Jo të gjitha mizat bëjnë mjaltë

0
547
Engjëll

Pas viteve “90” në vendin tonë, si pasojë e humbjes së efektit të Shtëpive Botuese si sita të veprave letrare, për të mbajtur në lartësinë e duhur letërsinë, që ajo të mund të kryente misionet e saj të shenjta:
1. Të paraqiste me relizëm jetën e vërtetë, ngritur në art dhe
2. Të përcillte mesazhet edukuese shpirtërore dhe filozofike përmes një gjuhe të pastër nga huazimet dhe të pasur në figura letrare, shprehje frazeologjike, thënie të mençura popullore, ndërtuar këto të gjitha në një ngrehinë që do të zgjonte ndjesitë e lexuesve të të gjitha shkallëve të shkollimit dhe inteligjencës, të të gjitha shtresave të popullit, për të mbetur në kujtesën e afërt dhe të largët të tyre.

Shtëpitë botuese të para viteve “90” ishin të plotësuara me redaktorët letrarë, koregjuesit letrarë dhe ndihmoheshin nga recezentë të jashtëm, sipas gjinisë së veprës( poezi, prozë, lirikë, epikë, historik etj). Mbaj mend që kur u aprovua romani im historik u caktua nga K/Redaktori i romanit, Piro Misha ( Shtëpia Botuese ” Naim Frashëri”) dhe N/Drejtoresha Iskra Tata Thoma një recezent i Shtëpisë Botuese, një recezent i jashtëm, Arben Xoxe dhe një recezent për historinë, Drejtori i Muzeut Historik dhe Arkeologjik atëhere, Myzafer Korkuti.

Recezencat e tyre ishin pozitive dhe romani u aprovua. Kjo ishte sita që për mendimin tim është jo “e nevojëshme”, po “e domosdoshme”, që dritën e botimit ta shohë vepra që e meriton, jo të ngatërrohen në një përzierje të pakthyeshme llojlloj mbeturinash, shpesh edhe helmuese( toksike ) për psikologjinë dhe mendimin me vlerat e vërteta, që, për hir të së vërtetës, janë shumë më pak se mbeturinat dhe kësisoj ajo përzierje kthehet në Jovlerë dhe përfundimi është ky : LETËRSIA KA MBETUR JETIME, LEXUESIT E SHOHIN ME SHPËRFILLJE DHE SHKRIMTARËT E POETËT E VËRTETË JANË BËRË TË PADUKSHËM E TË RËNDOMTË, SHPESH TË PËRBUZUR E TË NJEHËSUAR ME JOVLERËN SHUMICË… Kuptohet, tregu i shumicës është më i lirë e më i parapëlqyer.

Njoh emra dhe persona që marrin përsipër, jo vetëm të veshin me rrobë gri krijimtarinë letrare me veprat e tyre paçavure, po arrinë të botojnë edhe vepra kritike, duke analizuar poetë dhe shkrimtarë dinjitozë, pa njohur gjuhën shqipe, pa ditur të lidhin as fjali e jo më fraza apo paragrafë, pa njohur drejtshkrimin as në nivelet e rëndomta të përfdorimit të presjes…pa, pa, pa asnjë nga të gjitha dhjetra cilësitë që duhet të ketë një krijues letrar apo një Kritik letrar. Ja ku ka arritur Letërsia shqiptare. Dhe këta i takon e i sheh rëndom në libraitë. Ndonjerit nga këta Donkishotë të letërsisë shqipe i janë ofruar edhe vlerësime apo medalje deri në Akademinë fallco( për të mos thënë ndonjë fjalë më të rëndë, se e meriton) të Shkencave të drejtuar nga pseudopolitikani që në vitin e zi 1997 takohej dhe nxiste revolucionin famëkeq të atij viti.

Brezi ynë ,kur mbaronim gjimnazin kishim njohuri të plota për letërsinë klasike, për atë mesjetare, për drejtshkrimin, për historiografinë e për të gjithë shkencat. Kur takohemi me shokët, tani që jemi pensioniste, recitojmë poezi të tëra përmendësh, pjesë nga Shekspiri dhe autorë të tjerë, madje edhe në gjuhë të huaja. Kur vendosa të shkruaj, isha i sigurt në vetvete se isha plotësuar si intelektual. Po këta tani??? Mbarojnë studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi dhe nuk njohin asnjë nga shkrimtarët e mëdhenj( sepse rrezik se nuk i njohin as pedagogët e tyre) Quo vadis Letërsia shqipe???

Është turma e Jovlerave në letërsinë e sotme që ” sitën” e Shtëpive Botuese e quajnë të panevojëshme, të tepërt, madje edhe të dëmshme…E quajnë ” censurë” Vlerësimi dhe përzgjedhja e më të mirës nuk është censurë. Në të gjithë botën Shtëpitë Botuese nuk janë thjesht shtypshkronja, si këtu në Shqipëri. Janë ashtu si i kishim edhe ne para “Demokracisë”, me një ndryshim. Atëher ishin përparësore ideologjia komuniste dhe lufta e klasave. Asnjë shqiptar sot nuk do t’i pranonte këto, por, ma do mendja se të gjithë shqiptarët i duan Vlerat e vërteta të Letërsisë.

Në se do mendojmë për të nesërmen, nuk duhet të ndajmë me thikë të kaluarën dhe të tashmen…Gjithçka në botë është vijimësi, duke lënë gjatë rrugëtimit ato që nuk duhen e duke shtuar ato që do të duhen për më tej.

A është kjo mangësi vetëm e Shtëpive Botuese?

Jo, natyrisht. Shteti, Qeveria( përmes levave të tyre kontrolluese) duhet të rregullojnë veprimtaritë shoqërore publike dhe private. Shteti asnjëherë nuk duhet të largojë nga vetja përgjegjësinë që ka për t’i mbledhur të gjithë rrjedhjet e burimeve e përrenjëve në lumin e madh të Edukimit të Kombit me Vlerat shpirtërore e psikologjike, për të qenë një komb jetëgjatë dhe i pranueshëm në Bashkësinë e madhe të popujve për zhvillim e përparim.
Kështu si e kemi nisur ( si për të gjithë problemet e tjera) mbetjet helmuese do na mbysin si Kërpudhat pas shiut.

Letërsia është shpirti dhe shpirti është morali i një populli. Pa moralin, një popull nuk mund të krijojë një Komb.
Po shteti ka përgjegjësi të rëndë para ardhmërisë, nëse nuk punon që ta shndërrojë kombin në një Ante për trojet tona.

Asnjëherë nuk është vonë për këtë, po ai që e bënë i pari ngrihet në piedestalin e kujtesës së kombit… Dhe kujtesa është e përjetëshme.
Mbani mënd Gjergj Uashingtonin, mbani mend Qemal Ataturkun.
(Thuhet se janë të dy me origjinë shqiptare!)

Me respekt,
Pajtim Xhelo, 31 janar 2020, Vlorë