Kulturë – 07/02/20
Prezantuesja shqiptare Alketa Vejsiu moderoi mbrëmë në natën e tretë të festivalit të muzikës “Sanremo” . Me një italishte perfekte ajo tregoi në skenën e “Ariston” se për të kjo ishte arritja më e madhe profesionale deri më tani. Në krahë në prezantuesit Amadeus ajo tregoi se festivali i Sanremos është mjaft i ndjekur në vendin tonë si dhe që “Festivali i Këngës” ka ngjashmëri me të, pasi është i ndërtuar sipas modelit të Sanremos.
Amadeus mbeti i impresionuar nga mënyra e artikulimit të saj duke thënë se mund të ishte shumë mirë pjesë e ndonjë produksioni italian, pasi komunikon në italisht më shpejt se vet italianët. Gjithashtu një çast mjaft emocionues ishte kur Vejsiu përshëndeti në gjuhën shqipe: “I dua të gjithë shqiptarët, sidomos ata që jetojnë në Shqipëri”.
Alketa foli gjithashtu për projektin e saj të fundit në Shqipëri, Festivali i Këngës, për të cilin theksoi se për herë të parë pas 58 vjetësh më në fund regjinë e mori në dorë një grua. Nëse do ti jepej rasti të prezantonte sërish Festivalin e Këngës, ajo ftoi Amadeusin për të prezantuar së bashku një nga netët.
Për veshjen e saj në parë në skenën e ‘Sanremos’, Vejsiu kishte zgjedhur një fustan klasik rozë dhe tepër elegant të “Dolce & Gabbana”.
Mediat italiane e kanë përshkruar moderatoren shqiptare si “Vullkanike dhe energjike”, “Uragan” dhe gjithashtu kanë shkruar se ajo është padyshim një nga gratë më të shkathta që kanë ndarë skenën deri më tani në krah të Amadeus. /Opinion.al/