ANALIZA: Dilema e madhe e Albin Kurtit, si do sillet me njeriun e “fortë” të Donald Trump

1
436
Albin Kurti - dyshim

Nga Enver Robelli, TemA

Richard Grenell lavdërohet se ushtron Martial Arts, pra arte luftarake. Të tjerët në moshën 53-vjeçare sa herë që dalin në fotografi (duhet të) ndalin frymën për të tërhequr barkun. Grenell jo. Ai është tip sportiv me të cilin është më mirë të mos dalësh në dyluftim. Me deklaratat e tij jodiplomatike pas ardhjes në Berlin si ambasador i Donald Trumpit, Grenell ka ngjallur shumë zemërim. Te politikanët gjermanë dhe te mediat gjermane. Me disa gazeta të rëndësishme gjermane ai nuk komunikon fare, sepse e kanë kritikuar ashpër.

Edhe New York Times, gazeta prijëse e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes komentit të redaksisë i ka thënë Grenellit se në kryeqytetin gjerman nuk e përfaqëson Amerikën. Por kush e pyet New York Times-in në epokën e Trumpit. Grenell është njeriu i Trumpit në Berlin për të përsëritur atë që thotë presidenti. Grenell kërcënon firmat gjermane: nëse bëni biznes me Iranin, do të përballeni me sanksione amerikane. Nëse Gjermania nuk paguan më shumë në buxhetin e NATO-s, atëherë do të ketë probleme me Washingtonin. Ky është vokabulari i tij.

Në fillim të mandatit të tij Grenell nisi të shoqërohej me Jens Spahn, ministër i Shëndetësisë në qeverinë e Angela Merkelit. Mediat gjermane kanë raportuar se Grenell ia ka organizuar një takim Jens Spahnit me John Boltonin, kur ky i fundit ishte këshilltar për siguri kombëtare i Trumpit. Takimi është mbajtur në Shtëpinë e Bardhë. Qëllimi, kështu së paku supozohet, ishte që Jens Spahn të përkrahet për të drejtuar CDU-në, partinë e Merkelit. Spahn kandidoi, por fituese ishte Annegret Kramp-Karrenbauer. Ajo të hënën dha dorëheqje. Spahn i ka reduktuar takimet me ambasadorin e Trumpit pas kritikave nga mediat gjermane. Grenell nuk e ka fshehur aversionin kundër Merkelit. Ka thënë se Gjermania ka probleme me ardhjen masive të të huajve. Një shuplakë kundër Merkelit, e cila më 2015 pranoi rreth 1 milionë refugjatë, kryesisht sirianë.

Grenell ka treguar hapur se si e sheh detyrën e tij në Gjermani: “Dua patjetër t’i bëjë të fuqishëm konservatorët e tjerë, liderët e tjerë në mbarë Europën. Besoj se po fillon një valë e politikës konservatore për shkak të politikës së dështuar të të majtëve”. Për opinionin gjerman kjo sjellje e Grenellit është provokuese. Gjermanët janë mësuar me ambasadorë amerikanë të një niveli tjetër. Dikur ambasadorë të Washingtonit në Gjermani kanë qenë Richard Holbrooke, John Kornblum – diplomatë me horizont të gjerë, njohës të historisë së Europës. Grenell është ndryshe.

Meqë në Berlin Grenell nuk ka aq punë – shumica e politikanëve gjermanë nuk duan ta takojnë, disa madje tërthorazi e kanë shpallur të padëshirueshëm, kancelarja nuk e pret në zyrë, ambasadori i Trumpit në Berlin qe disa javë ka gjetur një terren tjetër. Ballkanin. Në Beograd e Prishtinë e presin në nivelin më të lartë. Është emisari i Trumpit për dialogun mes Beogradit e Prishtinës. Njeriu me qasje direkte te Trumpi. Kryetari i Kosovës sillet sikur të ishte i entuziazmuar me “punën” e Grenellit. Thotë se po bën punë të shkëlqyeshme. Grenell i ka prezantuar “dy suksese”: një vijë ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit (detajet mbetet për t’u rregulluar, por Grenell nuk është diplomat i detajeve) dhe një vijë hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit. Treni i paqes. Në fantazi.

Në Berlin Grenell shpesh e godet me kokë murin e granitit, aty ka kush e kundërshton, kush e injoron. Në Ballkan është ndryshe. Janë shtete të dobëta me klasa politike me interesa të ndryshme, që shpesh nuk përputhen me interesat e qytetarëve. Grenell ka një ëndërr: t’ia prezantojë Donald Trumpit një sukses në Ballkan. I duhet ky sukses Trumpit në vitin elektoral. Në frontet e tjera ndërkombëtare Trump nuk ka qenë i suksesshëm. Diktatori i Koresë Veriore e ka keqpërdorur dy herë në mënyrë brutale: dy takime (një në Singapor, tjetri në Hanoi) dhe asnjë sukses. Koreja e Veriut nuk ka hequr dorë nga armët bërthamore. Raportet me Iranin mbesin të acaruara. Në Siri SHBA-të duhet të vrapojnë pas akteve të kryera të Moskës. Ta provojmë në Ballkan, mes Kosovës e Serbisë. Ky duket të jetë kalkulimi i Trumpit dhe Grenellit. Në dhjetor 2018 Trump tha se do të ishte i gatshëm që ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë ta organizojë në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë. Kryetari i Kosovës që nga atëherë po vrapon pas aromës së paqenë të trëndafilave të premtuar.

Sa më afër zgjedhjet e nëntorit në SHBA, aq më i hapur presioni ndaj Kosovës për të hequr tarifat ndëshkuese ndaj Serbisë. Në këtë betejë Grenell ka zhvilluar një debat edhe me kryetarin e PDK-së, i cili ia hoqi përkrahjen qeverisë së Ramush Haradinajt për shkak se nuk i hiqte tarifat, ndërsa tani klith: “Nuk duhet hequr tarifat”. Përkthyer në shqip mesazhi i Grenellit ndaj shefit të PDK-së ishte ky: “Kadri, mos llomotit”. Ky është vokabulari i ri nga Washingtoni – si në filma me kaubojë.

Si të sillet Kosova ndaj Richard Grenellit? Pyetja është më e lehtë se përgjigjja. Është iluzion të besohet se këmbëngulja në tarifat ndëshkuese do ta sjellë njohjen nga Serbia, siç po propagandon ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Për këtë duhet pasur përkrahje sidomos nga SHBA-të. Kjo përkrahje nuk ekziston. Grenell insiston që tarifat të hiqen. Çka fiton Kosova nëse i heq tarifat? A është në tavolinën e bisedimeve njohja nga Serbia? Nëse kjo nuk është, atëherë cila është përmbajtja e ofertës? A ka fare ofertë? A ka plan Grenelli? Deri më tani nuk është parë asgjë, asnjë plan.

Një politikë kryeneçe dhe pa ide e Kosovës mund të jetë e kushtueshme. Në një konfrontim me Washingtonin dihet kush është humbësi. Prandaj, duhet urgjentisht një koordinim mes kryeministrit dhe kryetarit të shtetit. Ashtu siç është vepruar deri më tani, nuk mund të shkojë më. Në njërën anë kryetari me takime pothuaj sekrete me kolegun e tij serb, në anën tjetër kryeministri Ramush Haradinaj që një kohë të gjatë thoshte: “Nuk kam kohë për bisedime me Serbinë”. Dhe ja ku është Kosova tani.

Një rrugëdalje nga ky qorrsokak mund të jetë kjo: të kërkohet takim urgjent me Grenellin për të diskutuar mbi një “roadmap”: nëpër cilën rrugë do të kalojë Kosova nëse e heq tarifën? Nëse Grenell nuk ka sukses, tarifat ndëshkuese ndaj Serbisë mund të kthehen sërish. Për këtë mund të vendosë qeveria e Kosovës. Qëllimi është që përmes shkathtësisë diplomatike Kosova ta zhvendosë presionin mbi Serbinë. Presidenti serb nuk është i interesuar për zgjidhjen e konfliktit me Kosovën, së paku jo pa marrë një pjesë të territorit apo një lloj “republike serbe” brenda Kosovës. Ai i ka mashtruar për gati një dekadë europianët se do ta zgjidh këtë problem. Nuk e ka zgjidhur. Moska përmes ambasadorit të saj në Beograd sinjalizoi se nuk duhet të ketë nguti për të gjetur një zgjidhje për Kosovën.

Vladimir Putinit nuk i konvenon një zgjidhje e konfliktit, sepse kështu Rusia do të humbte një pjesë të ndikimit në Serbi. Tani Serbia ka nevojë për Rusinë si fuqi mbrojtëse me veto në OKB. BE nuk ka plan fare. Çfarë mbetet? Mund të refuzohet Grenell dhe të shpresohet se hallet e Kosovës i zgjidh Angela Merkel, e cila nuk e ka bërë këtë qe një dekadë, edhe më keq: Gjermania ka qenë tepër tolerante ndaj politikave agresive dhe destruktive të Serbisë në Ballkan. Për klasën politike të Kosovës viti 2020 do të jetë vit i vështirë. Edhe më të vështirë këtë vit mund ta bëjë polarizimi politik në Kosovë, përçarja mes partive, kurthet e ndërsjella.

1 KOMENT

  1. Envet Robelli,

    Po shum pallavra i duron portali prej teje… c.c.c…
    E more analfabet i Gjurmanise…

    GRENELLI ESHTE AMERIKA…
    e AMERIKA ESHTE ZOT I GJURMANDISË TËNDE…

    Shënim: Prit kur këta m-l-të, të na prishin edhe me Amerikën… /AÇ

Komentet janë mbyllur.