Poezi nga Pajtim Xhelo

0
603
Pajtim Xhelo

Rebelim

Ti erë marroke, pa mos u largo,
Rrëmbe n’agim edhe shpirtin e poetit,
Dhe natën, kur kthehesh sërish mos harro,
Ta sjellësh atë në brengat e qytetit..

Nuk të sheh askush, pra mos u ligështo,
Që preve ëndrën e shpirtit të trazuar,
Përkunde nëpër këngë, po mos guxo,
Ta lëndosh në braktisje të drithëruar.

Është i pabindur si ti dhe ai,,
Kërcimtar në një horizont të pashtruar,
Rebel që kur lind, rebel në pleqëri,
Veç një qiell i kaltër, i paretuar.

Merre mbi krahë, ç’pret, mos e ler aty,
Se shpirt’ i paqetësuar ndizet flakë,
Enduni si të marrë, pa fre, të dy,
I vishni pranverën kësaj bote plakë.

Ti erë noprane prit, mos u largo,
Merr në krahë dhe mendimin e poetit,
Njerëz të varfër dhe mjerim ka kudo,
I kripur gjithkund është ujët e detit.

Pa te dritarja e poetit mos shko,
Të trokasësh natën moj erë cigane,
Është zgjuar ai, po ti mos harro,
Diku enden shpirt’ e mendimi, tejane.

I akullt shpirti, i thinjur dhe mendimi,
Nëpër botë kanë ndezur disa zjarre,
Zgjuar poeti netëve nga tundimi,
Ndjen djajtë që flasin për vdekje dhe varre.

Zgjuar poeti, pret agun shpirtrazuar,
Breng’ e mendim i përcëllohen në zjarre,
Erë marroke, mos bridh si e tërbuar,
Ndalo, trokit te poeti, në dritare.

P. Xhelo, 29 janar 2020


Edhe shpirti vret

E ftohtë urrejtja si erë veriu,
Ajsberg në shpirtin tënd, që verën po pret,
Po dhe dashuria , si mendim ariu ,
Është shkrepëtim’ e gjëmimit që vret.

Shtegton urrejtja si kalorës mbi djallin,
Të ndjek pas si hije, qetë, shtegmështeg,
Pa dashuria , si diell, endet me mallin,
Vallëzon me valët, hepohet në breg.

E verbër urrejtja, i padukshëm djalli,
Edhe pse pas teje, ti kurrë nuk i sheh,
Pa dashuria është zjarri dhe malli,
Që nga veriu të mbron, që ti e njeh.

T’i shmangesh urrejtjes që fshihet te hija,
Diku,tej, ka ngritur lak e po të pret?
Veç ti mos harro, se edhe dashuria,
Po e lëndove zbret meteor që vret.

Urrejtja ësht’ e verbër, po ti e sheh,
Mos e shpërfill dhe kurrë mos e harro,
Dashuria që vodhe dhe s’po e njeh,
Të vret se e vrave, të vret se të do.

Në shpirt urrejtja, aty dhe dashuria,
Ëngjëlli që do, me djallin që po pret???
Pse Zoti im, që shkëlqen nga mirësia,
Na zbret në gjakun tonë një shpirt që vret?

Pajtim Xhelo, 30 janar 2020


Thuaji heshtjes Jo

Nëse edhe mali gurët rrokullin,
Pa dhe dallga e vala bregun tundon,
Mbi pemë, në degë gjethja fëshfërin,
Ujët e burimit zbret e gurgullon.

Nëse zogu në fluturim cicërin,
Shkëminjve me thepa sorkadhja këndon,
Lëndinës plot erë qingji blegërin,
Gjumit të na zgjojë këndezi s’harron.

Nëse qielli rrëzon borën dhe shiun,
Dhe bora zhurmon kur mbi të kalon,
I dëgjoni në pyll ujkun dhe ariun,
Kur dimri dhe të ftohtit i kërcënon?

Krrakun e korbit kur ndjen gjakun e ngrirë,
Qyqen që ndjell vdekje ti po e dëgjon?
Klithmën e foshnjës në lindje të vështirë,
Dhe britmën e nënës, që duart kafshon?

Vallzimin e lules kur bleta largohet,
Rënkimin e vesës kur rrezja e than,
Qeshjen e gjetheve kur petalet zgjohen,
Krahët e muzgut kur dielli shkon tejan?

Lojën e xixëllonjave mbrëmjes vonë,
Yjet që hidhen qiellit si shkëndi,
Hënën në eklips kur diellin mbulon,
Të natës hije në drithërim të ri.

Nëse gdhihet pa gjumë politikani,
Dhe kusari vret gjumin për kusëri,
Në ëndër kopështin Eden sheh varfani,
Mjerimi pjell në heshtje makutëri.

Qan, qesh, këndon. Kjo është jeta, zhurmë,
Ec në urat e saj, vrapo, kalëro,
Në rrugëtimin tënd pa fund ler dhe gjurmë,
Pa heshtjen lerja vdekjes, thuaji Jo !

Pajtim Xhelo, 31 janar 2020


ZEMËR E MADHE

E pat ndjekur jetën dimri në vatrat me zjarre,
Dhe botës së harruar borën i hodhi mantel,
Të tkurrur yjet, njehësim i ftohtë në varre,
Dhe natën e ngrirë e ka varur në një çengel.

Pa ca hapa më tutje, ku rrugica mbaronte,
Një djalkë dhe një qenush që kuiste pranë tij,
Strukur te një gardh, që nga murlani t’i mbronte,
O Zot, ç’mëkat kishin bërë ata dy kërthi?

Veç tre muaj ish qeni dhe djalit i erdhi keq;
Hoqi xhaketën e vet dhe me të e mbuloi,
Sa mirënjohje kish qenushi në sytë si qelq.
Dhe tek e shihte ashtu, djali veten harroi.

Pa nis përsëri dimri borën të rrëzonte,
Edhe yjet nga qielli morën arratinë,
Murlani i hidhur, si dreq, djalin fshikullonte…
Ndërkohë ai ëndëronte vatrën, ngrohtësinë.

Ish vetëm dhjetë vjeç, po prej një viti jetim,
Prindët ia vrau lufta, i dogjën dhe shtëpinë,
Ky qen ish për të gjithçka, ish diell, ish agim,
Zoti e kish qasur, për t’i larguar vetminë.

Shkonte fshatmëfshat, lufta akoma s’kish mbaruar,
Pa qenushi, ngazëlluar, s’i ndahej asnjë çap,
Shpesh nëpër kaçuba, lehtëlehtë ish afruar,
Kapte ndonjë zog dhe ia sillte djalit me vrap.

Po dimri erdhi shpejt, ditët e mbrodhta kaluan,
Në këtë ferr të djallit, pa zjarr e pa çati,
Ashtu, si në mjegull të voglit iu kujtuan
Prindërit dhe kasollja, që i jepnin dashuri.

Dikur, i përhumbur në ëndra gati po ngrinte,
Çorë fshihte kjo natë e pabesë, pakufi?
Qeni ndjeu, u afrua, nisi ta lëpinte,
Mëkot! Djali po dridhej nga ethet, në kllapi.

Kuisi qenushi dhe iu kanos dëborës,
Pa lesën e gardhit fuqishëm shtyu me turi,
Te deriçka gërvishi me putrën e dorës,,
Derisa te pragu u afrua një njeri.

Vocrraku tundi bishtin dhe doli nga oborri,
I habitur njeriu ndoqi hapat e tij,
Kur djaloshin pa, vrapoi dhe në krah e mori,
I çoi të dy te vatra me zjarr, në shtëpi.

Erdh në vete djali, pa qenushin që qëndronte,
Pranë supit të tij dhe e shikonte në sy,
Buzëqeshi se iu duk se t’i thoshte donte:
“Zemra jonë ësht’ e madhe, ka shumë dashuri!”

Pajtim Xhelo


MOS HUMB VETEN!

Të dhemb zemra, ke humbur pasurinë?
Pa dhëmbje e vërtetë s’është ajo.
Nga bota je tërhequr, me vetminë,
Larg, n’oqean s’ka asgjë, kot mos kërko.

Lotë të hidhur… Ke humbur lirinë
Dhe skllav po ndihesh në kohë si këto?
Hape shpirtin, mbaj ndezur dashurinë…
Ke ajër dhe liri, ashtu fluturo!

Të përbaltën trupin, emrin ta vodhën?
Lahu në det dhe merr një emër të ri.
Të rrëzuan, në humnerë të hodhën?
Ngrihu, si Ante, mga toka merr fuqi.

Nëse të dehën, mendjen turbulluan,
Dit’ e re do të kthjellojë përsëri,
Në shpërfillje të lanë, të harruan?
Bërtit, ulëri, si tufan, si stuhi.

Të gjitha zhbëhen, ti mos u ligështo.
Jeta është hapësirë pakufi,
Veç veten të humbësh, kurrë mos prano…
Je një rubin gjigand, tjetër s’gjen si ti!

Pajtim Xhelo


Gomarët e arixhiut

Si kapardisej cigani me mustaqe,
Shpërfillte me krenari gjithë pazarin,
Në gojë mbante një degëz manushaqe,
Me dorën e majtë tërhiqte litarin.

Lakun në qafë i kish vënë gomarit,
Pas tij kish lidhur edhe katër të tjerë,
Erdhi rretherrotull tregut të fshatarit,
Telef na i bëri gomarët e mjerë

Në dorën e djathtë mbante katër fije,
Lidhur me to katër gomarët e tjerë,
Mbi shpinë u kish shtruar dhe batanie,
Si ky arixhi s’mund të shihje shpesh herë.

Kishin batanijet ngjyrat e ylberit,
Të kuqe, jeshile, të verdhë, mavi,
Në po ato ngjyra dhe fijet e frerit,
S’ke ç’i thua, me gusto ky arixhi.

Po edhe ngarkuar na i kish gomarët,
Plym me shporta, kanistra, sita dhe shosha,
Të fundit me libra. Habitën fshatarët,
Më dol nga mendja, në krye desh ta thosha :

S’bërtiste cigani si ata të tjerët,
Veç duart i lëvizte si një xhongler,
Fijet që kish lidhur ngacmonin gomerët,
Që pëllisnin secili veç nga një herë.

I pari pëlliste ai që shporta kish,
Pa njerëzit shihnin shportat përmbi shpinë,,
Më pas i dyti që me kanistra ish,
Sita dhe shosha; kish ngarkuar gjithë shtëpinë.

Pa tek i pesti një tabelë kish shkruar,
Gomari a cigani quhej Luiz?
Ç’i duheshin librat që i kish ngarkuar,
Të uruarit të fundmit mbi kurriz?

Pyet një fshatar: Këto për kë i ke,
Mesa di unë ti s’di as të lexosh,
Mirë shportat e sitat i ke për ne,
Këto libra të bukur ku do t’i çosh?

Qesh arixhiu dhe mustaqet përdredh,
Gomarin me fijen mavi e frenon,
I uruari pëllet dhe mickla hedh,
Pa librat, të tëra, në shesh i rrëzon.

Shtyhet pak hapa, pa kthehet dhe ndalon,
Po i dredh e i përdredh ato mustaqe,
– Luizi im – tha dhe gomarin tregon
– Ësht’ i fisëm, vjen veç erë manushaqe..

I këthehet fshatari, jo pa çudi :
– Pse s’e hedh mbi libra atë manushaqe?
Kësisoj dhe Luizi yt namuzli,
Nuk do hedhë përdhe ato qindra faqe.

Qesh cigani, manushaqes i merr erë :
– Gomarë si ky i shkruan ato faqe.
Po të ishin kuaj nga fise të tjerë,
Dhe librat do mbanin erë manushaqe.

-Merri – i tha – ç’pret, Luizi nuk i do,
Sa të duash si ta shkruan ai vet,
Pa lekë do t’i jap, shpejt, mos u vono,
Të tjerët nesër do t’i hedhim në det.

Akoma i hutuar ai qyqari,
U bëri zë dhe tregtarëve të tjerë,
Iku cigani, nuk palli më gomari,
Qe liruar nga vandakët këtë herë.

Pajtim Xhelo, 01 shkurt 2020, Vlorë