PSE NUK E PËRMENDET ROLI UNIK I KOL BIB MIRAKËS PËR SHPËTIMIN E HEBRENJËVE?

0
579
Kolë Bib Mirakaj

Frank ShkreliNga Frank Shkreli

Më poshtë është një artikull i botuar tre vjet më parë. Në këtë 75-përvjetor të çlirimit të kampit nazist Auschwitz, po flitet dhe shkruhet shumë në median shqiptare mbi shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, pothuaj askush nuk përmend rolin e Kol Bib Mirakës i cili si Ministër i Mbrendshëm, në atë kohë, autorizoi lëshimin e pasaportave shqiptare për hebrenjtë në Shqipëri, duke ua bërë të mundur largimin e tyre nga Shqipëria — duke shpëtuar jetën e rreth 2000 hebrejve.

Askush nuk flet për këtë fakt historik sot, megjithëse ekzistojnë dokumentat historike për rolin e tij, siç është libri i Z.Faik Quku, me titull, “Qëndresa Shqiptare Gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një shënim mbi këtë libër mund ta lexoni më poshtë, botuar tre vjet më parë. Ka ardhë koha që edhe emëri i Kol Bib Mirakës të rreshtohet në listën e atyre shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë nga nazistët, por edhe në pllakën e nderit, “Righteous Among the Nations” të shtetit të Izraelit, për njerëzit që rrezikuan edhe jetën gjatë Hollokaustit për të shpëtuar hebrenjtë nga zhdukja fizike.

Frank Shkreli: Kol Bib Mirakaj: Më në fund një e vërtetë historike

24/01/2017 Analiza

Më në fund, historia flet, njihet e vërteta. Të pakën në një rast. Deri tashti dikush tjetër dhe të gjithë të tjerët — emër e pa emër, të merituar e të pa merituar, — morën kredinë për shpëtimin e hebrenjve nga nazistët gjermanë, në Shqipërinë e okupuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por asnjëherë, në këto 25 vitet e fundit, nuk iu përmend emri protagonistit kryesor të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri nga Kolë Bib Mirakaj, të cilin historiografia komuniste e karakterizon me epitete fyese të lloj-llojshme.

Shumë vite më parë, unë e kisha dëgjuar rolin që kishte luajtur Kol Bib Mirakaj në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nga babai i bashkshortës time Vitores, (Pashk Ademi Markgjonaj), por edhe nga bashkohas të tjerë të Kol Bibës, si Ernest Koliqi, e të tjerë. Por në mungesë të ndonjë dokumentacioni si ky që ka zbuluar dhe botuar në librin e tij kohët e fundit, Faik Quku – i mbajta të dhënat e tyre, të qeta, në heshtje mbrenda vetes. Ishte një heshtje, jo vetëm për mua por edhe për shumë të tjerë që kishin dëgjuar të njëjtën bisedë, por në mungesë të dokumentacionit si është ky i paraqitur nga autori Faik Quku, duhej pranuar në heshtje ato që dëgjonim e lexonim për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë, megjithse jo të gjitha të dhënat e këtij rasti që kemi dëgjuar deri tani, i përgjigjeshin të vërtetës.

Mbarë Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët kudo, me të drejtë duhet të jenë krenarë për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë nga nazistët, por është një njollë e zezë mbi ata që kanë promovuar këtë akt me të vërtetë humanitar të shqiptarëve, por pa përmendur kurrë rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka në këtë mes. Por, ja tani, gazeta e Tiranës Telegraf sjellë një lajm për lexuesit e saj, në lidhje me librin e autorit Faik Quku, me titull, “Qëndresa Shqiptare Gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ku dokumentohet roli i Kol Bib Mirakës në shpëtimin e hebrenjve, dokumenta të kohës këto, të nënshkruara nga vet dora e tij si Ministër i Mbrëndshëm i Shqipërisë së asaj kohe. Tashti, kemi librin e Faik Qokut dhe dokumentacionin siç duket të padiskutueshëm që përbën mbrenda veprat e tij në lidhje me rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka gjatë luftës.

Sipas gazetës Telegraf, në librin e tij, autori Faik Quku, bazuar në dokumentacion, ka paraqitur disa të vërteta rreth jetës dhe veprës së Kol Bib Mirakajt. Siç mund të shihni në linkun e gazetës Telegraf http://telegraf.al/opinion/kole-bibe-mirakaj-ministri-shqiptar-qe-shpetoi-2000-hebrenj-2/ spikaten dy gjëra me rëndësi historike, sipas dokumentave të zbuluara nga autori.

Njëra nga këto të vërteta ka të bëj me vendimin e Kol Bibë Mirakës për të paisur me pasaporta shqiptare 2000 hebrenjtë që gjatë Luftës së Dytë Botërore ndodheshin në territorin shqiptar, një akt ky që mundësoi strehimin e tyre në Italinë jugore, të çliruar nga anglo-amerikanët, duke i shpëtuar ata nga forcat naziste. E vërteta e dytë me rëndësi është fakti i zbuluar me këtë libër se Ministri “fashist” Kol Bib Mirakaj kishte refuzuar shumën e parave që hebrenjtë donin t’i jepnin atij si shpërblim për vendimin e tij humanitar. Jo një herë, por refuzoi parat dhe napolona ari, dy herë: një herë Shqipëri dhe tjetrën herë në Romë, ku Kol Biba ishte i mërguar dhe ku jetonte në skamjen më të madhe, për të cilin kujdesej urdhëri françeskan, nga të cilët varej për bukën e gojës.

Ta merr mendja se vendimi i Kol Bib Mirakës, si ministër i Mbrendshëm i asaj kohe — duke paisur me pasaporta hebrenjtë shqiptarë për tu larguar shëndosh e mirë nga Shqipëria — mund të kishte pasur pasoja të rënda për ‘të, po të ishte zbuluar ky akt humanitar i tij nga nazistët. Thonë se burri dhe miku i mirë njihet në ditë të vështirë! S’ka dyshim se për hebrenjtë shqiptarë Kol Bib Mirakaj, jo vetëm që ishte burrë dhe mik i mirë në një ditë tejet të vështirë për ta, por autori Faik Quku provon se ai në të vërtetë ishte diçka më tepër, ai ishte shpëtimtari i tyre, i cili madje edhe refuzoi çdo shpërblim nga hebrenjtë shiptarë për paisjen e tyre me pasaporta shqiptare, gjë që tani dihet se bëri të mundur largimin e tyre për në Itali. Si do që ta merrësh, për atë kohë, por edhe për sot, ky ishte një akt heroik nga ana e Kol Bib Mirakës, për të cilin flitet shumë pak ose aspak!

Tashti, kemi librin e Faik Qukut dhe dokumentacionin që përbën mbrenda vepra e tij, mbi rolin e Kol Bib Mirakës në shpëtimin e 2000 hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, që vet Kol Bib Mirakaj do të shprehej se nuk kemi më nevojë tani, “Me pranue më heshtjen tonë për një cilësim të tillë që nuk i përgjigjet të vërtetës”, sepse ka shkruar ai në librin e tij “Vrasja e Nji Kombi”, me heshtje, “Mua më është dukë se bajmë krim kundër vetvetes, kundër historisë e kundër fëmijve e njerzëve tanë, që do të mbeteshin me kryeultë për breza të tanë, para shoqënisë.”

Kol Biba do të falënderonte Faik Qukun, që me librin e tij mbi këto të vërteta të dokumentuara nga jeta e Kol Bib Mirakës, ai i jep “histori-shkruesit të së nesërmes nji dokument që ta kenë të gjithë Shqiptarët për studim”, një dokument që ai do të pohonte se ia “nxjerrë kartat në shesh dhe ia parashtron haptas Gjyqit të Historisë”, ngjarjet e asaj periudhe. Ndonse nuk e kam lexuar librin, duke vlerësuar nga këto të dhëna të paraqitura në Gazetën Telegraf, me librin e tij, autori Faik Quku zhdukë jo vetëm heshtjen por edhe shumë paragjykime dhe të pavërteta të promovuara nga disa pseudo historianë shqiptarë, mbi rolin dhe veprimtarinë e shumë personaliteteve shqiptare, përfshirë Kol Bib Mirakën, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.