi
Dome Mihal
Petro Koli
Andon Gjelo
Vasil Stilaro
Mico Minollaj Leskovik
Taq Skupa Permet
Rici Naqe Vllahu s’dihet
Kristo Farmaku Përmet
Niko Bjovizhda
Stefan Guri
Spiro Guri
Gac Cobani
Dhoksa Cobani
Stath Koliqi
Josif Stermbeci
Sotir Kolidhi
Kristo Rongo
Thanas Rongo
Avram Vllahu
Jani Rovithi
Bali Leskoviku – Leskovik
Hasan Buli Jorgo

Të regjistruarit në shoqëritë vorio-epirote
Ilia Leshnica- Përmet
Miti Tole
Kico Bodlona
Mihal Bidike
Koco Ristani
Ilia Vllahu
Maria Ziko
Kushtim Prifti- Libohovë
Jano Koco – Përmet
Dhamo Prifti
Nasho Prifti
Pandeli Karajani Leskovik
Naum Karajani – Leonidha Karajani
Panajot Koburja
Nake Bili
Joti Bili
Koco Bili
Jani Bili
Leon Bili
Janaq Niko
Mino Racaqi
Kosta Guri Libohov
Mico Xeri
Kosta Xeri
Pando Kololi
Prifti Sopikut
Valif Rafti

Pak ditë më pas, një informacion i përafërt përcillet edhe nga Prefektura e Korçës, e cila nëpërmjet informatave që kishte mundur të mblidhte prej një ushtari të dorëzuar, informon se grupet e silogjeve vorio-epirote po organizoheshin dhe armatoseshin në një fshat pranë Janinës nga Dhespoti Spiridhon. Sipas shkresave të detajuara dërguar nga kjo prefekturë, i ashtuquajturi Sotir Menxha nga fshati Zhap i Përmetit, kishte dezertuar nga ushtria greke, duke u futur në Shqipëri nga Leskoviku. Pasi është marrë në pyetje nga hetues në Korçë, Menxha deklaron se një grup i madh të arratisurish në Greqi janë rekrutuar nga silogjet vorio-epirote. Këta persona kishin nisur krijimin e çetave, të cilat do të synonin sulme të ndryshme në territorin shqiptar.

Strukturat drejtuese të silogjeve vorio-epirote nisën punën në dy fronte. Teksa grupet e armatosura kishin nisur të organizoheshin brenda dhe jashtë vendit, elementë të tjerë grekofonë nisën të ushtronin presion kundrejt autoriteteve shtetërore për të përfituar më shumë të drejta. Jorgji Bollano ishte një ndër iniciatorët që kërkonin ngritjen e himarjotëve në protesta, kërkesë kjo që u refuzua nga paria e vendit.

Vetëm tri ditë më pas, Vasil Shahini që gjendej i internuar në Lesh, i drejton një letër faljeje Ministrisë së Brendshme, duke pretenduar se është i pafajshëm dhe se është dënuar në kundërshtim me ligjet në fuqi në atë kohë. Duke hedhur poshtë akuzën për falsifikim dokumentesh, Vasil Shahini nuk harron të mbrojë edhe elementët grekofonë, të cilët ai i cilëson inteligjentë, me edukatë politike dhe larg të qenit turbullues të rendit publik në Shqipëri.

Letra e Vasil Shahinit

Z. Kryetar

Jam arrestuar më 3 tetor në Gjirokastër e me vendimin tuaj u internova në Lesh. Internimi pa dyshim ka lidhje me ngritjen e shkollave greke në Gjirokastër. Qysh prej 20 vitesh banoj në këtë qytet me punë tregtar dhe jetoj me nënën time 60-vjeçare.

Insistoj në faktin që jam i pafajshëm me moral të lartë e të pastër. Krimi i falsifikimit është i pathemel dhe i pabazë e i pastudiuar mirë. Nuk shoh normale që me krime imagjinare e supozime s’është e drejtë që njerëz të ndershëm, por shumë të ndershëm me karakter e moral të panjollosur të merrem me pranga a të shoqërohem me xhandar shumë herë injorantë e brutalë. Jo z. kryetar grekofonët pa përjashtim nuk vlejnë të tillë sjellje. Grekofoni nuk është kryengritës, turbullonjës ose inspirues kundra shtetit. Grekofoni nuk ushqehet nga demagogët që të bëjë një vepër të kundraligjshme, por është në pozitë që ta gjykojë vetë. Ka mjaft mjaft inteligjencë e edukatë politike.

Z. Kryetar

Si shtetas shqiptar e qytetar i lirë që interesohet më mirë nga çdo tjetër nëpunës për mbarëvajtjen e interesin e vendit ku banon e rron ulërij nga shpirti, Ju lutem rishikoni vendimin e internimit tim për hir të drejtësisë.

Me respekt të thellë
Vasil Shahini

Megjithatë në Himarë, elementët grekofonë rritën presionin. Lëvizja e radhës ishte që të pengonin fëmijët e tyre të shkonin në shkollë. Kjo lëvizje e organizuar dhe e koordinuar mjaft mirë, ku përfshihej edhe prifti i fshatit Palasë, kishte për synim presionin ndaj qeverisë për ta detyruar atë të hapte shkollat greke. Por gjithçka drejtohej nga persona që ruheshin rreptësisht nga organet sekrete të Ministrisë së Brendshme, ndër të cilët Tase Pilo, Teo e Jorgji Bollano dhe Filip Konomi. Për ta, nënprefektura Himarë kërkon internimin.


Pjesa e dytë2011/06 – Marrë nga https://zgjohushqiptar.com.al/2011/06/27/kali-i-trojes-70-vitet-e-agjentures_27/

DOSSIER

1934-1946, Themelimi i Mavit, dëbimi i çamëve dhe goditja nga qeveria e pasluftës

Nga viti 1920 e deri në 1934 strukturat e drejtësisë kishin mundur të identifikonin dhe skedonin një numër të madh personash të lidhur me silogjet vorio-epirote dhe agjenturën greke. Lista të gjata u përpiluan nga qeveritë e ndryshme që pasonin njëra- tjetrën që nga ato të Iliaz Vrionit, Xhaferr Ypit, Pandeli Vangjelit e deri tek ato të Zogut. Vasil Shahini ishte identifikuar si koka e agjenturës e për këtë edhe u dënua, pas tij vinin Jani Diamanti, Sokrat Bozhori, Thanas Bollano, Filip Stamuli etj.

Në të njëjtin krah strukturat e fshehta të Ministrisë së Brendshme jashtë vendit informojnë nga Greqia mbi riorganizimin e çetave andarte që kishin kryer më parë qindra masakra në jug dhe juglindje të Shqipërisë. Sipas informacionit mbështetësit financiarë të këtyre grupeve të armatosura premtonin para në këmbim të anëtarësimit në këto çeta. Deri në datë 18 Nëntor 1934 numri i të anëtarësuarve në to arrin në rreth 250. Mbledhja e krerëve të çetave sipas dokumenteve të kohës bëhej në disa hotele në Follorinë të Greqisë, ku qëndronin të paktën 15 kryetarë të vjetër çetash, të cilët kishin qenë në Shqipëri edhe në vitet 1914. Pagesa për çdo mercenar që do të bashkohej ushtarakisht me këtë grup ishte 60 franga floriri.

Njëkohësisht silogjet vorio-epirote vijonin organizimin. Strukturat ndahen në dy pjesë, familja Stefani në SHBA siç thuhet në dokumente merret me mbledhjen e të ardhurave financiare për familjet grekofone që mund të vinin nga Shqipëria në Greqi. Ndërsa pjesa tjetër e të ardhurave shkon për të financuar aktivitetin propagandistik dhe ushtarak të çetave andarte. Kompania ushtarake e Leskovikut nën emrin e nënkolonel Ali Rizës kërkon forcimin e masave për t’i paraprirë çdo sulmi të papritur të kufirit shqiptar.

Himara ishte një ndër pikat e nxehta të përballjes mes shërbimit sekret shqiptar dhe atij grek, të cilët qëndronin të kamufluar pas dy palëve të quajtura Partia Nacionaliste dhe Partia Grekomane. Në qendër të luftës ishte problemi i shkollave private dhe atyre publike, si dhe ai i zgjedhjeve për kryepleqësitë. Pala shqiptare mbante lidhje të forta me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të arsimit, duke kërkuar edhe përkrahjen e fortë të elementëve atdhetarë në krahinë.

Pas rreth tre javësh, Vasil Shahini, drejtuesi kryesor i grupeve grekofone në Shqipëri lirohet nga internimi. Ministria e Brendshme i jep këshillat e rastit, një ndër personazheve më të fuqishme në atë kohë, që kryente ndërlidhjen mes strukturave shtetërore në Greqi dhe lëvizjeve vorio-epirote brenda vendit. Në telegramin dërguar prefekturës Gjirokastër, Ministria e Brendshme kërkon që Vasil Shahini të mbahet nën vëzhgim të rreptë.

Në 1936 diplomatë grekë me anë të konsullit të Korçës kërkojnë lejimin e një meshimi të dytë në gjuhën greke në një nga kishat e qytetit ekskluzivisht për personelin e konsullatës. Por kjo kërkesë hidhet poshtë nga autoritetet shqiptare. Në shkresën zyrtare bëhet e qartë se në kishat autoqefale shqiptare në meshim dhe predikim lejohej vetëm gjuha amtare, çdo gjuhë tjetër ishte rreptësisht e ndaluar. Prefekti i Vlorës, Ismet Kryeziu, i kërkon zyrës sekrete në shtator të 1936-s, që nxënësve nga Himara që studionin në Greqi të mos u jepej pasaporta derisa të hiqej dyshimi se nuk studionin me bursa të huaja, duke e mbështetur këtë në nenin 425 të dekret/ligjit organik të arsimit që urdhëronte mospranimin e bursave të huaja pa lejen e saj. Duke qenë se ky problem ishte shqetësim edhe në zona të tjera të vendit me 26 shtator, Prefektura Gjirokastër njofton zyrën sekrete se një numër i madh studentësh jashtë vendit, duke u paraqitur me certifikatat shkollore, ku rezultonin të regjistruar, kërkonin pajisjen me pasaporta si studentë. Ndërkohë që sipas ligjit, ata duhet të paraqisnin një deklaratë të noterizuar, sipas së cilës nuk do të pranonin asnjë bursë të huaj. Të njëjtin shqetësim ngre edhe konsulli shqiptar në Janinë, Xhemal Frashëri.

Në vitin 1937, Shqipëria dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje për çeljen e tri shkollave private greke në Himarë. Në këmbim shteti fqinj do të ofronte mësimin e gjuhës shqipe në dhjetë shkolla të Çamërisë. Kushti tjetër i Shqipërisë ishte që mësuesit të ishin shqiptarë dhe të zgjidheshin nga popullsia vendase çame. Por pavarësisht se e nënshkroi marrëveshjen Greqia bëri çmos që në shkollat në Çamëri të emëroheshin elementë grekofonë, të cilët kishin në programin e tyre forcimin e idesë së Vorio Epirit.

Ndërkohë, pak kohë pasi kishte lënë internimin dhe pavarësisht se mbahej nën vëzhgim të rreptë nga organet e drejtësisë e informatorët, Vasil Shahini rimori sërish të njëjtin pozicion në drejtim të celulave vorio-epirote. Së bashku me njerëzit e tij më të afërt Jani Diamanti, Vasil Xhongo, Spiro Miho, Aleks Dajlani, Vasil Zeri dhe Telo Cici, tregtari nga Derviçani organizonte shpesh mbledhje ilegale në Gjirokastër.

Pak javë më pas, Vasil Shahini i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij Kicati, Laboviti, Zeri e Bollano udhëtojnë drejt Greqisë për t’u kërkuar drejtuesve më të lartë të këtij vendi një mbështetje më të madhe për lëvizjen e tyre vorio-epirote. Në bazë të kërkesave, presioni ndaj shtetit shqiptar për hapjen e gjimnazeve në gjuhën greke e më pas aneksimi i Jugut të Shqipërisë nga Greqia. Shkresa e kohës jep detaje mbi këtë aksion të ri të krerëve të agjenturës greke në Shqipëri.

ZYRËS SEKRETE 20/12/1938

Një delegacion prej 4-5 vetash kanë kërkuar t’i paraqesin kryetarit të qeverisë greke një peticion për t’i ndihmuar në kërkimet dhe punën e tyre. Personat janë Vasil Shahini, Telmah Laboviti, Gligor Kicati, Ilia Zeri, me ta ka qenë dhe Aristotel Qendro nga Labova e Madhe, i shoqëruar nga i ashtuquajturi Bollano prej rrethit të Himarës. Të gjithë njihen si elementë grekofonë dhe punojnë për dobësimin e ndërgjegjes kombëtare në këtë qark. Më pas kërkohet aneksimi i një pjesë të kësaj province nga shteti grek dhe hapja e gjimnazeve në gjuhën greke.

Viti 1939 do të vinte edhe njëherë në provën e mbijetesës shtetin shqiptar. Ushtria italiane zbarkon në Durrës më 7 prill. Mbreti Ahmet Zogu largohet menjëherë nga Shqipëria, monarkia bie. Kjo situatë kur i gjithë vendi vihet nën pushtimin fashist favorizon grupet vorio-epirote që ishin të mbikëqyrura rreptë nga strukturat shtetërore të mëparshme. Regjimi i ri rimodeloi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe disa ndër funksionarët më të lartë të saj i nxori jashtë shërbimit.

Armata mbretërore u shkri dhe kaloi në përbërje të armës së karabinierisë. Vasil Shahini duke u përpjekur të përfitojë nga kaosi, intensifikon lëvizjet dhe takimet në Jug të Shqipërisë duke dhënë direktiva të qarta sesi duhej punuar dhe vepruar në këto zona me minoritarët, por edhe shqiptarët. Por kjo nuk do të zgjaste gjatë pasi edhe strukturat policore italiane e skedojnë Vasil Shahinin. Regjimi fashist, një ndër reformat më të thella e kreu pikërisht në shërbimin sekret, i cili u shkri më 1940 dhe në vend të saj u ngrit zyra politike dhe e personelit, në krye të së cilës u vendos Harito Harito. Ja një nga dokumentet e kohës, ku evidentohet qartazi informacioni që përcillej për Vasil Shahinin dhe disa ndër bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.

02/05/1940

Personat e poshtëshënuar zhvillojnë propagandë greke dhe janë grekofilë. Të gjithë këta persona kërkojnë bashkimin e kishës me atë greke dhe Jugut me Greqinë. Këta persona do të ruhen në mënyrë të veçantë.

Vasil Shahini
Papadopuli
Vëllezërit Licaj
Gligor Kicati
Vasil Xhongo
Niko Lezo
Dhimitër Vavako

Pasi kishin përgatitur mjaft mirë territorin duke shfrytëzuar dezinformimin mediatik, por edhe protestat sikur shqiptarët po kërkonin me forcë të sulmonin Greqinë për të rimarrë Çamërinë dhe tokat e tjera të pushtuara, italianët më 28 tetor 1940 sulmojnë nga territori shqiptar me më shumë se 140 mijë trupa Greqinë. Me gjithë faktin së Shqipëria nuk ishte pjesë e sulmit italian ndaj fqinjëve, grekët me një dekret mbretëror më 10 nëntor 1940 shpallën menjëherë gjendjen e luftës me Italinë, por edhe me Shqipërinë. Mbi bazën e këtij ligji, autoritetet greke konfiskuan pronat e çamëve, toka bujqësore, kullota, pyje, troje ndërtimi, që kapnin një vlerë të përafërt me 350 milionë dollarë. Në fakt, dy batalionet shqiptare Tomori dhe Taraboshi morën pjesë vetëm në operacionet për të çliruar Korçën e pushtuar nga trupat greke.

Pavarësisht trupave të shumta të angazhuara nga Benito Musolini italianët do të dështonin keqazi.

Grekët në ofensivë, me mbështetjen e fortë të britanikëve, shtrijnë pushtimin e tyre në Shqipëri. Më 22 nëntor grekët pushtuan Korçën, më 6 dhjetor Sarandën dhe me 8 dhjetor Gjirokastrën. Ushtria greke ndërmori një fushatë djegiesh dhe shkatërrimesh në të gjithë territorin e pushtuar. U shkatërruan kishat në Ersekë, në Boboshticë, në Dardhë, në Kapshticë, në Korçë, në Drenovë e Voskopojë, por edhe xhamitë në Ersekë, Vloçisht, Pogradec, Leskovik, Mborje e Zvezdë.

Gjatë pushtimit grek të Gjirokastrës në 1940 autoritetet e larta të vendit fqinj pas dështimit për të vënë në krye të konsullatës Vasil Shahinin në 1926, propozojnë krahun e tij të djathtë Jani Diamantin, por edhe ky kundërshtohet.

Në 8 Nëntor 1941 në Tiranë nis kthesa historike që do të përcaktonte më pas fatet e Shqipërisë për rreth 45 vjet, themelohet Partia Komuniste. Që nga ai moment përplasjet mes grupeve vorio-epirote dhe komunistëve do të pasonin njëra-tjetrën sidomos në Jug dhe Juglindje të vendit. Në libra të ndryshëm të autorëve grekë flitet edhe për një tentativë bashkëpunimi mes dy fronteve në takime që janë organizuar në Konispol, Labinot dhe Poliçan.

Por dështimi në bashkëpunimin mes dy fronteve, komunistëve dhe grekëve, do t’i hapte rrugë një lidhjeje të fortë mes Ballit Kombëtar dhe grupeve vorio-epirote. Vasil Shahini që njihej si koka e agjenturës greke në Shqipëri do të vendoste marrëdhënie mjaft miqësore me drejtues të Ballit ashtu siç pranohet edhe nga dëshmitarët e kohës.

Lidhjet mes Ballit Kombëtar dhe grupeve vorio-epirote zbulohen edhe në librin e Bekim Budos “Shërbimi i fshehtë”. Drejtuesit kryesorë ballistë Mit’hat Frashëri, Bahri Omari, Hasan Dosti e Kolë Tromara u lidhën fort me Partinë Liberale Greke. Në krye të kësaj veprimtarie, theksohet në libër, u vunë shërbimet sekrete greke, të cilat organizuan edhe një grup antishqiptar të emërtuar nën siglën Onash, ku merrnin pjesë minoritarë të arratisur prej vitesh nga Shqipëria. U ngritën qendra të grumbullimit, përgatitjes dhe stërvitjes të tyre në Pirgo, Konicë, Janinë, Filat e Kostur.

Duke u përpjekur të shfrytëzojnë luftën në Shqipëri e më gjerë dhe kaosin që mbizotëronte në të gjithë rajonin, grupet vorio-epirote me mbështetje të fortë të shtetit grek programojnë nisjen e një aksioni të gjerë e të përgjakshëm në zona të ndryshme të vendit. Në librin e Bekim Budos zbulohet një takim sekret, për të cilin agjenti Barba Gaqi nga Athina informon se është mbajtur në zyrën e zbulimit grek Delfa në Janinë, ku nënkolonel Spiro Lito u dha detyra konkrete grupeve agjenturore që do të hidheshin në Shqipëri.

Ja fjalët e tij:
Qeveria greke na ka vënë në dispozicion fonde dhe mjete të shumta, të cilat do të shumëfishohen në të ardhmen, gjë që ne duhet ta justifikojmë. Ndërsa ju jeni të përqendruar vetëm në minoritet, lëreni Dhivrin, jo se është fshati im, lëreni Dropullin të cilat janë qendrat tona kryesore, ku mbështetemi, merruni me Vurgun, Pogonin dhe sidomos Himarën dhe ta fillojmë për së mbari. Jemi në kuadrin e rekrutimeve masive, që është parimi kryesor i punës sonë. Ju listat i keni. Për ata persona që na raportuan se janë të lidhur me partizanët, këshillat e tyre t’u djegim shtëpitë, të derdhim gjak. Jam dakord le ta fillojmë me Vasil Dalanin nga Bularati, t’i djegim shtëpinë dhe ta vrasim, pastaj të vrasim Lefter Koljanin nga Koshovica dhe Pandeli Garon nga Selo. Çfarë do të thonë njerëzit tanë në Dropull, në Dhivër dhe në 94 fshatrat e tjerë të minoritetit grek në Shqipëri. Me një gur vrasim dy zogj. Këta që do të vrasim janë tradhtarë të Vorio Epirit edhe pse janë ortodoksë. Kështu, ne forcojmë radhët tona dhe do vazhdojmë me kandidaturat, që ju propozoni nga zona e bregdetit, Himarës e deri në Kolonjë.

Agjenti informon se në takim morën pjesë: Spiro Lito, Lefter Guveli, Anastas Mari, Kico Kufo, Nasho Pilo, Llazi Sidheri, Jorgo Vito dhe Kico Longo.

Në këtë kohë gjenerali grek, Napolon Zerva, themelon në korrik të 1942 Frontin për Çlirimin e Vorio Epirit i quajtur ndryshe Mavi. Sipas dokumenteve të kohës Vasil Shahini, Jani Diamanti e Jani Vidali dyshohet se ishin drejtuesit më të lartë të kësaj organizate në Shqipëri. Sipas librit “Vendet e dhimbshme të Greqisë – dëshmitarët e Vorio Epirit e Vllehëve”, në 1943 është zhvilluar një mbledhje, ku është vendosur bashkëpunimi dhe lufta e armatosur për të çliruar Vorio Epirin.

Mavi vepronte edhe në kuadër të Edes (Lidhja Kombëtare Demokratike Greke) në krye të së cilës vepronte gjenerali Napolon Zerva. Trupat e së cilit kryen masakra të shumta në Çamëri dhe Jug të Shqipërisë. Mënyra e strukturimit të organizatës Mavi mbetet enigmë, pasi lufta dhe fshehtësia në të cilën vepronte i mundësonte ilegalitet të plotë.

Ndërkohë, trupat pushtuese italiane të thyera keqazi edhe në Greqi shpallin kapitullimin pa kushte më 8 shtator 1943. Vetëm pas një dite në Shqipëri u vendosën trupat gjermane të cilat nxituan të merrnin nën kontroll gjithë vendin për të penguar një zbarkim të mundshëm të trupave anglo-amerikane. Në 10 shtator ata kishin pushtuar pothuajse gjithë vendin.

E ndërsa Shqipëria duhet të përballej me një pushtim të ri, përplasjet mes komunistëve dhe elementëve grekofonë do të ashpërsoheshin duke kulmuar në vitin 1943. Në 17 shtator, ditë kur forcat partizane të udhëhequra nga Enver Hoxha hynë në Gjirokastrën e çliruar një ndër të parët që ekzekutohet është pikërisht Vasil Shahini. I njohur për më shumë se 15 vjet si koka kryesore që drejtonte silogjet vorio-epirote në Shqipëri. Vite më pas, në rrethana misterioze, në Greqi do të eliminohet edhe një nga njerëzit më të afërt të Shahinit, Jani Diamanti. Të dy këta ishin edhe bashkëthemelues të Frontit për Çlirimin e Vorio Epirit Mavi.

Fronti Nacional Çlirimtar me Enver Hoxhën në krye njoftuan aleatët se do të ndiqnin gjeneralin Napolon Zerva edhe brenda kufirit grek si kundërpërgjigje ndaj masakrave që bënë në jug të Shqipërisë. Por misioni britanik ushtroi presion duke frenuar këtë sulm të partizanëve shqiptarë.

Ndërkohë, në këtë situatë, Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit tentuan të arrinin një marrëveshje me forcat e djathta greke. Në librin e historianit Beqir Meta zbulohen detaje nga propozimet e bëra nga Mit’hat Frashëri në 10 maj të 1944 për qeverinë greke. Ato janë si më poshtë.

Meqenëse çështja e lidhjes në formë federative varej nga mundësitë që do të krijoheshin pas luftës, të dyja palët të zotohen që sot se do të jenë të gatshme për realizimin e këtij projekti.

1. Bazat e lidhjes do të jenë pavarësia dhe sovraniteti i të dyja palëve.
2. Kufijtë greko-shqiptarë do të jenë dhe do të deklarohen solemnisht ata të 1939.
3. Bëjmë aleancë mossulmi, difensivë dhe ofensivë, si dhe lidhje ushtarake.
4. Traktate ekonomike të ngushta mes të dyja palëve.
5. Do të përpiqemi që sa më parë kjo lidhje të bëhet greko-turko-shqiptare.
6. Në rast lufte, komanda e përgjithshme ushtarake do të vihet në dorë të Greqisë
7. Të dyja palët do të paraqiten në Konferencën e Paqes si dy palë me një interes të vetëm duke përkrahur politikën e shoku- shokut. Kosova do të zotohet të mbështesë rivendikimet shqiptare për Kosovën dhe anën e Dibrës, që kështu në kohën e ardhshme të mund t’i bëhet ballë rrezikut skllav.

Pikërisht në momentin kur forcat legaliste dhe Balli Kombëtar u bënë gati të arrinin marrëveshjen me grekët për propozimet e një viti më parë, Enver Hoxha urdhëroi masakrimin e drejtuesve kryesorë të tyre. Komunistët me këtë veprim prenë çdo fije bashkëpunimi mes forcave të djathta në dy vendet. Enver Hoxha kishte menduar ashtu si legalistët dhe Balli Kombëtar krijimin e një federate, jo me Greqinë e djathtë, por me Jugosllavinë komuniste. Goditja që u bëri Enver Hoxha eksponentëve të Ballit Kombëtar nuk ishte i vetmi shkak që çoi në dështimin e marrëveshjes. Shteti grek nuk ishte i gatshëm të kishte një bashkëpunim të tillë me Shqipërinë. Disa kohë më vonë grekët do ta hidhnin këtë ide të rinovuar dhe me kushte të tjera, të cilat synonin helenizimin e plotë të Shqipërisë së Jugut. Në federatë nuk do të pranohej kurrsesi Turqia, të cilës grekët i druheshin, pasi ndikimi i tyre në Shqipëri mund të kalonte në plan të dytë dhe të parëndësishëm.

Më 27 qershor 1944, ushtria greke nis masakra të përgjakshme në Paramithi për të vijuar më tej në të gjithë Çamërinë. Brenda një natë të vetme 600 banorë, mes të cilëve edhe gra e fëmijë, u përdhunuan, masakruan e u dogjën për së gjalli. Gjenocidi vijoi në fshatin Parg, ku mbi 200 njerëz të pafajshëm u vranë. Masakra të përgjakshme trupat greke të udhëhequra nga gjenerali Napolon Zerva kryen edhe në Filat e Vanar. Fshatrat u mbytën nga gjaku dhe u mbuluan nga tymi dhe flakët. Spastrimi etnik vazhdoi me vite të tëra me një bilanc përfundimtar tragjik me mbi 2900 të vrarë dhe rreth 2400 çamë të tjerë humbën jetën duke u përpjekur të vinin në Shqipëri. Më shumë se 60 fshatra u dogjën dhe pasuritë u grabitën nga ushtria greke.

Edhe pas çlirimit të Shqipërisë, Athina u përpoq të shfrytëzonte në interes të politikës së saj aneksioniste edhe zgjedhjet e para në Shqipëri, ato të dhjetorit 1945. Strukturat shtetërore greke dhe silogjet vorio-epirote riorganizuan agjenturat e tyre në jug të vendit, duke u kërkuar prerazi të bënin propagandë kundër Enver Hoxhës dhe të bojkotonin procesin zgjedhor. Qëllimi ishte të tregohej në arenën ndërkombëtare se minoriteti nuk donte të jetonte brenda kufijve të shtetit shqiptar, por të bashkohej me Greqinë mëmë.

Në shërbim të këtij misioni u hodhën menjëherë në terren shumë nga ish-bashkëpunëtorët e Vasil Shahinit, të cilët nisën të shpërndanin trakte, gazeta, por edhe duke organizuar takime të fshehta ku promovohej ideja e Vorio Epirit dhe kërkohej kundërshtimi i komunistëve, duke mos u bërë pjesë e procesit të 2 dhjetorit. Në trakte shkruhej se votimet duhet të sabotoheshin, sepse grekëve nuk duhet t’u interesonte kush qeveris Shqipërinë, por Greqinë.

Ne s’duhet të votojmë, por të mendojmë të afrohemi me tokën tonë, këto zgjedhje u përkasin shqiptarëve dhe jo neve, thuhej në traktet që u shpërndanë në të gjithë Jugun e Shqipërisë. Menjëherë pas fitores së komunistëve të drejtuar nga Enver Hoxha, grekët kundërshtuan rezultatin, duke deklaruar se zgjedhjet e zhvilluara në të ashtuquajturin Epir të Veriut ishin absolutisht të papranueshme. Sipas tyre, në votime morën pjesë vetëm 60 për qind e popullsisë që ishte tregues i pavlefshmërisë së tyre. Grekët shkuan më tej, kur në një memorandum dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit i lëvizën edhe më shumë shifrat, duke deklaruar se në zonën e Vorio Epirit abstenimi shkonte nga 50 në 90 për qind. Por këto të dhëna binin në kundërshtim me burimet shqiptare, të cilat njoftonin për një pjesëmarrje në proces të minoritetit grek në masën 92 për qind.

Menjëherë pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist në vitin 1946 me urdhër të Enver Hoxhës, strukturat e Ministrisë së Brendshme nisën një fushatë të gjerë arrestimesh dhe ndalimesh në zonat e jugut, duke internuar disa qindra të dyshuar dhe të afërm të tyre si të lidhur me silogjet vorio-epirote dhe propagandën greke që ushtrohej në këto zona. Aksionet nisin nga Derviçani në Gjirokastër, në Ersekë, Leskovik, Himarë e Sarandë. Një pjesë e të arrestuarve dhe të internuarve ishin të skeduar më parë, pjesë e listave të shërbimeve sekrete shqiptare.

Dokumentet e kohës flasin për 133 të burgosur dhe dhjetëra familje të internuara. Mes tyre bien në sy mbiemra të njohur që kishin qenë mjaft aktivë gjatë periudhës parakomuniste në lidhjet e tyre me elementë që punonin për agjenturën greke, si: Bollano, Lekas, Tatas, Gumas, Papas, Stefanos e Kostas. Mes tyre edhe shumë mësues të shkollave në Gjirokastër, Poliçan, Llongo etj., të cilët, sipas regjimit, punonin si agjentë të fshehur në shërbim të agjenturës greke.

Të burgosur

Derviçan
Kristos Tsamis
Kristos Liakos
Gregorios Bezatis

Kakavi
Michael Miris

Pepel
Aphroditis Makou
Pavlos Melos
Vasilios Siskas

Poliçan
Andreas Ghoulis
Christos Ghikas
Athanasios Terpos
Stavros Iassonides
Andreas Rossis

Sopik
Konstantine Kontopanos
Kontantine Ghatzouris
Panajotis Premikiris

Përmet
Panajotis Kiapes
Spiridon Kostas
Theodoros Tselios
Elias Anastadiades
Pavlos Evangelou
Georgos Tasos
Georgios Mitsis
Sotir Kyritsis
Theodoros Markou
Georgios Prontanis

Nivicë
Ghikas Papacosta
Demetrios Photis
Cosmas Ghourmas
Elias Ghoumas

Himara
Nicholas Katselanos
Loukas Bolanos
Stephanos Bolanos

Dhërmi
Thimio Melios
Damianos Zoupas
Kleanthis Karavelas
Cosmas Karavelas

Qeparo
Manolis Lekas
Gregorios Alexi
Ioannis Voglis
Spiros Gumas

Palasë
Ioannis Gherkis
Antonios Lekas
Evangelos Giannis

Korçë
Stephanos Sekkos
Stavros Sekkos
Constantine Sekkos
Hercules Kyriakou
Michael Stassas
Thomas Stassas
Vasiolios Katounis
Evangelos Ambesis
Harallamb Zacharas
Joseph Zacharas
Ksenofon Douskos
Petros Nounis
Petros Kotokos

Paralelisht Gjykata Ushtarake e Rrethit Gjirokastër do të niste një gjykim të rreptë mbi 19 prej të arrestuarve në aksionin e mëparshëm nën akuzën e tradhtisë së lartë ndaj atdheut. Të gjithë të pandehurit do t’i nënshtroheshin një hetimi të imtësishëm për veprimtarinë e tyre gjatë luftës e pas saj, por edhe për lidhje të dyshimta me persona që vepronin në lidhje të fshehta me agjenturën greke. Në qendër të hetimit ishin thirrjet që u ishin bërë banorëve të këtyre zonave nga të arratisurit e fundluftës për të mos marrë pjesë në procesin e parë zgjedhor në Shqipëri, e që solli në pushtet komunistët, bashkë me to ishin shpërndarë edhe trakte që kërkonin bashkimin e Jugut të Shqipërisë me Greqinë. Ndër të arrestuarit ishte edhe Vasil Pertali nga Leshnica e Sarandës, një ndër njerëzit që do të rezultonin mjaft aktivë në veprimtaritë e paligjshme kundër shtetit shqiptar në propagandën për Vorio Epirin edhe në vitet e mëpasshme.

Procesverbal nr. 237, 1946

1. Vasil Pertali, Dhrovjan
2. Qimon Greka, Leshnicë
3. Harallamb Lezo, Leshnicë
4. Papa Stavro Rexho, Dhivër
5. Teli Harbaci, Dhivër
6. Filip Papa-Thanasi, Kalivë-Shush
7. Lluka Prifti, Piqeras
8. Vangjel Papai (Zisi), Aliko
9. Stavro Pilo, Aliko
10. Vasil Llazari, Lukovë
11. Mihal Llambro, Sarandë
12. Papa Jani Dashi, Çukë
13. Loli Papa, Aliko
14. Sotir Shqevi, Kalive-Pasha
15. Nasho Pando, Sopik
16. Kristo Papa Stavro, Sopik
17. Fane Deneku, Sopik
18. Koço Qesko, Mursi
19. Pilo Shqevi, Kalive-Pasha

Gjatë seancave të gjata gjyqësore, të pandehurit u nënshtrohen pyetjeve të shumta të hetuesve, duke dhënë sqarime mbi lidhjet e tyre me persona të dyshuar si pjesë e silogjeve vorio-epirote në Greqi. Disa prej tyre pranojnë të jenë ndikuar drejtpërdrejt ose jo nga persona të arratisur në shtetin fqinj dhe që për vite me radhë kishin qenë në krah të Vasil Shahinit, të vrarë tashmë që prej tre vitesh.

Ndjenja e frikës vihet re lehtësisht në të gjitha dëshmitë e të arrestuarve, të cilët pranojnë të kenë qenë pjesë e veprimeve ilegale të silogjeve vorio-epirote në Shqipëri, por mbrohen me faktin se janë manipuluar dhe çdo gjë e kanë bërë pa pasur dijeni të plotë mbi rëndësinë e informacioneve që kanë transmetuar. Ja copëza nga pohimet e disa prej të pandehurve të mbajtura në procesverbalet e hetuesve.

Sotir Shqevi: Unë isha i tronditur nga ndryshimet politike. Nasho Pando më hapi bisedat e para për Greqinë dhe më vuri në dukje fitimet e reaksionit, duke më thënë se reaksioni do të provokojë Shqipërinë dhe Ballkanin, e prandaj duhet të lidheshim me priftin e fshatit Sopik, i cili lidhej në Korfuz me disa të arratisur, që ishin të lidhur me silogjet e Vorio Epirit. Unë punën time e quaj tradhti, sepse tradhtova detyrën time dhe popullin në favor të imperializmit grek.

Vangjel Zisi: Unë vetëm një gazetë kam kënduar asgjë tjetër. Më 24 dhjetor 1945 më erdhi Vasil Pertali, i cili më tha se kishte disa broshura për mua dhe Lolin, unë i mora dhe i dogja. Një letër m’u dorëzua nga djali i Vasil Pertalit, vinte nga silogu, kërkonte informata për priftërinjtë, mësuesit, oficerët, të internuarit, rezultatin e votave etj. Unë e grisa dhe nuk u përgjigja se kisha frikë.

Filip Thanasi: Në muajin dhjetor më thirri Loni Papai dhe më tha se kishin ardhur disa gazeta e ca thirrje për abstenim, unë i thashë që nuk është në interes të popullit të abstenoj. Bashkë me to ishte edhe një letër dorëshkrim që kërkonte informata të ndryshme, mes të cilave sa ushtri kishte në Sarandë, në Konispol e Delvinë. Informatat që jepnim shkaktuan sjelljen tonë para jush.

Loli Papa: Ne na kërkuan informata, por letrën e shkruan Filipi me Ilia Manon dhe dëgjova që shkroi se në Sarandë ka një brigadë me 1500 ushtarë, në Delvinë një brigadë me 1500 ushtarë dhe në Konispol bashkë me kufijtë 2000 veta. Tjetër gjë nuk i raportuam. Informatat i kishte marrë Filipi, nuk di se ku i kishte marrë, unë vetëm e dëgjova.

Koço Qesko: Më kërkuan informacion ushtarak për në Bistricë dhe unë iu përgjigja se nga Bistrica e lartë janë 2500 vetë. Informata të tjera që ishin çuar në Korfuz ishin edhe për municionet. 40–50 topa, 15 000 deri në 20 000 mitraloza dhe murtaja 2000 ose 3000.

Atë Kristo Papa: Informatat i dhamë për bela. Në Konispol ishin 500 shpirt, me veshje të mirë, moral të mirë, ushqehen mirë. Në fshatin Pandelejmon kishte një kompani me 80 veta, në Theollogo ka 800 veta. I shkruam se urat janë të ndërtuara dhe rrugët po rindërtohen.

Harallamb Lezo: Vasil Pertalit i dorëzova ato pesë letra që më dhanë. Letrat ishin të daktilografuara dhe kishin pseudonimin “qendriqiepitropi vorio-epirotiko-agon” Këshilli Qendror i Vorio Epirit për Luftë.

Vasil Pertali: 5 zarfe ia dhashë Harallamb Lezos, Pavllo Konomit, Vangjel Zhongës, Foto Grekut, Vangjel Zisos, Cavo Pilos e Loli Papës. Unë zbatova atë që më ishte thënë përmes adresave të shkruara në pako. Unë nuk jam agjent, nuk kam punuar për asnjë.

Paralelisht e njëjta situatë e nderë e konfliktuale shoqëron edhe marrëdhëniet zyrtare mes Tiranës e Athinës. Më 13 shkurt të 1946-s Greqia shprehet prerazi kundër pranimit të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në letrën zyrtare të dërguar nga ministri i Jashtëm grek në OKB theksohet se çështja e Shqipërisë nuk duhet të diskutohet, pasi Greqia është ende në gjendje lufte me të.

Në të njëjtën kohë, Gjykata Ushtarake në Shqipëri vijonte gjyqin e 19 dhe më 1 korrik të 1946-s jep edhe konkluzionet përkatëse për secilin prej tyre, duke shpallur edhe vendimin.

Për veprimtari sabotazhi kundër pushtetit shpallen fajtorë të gjithë të pandehurit, të cilët bëjnë pjesë në grupe të ndryshme të spiunazhit armik”.

Grupi i Delvinës drejtohej nga Harallamb Lezo, Vasil Pertali dhe Teli Harbaci.
Grupi i fshatit Dhivër, që njihej me pseudonimin Kallamat, drejtohej nga Pavllo Konomi, Qimon Greka.

Grupi i Hoxhës drejtohej nga Jorgo Mako me pseudonimin Arqellos. Për përfaqësimin e këtyre grupeve përballë spiunazhit grek ishte përgjegjës grupi i Leshnicës, i cili kishte pseudonimin Efrosini 933.

Lidhjet mbaheshin me Kiço Filipin, Koço Pertalin, Vasil Llanjon dhe në Dropullin e Sipërm me Aleksi Zhongën. Edhe grupi i Dhivrit kishte lidhje të drejtpërdrejta me Naso Kushtin dhe Dhimitri Maksakulin. Grupi i bregdetit dhe Sarandës drejtohej me urdhra të drejtpërdrejta nga zyra e spiunazhit në Korfuz. Në Lukovë drejtonte Vasil Llazari me Kili Kostën dhe Kosta Bocin. Ky grup kishte bazë edhe në Shën Vasil me elementin Spiro Dajko, në Nivicë përgjigjej Papa Stavro Rexho dhe Naqe Qesarin. Në Piqeras drejtues ishte Llukë Prifti dhe në Sarandë përgjigjeshin Pavllo Llambro dhe Mihal Llambro.

Lidhjet e këtij grupi me Korfuzin mbaheshin nga deti dhe si korrierë përdoreshin Gole Prifti dhe Leonidha Mërtiri nga fshati Piqeras, të cilët me ndihmën e elementëve të grupit në fjalë qarkullonin ilegalisht të armatosur. Grupi i fshatit Mursi përbëhej prej Dhimo Koçit, Koço Qeskos, Lilo Stefanit, Kristo Lokoshit, grupi i Sopikut nga Papa Kristo, Andon Sotiri, Kolo Vaso, Vasil Daneko, Sotir Ninos, Fane Denekut, Jorgo Danekos. Grupi i Alikos nga Loli Papai, Vangjel Zisi, Loli Nasho, Llambi Kokali, Cavo Pilo, Ilia Mano. Grupi i Çaushit nga Nani Dellas, Filip Nasho, Petro Loli, Kiço Loli, Panajot Lezo. Grupi i Konispolit Nasho Pando dhe Sotir Shqevi. Ndërkohë elementë të tjerë vepronin në fshatra si Kulluricë: Miho Zisi, Panajot Dalla, Kola Qirio, Andoni Mitro, fshati Çukë: Papa Jani Dashi e Mici Arvaniti”.

Pasi ka zbuluar këtë rrjet të koklavitur agjenture të lidhur me spiunazhin grek të pasqyruar në detajimin e hetimit, gjykata e përbërë nga kapiteni i parë Bexhet Mema dhe kapitenët e dytë Shaban Idrizi dhe Xhevat Ahmataj, marrin vendimin për 19 të pandehurit. Në bazë të nenit 15 të ligjit numër 41 mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake, të 19 të pandehurit shpallen fajtorë dhe armiq të popullit për tradhti të lartë kundër integritetit tokësor dhe pushtetit popullor.

Nasho Pando, Sotir Shqevi dhe Teli Harbaci dënohen me vdekje dhe konfiskim të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme. Dënohen me burgim të përjetshëm Filip Papa-Thanasi, Harallamb Lezo dhe Vasil Llazari. 30 vjet burg për Papa Jani-Dashin, Koço Qeskon, Papa Kristo Papa dhe Loli Papa.

Me 15 vjet burg dënohet Qimon Greka, me 10 vjet Vasil Pertali dhe Cavo Pilo, 6 vjet Vangjel Papai, 5 vjet Mihal Llambro, 3 vjet Papa Stavro-Rexho, 2 vjet Fane Deneku, Pilo Shqevi dhe Lluke Prifti.


Pjesa e tretë2011/06 – Marrë nga https://zgjohushqiptar.com.al/2011/06/29/kali-i-trojes-70-vitet-e-agjentures_29/

DOSSIER

Përplasja në Paris, plani Dragumis, arrestimi i Sokrat Diamantit, Andrea e Harrillo Bollanos

Ashtu si në periudhën 1920–1945, edhe në vitet në vijim, marrëdhëniet Shqipëri–Greqi do të notonin në një det të turbullt kërcënimesh, presionesh, e tensioni të fortë. Goditja e mjaft agjentëve dhe rrjeteve të tyre nuk frenuan dëshirat aneksuese të shtetit fqinj. Sërish lufta do të mbështetej në dy fronte, atë zyrtar dhe atë të nëndheshëm. Greqia vazhdonte të lëshonte individë të ndryshëm, të cilët punonin për silogjet e të ashtuquajturit Vorio Epir, e nga krahu tjetër, ushtronin presion në planin ndërkombëtar.

Teksa një merimangë agjenturore e Jugut të Shqipërisë goditej, shteti grek sulmonte në një drejtim tjetër në Konferencën e Paqes në Paris. Më 18 shkurt 1946, Kryeministri i Greqisë, Kostandin Caldaris, kërkoi hapur përballë Fuqive të Mëdha që pretendimet për Jugun e Shqipërisë dhe tokave të tjera në Bullgari të diskutohen në Konferencën e Paqes. Përveç kësaj, Kaldaris deklaroi hapur se ishte ende në gjendje lufte me Shqipërinë. Sipas dokumenteve të kohës, përfaqësuesit grekë i propozuan një pakt atyre jugosllavë, sipas të cilit, Jugu i Shqipërisë të përfshihej në shtetin grek dhe Veriu në shtetin sllav. Qëndrimi i Enver Hoxhës që kryesonte delegacionin shqiptar ishte i prerë. Në librin “Dy popuj miq”, të shkruar prej tij, zbulohen pjesë nga fjalimi në Konferencën e Paqes në Paris.

Z. Caldaris përpiqet të provojë se Shqipëria nuk është një vend aleat, se Shqipëria ka atakuar Greqinë dhe se kjo është në gjendje lufte me të. Nga ana tjetër, z. Caldaris rivendikon Shqipërinë e Jugut, duke pretenduar se kjo është tokë greke dhe i takon asaj me të drejtë. Populli shqiptar flak poshtë me përbuzje akuzën poshtëruese të delegatit grek, që e padit vendin tim si sulmues. Populli shqiptar nuk e ka sulmuar kurrë popullin e ndershëm grek, nuk i ka shpallur kurrë luftë. Zoti Caldaris nuk do të bindte asnjeri, bile as budallenjtë me argumentet e tij, ai duhet t’i kërkojë llogari Italisë fashiste për sulmin e poshtër kundër vendit të tij, e jo neve. Do të ishte qesharake të mendohej se një dekret i thatë i Viktor Emanuelit, mbretit të Italisë, do të mund të ngarkonte me faj popullin shqiptar, i cili luftonte pa mëshirë kundër Italisë, që nga dita e parë e pushtimit dhe që tentoi edhe kundër jetës së mbretit vetë gjatë vizitës së vetme që bëri në Shqipëri, në maj 1941. Caldaris tregon si argument aktin e shpalljes së luftës nga kusilingu shqiptar, Verlaci. Populli shqiptar i futi në të njëjtin thes pushtuesit e kuisilingët dhe nuk bëri asnjë dallim mes tyre. Kuisilingët shqiptarë, si gjithë kuisilingët e tjerë të Europës, nuk kishin të bënin aspak me popullin tonë. Ata ishin armiqtë më të fëlliqur të popullit tonë.

Përveç të tjerave, z. Caldaris duhet t’i përgjigjet disa pyetjeve.
A do ta konsiderojë z. Caldaris si vend agresor Francën, prej ku Hitleri mendoi të ndërmarrë ofensivën kundër Anglisë?! Delegacioni grek ka pretenduar se qeveria shqiptare e tanishme ndjek një politikë shkombëtarizimi kundër minoritetit grek në Shqipëri. Zotërinj, minoriteti grek në Shqipëri ka luftuar krah për krah me mbarë popullin shqiptar kundër pushtuesve fashistë e nazistë dhe kundër kuisilingëve shqiptarë e grekë. Nga ana tjetër, nuk e di nëse zotërinjtë delegatë kanë dijeni për terrorin e ushtruar në kurriz të popullsisë çame në Greqi. Bandat e gjeneralit kuisiling, Napolon Zervës, dogjën katundet e tyre, u morën pasuritë dhe vranë me mijëra burra, gra, fëmijë e pleq. Deklarojmë solemnisht se brenda kufijve tanë të tanishëm nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj dhe nuk do të lejojmë kurrë që të na preken, sepse për ne ata janë të shenjtë”.

Por në kohën kur shqiptarët po përballeshin me një sulm diplomatik në Paris, grekët, në krahun tjetër, ushtronin edhe presion ushtarak në kufirin shqiptar. Në gusht të 1946-s, gjatë kohës kur Konferenca e Paqes po zhvillonte punimet e saj, 200 ushtarë grekë, duke përfituar edhe nga mungesa e organizimit te forcat ushtarake shqiptare, kalojnë kufirin dhe sulmojnë fshatin Radat të Gjirokastrës. Nga ky aksion mbetën të vrarë një numër i madh civilësh të pafajshëm. Ky ishte sulmi i parë i një serie të gjatë përplasjesh në kufirin greko-shqiptar.

Por grekët, sulmet në terren i shoqëronin edhe me një propagandë të dendur antishqiptare. Pavarësisht qëndrimit amerikan që nënvizonte rolin e rëndësishëm të luajtur nga Shqipëria gjatë luftës antifashiste, ku evidentohej shpartallimi i plotë i tre divizioneve gjermane, qeveria greke, duke i cilësuar shqiptarët si bashkëpunëtorë të Italisë, kërkoi publikisht që Shqipëria të mos renditej në koalicionin fitues të Luftës së Dytë Botërore. Nota greke pohonte se as në vitet ‘40-‘41 dhe as në 1942 shqiptarët nuk morën pjesë në Luftën e Aleatëve, përkundrazi sipas tyre, ata u rreshtuan përkrah boshtit kundërshtar, duke qenë pjesë aktive e sulmit italian mbi Greqinë.

Në Paris, ndërkohë, insistimit grek për çështjen e Vorio Epirit, Enver Hoxha dhe i gjithë delegacioni shqiptar iu përgjigjën prerazi se kufijtë e Shqipërisë janë të paprekshëm. Më 30 gusht 1946, seanca plenare e Konferencës së Paqes në Paris, me 11 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime vendos që të fusë në rend të ditës propozimin e Greqisë për kufirin jugor të Shqipërisë. Bashkimi Sovjetik vuri veton për të penguar këtë projekt, por kjo nuk mjaftonte.

Në Amerikë nisi një luftë e fortë, nga njëri krah lobi grek kishte nisur një propagandë të shfrenuar kundër Shqipërisë, duke u përballur me patriotët si Fan Noli, që mbronin çështjen shqiptare. Por nuk ishte kjo përplasje që vendosi gjithçka. Disa ndër Fuqitë e Mëdha e mbi të gjitha Shtetet e Bashkuara u frikësuan nga kjo iniciativë që mund të hapte “Kutinë e Pandorës” dhe të vinte përballë shtete të shumta që do të kërkonin rishikim të kufijve.

Kur fatet e Shqipërisë së Jugut nuk ishin vendosur ende, më 16 shtator 1946, duke u larguar nga Parisi, Enver Hoxha bën një deklaratë të fortë në mediat ndërkombëtare, duke paralajmëruar edhe luftë, nëse do të kishte një vendim për t’i dhënë të drejtë Greqisë. Sipas tij, populli shqiptar nuk do të pranonte në asnjë mënyrë prekjen e kufijve të tij.

Kur populli shqiptar luftonte trimërisht kundër fashizmit, të tjerët i hidhnin lule, por kur erdhi koha që ai të kërkonte vendin e tij kaq shumë të merituar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ose në Konferencën e Paqes, i hodhën gurë. Populli im nuk do ta kuptojë këtë logjikë, pasi ajo nuk është e ndershme. Ne jemi një popull paqedashës, por ne nuk jemi nga ata që lejojmë të na marrin nëpër këmbë. Shekuj me radhë, populli shqiptar ka luftuar për t’i fituar këto të drejta të shenjta dhe ai është gati edhe sot ta fillojë përsëri luftën e tij, nëse aventurierët fashistë do të guxojnë t’ia prekin. Monarko – fashistët grekë nuk bëjnë gjë tjetër, veçse provokojnë në kufirin tonë të Jugut. Unë deklaroj solemnisht se as Konferenca e Parisit, as konferenca e të katërve, as çdo konferencë tjetër qoftë, nuk mund të marrin në shqyrtim kufijtë e vendit tonë, brenda të cilëve nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj. Kufijtë tanë janë të padiskutueshëm dhe askush nuk do të guxojë t’i prekë. Që të mund të marrë një pëllëmbë tokë të vendit tonë, reaksioni grek duhet të vërë në lëvizje të tjerë mekanizma, përveç votës së Konferencës së Parisit. E gjithë bota ta dijë se populli shqiptar nuk lejon që të diskutohen kufijtë e tij dhe toka e tij.

Nga ana tjetër, protestoj për vendimin e marrë në seancë plenare të Konferencës së Parisit. Populli shqiptar nuk e ka dërguar delegacionin e tij në Paris për të dhënë llogari, por për t’u kërkuar llogari atyre, që e kanë dëmtuar aq tepër dhe që ai i ka luftuar me ashpërsi gjer në fund. Ne e kemi bërë detyrën tonë, ashtu siç e kanë bërë dhe të mëdhenjtë. Dëshmorët tanë dhe sakrificat tona janë për ne po aq të shenjtë sa janë dhe dëshmorët dhe sakrificat e të mëdhenjve; të drejtat tona janë po aq të shenjta, sa janë dhe ato të atyre. Mirëpo, Konferenca e Parisit, siç duket, nuk i mori parasysh këto gjëra.

Duke u larguar nga Parisi, dua të falënderoj në emër të popullit tonë, të gjithë përfaqësuesit e atyre vendeve që e mbrojtën kauzën e drejtë, por të merituar të popullit shqiptar. Ne urojmë me gjithë zemër, nga ana tjetër, që t’i jepet fund kësaj fushate të padrejtë e të shpifur fund e krye, kundër vendit tonë, që ka luftuar me kaq trimëri kundër fashizmit dhe që do t’i shkrijë të gjitha forcat e tij për të forcuar paqen e drejtë dhe të gjatë”.

Në seancën e 26 shtatorit, delegacioni grek tërhoqi kërkesat e tij, duke shuar në këtë mënyrë atë që grekët e konsideronin si shpresa e madhe për të bërë një bashkim të madh.

Por, nga krahu tjetër, shteti grek dhe silogjet vorio-epirote infiltruan një numër të madh bandash të armatosura në territorin shqiptar. Vetëm gjatë viteve 1946–1947 u vranë 393 anëtarë të tyre, si dhe u kapën apo u dorëzuan 770 persona të tjerë të armatosur. Vetëm në Jug të vendit, u goditën një sërë bandash në Tepelenë, Gjirokastër, Këlcyrë, Përmet, Korçë, Konispol. Një grup i rrezikshëm ishte edhe ai i Papu Aleks Lipes në Përmet, që mbante lidhje të drejtpërdrejta me dhespotin e Janinës, Spiridhon.

Në vitin 1947, shteti grek përfshihet nga një raund tjetër i luftës civile midis, EAM guerilëve komunistë të grumbulluar në Ushtrinë Demokratike Greke (themeluar në tetor 1946) dhe forcave qeveritare të Ushtrisë Kombëtare Greke të drejtuar nga Napolon Zerva. Ushtria partizane kishte një organizim perfekt të përbërë nga struktura të vërteta ushtarake, që përbëheshin nga toga, kompania, batalioni, brigada e deri te divizioni. Përplasja e përgjakshme mes dy palëve do të zgjaste dy vjet. Forcat e majta, të drejtuara nga gjenerali Markos, ishin në ndihmën e Enver Hoxhës, i cili u ofroi spitalet e Jugut të Shqipërisë për evakuimin e të plagosurve, por edhe për strehimin e trupave.

Ndërkohë, Gjykata Ushtarake e Tiranës, po atë vit, nis gjykimin mbi himarjotin Harrillo Bollano, i cili akuzohet për veprimtari armiqësore kundër pushtetit dhe propagandë për Vorio Epirin, duke kërkuar aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia. Gjatë seancës së pyetjeve, Bollano hedh poshtë akuzat, duke lënë përgjegjësinë te pjesëtarë të tjerë të familjes së tij.

Vëllai im është arratisur dhe se ku është, nuk e di, Pavlo Bollano e të tjerë që më thoni janë arratisur në Greqi. Në kohën kur janë hedhur parullat, në regjiment është bërë një konferencë dhe na kanë thënë se çfarë ishte bërë, në seksionin e sigurimit më kanë thënë se kush i hidhte ato dhe i kam thënë se e kanë bërë ata që janë kundër pushtetit dhe jo unë. Për punën e zgjedhjeve, unë e di dhe e dinë të gjithë se Himara ka votuar kundër pushtetit. Për Savo Xhanin, di të them se kishte shkruar një parullë, por nuk e di se kush kishte shkruar Vorio Epir. Me silogjet vorio-epirote nga soji i Bollanove kam pasur Pilo Bollanon dhe Llambi Janollin”.

Trupi gjykues i udhëhequr nga major Gjon Banushi, në përfundim jep konkluzionet dhe vendimin, duke shpallur të pandehurin Harrillo Bollano fajtor për veprimtari armiqësore, duke hedhur parulla ndaj pushtetit popullor dhe reformave ekonomike, propagandë për Vorio Epirin dhe pushtimin nga Greqia të Jugut të Shqipërisë, si dhe për thyerjen e gjilpërës manjetike në regjiment, me qëllim sabotimin. Bollano dënohet me dy vjet heqje lirie dhe punë të detyruar.

Por agjentura greke dhe elementë të silogjeve vorio-epirote nisën infiltrimin edhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit. Influenca e tyre nisi të ndihej sidomos në koloninë shqiptare në Australi, që gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo ishte zgjeruar më shumë pas përfundimit të saj nga elementë të tjerë grekofonë nga Gjirokastra dhe Korça. Komiteti pangrek arriti të krijojë në gjirin e vet një përfaqësi të veçantë të vorio-epirotëve me qendër në Melburn dhe disa nënkomitete të vogla, të cilat kishin edhe shtypin e tyre. Këto celula u përpoqën në mënyrë të vazhdueshme të fusnin grindje në koloninë shqiptare në Australi mes myslimanëve dhe ortodoksëve.

Në fund të viteve 1948, vlera strategjike e Shqipërisë ndryshoi ndjeshëm në rajon. Shqipëria e shndërruar në një bazë të fortë për Bashkimin Sovjetik përbënte për Perëndimin një rrezik shumë më të madh se popullsia e saj e vogël. Aleatët perëndimorë kërkonin të pengonin planin e Stalinit për të kontrolluar hyrjen në Adriatik. Ai e kishte pajisur ishullin e Sazanit me nëndetëse dhe raketa të modelit gjerman V2, të afta për të goditur deri në territorin italian. Në atë kohë, shërbimet sekrete amerikane informonin se Shqipëria po rriste gjithnjë e më shumë influencën sovjetike në Mesdhe, me baza e vija komunikacioni që arriheshin lehtë dhe që kishin rëndësi jetike për Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA. Në këtë situatë, pretendimet territoriale të Greqisë ktheheshin në një pengesë të madhe dhe kërcënim për planin e SHBA–së që kërkonte të përmbyste regjimin në Shqipëri pa hapur konflikte të mëdha në Ballkan. Por, pavarësisht qëndrimit amerikan, grekët ishin të interesuar për aneksimin e Shqipërisë së Jugut dhe jo për vendosjen e një demokracie perëndimore në këtë vend.

Në këtë situatë, për të konkretizuar planet e tyre, grekët do të hartonin dhe atë që në histori do të kujtohej si plani Pippinelis, një hap diplomatik që synonte të realizonte qëllimin e vjetër grek të Megalidesë. Zëvendësministri i Jashtëm, Panajotis Pippinelis, me anën e një memorandumi drejtuar Departamentit të Shtetit, i propozoi një plan konkret për aneksimin e Shqipërisë nga Greqia. Dokumenti i dorëzuar mbështetej në këto tri pika.

1. Copëtimi i Shqipërisë midis Greqisë dhe Jugosllavisë, ose midis Greqisë, Jugosllavisë dhe Italisë.
2. Administrimi i Shqipërisë nga një organizëm ndërkombëtar ose nga një fuqi e painteresuar.
3. Bashkim i Shqipërisë me një nga vendet fqinje dhe pikërisht me Greqinë

Sigurisht, Pippinelis insistonte më shumë te formula e tretë, të cilën ai e quante në memorandum si mundësinë më të mirë për t’i dhënë fund konflikteve dhe përplasjeve në Ballkan. Zëvendësministri i Jashtëm argumentonte pamundësinë e krijimit të një shteti federativ midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, duke u bazuar në dy pika. Jugosllavia tashmë ishte e ngarkuar rëndë me një numër të konsiderueshëm minoritetesh dhe e dyta armiqësia e vjetër racore sllavo-shqiptare, ndërsa bashkimin politik të Greqisë me Shqipërinë, Panajotis Pippinelis e quante të natyrshëm dhe të goditur.

Në librin “Tensioni greko-shqiptar ‘39–‘49” të historianit Beqir Meta, zbulohen edhe detajet që diplomati grek, Pipinelis, parashtronte për krijimin e shtetit të ri shqiptaro–grek. Ai afirmonte si parim themelor të ndërtimit të këtij shteti, sigurimin e vetëqeverisjes lokale dhe vetëvendosjes për të dy popujt, lirinë absolute në drejtimin e çështjeve të brendshme të dy vendeve nëpërmjet institucioneve të tyre demokratike, të cilat do të siguroheshin plotësisht me drejtimin e përbashkët të çështjeve ekonomike, ushtarake dhe diplomatike. Pippinelis shprehte bindjen se lehtësisht mund të gjendej një formulë ligjore për këtë bashkim politik, duke marrë si model monarkinë dualiste austro-hungareze, ose perandorinë britanike. Në librin e Beqir Metës shkruhet se zëvendësministri i Jashtëm grek merrte si argumente për të mbështetur propozimin, marrëveshjen e parë mes kapedanëve grekë dhe shqiptarë në SUL, më 15 janar 1821 për të formuar një aleancë dhe zotimin që i kishin dhënë njëri-tjetrit për të qenë të bashkuar si vëllezër. Pippinelis mbështeste tezën e tij edhe në shtrembërime të tjera, sikur në 1829-n, shqiptarët i kishin propozuar qeverisë greke përfshirjen e krahinës së Vlorës në shtetin fqinj, me kusht që atyre t’u garantohej liria e besimit fetar dhe nderi i haremeve të tyre.

Por SHBA, pasi shqyrtoi me kujdes planin e detajuar të Pippinelis, e hodhi poshtë atë në formë të prerë. Departamenti i Shtetit shprehu qartë qëndrimin për moscenimin e kufijve shqiptarë. Teksa operonin me plane në arenën ndërkombëtare, në Greqi, forcat qeveritare, me ndihmën e SHBA-së, pothuajse kishin shtypur kundërshtarët politikë të majtë. Në këtë situatë, politika zyrtare greke, duke marrë shkas edhe prej ndihmës që Enver Hoxha i kishte dhënë ushtrisë partizane të gjeneralit Markos, bëhet mjaft agresive, duke shpallur sërish hapur oreksin për Jugun e Shqipërisë, që duhet të realizohej me një sulm në front të gjerë ndaj territorit shqiptar. Ka ardhur momenti që të lajmë hesapet me Shqipërinë, do të deklaronte një nga zyrtarët më të lartë të kohës. Vorio Epiri duhet çliruar.

Por edhe këtë herë, ishin Shtetet e Bashkuara që kundërshtuan planin grek, duke ushtruar presion të fortë ndaj Athinës zyrtare.
E megjithatë Greqia nuk u tërhoq dhe pas shtypjes së kryengritjes së të majtëve në vitin 1949, Napolon Zerva hedh sytë nga Shqipëria, duke komanduar sulme të njëpasnjëshme ushtarake në pika të ndryshme të kufirit.

Vetëm gjatë viteve 1948–1949, trupat greke shkaktuan rreth 1200 provokime ushtarake në kufirin shqiptar nga ajri, toka dhe deti. Ato u intensifikuan sidomos më 2 gusht të 1949-s, ku disa batalione greke të mbështetura nga artileria dhe 15 aeroplanë sulmuan postën kufitare shqiptare në Vidohovë të Devollit, duke vrarë 6 ushtarë shqiptarë dhe duke plagosur po aq të tjerë. Vetëm pasdite, ushtria shqiptare mundi të sprapsë batalionet greke që lanë rreth 100 të vrarë brenda kufirit shqiptar.

Trupat greke do të sulmonin edhe në ditët në vijim kufirin shqiptar. Më 4 gusht, sulme u regjistruan në disa pika kufitare në zonën e Bozhigradit dhe Leskovikut. Vetëm gjatë këtyre dy ditëve, trupat greke hodhën në kufirin shqiptar më shumë se 1500 predha artilerie, pjesa më e madhe e të cilave ranë mbi fshatin Menkulas.

Më 7 gusht, trupat greke dhe ato shqiptare përplasen në një betejë frontale. Pas një ditë luftimesh, trupat shqiptare të ushtrisë popullore mundën të rimerrnin pikat e zëna të kufirit shqiptar.

Më 12 gusht, për rreth 6 orë, forcat greke dhe ato shqiptare luftojnë në zonën e Gurit-Bilisht. Një brigadë e mbështetur nga artileria dhe katër aeroplanë sulmojnë tokën shqiptare nga krahu i Bilishtit. Beteja përfundoi me tërheqjen e trupave greke, të cilat patën përdorur edhe artileri të rëndë e predha të tipeve të ndryshme.

Më 13 gusht, trupat greke sulmojnë sërish nga krahu i Bilishtit. Në betejë mbetën të vrarë komisari i batalionit të kufirit Bilisht, Nasi Remaçka, dhe korrieri i tij Dane Zeneli. Ndërkohë nga krahu grek, në dy ditë luftime, mbetën të vrarë më shumë se 70 ushtarë. Më 14 gusht, ushtria greke hodhi më shumë se 2000 predha artilerie në tokën shqiptare, në fshatrat Trestenik, Kapshticë e Cangonj-Devoll. Nga goditjet e artilerisë mbetën 5 civilë të vrarë dhe u shkaktuan dëme materiale në disa shtëpi të fshatrave të mësipërme.

I ndodhur në këto kushte, Enver Hoxha jep urdhrin për mobilizimin e plotë ushtarak, në të gjithë Jugun e vendit.
Por grekët nuk ndalen dhe vijojnë sulmet në kufirin shqiptar. Arenë përplasjesh mes forcave ushtarake shqiptare dhe greke u shndërruan në pak ditë edhe zona të tjera të kufirit. Ndërkohë qeveria shqiptare reagoi ndaj sulmeve, duke i dërguar një notë proteste OKB-së. Në Shqipëri u organizuan mitingje të shumta proteste kundër agresioneve greke.

Në atë periudhë, diku në afërsi të Sarandës, është ulur edhe një avion grek. Kjo ngjarje ka mbetur thuajse mister. I sigurt mbetet fakti se avioni luftarak i ushtrisë së vendit fqinj u bë pjesë e Parkut Kombëtar të Aviacionit Shqiptar nga viti 1949 deri-diku pas vitit 1953. Historia e vërtetë është shndërruar në legjendë me disa versione. Disa thonë se ai u soll nga një agjent i zbulimit shqiptar që ishte njëkohësisht edhe pilot, disa me avarinë që kishte pësuar mjeti fluturues, por e vërteta mbetet ende enigmë.

Megjithatë, qeveria greke nuk e ndali presionin dhe mbante të përqëndruar në kufirin me Shqipërinë një numër të madh forcash ushtarake me justifikimin për të penguar lëvizjen e guerilasve komunistë.

Nën presion edhe të Jugosllavëve, me të cilët kishte prishur marrëdhëniet, Enver Hoxha udhëton drejt Moskës, ku më 2 prill të 1951 takohet me Stalinin, Mikojanin, Beriasin, Molotovin, Malenkovin dhe Bulganinin, të cilëve u shpreh shqetësimet dhe mëdyshjet e qeverisë shqiptare. Enver Hoxha dhe Stalini në takimin e tyre në kryeqytetin e Bashkimit Sovjetik, për të disatën herë, kishin në qendër të bisedimeve qëndrimin e Greqisë dhe provokimet e vazhdueshme ndaj Shqipërisë. Stalini udhëzoi Enverin t’u jepte ndihmë komunistëve grekë, por me shumë kujdes dhe në formë të maskuar.

Enveri i parashtroi Stalinit rrezikun, sipas tij, të një sulmi të mundshëm të menjëhershëm të Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë e në këtë rast, kërkoi mbështetjen e Bashkimit Sovjetik. Provokacionet, vijoi më tej Enver Hoxha, i kanë ardhur Shqipërisë nga ajri, toka, dhe deti nga të tria këto vende. Ndër të tjera, Enveri i zbuloi Stalinit edhe disa plane operative, të cilat ishin përgatitur në rastin se sulmi mbi Shqipërinë do të bëhej realitet. Në këto plane të detajuara demonstrohej mënyra sesi ushtria shqiptare synonte t’i kundër përgjigjej armikut. Duke theksuar se ushtria shqiptare mund të arrinte në mbi 230 mijë ushtarë, Enveri kërkoi mbështetje të mëtejshme në furnizimin me armë dhe municione. Nga krahu i tij, Stalini u tregua i qetë dhe ftoi Enverin të mos i përgjigjet provokacioneve të fqinjëve. Sipas Stalinit, sulmi ndaj Shqipërisë është thuajse i pamundur për sa kohë ka një sërë vendesh që do të përfshiheshin në konflikt. Për sa i përket kërkesave për pajisje ushtarake, Stalini jep konsensusin e tij, duke ftuar Enverin t’i parashtrojë kërkesat Bulganinit. Stalini i këshilloi Enverit gjithashtu që në organet drejtuese të vendit, të mbajë një shumicë të zgjedhurish nga feja myslimane, një mënyrë kjo për të respektuar fenë e shumicës së popullit.

Ndërkohë, dy fqinjët, dikur armiq e tashmë aleatë të fortë, Jugosllavia dhe Greqia, vazhdonin të thurnin plane dhe të dërgonin në Shqipëri grupe të shumta agjentësh. Afrimi edhe i Turqisë në këtë aleancë vuri menjëherë në pozita mbrojtëse Shqipërinë, e cila i druhej një sulmi të papritur, sidomos nga dy vendet kufitare. Silogjet vorio-epirote riorganizuan strukturat e tyre dhe forcuan përpjekjet për të rilidhur kontaktet e vjetra të humbura pas ardhjes së komunistëve në pushtet.

Në shkurt të 1953, dyshimet e qeverisë shqiptare do të bëheshin realitet me firmosjen e traktatit greko-turko-jugosllav, i cili ndikoi në mënyrë të menjëhershme në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë. Vetë Enver Hoxha dhe drejtuesit më të lartë të Partisë Komuniste, u shqetësuan për mundësinë e ndërmarrjes së një aksioni të përbashkët të tre vendeve ballkanike kundër saj. Në 1954, tre shtetet nënshkruan edhe aleancën ushtarake, e njohur si Pakti Ballkanik. Në librin e Beqir Metës, “Shqipëria dhe Greqia, Paqja e Vështirë”, shkruhet se “në këtë pakt ekzistonte një klauzolë sekrete mes Greqisë dhe Jugosllavisë, që binin dakord që në rastin e një lufte, të pushtonin bashkërisht Shqipërinë”.

Grekët nuk frenuan. Pas planit të Pippinelis, që ishte refuzuar nga Shtetet e Bashkuara, grekët paraqitën një tjetër iniciativë që njihet si projekti “Dragumis”. Diplomati i njohur, Filip Dragumis, propozoi një plan konkret, me shpresën se ai do të pranohej këtë herë nga komuniteti ndërkombëtar e mbi të gjitha nga SHBA. Edhe në qendër të këtij plani, shpalosej hapur dëshira aneksuese kundrejt Shqipërisë.

Ndryshimet që propozonte Dragumisi ishin:
Të sigurohej pushtimi i kanalit të Korfuzit nga Greqia dhe nëpërmjet saj nga NATO. Kjo do të arrihej, duke i dhënë Greqisë zonën bregdetare të Delvinës, Sarandës dhe të Himarës. Në zonën e Konicës, vija e kufirit do të kalonte përtej qytetit të Leskovikut, duke e lënë atë në territorin grek, ndërsa Përmeti do të mbetej shqiptar. Vija kufitare do të vijonte, duke kapërcyer lumin Vjosë dhe do të linte në territorin shqiptar Poliçanin dhe Libohovën, por duke kaluar te grekët Sopikun. Greqia do të merrte të gjithë luginën e Devollit të Sipërm, bashkë me 14 fshatrat e liqenit të Prespës. Ndërsa Korça do t’i mbetej Shqipërisë.

Por edhe kjo tentativë e re e maskuar greke nuk do të pranohej nga ndërkombëtarët, të cilët mundën të kuptonin prapavijën pushtuese të tyre ndaj Shqipërisë.

Në vitet në vijim 1953–1954, drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, por edhe vetë Enver Hoxha, shprehën hapur qëndrimin për të normalizuar marrëdhëniet me fqinjët grekë. Megjithatë qeveria fqinje në mënyra të ndryshme shtynte dhe shpërfillte kërkesën shqiptare. Nënshkrimi i Marrëveshjes Bled në gusht të 1954-s mes Jugosllavisë, Greqisë dhe Turqisë rivuri sërish në pozicion mbrojtës qeverinë shqiptare, e cila e konsideroi atë si një pakt kundër demokracive popullore, sovjetikëve, Shqipërisë dhe Bullgarisë.

Më 28 mars 1955, Shqipëria anëtarësohet në Traktatin e Varshavës. Enver Hoxha, në një fjalim solemn në Kuvendin e Shqipërisë, ashtu siç pritej, arriti të merrte 100 për qind të votave të deputetëve për ratifikimin e këtij traktati.
Në këto momente, Shqipëria nisi të çngurtësohet, duke kërkuar sërish përmirësimin e marrëdhënieve me vendet fqinje, por edhe zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera të bllokut komunist.

Në 1955-s, Shqipëria kërkoi përmes sekretarit të përgjithshëm të OKB-së vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë. Por edhe këtë herë, përgjigjja greke ishte negative. Përkundrazi grekët riformuluan të njëjtat akuza dhe kërkesa, duke filluar nga kufizimi i pjesëmarrjes së Shqipërisë në të gjithë organizmat ndërkombëtare. Për më tepër, grekët përsëritën qëndrimin e vjetër se shqiptarët nuk duhet të renditeshin në bllokun fitues të Luftës së Dytë Botërore.

Më 8 dhe 9 korrik 1956, në Athinë, organizohet Kongresi Ndërkombëtar Panepirot, i cili kërkonte sërish çlirimin e zonës së ashtuquajtur nga Greqia të Vorio Epirit me anë të forcës. Kongresi kishte hedhur idenë e krijimit të një fronti për çlirimin e Vorio Epirit, me thirrjen nën armë të të gjithë grekëve dhe kishte vendosur krijimin e një organi ekzekutiv kombëtar për zbatimin e vendimeve të tij. Sipas informacioneve që vinin në atë kohë në Ministrinë e Brendshme në kampin e Llavrios në Greqi, ishin armatosur rreth 3000 persona, të cilët do të fillonin kryengritjen për çlirimin e Jugut të Shqipërisë.

Në këtë situatë, pushteti komunist forcon masat përgjatë kufirit me Greqinë, ndërkohë që ndërmerren edhe aksione të shumta në zonat më problematike ku jetonin minoritarë. Në 1956-n, organet e drejtësisë shqiptare arrestojnë Sokrat Dimantin, vëllain e ish- krahut të djathtë të Vasil Shahinit, ish-kreut të agjenturës greke në Shqipëri për shumë vite para komunizmit. Sokrat Diamanti, vëllai i Jani Diamantit, akuzohej për propagandë greke, sabotim të zgjedhjeve të 2 Dhjetorit 1945, në zonën e Derviçanit në Gjirokastër, për shtyrje në arratisje të disa personave, agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe tradhti të lartë shtetërore.

Diamanti iu nënshtrua pyetjeve të hetuesve për ditë me radhë.

Hetuesi: Na flisni për veprimtarinë tuaj kundër pushtetit
Përgjigje Sokrat Diamanti: Unë kam qenë i prekur nga pushteti, që më kishte cilësuar kulak dhe më luftonte vazhdimisht, ndaj unë nuk e doja. Prisnim të shpëtonim nga kjo gjendje dhe ndryshimin e situatës në vendin tonë nga ana e jashtme, sidomos nga Greqia dhe dëshiroja që ata të zaptonin Shqipërinë.

Hetuesi: Me cilin keni biseduar kundër pushtetit?
Përgjigje Sokrat Diamanti: Kam biseduar me LLambi Mukën, Koço Mukën dhe Thoma Mukën të tre nga Derviçani, edhe këta cilësohen kulak si unë. Kur kishim mundësi, takoheshim dhe flisnim për problemet tona dhe thoshim që ky regjim duhet të bjerë të përmbyset dhe këtu të vijë Greqia, ndryshe për ne nuk kishte shpëtim. Bisedoja edhe me Ilia Diamantin, edhe ai kërkonte pushtimin nga ana e Greqisë.

Hetuesi: Nga tregoni shokët me të ngushtë që keni pasur në ushtri.
Përgjigje Sokrat Diamanti: Në ushtri, kam pasur shokë të ngushtë Thoma Llazarin nga Himara, Panajot Shutin nga Gjirokastra, Vasil Makno nga Delvina, Foto Papajanin nga Leshnica, Mexhit Kokalarin nga Gjirokastra, Kristo Dulen nga Goranxia dhe Kristo Zoto nga Poliçani.

Hetuesi: Tregoni se çfarë keni biseduar me këta persona.
Përgjigje Sokrat Diamanti: Të gjithë flisnin kundër pushtetit p.sh Andon Vajua tha një ditë, duke parë foton e Stalinit, ta bëjmë supë kokën e plakut. E shumë të tjera që tani nuk më kujtohen.

Hetuesi: Po ju çfarë u keni thënë shokëve në repart?
Përgjigje Sokrat Diamanti: Unë u kam thënë shokëve se tani që amerikanët ndërprenë luftën në Kore, do ta shpërthejnë në Ballkan, sepse paktin Greqi-Turqi-Jugosllavi nuk e kanë bërë kot, por për të sulmuar Republikën e Shqipërisë. Bisedat tona ishin rreth ndryshimit në vendin tonë dhe hapjen e shpejtë të një lufte të re, se e shikonim si shpëtim.

Hetuesi: Mendohuni mirë dhe tregoni.
Përgjigje Sokrat Diamanti: Më kujtohet se shokëve iu kam thënë se unë kam vepruar për sabotimin e zgjedhjeve. Nuk më kujtohet sa ju kam treguar për këtë çështje. Bashkë me kushëririn tim, Jorgji Diamanti, kemi shkruar parulla kundër zgjedhjeve.

Hetuesi: A e ndjeni veten fajtor?
Përgjigje Sokrat Diamanti: Po, unë ndihem fajtor

Hetuesi: Pse ?
Përgjigje Sokrat Diamanti: Unë, sidomos pas vitit 1951, kam biseduar me shumë elementë kundër pushtetit. Në biseda shpreheshim se shpëtimi i vetëm është largimi i këtij regjimi dhe këtu të vinte Greqia. Unë kam lexuar dhe komentuar shumë fletushka të hedhura nga aeroplanët në vitin 1952. Për sa i përket sabotimit të zgjedhjeve të 1945-s kam shkruar trakte sipas udhëzimeve të Jorgo Diamantit. Jorgo më udhëzoi që traktet t’i shkruaja me shkronja të mëdha, që të lexoheshin më mirë. Shkrova shumë të tilla në gjuhën greke, të cilat i shpërndamë në rrugën automobilistike ndërmjet Derviçanit dhe Goranxisë. Me shokët në ushtri kam biseduar për t’u arratisur në Greqi. Nuk më kujtohen persona të tjerë që kanë dijeni dhe punojnë në favor të zbulimit grek veç meje, të tjerët jua thashë.

Hetuesi: Keni pasur kontakte me vëllain tuaj, Jani Diamanti?
Përgjigje Sokrat Diamanti: Po, ai më lajmëronte në ‘45 – ‘46, që të arratisesha dhe të shkoja atje. Kam biseduar me Miço Barutan, i cili më informonte se për grekët punonin edhe oficerë, të cilët çonin në Greqi informata ushtarake. Ai kishte lidhje me diversantin Niko Stirmo, të cilin e fshihte kur vinte nga Greqia në mullar. Ky i sillte trakte dhe merrte informata të fshehta të cilat i çonte në Greqi.

Dosja dërgohet në Gjykatën Ushtarake të Gjirokastrës, e cila nën kryesimin e kapitenit të parë, Sami Abazi, pasi shqyrtoi provat e paraqitura nga hetuesia, më 30 Janar 1957 vendosi dënimin e të pandehurit Sokrat Diamanti me 18 vjet heqje lirie. Pavarësisht kërkesës ankimore të avokatit mbrojtës së Diamantit që kërkonte një dënim më të butë për klientin e tij, Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë në Tiranë lë në fuqi masën e dënimit me 18 vjet.

Pushteti komunist rrit gatishmërinë dhe shton agjentët e sigurimit të shtetit në Jug të vendit. Ashtu si para ardhjes në fuqi të komunistëve, një ndër zonat më problematike mbetej Himara që ishte nën vëzhgim të rreptë, për shkak të problemeve të vazhdueshme që kishte pasur me elementë grekofone të ndryshëm.

Me këtë rast, më 30 janar 1957, arrestohen Leko Kallushi, Pano Konomi, Irakli Rrapo, Ilija Kokoveshi, Mihal Llato, Andrea Bollano, Koço Beleri, Jani Brigo, të gjithë nga Himara, nën akuzën e përvetësimit të pasurisë socialiste, pasi u vërtetua vjedhja që kishin kryer në fabrikën e vajit të ullirit në Himarë por edhe për krimin e agjitacion e propagandës dhe tradhtisë ndaj atdheut.

Një pjesë e të arrestuarve vinin nga familje që kishin pasur lidhje të forta me agjenturën greke dhe kishin edhe të arratisur në vendin fqinj. Ndër të cilat, familja Bollano, anëtarë të së cilës ishin skeduar për herë të parë në vitet 1920 nga organet e drejtësisë së asaj kohe. Plenumi i Gjykatës së Lartë, i udhëhequr nga kryetari Aranit Cela, jep dënime të ashpra për të gjithë të pandehurit.

Irakli Rrapo, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste dënohet me 15 vjet burg dhe zhdëmtim të plotë të shumës së dëmit shkaktuar fabrikës së vajit të ullirit, humbjen e së drejtës elektorale, konfiskimin e pasurisë së tij të luajtshme e të paluajtshme. Nën të njëjtën akuzë, Ilija Kokoveshi dënohet me 11 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës së votës për 3 vite. Andrea Bollano, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste dënohet me 6 vjet burg dhe humbjen e së drejtës elektorale për 2 vite si dhe zhdëmtim të shumës së dëmit financiar shkaktuar fabrikës në Himarë. Leko Kallushi me 18 vjet e 9 muaj, Pano Konomi me 13 vjet e Mihal Llato me 7 vjet e 6 muaj.


Pjesa e katërt2011/06 – Marrë nga https://zgjohushqiptar.com.al/2011/06/30/kali-i-trojes-70-vitet-e-agjentures_30/

DOSSIER

Arrestimi i dytë i Vasil Pertalit, agjentit Papastrati, Angjelo dhe Petro Bollano,
kërcënimi i Enver Hoxhës, roli i Peshkopit Sebastianos

Tensioni, kërcënimet, përplasjet diplomatike dhe ato me armë, arrestimet e shumta dhe zbardhja e rrjeteve agjenturore ishin kthyer në një shoqërues normal të marrëdhënieve të ndezura Shqipëri – Greqi.

Nga agjentët Vasil Shahini e Jani Diamanti të zhdukur nga komunistët, te listat e gjata të pjesëtarëve të silogjeve vorio-epirote, te themelimi i Mavit, te masakra ndaj çamëve, te përplasjet ushtarake të gushtit ‘49 dhe ato diplomatike në Konferencën e Paqes në Paris, nga plani Pippinelis tek ai Dragumis. Vit pas viti asgjë nuk ndryshon në aksin Tiranë – Athinë në një marrëdhënie që gjatë gjithë kohës lëkundet në fije të perit.

Më 16 shtator 1959 nga Sigurimi i Shtetit i rivihen prangat Vasil Pertalit një ndër krerët e agjenturës greke pas vrasjes së Vasil Shahinit. Më 1946, Pertali ishte dënuar me 10 vjet heqje lirie nën akuzën e tradhtisë së lartë ndaj atdheut, propagandë greke dhe organizim të silogjeve vorio-epirote në Leshnicë, Sarandë, Gjirokastër e më tej. Edhe në këtë arrestim të dytë mbi Vasil Pertalin rëndojnë të njëjtat akuza. Gjatë seancave të pyetjeve përballë hetuesve, ai pranon lidhjet e hershme me agjenturën greke që kishin filluar diku rreth viteve 1932, kohë kur nisi të punonte për konsullatën greke në Sarandë.

Pertali merrte para në konsullatë dhe duhet t’ua shpërndante mësuesve grekofonë që punonin në zona të ndryshme në jug të vendit. Gjithçka duhet të kryhej në fshehtësi të plotë, pasi mësuesit nuk duhet të diktoheshin nga xhandarmëria e kohës së Zogut. Ai pranon se kryente një rol ndërlidhës mes drejtuesve të konsullatës dhe njerëzve të fshehtë që punonin për të. Pas largimit të konsullatës greke nga Saranda, Pertali pranon takimet në vende të fshehta pranë kufirit grek me diversantin Thoma Mello nga i cili merrte edhe detyrat përkatëse.

Hetuesi: Cilat ishin detyrat që ju ngarkonte agjenti Thoma Mello?
Pertali: Si detyrë mua Thoma Mello më ngarkoi që përsëri të isha si ndërlidhës, duke marrë letra dhe udhëzime të ndryshme nga zbulimi grek dhe t’ua shpërndaja personave të ndryshëm që punonin kundër pushtetit siç ishte Sotir Shqevi dhe Nasho Pando. Më pas u arrestova dhe më liruan në 1952.

Hetuesi: Na tregoni i pandehur si quhej konsulli me të cilin mbanit lidhje?
Pertali: Unë kam mbajtur lidhje me shumë konsuj grekë, sepse ka pasur shumë raste që ata janë ndërruar. Konsulli i parë që unë mbaja lidhje ka qenë Skarpas, i dyti Kalelis, i treti Hristodhullas dhe i katërti Trandafillakos. Me këta unë vazhdimisht rekomandohesha me anën e sekretarit të konsullatës Jorgo Koçobinja, mbasi ai derisa u largua fare konsullata nuk u ndërrua asnjëherë.

Hetuesi: Dëshmitarët ndër të cilët Katina Lango na kanë thënë se familjarë tuajt kanë patur takime me diversantë edhe gjatë kohës kur ju keni qenë në burg. Gruaja juaj, Qirana Pertali, është takuar me diversantin Thoma Diamanati. Si i shpjegoni këto takime?
Pertali: Ka mundësi që diversantët të kenë ardhur dhe të kenë takuar gruan time, por ajo kur dola nga burgu nuk më ka treguar nga frika se mos e shaja.

Hetuesi: Si i shpjegoni deklarimet e Katina Langos?
Pertali: Për sa u përket deklarimeve të Katina Langos, unë mendoj se ato duhet të jenë të vërteta, pasi Katina diversantin Thoma Diamanti e ka kushëri të parë. Kështu që gruaja ime duke e ditur këtë kur është takuar me Thoma Diamantin ia ka treguar Katina Langos, por mua jo, nuk më ka treguar asgjë.

Hetuesi: Me cilët persona keni pasur lidhje pas daljes nga burgu në 1952?
Pertali: Pas vitit 1952 kam pasur këtë rreth shoqëror: Spiro Kashara, Jani Zisi, Ligor Lezo, Sevasti Melo, Varvara Muka, Vasil Melo, Jorgji Mako, Stefan Zisi, Miçi Lito, nga Leshnica. Por kam njohur edhe të arratisurit Vasil Llajo, Thoma Melo etj.

Hetuesi: Kur vinin diversantët ku i bënit takimet?
Pertali: Në kohën kur më erdhën diversantët kisha dy dhoma, takimin me ta e bëra në dhomën e zjarrit. Për t’u dalluar shtoj se tani kam dy shtëpi, por takimet i bëja në shtëpinë e vjetër.

Hetuesi: Na tregoni i pandehur se çfarë konditash duhet të plotësojë për të studiuar në shkollën e Vellasit ose të Voshtinës?
Pertali: Agjentët arsimtarë që ishin në shërbim të fshehtë me konsullatën greke në mes të detyrave të tjera kishin edhe atë të zgjidhnin nxënësit më të mirë që kishin këto karakteristika, të ishin me trup dhe shëndet të mirë, të zgjuar, dhe kryesorja filogrekë. Konsullata greke e Sarandës dhe ajo e Gjirokastrës për çdo vit duhet të dërgonin në shkollën e Voshtinës nga 6 djem secila, të cilët do të mësonin në shkollë, e më vonë do bëheshin kuadro. Të gjithë studentët që zgjidheshin nga ana e mësuesve për të vazhduar mësimet në shkollën e Voshtinës, atje përgatiteshin gjoja për mësues, ndërsa në fakt mësonin se si të punonin për interesat e Greqisë duke u vënë në shërbim të tyre. Këto fakte unë i di mirë, sepse shumica e arsimtarëve që unë kisha ndërlidhje kishin dalë nga shkolla e Voshtinës. Kishte dhe nga shkolla e Vellasit.

Hetuesi: Si është vepruar për rekrutim agjentësh të personave që na keni treguar si të tillë?
Pertali: Me përjashtim të Harallamb Papait, Lezos dhe Aristotel Papait të tjerët ua kam rekomanduar unë konsullatës greke si elementë të përshtatshëm. Për këtë konsulli më kishte ngarkuar detyrë që unë të zgjidhja, të studioja dhe pastaj t’i rekomandoja konsullatës elementë që plotësonin kushtet e kërkuara. Të ishin grekofilë, konspirativë, mundësisht të kishin fëmijë që studionin në shkolla në Greqi në Vellas, Korfuz, e Voshtinë, mbasi po të mos ishin në rregull me punën sekrete grekët do të merrnin masa kundrejt fëmijëve të tyre.

Si pasojë e fakteve të reja të zbuluara gjatë marrjes në pyetje të të pandehurit për periudhën e para vitit 1946, të cilat nuk ishin zbuluar gjatë hetimit të parë, hetuesi i Sigurimit të Shtetit, Vangjel Kote, vendos të shtojë edhe akuza të tjera në dosjen Pertali. Tashmë hetimi përfshin periudhën 1932-1946 dhe 1952-1959.

Hetuesi: I pandehur na tregoni ku e keni takuar ish-konsullin Trandafillakon në Greqi?
Pertali: Trandafillakon e kam takuar në Greqi atje ai më dha një leje qarkullimi, e cila ishte e nënshkruar nga ish-komandanti i Korofillaqisë, Kristo Kotrullo. Trandafillakoja nuk punonte gjëkundi ai rinte në shtëpi, s’di si ma rregulloi autorizimin që më dha.

Hetuesi: Çfarë përmbajtjeje kishte dokumenti?
Pertali: Dokumenti kishte këtë përmbajtje: Vasil Pertali është i lirë të qarkullojë kudo në Greqi e t’i jepet ndihmë nga autoritetet ushtarake e civile.

Hetuesi: Ju po gënjeni i pandehur. Si mundet që Trandafillako nuk punonte në asnjë vend, por siguroi një leje të tillë dhe jepte mijëra dhrami për t’ju shpërblyer ju grekofilëve?
Pertali: Këto të holla, siç më ka thënë Trandafillako, vinin nga një silog i Amerikës. Bile mbaj mend se shuma ishte 1 milion dhrami të cilat duhet t’u shpërndaheshin vorio-epirotëve si unë.

Hetuesia për çështjen “Pertali” merr në seanca të gjata pyetjesh një numër të madh personash të cilët pohojnë se i pandehuri ishte agjent grek dhe kishte ngritur një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh në jug të Shqipërisë. Dëshmitarët zbulojnë një sërë aksionesh ilegale që ishin kryer nga njerëzit e lidhur me Pertalin dhe po ashtu pagesat që vinin nga silogjet vorio-epirote për ta. Në seancat e gjata nuk munguan as ballafaqimet mes palëve. Hetimi mbi Vasil Pertalin zgjati më shumë se një vit, por në dosjen e arkivit të Ministrisë së Brendshme mungon vendimi që është marrë mbi të. Në moshën 69-vjeçare supozohet se Vasil Pertali mund të ketë vdekur nga shkaqe natyrore gjatë periudhës së gjatë hetimore ose është ekzekutuar në fshehtësi të plotë nga Shërbimi Sekret Shqiptar.

12 Korriku 1958 shënoi arrestimin e himarjotit Petro Bollano. Ai akuzohej për tentativë të përsëritur për arratisje qoftë nga qyteti i Shkodrës ku ishte ushtar, qoftë nga Saranda më pas. Bollano zhvilloi takime edhe me qytetarët Meno Dhimojani dhe Spiro Skura të cilët nuk pranuan t’i bashkoheshin duke e këshilluar të tërhiqet në tentativën e tij. Gjatë kohës që Petro Bollano u arrestua ai i dërgonte disa letra këtyre dy qytetarëve, duke i porositur që të mos tregojnë asgjë mbi veprimtarinë e tij armiqësore.

Vendim nr. 141

Këshilli gjyqësor i Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë i formuar nën kryesimin e N/Kolonel Mustafa Qilimit, anëtarit Sotir Spiro dhe Hilmi Telegrafit merr vendimin për të lënë në fuqi dënimin e Petro Bollanos me 12 vjet burgim dhe me konfiskim të pasurisë sipas nenit 28 të Kodit Penal, dhe humbjen e të drejtës elektorale për 3 vjet kohë.

Pavarësisht kërkesës së avokatit mbrojtës, Niko Zoto, kjo gjykatë la në fuqi vendimin e mëparshëm të gjykatës ushtarake të qytetit të Gjirokastrës. Gjatë viteve 1958 – 1961 Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë dënon nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor me 15 vjet heqje lirie edhe himarjotin Angjelo Bollano.

Pikërisht në këtë moment të vështirë për Shqipërinë, shteti italian në maj të 1960-s i dërgon një raport të hollësishëm komandës së NATO-s, i cili nënvizonte faktin së Çamëria ishte një krahinë shqiptare, nënvizonte ligjin e luftës mes dy vendeve dhe pretendimet greke për Vorio Epirin. Qeveria greke reagoi në mënyrë të ashpër, të njëjtin qëndrim pati dhe opozita e majtë, duke e cilësuar raportin italian si vepër të fashistëve. E vënë në qendër të presionit grek, shteti italian tërhoqi dokumentin. Menjëherë në këtë kohë erdhi mbështetja e shtetit turk dhe faktorit shqiptar në emigracion, por udhëheqja komuniste u tregua skeptike dhe e ftohtë duke iu frikësuar një prapavije dhe një aleance turko-amerikane për rrëzimin e regjimit komunist.

Nga krahu tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Venizelos, gjatë një takimi me liderin sovjetik, Nikita Hrushov, në 1960 bën publik një propozim të ri të grekëve për Epirin e Veriut, i cili u hodh në lojë si kusht për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë dhe shfuqizimin e ligjit të luftës. Në projektin e ri kërkohej vetëqeverisja e Vorio Epirit nga minoriteti grek, por brenda kufijve shqiptarë. Siç u bë e ditur më pas, detajet e zbuluara dhanë të kuptohej se Hrushovi të paktën parimisht nuk ishte shprehur kundër kësaj skeme. Ai i pati premtuar Venizelosit ta diskutonte këtë çështje me Enver Hoxhën në një kongres, që do të zhvillohej pas pak kohësh në Bukuresht të Rumanisë.

Sipas Venizelos, Hrushovi pati shprehur qëndrimin se çdo minoritet duhet të ketë autonominë e tij, për të zhvilluar gjuhën dhe kulturën sipas dëshirave. Kaq mjaftoi për të shpërthyer zemërimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Enver Hoxha thërret ambasadorin rus të akredituar në Tiranë, Ivanov, të cilit i shpreh prerazi qëndrimin kundër thelbit të bisedimeve mes Venizelos e Hrushovit. Në librin “Dy Popuj Miq”, Enver Hoxha shprehet se Shqipëria nuk e njeh Sofokli Venizelosin, por babanë e tij, Elefter Venizelos po, i cili ka djegur me dhjetëra fshatra shqiptarë e ka ngritur banda që punonin si agjentë për autonomi të Vorio Epirit. Në përfundim të komentit të tij, Hoxha thekson se Shqipëria nuk do të lejojë askënd të diskutojë për kufijtë e saj, qoftë ky edhe Hrushovi.

Krisja me Bashkimin Sovjetik në mbledhjen e 81 partive dhe më pas prishja e marrëdhënieve rindezi shpresat greke për Vorio Epirin. Tërheqja e nëndetëseve nga baza ushtarake e Pashalimanit në Vlorë rriti presionin grek që mendoi se tashmë Shqipëria ishte thuajse e izoluar dhe pa mbështetje të fuqishme. Në të njëjtën kohë, Partia Komuniste Shqiptare prishi marrëdhëniet edhe me homologen e saj greke. Në Kongresin e Tretë të Partisë së Punës delegati i Partisë Komuniste Greke nuk u lejua të flasë, duke u akuzuar nga udhëheqja shqiptare si spiun i qeverisë së Karamanlisit. Kjo çarje erdhi si pasojë e qëndrimeve jo të qarta që edhe të majtët grekë mbanin për çështjen e Vorio Epirit. Në të njëjtën kohë udhëheqja shqiptare mori informacion se qeveria e Athinës po mblidhte opinione se cili do të ishte reagimi i disa vendeve në rast se Greqia do të sulmonte ushtarakisht Shqipërinë. Nga krahu tjetër, organizatat vorio-epirote intensifikuan punën e tyre duke nisur mbledhjen e vullnetarëve për të kryer sulme të armatosura ndaj Shqipërisë.

Por oreksit të fqinjëve iu tregua shpejt vendi, pasi partnerët e saj të mëdhenj në NATO, veçanërisht Shtetet e Bashkuara u shprehën me forcë kundër një sulmi ushtarak të Greqisë ndaj Shqipërisë. Nga krahu tjetër, shteti grek nisi të frikësohej pas prishjes së Tiranës me Moskën, pasi mendonin se Bashkimi Sovjetik do të ndikonte në rrëzimin e Hoxhës për të vendosur në vend të tij një lider tjetër edhe me të fortë. Kjo situatë e mundshme do ta vendoste Greqinë në një pozicion të rrezikshëm mes satelitëve komunistë në Ballkan.

Shqipëria vijon të izolohet kur nuk merr pjesë edhe në një mbledhje për mirëkuptim ballkanik të organizuar në Athinë. Grekët nuk pajisin me viza delegacionin shqiptar duke e lënë në këtë mënyrë jashtë këtij takimi të rëndësishëm ku merrnin pjesë edhe përfaqësues jugosllavë, rumunë e bullgarë. Kaq mjafton që Enver Hoxha të shpërthejë në akuza ndaj të gjithë vendeve pjesëmarrëse. E megjithatë, politika shqiptare lëkundej në dy qëndrime të kundërta, teksa akuzat ndaj Greqisë vijonin të ishin të forta, Partia Komuniste ndiqte një vijë të kujdesshme me zonat dhe minoritarët brenda vendit, të cilëve Hoxha u dërgonte mesazhe bashkëpunimi, vlerësimi dhe përparimi.

Në vitin 1968, Enver Hoxha në njërën prej mbledhjeve të Frontit Demokratik lëshon një deklaratë të fortë paralajmëruese ndaj fqinjëve greke, duke kërcënuar se nëse ushtria fqinje do të tentojë të sulmojë, atëherë Forcat e Armatosura Shqiptare do t’i shkatërrojnë plotësisht. Një deklaratë sa kërcënuese edhe ironizuese ndaj fqinjëve.

Enver Hoxha
Shqipëria socialiste është një vend paqedashës, që nuk kërkon të kërcënojë ose të frikësojë njeri me politikën e saj të jashtme të drejtë dhe korrekte. Republika Popullore e Shqipërisë ka synuar kurdoherë që me të tre fqinjët e saj që ka rreth e rrotull të rrojë në fqinjësi normale. Në qoftë se ndonjërës prej tyre nuk i pëlqyeka kjo fqinjësi normale dhe korrekte atëherë aq punë na prish. Monarkofashistët grekë kanë gati 25 vjet që deklarojnë se janë në gjendje lufte më Shqipërinë për arsyen bindëse se Italia fashiste që sulmoi me armë dhe pushtoi Shqipërinë në 1939, sulmoi dhe Greqinë. Duhet një logjikë fashisti grek që të gargariset 25 vjet me radhë me këtë ide gjeniale dhe unikale. Por ne u themi fashistëve grekë, nuk e shikoni, iu prish gjiza Republikës Popullore të Shqipërisë se ju deklaroni se jeni në gjendje lufte.

Por ne e kemi për detyrë t’i paralajmërojmë: – Uleni bishtin, se në rast se do të hyni në aventura do t’ju ndëshkojmë rëndë, në qoftë se ju do të godisni kufijtë tanë ne do t’ju kthejmë në kërma, në qoftë se mendoni se jeni eprorë në njerëz dhe në armatime dhe Shqipërinë Socialiste do ta gëlltisni shpejt e shpejt, provojeni sa ju vlen lëkura. Në qoftë se ju mendoni të sillni zjarrin në kufijtë tanë ne ju themi se zjarri që ju ndizni do të përvëlojë vatrat tuaja dhe atëherë do të qërohen mirë hesapet”.

Gjatë viteve në vijim marrëdhëniet shqiptaro-greke pësonin ulje dhe ngritje të vazhdueshme. Enver Hoxha në ndryshim me vitet e mëparshme, përpiqej të tregohej i kujdesshëm duke përdorur një politikë në qendër të së cilës ishte vendosja e marrëdhënieve diplomatike me vendin fqinj. Pas një kalvari të gjatë, Shqipëria dhe Greqia do të firmosin bashkëpunimin e tyre në 6 maj 1971. Qeveria shqiptare u tregua e kujdesshme që traktati për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të mos linte asnjë shteg për keqkuptime apo interpretime që ajo kishte bërë ndonjë lëshim kundrejt grekëve për zonën e Jugut të vendit. Të vetmit që tentuan të pengonin këtë proces të rëndësishëm ishin një grup deputetësh të Janinës. Qeveria greke arriti t’i bënte ballë kundërshtimit të qarqeve nacionaliste greke, për më tepër vendosi se Kongresit Vorio-Epirot nuk do t’i jepej më rëndësia e mëparshme dhe asnjë zyrtar grek nuk do ta përshëndeste këtë aktivitet. Ajo premtoi se çështjen e Vorio Epirit tashmë do ta ndiqte vetëm në rrugë diplomatike.

Pak kohë para rivendosjes së marrëdhënieve zyrtare me Greqinë, Sigurimi i Shtetit mundi të zbulonte aktivitetin e agjentit grek, Papastrati. Për shkak të statusit të tij të veçantë ai u mor në pyetje nga drejtuesit më të lartë të hetuesisë shqiptare. Në dosjen e arkivuar në arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe të publikuar në librin “Shërbimi i fshehtë” i Bekim Budos zbulohen detaje të plota të mënyrës sesi kishte funksionuar agjentura greke që në fillim shekull.

Pohimet e agjentit Papastrati ishin në fakt një konfirmim i raporteve të shumta që Shërbimi Sekret Shqiptar kishte mundur të siguronte që prej viteve 1920 e deri në çlirimin e vendit nga pushtuesit. Roli i veçantë i Vasil Shahinit, por edhe bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Jani Diamanti, zbulohen edhe nga Papastrati në seancat e gjata të pyetjeve në hetuesi.

Hetuesi: Si nisi bashkëpunimi juaj me agjenturën greke?
Papastrati: Kam qenë anëtar bashkë me dy fshatarë në silogun Vorio Epirot të Athinës. Mbaj mend që në një nga mbledhjet që zhvillonim, kryetari Kristaq Zografo na foli për perspektivën tashmë të hapur me pëlqimin e qeverisë greke dhe Patriarkanës së Stambollit do t’i përvisheshim punës për aneksimin e Vorio Epirit që sipas tij ishin toka greke qysh në lashtësi dhe si e kishim amanet prej të parëve që ëndrrën e bashkimit me Greqinë ta bënim realitet. Dora-dorës unë u bëra një nga përkrahësit kryesorë të Zografos. Në këto aktivitete jam njohur edhe me patriotin tim nga Derviçani, Vasil Shahini, i cili me sa duket më kishte studiuar dhe më rekomandoi te gjenerali grek, Vasil Mellaj, i cili kishte qenë komandant divizioni i trupave greke në Gjirokastër dhe që drejtonte dhe një zyrë të shërbimit të fshehtë të zbulimit ushtarak grek, Alfa Dhio.

Gjeneralit i pëlqeva qysh nga fillimi për njohuritë e mia për historinë e kulturën helene, ç’ka më vonë i krijoi një besim të madh tek unë duke pyetur edhe në lidhjet e tij të afërta në Shqipëri dhe Greqi, sidomos Pandelimon Kotokon e Orest Anastasjadhin. Kështu, gjenerali i urdhëroi këta të themelonin organizatën Mavi në kryesinë e së cilës isha dhe unë, Vasil Shahini dhe Jani Diamanti. Një ndër detyrat e para të organizatës ishte të pengonim me çdo kusht që minoriteti të merrte pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare, në të njëjtën kohë në strukturat e saj të infiltronim agjentë tanët të cilët duhet të bënin karrierë dhe më pas të na shërbenin në planin tonë për të çliruar njëherë e përgjithmonë Vorio Epirin.

Krijuam edhe komitetet vorio-epirote me anëtarë Andon Qirjaqin, Misto Papadhimën, Dhimitër Mestakulin, Lefter Guvelin, Jorgo Zoton, Gligor Labovitin e të tjerë, të cilëve u vumë detyra të qarta të bënin propagandë në tri hallka kryesore kleri, shkolla dhe shtypi. Këto lëvizje do të mbështeteshin fort nga shtypi grek, që kishte për detyrë edhe përçarjen mes myslimanëve dhe ortodoksëve. Dhespoti Spiridhoni duhet të rekrutonte sa më shumë nxënës për të vazhduar shkollën e Vellas, gjë për të cilën kishim marrë nga qeveria fonde të posaçme. Kotoko duhet të punonte me klerikët ortodoksë shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin rekrutuar nga zbulimi grek, Asfalia.

Hetuesi: Si u riaktivizua agjentura e vjetër dhe si u rekrutuan të tjerët?
Papastrati: Gjenerali Vasil Mellaj na kishte porositur për riaktivizimin e agjenturës së vjetër krahas rekrutimeve të reja që do të bënim sidomos në radhët e studentëve dhe nxënësve shqiptarë që kishin kryer studimet në shkollat greke. Vasil Shahini punonte me disa kategori si tregtarët, mësues grekofonë dhe kryepleq duke riaktivizuar sidomos Gligor Kicatin dhe Jani Foton nga Poliçani, Doktor Ilia Zerin nga Sopiku, Doktor Sokrat Bozhorin nga Terihati, Andon Qirjaqin nga Glina, Tehma Labovitin nga Gjirokastra, Dhimitër Mastakulin nga Kakodhiqi, Jorgo Zerin nga Dhuvjani.

Hetuesi: Cila ishte mbështetja e qeverisë greke për organizatën Mavi dhe për Qevan? Si argumentohej kjo ndihmë?
Papastrati: Në mbledhjet tona ku diskutoheshin probleme të rëndësishme asistonin rregullisht edhe dy deputetë grekë, Trailidhis dhe Villjara, të cilët na përcillnin direktivat kryesore të qeverisë greke për këto probleme. Ata shtronin me forcë nevojën e furnizimit me kontingjente të reja të rinisë greke Metaksa me degë të saj në Shqipërinë e Jugut. Ata insistonin mos të kurseheshin fondet që na ishin vënë në dispozicion, mësuesit e sapoemëruar merrnin 200 franga në muaj dhe organizatorët e rinisë monarkiste Metaksa të shpërbleheshin me honorare. Nga ana tjetër, gjeneral Mellaj porosiste për të kaluar në krijimin e formacioneve ushtarake dhe rolin kryesor do ta luante Qeva e silogjet vorio-epirote duke mënjanuar gabimet e të shkuarës kur si rrjedhojë e kundërsulmit të çetave shqiptare në zonën e Kurveleshit në trevën e Vurgut dhjetëra familje minoritarësh u larguan për në Korfuz dhe gjetkë. Këto detyra ne u përpoqëm t’i realizonim sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Agjenti Papastrati që prej kohësh punonte edhe në shërbim të shtetit shqiptar zbulon mënyrën e organizimit, funksionimit dhe lidhjet me çetat e armatosura që u ngritën për t’iu kundërvënë partizanëve shqiptarë në jug të vendit. Direktivat që jepeshin nga njerëzit e Napolon Zervës dhe mbështetja e lobit grek në Amerikë. Papastrati pranon se informacionet që u jepte Sigurimit të Shtetit Shqiptar ishin vetëm dizinformacione për të hequr vëmendjen nga lëvizjet e vërteta të silogjeve vorio-epirote.

Hetuesi: Ku qëndronte funksioni juaj si agjent dopio rol?
Papastrati: Jam rekrutuar nga zbulimi shqiptar, i cili me sa duket ishte në dijeni të aktivitetit tim të mëparshëm dhe më mbante në lidhje së fundi dhe vetë ish-kryetari i degës së Gjirokastrës nënkoloneli Manol M, gjë që më lehtësoi shumë për kryerjen e detyrave të mia, duke më mundësuar realizimin e takimeve me agjentët kryesorë që kisha në lidhje, që nga Gjirokastra në Vlorë e deri në Durrës. Ishim në periudhën kur aktiviteti ynë po kalonte në fazën e riorganizimit, pra kalimit në rrugë të vogla agjenturore, në çeta dhe formacione luftarake sidomos në qytetet e mëdha në Gjirokastër, Vlorë, Lushnjë e deri në Durrës. Kuadrot kryesore të zbulimit të Zervës na kërkonin me ngulm për të futur në Lëvizjen Nacionalçlirimtare kuadrot tona agjenturore. Nga ana tjetër, drejtuesit kryesorë të partisë greke EDE (Bashkimi Demokrat i oficerëve grekë), kishte filluar të riaktivizonte Partinë arqiomarksiste greke, ku Avjazi, kërkonte me çdo kusht të riafirmonte si forcë kryesore në Epirin e Veriut, i nxitur nga lobi grek në Amerikë, i cili do të krijonte më vonë Konfederatën Panhelenike Greke, e cila sponsorizohej nga milionerët grekë, Patriakana e Stambollit, Kisha Autoqefale Greke e deri tek Onasi miliarderi i flotës tregtare greke.

Në këtë vështrim, aktiviteti im ka qenë shumëplanësh dhe dopiorol. Informatat që i raportoja sigurimit shqiptar, në përgjithësi ishin dizinformacione, me qëllim që ata të merreshin me problemet në radhët e tyre dhe të largoheshin sa më shumë nga agjentura jonë, organizimi ynë dhe nga kontingjentet tona. Menjëherë pas Konferencës së Pezës erdhi udhëzimi mbi krijimin e këshillave vorio-epirote, si dhe çetave të armatosura me platformë gjoja për të luftuar pushtuesit italianë dhe më vonë ata gjermanë. Kështu, krijuam çetën e Dhrovjanit me komandant Lefter Guvelin e Jorgo Zoton, çetën e Thimio Lolit e të Kristo Pilos të cilët i hodhëm në luftë kundër batalionit partizan Çamëria, duke bërë një gabim të rëndë, dhe nuk zbatuam porositë e gjeneralit Mellaj. Pas Luftës Nacionalçlirimtare, meqenëse qeveria shqiptare dhe ushtria saj po hynte në punët tona të brendshme ne kishim marrë detyrë të kalonim në veprime më të organizuara grupet e vogla agjenturore do t’i kthenin në rezistenca, duke i dhënë një vend të veçantë kishës ortodokse, e cila do të kishte një rol të rëndësishëm në punën tonë.

Këtë veprimtari do ta shtrinim deri në qytetin e Durrësit duke e shoqëruar me propagandë kundër shtetit shqiptar, pamundësinë e tij për të qeverisur vendin, si dhe të dënonim kudo edhe në forumet ndërkombëtare diskriminimin që i bënin ata minoritetit grek dhe në përgjithësi krahinave tona të Vorio Epirit. Detyra kryesore e jona në këtë periudhë ishte që të krijonim një gjendje pasigurie dhe anarshie duke e shoqëruar me provokacione në kufi, me qëllim krijimin e kushteve për një ndërhyrje të armatosur, duke plotësuar kushtet e misionit sekret Front i Hapur i cili do të kombinohej në luftën e grupeve ushtarake që do të futeshin nëpërmjet kufirit, gjë për të cilën ishte marrë edhe pëlqimi i organeve të shërbimeve sekrete italiane, të cilat nga ana e tyre po përgatisnin në Bari të Italisë grupe agjenturore për t’u futur në Shqipëri nëpërmjet kufirit shqiptaro-grek, që drejtoheshin nga koloneli i zbulimit italian De Agostini dhe që quhej Fronti i Mbyllur.

Pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, shteti shqiptar u përpoq ta shfrytëzonte të paktën për të kontrolluar në terren gjendjen e minoritetit shqiptar në Greqi në zonën e Çamërisë pas dëbimeve të dhunshme në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Ambasadori shqiptar gjatë vizitës së tij në Çamëri më 5 deri në 9 qershor 1972 konstatoi se në zona të caktuara si ato të Sulit afër Janinës, Prevezës, Igumenicës, Pargës, Filatit dhe me pak në atë të Artës kishte mbetur një numër i konsiderueshëm banorësh me origjinë shqiptare, të cilët jetonin kryesisht në këto fshatra. Pavarësisht kontrollit në terren, shteti grek nuk pohonte asgjë zyrtarisht duke fshehur dhe mos pranuar praninë e shqiptarëve në tokat e saj. Kryetari i Bashkisë së Igumenicës, i cili kishte origjinë shqiptare dhe fliste shqip, pohoi se kishte ende fshatra të tëra që flisnin shqip. Madje, ai tha se mund të gjesh shumë plaka që nuk dinë fare greqisht.

Por përmirësimi i marrëdhënieve nuk kishte frenuar dëshirat ekspansioniste të shtetit grek që vijonte aksionet e fshehta me anë të agjenturave të tij. Si rezultat i dështimeve në përplasjen me Sigurimin e Shtetit, ato ishin bërë thjesht më të sofistikuara e më të mbuluara. Që pas 1973 edhe aktiviteti i silogjeve vorio-epirote nisi rigjallërimin në disa ndër qytetet më të mëdha greke, por edhe në vende të tjera të botës ku synohej shfrytëzimi i shoqatave të shqiptarëve.

QEVA ( Komiteti Qendror i Luftës për Vorio Epirin ) dhe silogjet që e rrethonin ruanin pozicionin e fortë dhe mjaft aktiv në propagandën dhe luftën e gjithanshme ndaj Shqipërisë. Sigurisht, kjo organizatë vepronte në kuadër të një bashkëpunimi të ngushtë me struktura të caktuara shtetërore, të cilat jepnin udhëzime për mënyrën e veprimit. Deri në fillim të viteve 1970, QEVA drejtohej nga Pandelejmon Kotoko, një njohje e vjetër ky e organeve të drejtësisë shqiptare. Kotoko ishte së bashku me Vasil Shahinin e vrarë nga komunistët në Gjirokastër në 1943 dhe Jani Diamantin e zhdukur kohë më vonë një ndër themeluesit e organizatës terroriste Mavi, ndryshe e njohur si Fronti për Çlirimin e Vorio Epirit. Pas vdekjes së Kotokos, më 1972, në krye të QEVA-s erdhi Peshkopi i Janinës Serafinos.

Siç shkruhet edhe në librin e Beqir Metes “Shqipëria dhe Greqia, paqja e vështirë”, në vitin 1974 në Greqi u krijua federatë panepirote me qendër në Athinë, e cila zhvillonte një propagandë të hapur dhe të fortë kundër shtetit shqiptar. Krijimi i qeverisë së re në Greqi pas rrëzimit të Juntës së Papadhopullosit forcoi pozitat e qarqeve vorio-epirote, të cilat rifilluan aktivitetin e tyre normalisht dhe me intensitet të plotë. Megjithatë, ashtu si qeveria e mëparshme edhe kabineti i ri të paktën zyrtarisht përpiqej të ruante marrëdhënie të mira e të balancuara.

Nga viti në vit, marrëdhëniet shqiptaro-greke lëkundeshin duke u përmirësuar dhe përkeqësuar herë pas here. Mbajta në fuqi e ligjit të luftës ruante një distancë të fortë mes dy vendeve. Nga krahu tjetër qarqet e silogjeve vorio-epirote ushtronin një presion të fortë kundrejt të gjitha qeverive greke që të ruanin qëndrimin e prerë ndaj Shqipërisë. Gjatë viteve 1976 e në vijim emigracioni grek intensifikoi veprimtarinë, shkak u bë një vendim i qeverisë shqiptare për ndërrimin e të gjithë emrave fetarë. Por nga dekreti u acarua edhe qeveria greke, e cila e quajti këtë një sulm të hapur ndaj të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Siç thuhet edhe në dokumentet e kohës të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Brendshme, në Greqi u organizuan protesta të shumta ku morën pjesë mijëra aktivistë të silogjeve vorio-epirote.

Ardhja në pushtet në Greqi e qeverisë së majtë të Papandreut në vitin 1981 përmirësoi disi marrëdhëniet. Gjatë viteve 1984 e në vijim mes Shqipërisë dhe Greqisë u nënshkruan 5 marrëveshje bashkëpunimi në disa sektorë. Në janar të 1985-s u hap edhe pika kufitare e Kakavijës, ndërkohë që filluan bisedimet edhe për marrëveshje të tjera.

Por ndërkohë, në Greqi krijohet Sfeva, Komiteti Koordinues Studentor i Luftës për Vorio Epirin. Drejtues i kësaj organizate për shumë vite do të ishte pikërisht Peshkopi i Konicës, Sebastianos, i cili më pas do të drejtonte edhe PA-SI-VA (Paneliniu Sindezmu Vorioepiritiko Agonas), Konfederata Panhelenike e Luftës Vorio-Epirote edhe kjo një organizatë radikale, e cila punonte për pavarësinë e të ashtuquajturit Vorio Epir. Peshkopi Sebastianos ishte nga ata njerëz që mbronin një tezë edhe më ekstreme për Vorio Epirin, pasi sipas tij, kufijtë që i përkisnin Greqisë shkonin deri në qytetin e Durrësit.

Me një presion në rritje silogjet vorio-epirote, federata panepirote e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, por edhe Kisha Ortodokse sponsorizuan dhe mbështetën një seancë dëgjimore në nënkomitetet e të drejtave të njeriut të Kongresit Amerikan në 1983. Të gjithë dëshmitarët ishin elementë grekofonë, të cilët prej vitesh kishin punuar aktivisht në propagandën e tyre kundër shtetit shqiptar. Mes tyre disa minoritarë grekë që ishin arratisur vite më parë nga Shqipëria, Elias Fani, Thomas Karathanos dhe Elias Lekas. Gjatë seancave ata paraqitën dëshmi të forta dhe të rreme duke pretenduar se në Shqipëri ishin të vendosur më shumë se 450 mijë grekë, të cilët persekutoheshin nga shteti shqiptar. Këto deklarata të rreme ndikuan drejtpërdrejt në raportin e departamentit të shtetit ku shkruhej mbi persekutimin që i bëhej minoritetit grek në Shqipëri.

Në 1987 qeveria greke shpalli qëndrimin se i kishte dhënë fund zyrtarisht gjendjes së luftës me Shqipërinë. Ndërkohë, kundër këtij vendimi u organizuan tubime të mëdha të shoqatave epirote në Greqi. Nën drejtimin e mitropolitit të Konicës, Sevastianos, Ilia Bexios njërit prej drejtuesve të Federatës Panepirore në SHBA, Thoma Karathanos, Foti Galicit të gjithë përfaqësues shoqatash nacionaliste iu bë presion qeverisë greke duke kaluar deri në kërcënime të drejtpërdrejta për veprime të dhunshme. Por pavarësisht deklaratave të qeverisë greke, shpejt u kuptua se nga ana e tyre ishte bërë një lëvizje mashtruese, pasi ky ligj nuk u abrogua nga Parlamenti si institucioni i vetëm kushtetues që kishte të drejtë ta bënte këtë. Ligji i luftës mbetej në fuqi.

Gjatë viteve 1987 – 1990 Organizatat e shumta vorio-epirote dhe silogjet vijuan intensivisht aktivitetin e tyre duke përdorur më së shumti organizmat ndërkombëtare, sidomos amerikane ku multimiliarderët grekë kishin një influencë të madhe. Misioni dhjetëra vjeçar i silogjeve, organizatave vorio-epirote, por edhe i shtetit grek që për 45 vjet më së shumti ishte bërë nga jashtë kufijve shqiptarë do të rifillonte aktivitetin pas ndryshimeve politike në Shqipëri, që shënuan rënien e regjimit komunist.
Tashmë për faj edhe të politikës, shpeshherë servile shqiptare dhe varfërisë në masë të gjerë, rruga u rihap përsëri duke u kthyer në një autostradë të vërtetë hyrje-daljesh të elementeve që kërkonin hapur shkëputjen e Jugut të Shqipërisë dhe bashkimin e tij me Greqinë.

70 vitet e agjenturës greke janë vetëm një pjesë e historisë së gjatë, e cila vazhdon edhe sot, më e rafinuar, më e fshehtë, më e sofistikuar, por gjithsesi, thjeshtësisht e identifikueshme për këdo që ka ndjekur apo që ndjek reagimet, takimet, deklaratat e lëvizjet e një sërë individësh, të cilët sot gjejnë lirinë të bëjnë gjithçka pa asnjë shqetësim në mes të ditës në çdo cep të Jugut të Shqipërisë. Hyjnë e dalin përmes kufijve zyrtarë shpesh të shoqëruar edhe nga burokratë me kostum të qeverive shqiptare, të cilët me një servilizëm në kufijtë e të neveritshmes pranojnë gjithçka edhe kur nën sy u shkelen simbolet kombëtare.

Ky dossier nxori në sipërfaqe përtej emrave të agjentëve e njerëzve të implikuar me silogjet vorio-epirote, tre elementë kryesorë. Ashtu siç rezulton nga të gjitha dokumentet e kohës, agjentura e vendit fqinj synonte që prej vitit 1920 e më parë përhapjen e shkollave greke, meshimin në kishat ortodokse në gjuhën greke dhe pushtimin ekonomik të Jugut të Shqipërisë. Cilën nga këto nuk ka arritur sot dhe me këtë ritëm, nëse e lejojmë çfarë do mund të arrijë nesër?