Vuçiq – Kurtit: Reciprocitet s’mund të ketë, nuk ju njohim si shtet

0
584
Vuçiq për taksën kosovare

Gazeta Express, 7 Shkurt 2020

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, në një intervistë të dhënë për mediat serbe është marrë pothuajse me të gjitha premtimet e dhëna të Albin Kurtit, të cilat ndërlidhen me Serbinë dhe dialogun.

Sa i përket premtimeve të Kurtit, Vuçiq thotë se “gjërat nuk janë aq të thjeshta, sikur je në opozitë dhe flet pa përgjegjësi”.

Teksa ka folur për premtimin e Kurtit për zëvendësimin e taksës me reciprocitet, Vuçiq thotë se ai duhet të gjejë diçka për t’i ofruar popullit në Kosovë.

Megjithatë, potencon se nuk mund të ketë reciprocitet pasi që Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet.

Paralajmërimit nga Qeveria e Kurtit për heqje të taksës Vuçiq i sheh si lajme të mira, pasi, sipas tij, një vendim i tillë i ka shkaktuar dëme të mëdha Serbisë.

Është mirë që po e konsideron heqjen e taksës, do të ishte mirë të bisedonim në të ardhmen”, ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, vendime të tilla janë të pritshme, pasi që Kurti dëshiron avancimin e pozicionit të tij si politikan.

Kjo është diçka që pritet, Kurti është duke përparuar në pozitën e tij politike në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Vuçiq.

Sa i përket mundësisë së uljes në tavolinën e negociatave me Kurtin, Vuçiq ka thënë se nuk përcakton Beogradi se me kë ulet në tavolinë, pasi që populli në Kosovë zgjedh përfaqësuesit e tyre.

Teksa ka folur për paralajmërimin e Kurtit për ligjin për gjenocidin, Vuçiq thotë se është një mashtrim i cili nuk mund të frikësojë Serbinë.

Në fund kreu i shtetit serb ka folur edhe për situatën e sigurisë. Vuçiq thotë se është i lumtur që në 8 vjetët e fundit nuk ka pasur ndonjë incident apo konflikt në baza nacionale. /Express/