Aktualitet – 30/01/20
Agjencia e lajmeve, Reuters, në një hulumtim ekskluziv, shkruan se disa hakera që besohet se punojnë pro-interesave turke kanë sulmuar organizatave të ndryshme qeveritare në Europë dhe Lindjen e Mesme.
Duke cituar tre zyrtarë perëndimorë të fushës së sigurisë, Reuters shkruan se në mesin “e dhjetëra viktimave” gjendet edhe rrjeti kibernetik i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë.
“Në mesin e viktimave është përfshirë edhe inteligjenca shtetërore e Shqipërisë, tregojnë të dhënat publike në internet. Inteligjenca shtetërore shqiptare kishte qindra emra përdoruesisht dhe fjalëkalime sigurie të kompromentuar si rezultat i sulmeve, ka bërë të ditur njëri prej hetuesve privatë të sigurisë kibernetike. Shërbimi Informativ Shtetëror i Shqipërisë ka bërë të ditur se sulmet ishin kryer ndaj infrastrukturës së paklasifikuar, ku nuk ruhen dhe nuk procesohen “informacione të klasifikuar të nivelit ‘sekret shtetëror”, shkruan Reuters.
Zyrtarë të lartë të sigurimit, mes të cilëve dy britanikë dhe një amerikan, konfirmojnë se hakerat kanë siguruar qasje të paligjshme në 30 organizata qeveritare, përfshirë ambasadat, ministritë dhe shërbimet e sigurisë greke, qipriote, irakiane, mes tyre edhe ato shqiptare. Në shënjestër kanë qenë edhe disa organizata të shoqërisë civile në Turqi, që besohet se kanë lidhje me klerikun, Fethullah Gylen.
Sipas zyrtarëve, nuk është ende e qartë se cilët persona ose organizata specifike ishin përgjegjës, por nisur nga fakti se të gjitha sulmet përdornin të njëjtët serverë ngre dyshime të forta se valët e sulmeve ishin urdhëruar nga qeveria ose veprojnë në emër të interesave të Qeverisë turke.
“Sipas dy zyrtarëve britanikë dhe një zyrtari amerikan, aktiviteti ka të gjitha elementet e një operacioni spiunazhi kibernetik me mbështetje shtetërore, të kryer në emër të interesave turke”, ka raportuar Reuters. /Opinion.al