INVESTIGIM/Reklamimi i punës së qeverisë në mediat online

0
589
PI - Portalet dhe Ministritë

Nga Arta BerishaNacionale7 Shkurt 2020

Ish Qeveria e Kosovës, nën drejtimin e Ramush Haradinajt, ka shumëfishuar buxhetin për marketing në media online, me numër të madh të kontratave të nënshkruara në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

Një hulumtim i BIRN-it zbuloi se 16 nga 21 ministri të përbërjes qeveritare në largim, kanë shpenzuar së paku gjysëm milioni euro për të bërë marketing në mediat online.

Bazuar në kontratat që janë siguruar nga ministritë veç e veç, kjo nënkupton rritje shumë të madhe të buxhetit të shpenzuar për këtë kategori, krahasuar me qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa.

Vetëm në vitin 2018, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë shpenzoi mbi 45,000 euro në kontratat që mbulojnë 25 ueb-faqe të ndryshme.

Sipas të dhënave nga e njëjta ministri, në vitin 2017, shuma e dedikuar për mediat online ishte vetëm 900 euro, prej të cilave 673 shkuan për agjencinë e lajmeve Kosova Pres, ndërsa 230 euro ministria i shpenzoi për marekting në Facebook për ta promovuar agjencinë për promovimin e investimeve KIEAS, agjenci shtetërore në kuadër të ministrisë.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në qeverinë Mustafa, Hykmete Bajrami, tha se nuk ka pasur kontrata për marketing me mediat online gjatë mandatit të saj sepse ka munguar baza ligjore për këtë lloj të kontratave.

“Ne nuk kemi pasur bazë ligjore, dhe kjo ka qenë arsyeja që ne nuk kemi arritur kontrata me asnjë portal”, tha Bajrami për BIRN.

Me 14 shtator, 2017, vetëm pak ditë pas inaugurimit të qeverisë Haradinaj, Ministria e Zhvillimit Ekonomik nënshkroi një kontratë tre vjeçare me kompaninë Kanun, për reklamimin e punës se qeverisë në televizione, gazeta dhe media online.

Nga marrëveshja me kompaninë Kanun, një numër prej 40 portalesh janë kontraktuar të promovojnë punën e ministrisë, ose duke e vendosur banerin e saj ose duke i transmetuar aktivitetet e ministrisë drejtpërdrejtë.

Shuma e paguar për secilën kompani mediale ndryshon: një portal që e poston banerin paguhet më pak se sa një portal që i transmeton aktivitetet e ministrisë drejtpërdrejtë.

Sipas zyrës për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies sociale, në vitin 2017 ministria ka paguar vetëm për disa shërbime të caktuara të kohëpaskohshme në vlerë totale 4,600 euro. Por në vitin 2018, në periudhën janar-nëntor kjo ministri ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me 12 portale në vlerë 54,900 euro. Marrëveshja i ka detyruar portalet t’i publikojnë aktivitetet e ministrisë: komunikatat, njoftimet, ftesat, shpalljet, spotet publicitare si dhe të afishojnë linkun MPMS-së në faqet e tyre.

Ministria e Infrastrukturës dhe e Transportit nuk ka mundur të tregoj sa është buxheti i shpenzuar në këtë fushë në vitin 2017 në mandatin e qeverisë Mustafa. Sidoqoftë, ish zëdhënësja e Ministrisë Saranda Jusufi ka zbuluar se nën udhëheqjen e Pal Lekajt, ministër nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, më shumë se 100,00 euro janë shpenzuar për marketing në media online vetëm në vitin 2018.

BIRN gjithashtu ka zbuluar kontrata me media online në vlerë 117, 00 euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, 97,000 euro nga Ministria e Bujqësisë, dhe 60,000 euro nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë gjatë qeverisë Haradinaj.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës ka thënë për BIRN që për 94 institucione lokale e qendrore, përfshirë ministritë dhe komunat, shpenzimet totale të marketingut kanë qenë mbi 1.7 milion euro.

Enver Robelli, redaktor për politikën e jashtme, në gazetën zvicerane Tages Anzeiger thotë se financimi i mediave nga qeveria ndodhë vetëm në shtete jo demokratike pa sistem të konsoliduar të sundimit të ligjit dhe pa institucione të kontrollit të buxhetit.

“Këto pagesa kanë ndikim toksik në gazetari: e shndërrojnë atë në një instrument qeveritar të propagandës”, tha Robelli për BIRN.

“Detyra e gazetarisë do të duhej të ishte e kundërta: kontrolli i pushtetit dhe shpalosja e keqpërdorimeve të buxhetit”, tha ai.

Sipas Robellit, këto veprime assesi nuk janë në shërbim të qytetarëve. Ai ftoi qeverinë në ardhje që të krijoj rregull dhe transparencë në këtë çështje.

Sidoqoftë, Ardiana Pajaziti, pronare e portalit Kult Plus, beson që publikimi i aktiviteteve të ministrive në media është i rëndësishëm, sepse në të kundërtën qytetarët nuk do të kishin njohuri për punën e tyre.

“Nëse nuk do të publikoheshin këto shpallje nëpër media, është e vështirë që qytetarët të kenë qasje në to, pasi pjesa dërmuese as që nuk kanë njohuri për faqet zyrtare të institucioneve, por edhe ato që kanë njohuri, shumë pak i përcjellin”, tha ajo për BIRN.

Pajaziti beson se problemi qëndron te mënyra se si marrëveshjet negociohen.

“Shpalljet e ministrive do të duhej të jenë për mediume, sepse është një formë e bashkëpunimit në mes të institucioneve dhe mediave, por ato të bëhen pa pazare të brenshme”, tha ajo për BIRN, duke shtuar se pikërisht marrëveshjet e brendshme në mes të institucioneve dhe mediave e vështirësojnë pavarësinë e punës së mediave, pasi që në shumë raste këto marrëveshje lidhen me kushtëzime.

Anashkalimi i Ligjit të Prokurimit Publik?

Krahas shpenzimeve të mëdha, një shumë e madhe parash është dhënë në kundërshtim me ligjin. Hulumtimi zbulon se të paktën tri ministri: Ministria e Infrastrukturës dhe Sportit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i kanë anashkaluar procedurat e tenderimit dhe Ligjin e Prokurimit Publik kur kanë lidhur kontrata në vlerë mbi 200,000 euro.

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, lidhja e kontratave për furnizim me mallra dhe shërbime si dhe investime kapitale duhet të realizohen përmes procedurave të prokurimit publik. Po ashtu, sipas këtij ligji këto kontrata duhet të nënshkruhen nga drejtori i prokurimit. Në rastin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kontratat janë nënshkruar nga Veton Firzi, Sekretar i Përgjithshëm në Ministri.

Në vitin 2018, një raport i Auditorit Gjeneral të Kosovës për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, zbuloi se nëntë kontrata që mbulonin shërbime mediale ishin nënshkruar nga ministria pa aplikuar ndonjë procedurë tenderimi. Raporti i auditorit thotë që kontratat ishin nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, ndërsa çmimet e tyre ishin mujore dhe varësisht nga shërbimet e kryera.

“Kontraktimi i shërbimeve në mungesë të procedurave të prokurimit, ndikon në zvogëlimin e konkurrencës dhe diskriminon ofruesit e tjerë të shërbimeve të tilla”, thotë për BIRN zyra e Auditorit Gjeneral të Kosovës, duke shtuar se kjo mund të rezultojë me një kosto më të lartë të këtyre shërbimeve.

Raporti i Auditorit për vitin 2018 rekomandonte Ministrin e Kulturës që të ndërmarr masa për të vlerësuar ligjshmërinë e kontratave. Ministria rekomandohej që Sekretari i Përgjithshëm dhe zyrtarët e tjerë vartës të mos nënshkruajnë kontrata në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

Për shkak të kufizimit në qasje në kontrata në vitin 2019, BIRN nuk ka mundur të përcaktoj nëse Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka vazhduar me këtë praktikë edhe pas rekomandimeve të Auditorit Gjeneral të Kosovës. Sidoqoftë, disa kontrata të nënshkruara me kompani mediale online në vitin 2019, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit mbajnë firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë.

Në muajin prill 2019, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e udhëhequr nga Endrit Shala i NISMA-s, ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me 30 portale në periudhë disa mujore duke përfshirë mundësinë e vazhdimit. Ministria refuzoi t’i dorëzoj kopjet fizike të kontratave me arsyetimin e ato përmbajnë informata personale dhe biznesore të palës tjetër dhe nuk mund të bëhen publike pa pëlqimin e saj, por lejoj shikimin e tyre në ambientet e ministrisë. Bazuar në këto materiale dhe sipas burimeve zyrtare, kontratat janë të nënshkruara nga Burim Rreci, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

E njëjta ka ndodhur edhe me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, ku garantues i marrëveshjeve me mediat online ishte Betim Reçica, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë, emërimi i të cilit nga ministri Pal Lekaj ishte kontestuar nga Bordi i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil në Kosovë. Sa i përket bazës ligjore, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë thotë se kontratat me operatorët ekonomik janë arritur sipas Rregullores No. 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive.

Betim Reçica, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës Jeta në Kosovë për arritjen e marrëveshjeve me mediat pa i respektuar procedurat e tenderimit. Për këtë temë nuk kanë folur as zyrtarët e Ministrisë së Kulturës.

Por sipas Auditorit Gjeneral të Kosovës, sikur edhe për të gjitha shërbimet e tjera edhe për shërbime marketingu duhen zhvilluar procedura të prokurimit. Ligji i përcakton varësisht nga vlera dhe rrethana tjera të lejuara me këtë ligj edhe mund të përcaktohet lloji i procedurës që do të zhvillohet. Ndërsa zyrtari përgjegjës i prokurimit i një autoriteti kontraktues, në këtë rast i ministrisë, është i vetmi person i autorizuar që të nënshkruaj një kontratë publike në emër të autoritetit të tillë kontraktues. “Nënshkrimi dokumenton se kontrata është dhënë në pajtueshmëri me ligjin aktual”, thotë Auditori Gjeneral i Kosovës. Kontratat që nuk nënshkruhen në pajtim në këtë mënyrë janë të pazbatueshme. Gazeta ka mundur t’i shoh këto kontrata por jo edhe t’i ketë kopjet fizike.

Burime zyrtare nga zyra e prokurimit publik duke folur në kushte anonimiteti thonë se sipas rregullave duhet të zbatohen procedurat e prokurimit. Në një komunikim zyrtar nëpërmes postës elektronike, zyra e prokurimit publik thotë se rastet e përjashtimit nga zbatimi i dispozitave të Ligjit të Prokurimit publik i përcakton neni 3 i këtij ligji. “Për të gjitha aktivitetet e prokurimit që nuk përjashtohen me nenin 3 të LPP-së, duhet të zbatohet njëra nga procedurat e përcaktuara me këtë ligj”.

Janë disa lloje të kontratave të cilat qeveria mund t’i lidhë duke mos e respektuar ligjin e prokurimit, dhe ato parashihen si përjashtuese të këtij ligji, në nenin 3 të tij. Por asnjëra prej tyre nuk flet për shërbimet e marketingut me mediat apo biznese të ngjajshme.

Rastet e përjashtimit në nenin 3 të ligjit të prokurimit publik kanë të bëjnë me marrëveshjet ndërkombëtare, ato të sigurisë, punësimin, marrëveshje të institucioneve në mes vete, si dhe disa kontrata koncesioni të cilat i nënshtrohen dispozitave të ligjit për partneritet publiko privat.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë ka refuzuar të flasë për këtë temë. Ministria ka preferuar që pyetjet të dërgohen në email. Në përgjigjet e saj thotë se përveç kriterit bazë të regjistrimit të biznesit, merren parasysh edhe profesionalizmi, lexueshmëria dhe besueshmëria e medias/portalit.

“Këto janë faktorë të cilët ndikojnë për të pasur bashkëpunime, në mënyrë që përmes tyre mund të bëhet promovimi i aktiviteteve të institucionit tek opinioni publik në përgjithësi”, thotë zyra për media e MTI-së për BIRN.

Duke folur në emër të zyrës së tashmë ish-kryeministrit Haradinaj, zëdhënësja Donjeta Gashi pati thënë se ekziston një kontratë simbolike me një media për publikimin e konkurseve të zyrës së kryeministrit. Ajo nuk e ka bërë publike emrin e medias dhe shumën e buxhetit që harxhohet

Buxheti i shtetit për media fantome

Përveç rritjes së shpenzimeve, paratë e ndara nga buxheti i shtetit shpesh kanë shkuar për kanale informative të panjohura, përfshirë disa të cilat nuk janë anëtare të Këshillit për Mediat e Shkruara, mekanizëm përgjegjës për rregullimin e punës së mediave të shkruara, përfshirë ato online. Disa madje nuk janë të njohura si uebfaqe lajmesh. Një kompani me emrin “Teknika NTSH”, një organizatë që duket se nuk ka faqe interneti, ishte përfshirë në një listë të kompanive mediale në tabelën e shpenzimeve të siguruara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Një tjetër kompani mediale e kontraktuar është Iliria Online, një portal që sipas monitorimit nuk është e rregullt në publikimin e lajmeve. Aktualisht ekziston vetëm në Facebook me një faqe interneti që nuk mund të hapet. Një tjetër kompani, Gazetaprishtina.com, e kontraktuar për publikimin e ngjarjeve të drejtpërdrejta, gjithashtu nuk mund të gjendet online ndërsa domeni aktualisht është në shitje.

Gazeta Lajm nuk është anëtare e regjistruar në Këshillin për Mediat e Shkruara, por ishte kontraktuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si dhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale t’i publikoj banerat dhe t’i promovoj aktivitetet e ministrive. Të dy ministritë ishin udhëhequr nga përfaqësues të partisë NISMA të Fatmir Limajt. Shumë ministri në qeverinë Haradinaj kanë ndarë rregullisht fonde për mediat me numër të madh vizitash online, siç janë Gazeta Express dhe Indeks Oniline, gjithashtu për Insajderi.com, Gazetën Blic, Infokusi, Ora Info, Gazeta Metro etj. Në disa raste, ministritë kanë paguar transmetimin e drejtpërdrejtë të aktiviteteve, sikurse për përcjelljen e aktiviteteve të ministrit apo për postimin e banerit të ministrisë në portal. Agjencitë e lajmeve si Kosova Press dhe Ekonomiaonline.com figurojnë në shumicën e kontratave të ministrive. Qeveria gjithashtu ka ndarë shuma të vogla parash për të reklamuar punën e tyre në media të njohura, duke përfshirë Koha.net, Telegrafi dhe Kallxo.com.

Veprimet e prokurorisë së shtetit në raste të ngjajshme

Ekzistojnë raste kur institucionet kanë nënshkruar kontrata me mediat dhe të cilat kanë nxitur reagimin e Prokurorisë së Shtetit.

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër dy ish zyrtarëve të Komunës së Prizrenit nën dyshimin për kryerjen e veprës penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas aktakuzës, Zenel Ahmetaj, ushtrues detyre i drejtorit për ekonomi dhe financa në vitin 2015, Ertan Simitçi drejtor për ekonomi dhe financa në vitin 2016, kanë lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese me tri televizione lokale në Prizren duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj në atë mënyrë që pa ndonjë procedurë të tenderimit, në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik, ligjin mbi menaxhimin e financave publike dhe rregulloren e thesarit. Shuma që komuna e Prizrenit kishte dhënë për këto tri televizione në kundërshtim me ligjin është 23,600 euro. Aktakuza i referohet edhe mendimit të ekspertit financiar Agim Sheqiri, i cili siç thuhet ka ardhur në përfundim se i akuzuari Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitçi, të dy në pozita të njëjta në periudha të ndryshme, kanë anashkaluar procedurën e tenderimit dhe se në veprimet e tyre formohen elemente të veprës penale, keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 422 i Kodit Penal të Kosovës. Prokuroria e Shtetit nuk ka treguar nëse janë marrë masa pas publikimit të Raportit të Auditorit Gjeneral të Kosovës ku së paku një ministri ka tejkaluar procedurat e tenderimit, pavarësisht kërkesës së BIRN-it.

Ky botim është mundësuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Arta Berishës dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së.