Takimi me hijen e mësuesit

0
821
Nexhat Halimi - pikturë

Nexhat Halimi

Fletë ditari

E prisja para Gjimnazit ekipin e RT Kosovës, pikërisht para derës së Sahat-Kullës, që e cilëson rrugën, Xhaminë e Madhe dhe ndërtesën e stilit turk, aty ku për një kohë gjendej Akademia e Arteve dhe e Shkencës së Kosovës. Pikasja të shkoja kaq vite më vonë në Dumnicën time të lindjes e atje të rrëfeja ndonjë insert nga fëmijëria. Ata nuk vonuan dhe arritëm, me vozitësin, një vendas imi-luftëtarë i UÇK-së, e i njohur i babait nga ditët e hershme. Filluam të xhironim, veç na pengonte zhurma e një sharre, që krasiste pemë rreth një kasolle të vogël, ndër shtëpizat e vetme ende të pa rrënuara nga lufta e fundit.

– Do të shkoj t`i them burrit ta ndërpresë sharrën vetëm për pak kohë, – i bëra autorit të fejtonit.
– Ndryshe nuk do të bëjmë asgjë, – tha ai.

Ecja udhën pak të shkelur afër kufirit. Kaq të zbrazur tashmë. Më përhitej vetëm hija e babait, e nënës e zbrazësia… hija e tokës së Tullarit …një mjegull e kuqërremtë, një tym, një turbullim, një masakër. E ndiqja kujtimin e ecja të tashmes dhe njëkohësisht udhën e fëmijërisë me drurë të gjelbër e plot fruta. Me kohanikët, djem e vajza, zbrisnim kodrës te njëra apo te tjera pemë. E mbushnim gjirin plot fruta e përtypeshim pandërprerë. E ecja dhe të tashmen e ndezur. Me drurë të vjetër, gjysmë të djegur dhe në shkrumb të shtëpive të djegura, ndërmjet kufirit… E vetmja shtëpi e gjallë qe ajo nga vinte zhurma e sharrës dhe një shtëpizë tjetër, e familjes Biçaku, e cila e mbante të lidhur qenin, aty ku pyetëm rrugës të më dëftonte a gjendej afër shtëpia ime e lindjes.

Theva dhiaren e mora të ngjitesha shpatullës për te pemët. Unë ngjitesha lart ndërsa vërejta të zbriste fund pemishtes burri me plis dhe me maramë. Ecja e vëreja të mos i kishte nxjerrë askush patatet nga toka…
– E kush do t`i nxirrte, ndërsa askush i gjallë nuk lëvizte, – mendoja ndërsa afrohesha te pemishtja.

Ende pa u afruar i fola me zë burrit, të pushonte pak me sharrën përderisa do të xhironim ndonjë insert te shtëpia ime e rrënuar.
– A ti je, a? – tha ai dhe m`u afrua.
– Po, unë, më njeh?
– Unë jam Uka, – tha. – Të kujtohem apo jo?
– Ka gjashtëdhjetë vjet që s`të kam parë, – ia bëra e përnjëherë më iku si një hije figura e Ukës, nga ikën para tufës së bagëtive, gjithnjë duke i rënë fyellit. Ai qe biri i Hasës së Kullës, e cila i printe lopët deri te pusi për të pirë ujë në Kodrën e Oracës.

– Unë ty të njoh.
– Më kujtohesh dhe ti…
– Shtëpinë e ke aty te ata gurtë e tullat e rëna për tokë… Nuk lanë asgjë në këmbë serbët. Vranë nëna e fëmijë…
– Pse të ndërroi fytyra? Pse t`u vyshk buzëqeshja. Të mori hije fytyra, të mori ngjyrë të rëndë të tokës së papunuar, e cila shtrihet brezit kufitar me Serbinë.

– Po, m`u vra gëzimi tërësisht, Ukë!
– Tashmë jemi shtet, – tha Uka! – Mos harro kurrë!
Zbrita i heshtur, pa e zgjatur më shumë. Eca me hapa të rëndë shpatullës së Kodrinës, e cila lidh ende tokat tona andej e këndej kufirit…

E xhiruam atë çfarë na u desh e mësymë për në shkollë. Veç aty nuk do ta takoja Sabriun, Aliun, Rrustemin. Oborrit të madh të shkollës lëviznin nxënës të ri e mes tyre hija e mësuesit e patriotit Azem Beqirajn, i cili, në ditët me borë e fërfëllizë të rëndë, na lejonte të ngroheshim afër stufës dhe aty t`i thanim ndopak opingat prej lëkurës së lopës.
Ai nuk është më ta shikonte fejtonin për mua.

Më pikën dy pikë lot nga sytë.
Do të ulem mes fëmijësh e do ta lexoj vjershën për mësuesin tim, që nuk është më, por, i cili gjithnjë jeton në zemrat e atyre, të cilëve ua mësoi Alfabetin e Gjuhës shqipe.

Vargjet e vjershës për të më rridhnin mes lotësh.

Yjet

(Mësuesit tim të parë, patriotit,
Azem Beqiraj)

Ende te dritarja e klasës i ndrit syri lot.
– Ç`i dhemb mësuesit, – shikojmë me habi.
Jashtë bën ftohtë, kojrrilat ikin në largësi.
Ai ec mes nesh, çel udhë të reja në botë.

Këmishë-blu, në rroba të zeza e kravatë.
– Dijen s` mund t`ua rrëmbejë askush dot,
As me zinxhirë, as me shpatë. Është Kot.
Ec mes nesh, kaq i ri, i pashëm e i gjatë

Prapë nga dritarja shikon diku, harrohet.
Unë nga shoku i vjedh detyrat e shtëpisë.
– Halimi, – më përmend zëri nga afrohet.

– Asgjë s`të ndrit po s`qe aty dhe truri yt!
Pa kokë e gjak nuk ecet te pema e diturisë.
Qielli do të qe veç një skëterrë pa yj`t.

…Dola nga oborri i shkollës i përlotur. Kalova përbri varreve të vjetra e ndala në urë. Përpara e kisha tërë gjatësinë e mbushur me lule të xhenetit, të cilën e ecja në fëmijëri e lodhesha ta kaloja në kërcim kënaqësinë, nga një lule te tjetra. Vozitësi i TV Kosovës murmuriti diçka apo vetëm m`u përhit, ndërsa dilja nga automobili, me sy në hapësirën e pafund të qiellit të rënë mbi shelgjet e egra.

– Do të xhirojmë këtu, apo vetëm çmallesh me ketë pjesë, -tha ai me hamendje. Ai priti gjatë t`i përgjigjesha dhe prapë me shikoi në fytyrë, – apo do të ecnim, ndërsa unë ende ikja jallisë së vjetër, të mbledh lule të xhenetit. Bëja përpjekje të bëj tërë një tufë, siç ngjante në fëmijëri, e t`ia dërgoja nënës në shtëpi. Ajo i fuste në një gotë me ujë dhe ato e ruanin për një javë aromën e këndshme të Dumnicës. Ja, tashmë zot, nuk është as nëna dhe as qe koha e luleve të xhenetit, vetëm unë në mall të pashuar i paramendoj dhe fluturoja mbi to,mbi secilën veç e veç. Fluturoja, fluturoja, fluturoja dhe arrija te kënaqësia e paparë udhës së gjatë të jetës.

– Fejtoni për mua do të jetë i mangët pa lulet e xhenetit, – fola me kënaqësi dhe dhembje të thellë, duke e ndjerë të gërshetohen fuqishëm dhe të bëhen një vargjet e poezisë së hershme dhe ato të plagës së përhershme.