Naxhije Doçi – Prishtinë
TRE YJE DRITE
(Tre djemëve të mi)
Në skalitje vargjesh me etje purpuri
fjalët më vijnë krejtësisht të krisura
nga gurrë e shpirtit burojnë
me rreze dielli praruar
për tre yje drite në hark ylberi flakëruar
hirësi e derdhur në zemër nëne,
për tre djemtë e mi
shënjtëri e trashëgimisë në kështjellën e fatit,
pagëzim i dëlirë në madhështim stinësh
ILIR- krenari e lashtë e rrënjës,
BURIM- thellësi e bekuar agmie,
DRILON- rrjedhë e cemtë në gurgullimë
ndër ahishte e lugje të fushëblerta.
Të tretë rrënjëprush mbi qerpikun e dashurisë
me shtatin lis në shteg mali
për fis dhe të bardhin plis,
dhuratë e bekuar që më erdhi nga Hyji
si një madhështi purpuri,
falënderimi me jehun gjer tek retë.
U lindët në kohë etjesh të dehura për liri
furtunash në vazhdim
tre petritat e mi në shkëlqim drite hirësuar,
që kur ishit fëmijë dhe në vazhdimësi
ecurinë na e bënit përherë të lumtur
gjallërinë me porta triumfale,
uratat për ju vullkan i pashuar.
Ju jeni kuptimësia e jetës sime
rrjedhës në gufim
përplotë me buzëqeshje agu
që jetën e zbukuron
me shenjtërinë e trashëgimisë.
Edhe në rininë në mugullim
ashtu si edhe çdo ditë të re në vazhdim
me jeh lumturie e mbushni,
krenarinë strall nëpër mote
për arritshmëritë,
ëndërrat për Ju gurrë e kristaltë në gurgullimë
shtigjeve krahështrira valëzuar,
pranverën në bulim.
Në shkollimin bazë dhe në universitet
diturinë mal me borë në rrëzëllimë
për trasim ardhmërie
drejt qëllimit të dëlirë në reflektim.
Edhe trashëgiminë simfoni e komponuar,
nektar vargëzimi në përqafim kohësh
me urtësi e dashuri zemre bekuar.
Tre yje drite si engjuj bardhësie
ju rritëm me përkushtimin e pathyer
që fisnikëron zgjimin e etur
me përgëzimin sublim që të bëheni vetvetja,
zemër dhe emër për gjuhë e atdhe
melodi jehu në kumbim shtigjeve,
krenari e paskaj për ne.
Poezi nga libri “Vargëzim mbi gjurmë” – Naxhije Doçi – Prishtinë – 2017