Në përkujtim të 115 vjetorit të vdekjes së Papa Kristo Negovanit, pse harron KOASH?

0
536
Papa Kristo Negovani

Papa Kristo Negovani

Nga: Pirro Prifti, Revista Drini12 Shkurt 2020

Përse harron KOASH?

Papa Kristo Harallambi, që njihet më shumë si Papa Kristo Negovani (1875 – 12 shkurt 1905) ka qenë prift ortodoks shqiptar dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare në kapërcyell të shekujve XIX-XX.

Lindi ne Negovan afër Follorinës në kohën e Perandorisë Osmane, një fshat që, bashkë me Bellkamenin fqinjë, kishte qenë banuar në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë nga shqiptarë të Plikatit të krahinës së Kolonjës.

Shkollën e bëri në Athinë, ku e dërgoi i ati Harallamb Çali, që ishte tregtar. Shkrimtar dhe klerik patriot. Luftoi kundër synimeve shkombëtarizuese të kishës e të qarqeve shoviniste të borgjezisë greke.

Propagandoi idenë e bashkimit të forcave patriotike në luftën kundër lakmive të shteteve shoviniste fqinje. Vdiq i masakruar barbarisht nga andartët grekë.

Vdekja e të atit, të cilin e vranë banditët më 1891, e shtrëngoi Kristo Negovanin të braktisë studimet e të punojë si mësues në një shkollë fillore greke në Leskovik për të mbajtur familjen. Më 1894 emigroi në Braila të Rumanisë, ku punoi tre vjet si marangoz. Po këtu ra në kontakt me lëvizjen kombëtare dhe mësoi të shkruajë shqip (me alfabetin e Stambollit). Më 1897 u kthye në fshatin e lindjes, u shugurua prift dhe vazhdoi punën si mësues. Shtëpinë e vet, Negovani e ktheu në shkollë dhe u mësoi shkrim e këndim shqip mbi njëqind fëmijëve e të rriturve. Ai edhe meshën e mbante shqip, gjë që nuk i pëlqeu aspak hierarkisë ortodokse greke.

Shën Papa Kristo Negovani

Më 10 shkurt 1905, Negovani mbajti një shërbesë kishtare shqip në prani të Karavangjelisit, peshkop i Kosturit, i cili duke dalë nga kisha, flitet se tha ato fjalë fatale, “Mos të gjettë viti tjetër ndër të gjallët”. Pas dy ditësh, të shtunën, 12 shkurt 1905, fshati u rrethua nga banditë, që e detyruan tridhjetëvjeçarin Negovani të vetëdijshëm për fundin që e priste, të dilte jashtë shtëpisë në mes të natës për ta masakruar, pastaj me sëpatë bashkë me pesë të tjerë, ndër ta edhe i vëllai. Për të marrë hak për këtë akt që hierarkia ortodokse greke ua veshi shqiptarëve, komiti shqiptar Bajo Topulli (1868-1930) i zuri pritë dhe vrau Fotin, peshkopin e Korçës, në shtator 1906.

Tituj të veprave

Papa Kristo Negovani është autor proze e poezie, si dhe tekstesh shkollore, përkthimesh e përrallash. Veprat e tij u botuan në revista të kohës, sidomos në Kalendari kombiar. Ndër botimet e tij janë:

Istori e dhiatësë vietërë, Bukuresht 1899;
Vjershë shkresëtoreja, Sofje 1899; vjersha Prisheja e Hormovësë, Sofje 1903; një përmbledhje vjershash me 78 faqe ;
Bënjatë të shënjtorëvet dërgimëtarë, Sofje 1906 (Bëma të apostujve shenjtorë); – libri me 122 faqe dhe
një tjetër me 16 faqe Istorishkronja e Plikatit, Selanik 1909, botuar pas vdekjes;
Përshtatjet e fabulave të Ezopit dhe të La Fontenit dhe poezia e tij didaktike me frymë patriotike e edukative u drejtoheshin kryesisht fëmijëve. Ato paraqesin kryesisht interes historik dhe mund të themi se nuk dallohen për ndonjë vlerë artistike të veçantë;
Vjershëshkresëtoreja (1899 – vargje);
I drunjti kryq (1906 – vargje vepra në dy pjesë) – Sofje 1906;
Prishja e Hormovës (1904 – vjershë lirike);
I vogëli Donat Argjendi (1908 – novelë për fëmijë) – Sofje 1904.

Referimet
Robert Elsie : Histori e Letërsisë Shqiptare. Botim i dytë. Përktheu nga anglishtja : Abdyrrahim Myftia. Pejë : Dukagjini 2001, Fq. 211 – 212.
https://en.m.wikipedia.org/wiki/Kristo_Negovani