Teologu islam nga Siria: «Urrejtja është pjesë e kulturës sonë»

2
1279
Muhamad Shahrur

Intelektuali sirian Muhamad Shahrur i fajëson teologët islamikë për terrorin. Ata, thotë Shahrur për gazetën zvicerane «Blick», i kanë orientuar besimtarët gabimisht.

Aktualisht po përjetojmë një valë të dhunës ekstreme. Shumë atentate kanë një sfond islamist. A është urrejtje porosi e islamit?

Jo. Por urrejtja është pjesë e kulturës sonë. Shikoni, parimet e islamit datojnë nga shekulli 8 dhe 9. Atëbotë të krishterët dhe myslimanët kanë qenë armiq. Ishte luftë. Kjo kundërthënie ka depërtuar në Kuran.

Edhe në Bibël ka dhunë. Megjithatë pothuaj nuk ka atentate të motivuara nga krishterimi.

Besimi ynë pothuaj nuk ka ndryshuar që nga mesjeta. Konflikti i asaj kohe po aplikohet në konstelacione të reja. Kryqëzatat, koha e kolonializmit – përherë Europa ka qenë kundërshtare. Këtë model po e shfrytëzojnë tani edhe ekstremistët.

Si?

Ata thonë se një mysliman i vërtetë nuk mund të lidhë miqësi me një të krishterë. Ai duhet të urrejë Perëndimin. Këto ide gjenden në shkrimet tona. Dhe ato mbase janë të vërteta për kohën kur është shkruar Kurani. Por në ditët e sotme këto shkrime janë të papërshtatshme.

Si ka qenë e mundur që ky konflikt të mbijetojë me shekuj?

Teologët e prapambetur islamikë i kanë mashtruar myslimanët. Ata shpesh i referohen thënieve të profetit. Por shumë prej tyre interpretohen gabimisht. Ato kanë vetëm vlerë historike. Gjithashtu teologët na kanë bërë të besojmë se shtyllat e islamit janë lutja, agjërimi dhe pelegrinazhi në Mekë. Kjo i shërbente ruajtjes së pushtetit.

Ju thoni se islami po instrumentalizohet politikisht?

Madje shumë. Të lutesh, të agjërosh, të shkosh në Mekë: kjo u pëlqen diktatorëve. Kleri na ka ndryshuar, i ka bërë njerëzit dele. Delet është lehtë të qeverisen. Për këtë arsye diktatorët në kulturën tonë jetojnë gjatë.

Të gjitha këto nuk i shpjegojnë atentatet.

Shumë myslimanë besojnë se është vështirë që zoti të jetë i kënaqur. Ata besojnë se ai është i lumtur vetëm kur ti e hedh veten në ajër. Kjo ka ndodhur pasi teologët kanë futur në psikologjinë tonë ndjenja të thella të fajit.

Si mund të ndryshohet kjo?

Duhet të çlirohemi nga ndjenja e fajit. Njerëzit duhet mësuar se nuk është aq vështirë të jetosh me devotshmëri ndaj zotit. Në fund të fundit qëllimi është të jesh i ndershëm. Mendoj se dhjetë urdhrat e Kuranit i japin çdokujt një mundësi shumë të mirë orientimi.

Ju angazhoheni për një interpretim bashkëkohor të Kuranit. Si duket islami juaj?

Më e rëndësishme për mua është se jo vetëm ata që i besojnë Muhamedit janë myslimanë. Secili njeri që beson në zot është mysliman. Ka myslimanë të krishterë, myslimanë mohamedanë dhe kështu me radhë. Së dyti qëllimi primar në islam nuk është lutja, agjërimi dhe pelegrinazhi. Në plan të parë është besimi në zot dhe bërja e veprave të mira.

Cili është qëndrimi i këtij islami ndaj të drejtave të njeriut, barazisë gjinore, seksualitetit?

Zoti nuk ka kërkuar që ne të jemi skllevër të tij. Për këtë arsye në islam duhet të ekzistojnë të gjitha liritë, të cilat i kërkojnë njerëzit. Kjo mund të dëshmohet edhe me Kuran. Vetëm zoti është një. Gjithçka tjetër është e shumëllojshme.

Më konkretisht: a e sheh zoti juaj homoseksualizmin si problem?

Ai thotë se është mëkat. Por ai nuk ia lejon shoqërisë të përzihet në raportin privat të dy njerëzve. Ai thotë: qëndroni në distancë, kjo punë më përket mua dhe të involvuarve. Përjashtimi i vetëm është kur homoseksualizmi praktikohet në publik. Atëherë lejohet ndërhyrja.

Në Zvicër homoseksualët mund të shprehin hapur ndjenjat e tyre.

Ju po më kuptoni gabimisht. Çfarë zoti nuk do është që të bëhet seks publikisht.

Domethënë ecja dorë për dore është e lejuar?

Natyrisht. Nëse është në përputhje me ligjin dhe me traditën përkatëse.

Si qëndron puna me të drejtat e grave?

Gratë i kanë të gjitha të drejtat që i duan.

A duhet të bartin shami?

Jo. Në Kuran nuk ka bazë për këtë. Kurani ka përcaktuar se çfarë duhet bartur kur braktis shtëpinë. Çfarë bartni në pishinë?

Brekë për not.

E, pra. Kjo mjafton. Gratë duhet të mbulojnë edhe gjoksin. Kjo është e tëra.

Të kthehemi te ekstremizmi. Si mund të pengohet radikalizmi?

Duhet ndërmarrë masa për të rritur sigurinë. Por vetëm kjo s’mjafton. Duhet ta ndryshojmë mendësinë e njerëzve. Ata duhet të kuptojnë se zoti nuk është i lumtur nëse ata hedhin veten në ajër. Shpresoj se librat e mia lexohen.

Ju jeni rritur në Siri. Çfarë mendoni për ngjarjet e atjeshme?

Çfarë ndodh atje është pikëlluese.

Si mund të gjendjet zgjidhja për situatën në Siri?

Gjithçka lidhet me Asadin. Nëse ai sot jep dorëheqje, nesër mund të fillojë një zgjidhje paqësore. Nëse ai largohet pas 10 vitesh, tek atëherë do të gjendet zgjidhja.

Asadi po forcon pozitën e tij. Ai nuk do të zhduket aq shpejt.

SHBA-të dhe Rusia nuk duan që ai të largohet.

Kur keni qenë për herë të fundit në atdheun tuaj?

Më 2012. Pak pasi filloi revolucioni. Tani jetoj në Abu Dabi. Por ende jam shumë i lidhur me Sirinë.

A besoni se do të përjetoni paqen në Siri?

Kam një ëndërr. Dua të jem anëtar i komitetit që do të shkruajë Kushtetutën e re siriane. Sepse e di saktësisht se çfarë duhet të përmbajë kjo Kushtetutë.

Na e thoni?

Liria e shprehjes në Siri është e paprekshme. Ajo s’mund të kufizohet me asnjë ligj. Ky do të ishte neni më i rëndësishëm i Kushtetutës.

(Muhamad Sharur, 78-vjeçar, është autor i disa librave mbi islamin. Ai ka qëndruar në Zvicër me ftesë të organizatës «Appel Spirituel de Genève»).

2 KOMENTE

  1. O muslian, apo ooo Islamist,

    Urrejtja eshte baze e librit Kura’n, i cili liber per nga urrejtja ia kalon 100000 here Main Kampf-it te Hitlerit.

    Pra, ose je njeri ose islamist.

Komentet janë mbyllur.