17 Shkurti i vitit 2008 i barasvlershëm me 28 Nëntorin 1912

0
496
17 shkurti 2008

Jusuf Buxhovi, Revista Drini17 Shkurt 2020

Përkujtesë historike: 17 shkurt 2008

Jusuf Buxhovi Shteti i Kosovës paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit. Si i tillë, thuajse përmbush kornizën e konceptit politik të Rilindasve që etnia shqiptare në përmasat e katër vilajeteve sa kishte në prag të shembjes së Perandorisë Osmane, t’i kthehet botës perëndimore.

Kjo e arritur historike ishte pjesë e një kundërvënie thuajse një shekullore mospranimit të pushtimit serb nga viti 1912 e deri në vitin 1999, që si një proces i pandalshëm kaloi nëpër disa binarë. Atë të rezistencës së armatosur (nëpërmes luftës kaçake në vitet 1912-1924); të përpjekjeve për bashkim kombëtar në përputhje me rrethanat (ato nga viti 1941-1944) si dhe të luftës për barazi në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes, e manifestuar me kërkesën për Republikën e Kosovës, që u shfaq në vitin 1968 dhe në vitin 1981.

Përgjegjësia që këtij rrugëtimi t’i jepej akti i fundit, i ra Lëvizjes Kombëtare në vitet 1898-1999, që drejtoi rezistencën institucionale dhe atë të armatosur, me ç’rast, me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, ia doli të shkëputet nga Serbia. Ndërsa me në Kuvendin e Kaçanikut, më 7 shtator 1990, shpallja e Repblikës së Kosovës, ia krijoi platformën kushtetuese dhe institucionale shtetit të pavarur të Kosovës, që më 17 shkurt 2008 u pranua edhe ndërkombëtarisht.

Andaj, nga kjo pikëpamje, 17 shkurti i vitit 2008, është i barasvlefshëm me 28 nëntorin 1912.

Bota shqiptare ka arsye, që këtë ditë ta kremtojë me dinjitet, ndërsa shteti shqiptar duhet që 17 shkurtin ta shpallë festë zyrtare.

Ky veprim, formulën e tejkaluar të bashkimit kombëtar, si ideologji të shekullit të kaluar, që ka marrë fund me Konferencën e Ambasadorëve, e konverton në atë të unionit të dy shteteve shqiptare, si të drejtë të bashkimit në përputhje me vullnetin demokratik, që duhet ta ketë edhe miratimin e faktorit perëndimor.