9 poezi nga Faslli Haliti

0
777
Faslli Haliti - portret

FASLLI HALITI

KREDOJA IME

Liri
Të aftit
Garanci të dobëtit.

Ti që di t notosh,
Kaloje detin, oqeanin me not.

Kush
Nuk di të notojë,
T’i japim një salvaxhente atij.

Si mund të lemë të na mbytet qoftë dhe një njeri!

1994

MOS

Mos ma jep dorën aspak
Mos ma zgjat

Ti
I pari
Të jep mjaltin,
I pari të jep helmin,
I pari
Të jep dorën,

I pari të jep shqelmin…

1994

FJALËN E KEMI PËR NJERIUN

(Nga një pohim në radio)

Këtu në botën perëndimore,
Ujku për ujkun,
Mund të jetë njeri,
Siç dëgjova
Të thoshe
Në radio
Ti,
Por ne
Fjalën e kemi për njeriun, zotëri:

A është njeriu për njeriun njeri?

1994

PAZOTËSI

Në vogëli
Nuk më rrihej pa mustaqe,
Nuk më pritej,
Vija mustaqe
Misri,
Qeshnin burrat
Me mustaqet e mia,
Me mustaqe misri
Nuk vinte
Burrëria.

Burrëria erdhi më në fund
Megjithatë, mustaqet s’i mbaj dot,
Nuk është e lehtë, jo,
T’u dalësh
Zot…!

1994

REALIZËM

Unë
Mizës
I them mizë,
Bletës i them bletë,
Ndryshe s’ka mjaltë
Ngatërroje po të duash bletën
Me mizën që di vetëm të pëgërë e të zukatë!

1994

MBRETI OSE PRESIDENTI LAKURIQ

Zoti
President,
Po t’i mburrin rrobat,
Po t’i lavdërojnë symbyllur,
Po t’i ngrenë në qiell.

Dhe
S’po të del
Një shok, një mik
Të të thotë:
Zoti president, je fare lakuriq,
Po ç’u bë ai fëmijë që foli naivisht,

S’ka lindur akoma apo pa lindur ende vdiq?

1994

KRIMBI

Pranverë!
Toka e priti pranverën,
Me lule,
Blerim,
Krimbi pa u ngopur
Doli nga fshikëza mëndafshore
I shndërruar në flutur,
Unë jam i sigurt,
Unë
E njoh mirë,
Me të parë blerimin gjethor,
Flutura
Do të kthehet
Në krimb përsëri,
Mbi gjethet e reja,
Mbi blerimin e ri,
Do të sulet
Me uri!

1978

SHQIPËRIA LUAN BIXHOZ

Shqipëria luan me letra,
Luan shah,
Tavëll,
Domino,
Luan bixhoz,
Grupe burrash,
Grupe pleqsh, kokë më kokë,
Mesoburra, adoleshentë,
Luajnë bixhoz shesheve, lulishteve, trotuareve.
Shqipëria me letra bixhozi në duar
Darkë,
Drekë,
Mëngjes.

Bota i bie mëngjesin,drekën, darkën, pa vonesë…

1994

KUSH ËSHTË PRONARI?

Zonja Dallëndyshe!
Cilën copë qiell ke pronë?
Qielli,
Prona e Zotit,
Ne, fluturakët e kemi në përdorim.
Qielli
Pa gardhe,
Pa vija të bardha, sinorë,
Çdo zog e ka të tijin për fluturim.

Zonja Ketër!
Cili lis është yti,
Cilën copë të tokës ke tënden?
«Të gjitha pemët, bimët, barërat,
Pronë e tokës, prodhim i saj, lisat, pylli,
Ne kacavjerrësit i kemi vetëm në përdorim.
Cilido nga ne mund të kacavirret,
Mund të hidhet nga lisi në lis,
Nga dega në degë mund të hidhet.»

Zoti Peshk!
Cila parcelë deti,
Cila kuotë uji është jotja?
«Ujërat,
Detet,

Oqeanet,
Liqenet, kënetat, moçalet,
Janë prona të Perëndisë,
Secili nga ne amfibët e kemi në përdorim,
Secili mund të notojë nga të dojë,
Secili mund të lëvizë pa kufizim”.

Cili pretenduaka të shpronësojë Perëndinë?

1994