ZËRI TOKËSOR I HYJNORES

0
525
Nexhmije Pagarusha

In memoriam: Nexhmije Pagarusha (Bilbili i Kosovës)

Mehmetali Rexhepi

dridhjet e melosit të zërit të Asaj
nuk i bartte vargu i mbeti vetëm lakmia
kurse ajo piqej e digjej në zilinë e paprekshme
në çdo shteg i rrëzonte ledhet melodia
pellgjet e mallëngjimit nuk futeshin në hejbe
se si hejzave rriteshin rrjedhat
më tej të grishte zëri i magjishëm i “Bareshës”
doemos t`ia mbash andej kahes së Hyjnores

*
nuk e ndalte asgjë kumtin për prarimin e ëndjes
duhej t`i hysh notit pa e pasur në mendje
Ajo t`i abstragon rënkimet ankesat
vloi e derdhej tambli mbi furnelë
“ E duhur jam” kumbonte melodia
në daç hap dritaren në daç mos e hap
erë-shkrumbi se shthurë këngën
kënga shtrihet sipërore në çdo çap

*
nuk e ndaloi dot zemra
ku është e ku nuk është
për ta kapur shtytjen e fortë
tingujt e trëndafilave pa gjemba
fëshfërimë lisash e malesh plis-bardha
violinave fyejve kumbime fushës
u frynte zëri melhem i Nexhmije Pagarushës

*
Ajo ditës i dha ngjyrat që nuk i kishte
sikur i tha
ua shartova faqet vetullat sytë Rozafave Tanusheve
pas tetëdhjetë e gjashtë Shën Gjergjash
gërdallat e mia i dorëzohen dheut
në Akademinë e Bukurisë ua lash modelin
traktatin e ligjërimit për bilbilat

*
krojeve të dashurisë “Lulëzoi fusha”
kori i bilbilave harlisej prirë nga Nexhmije Pagarusha

kostumet më të bukura i vishje rinisë sime nuse
ku nuk më shpinin ato melodi enigmave të galdimeve
lotët e këngëve Tua pigmente të blerta bari
të falemi o zëri Hyjnor i Arbërisë
shpaloje bukurinë e sythave pranveror të shpirtit
dhe spërkatja e zërit Tënd zbuste egërsinë

Gjilan, më 7 shkurt 2020